Si të shkruajmë një Ese?

Pavjo Gjini | 20.07.2019 | nyje.al 
Ky punim u shërben nxënësve, studentëve, gazetarëve të rinj dhe të gjithë atyre që në një moment apo në tjetrin u nevojitet ose kanë kërshërinë me mësu se si shkruhet një ese. Materiali është i ngjeshur dhe i përmbledhur për ata që kanë vetëm një ose pak ditë kohë për të zbuluar se ç’është kjo formë e të shkruarit dhe se si t’ia mbërrijnë ta shkruajnë një sosh. Këtu përshkruhen të gjithë hapat që ndiqen për shkrimin e një eseje, përshkruhet forma dhe llojet e saj, bashkë me sugjerimet për t’i patur parasysh përgjatë shkrimit. Nevoja për këtë punim erdhi nga fakti se në internet mungojnë shkrime të tilla në gjuhën shqipe ose gjenden copa-copa. Sigurisht që libra të botuar në shqip me këtë objekt ekzistojnë, qoftë nga studiues shqiptarë qoftë të përkthyer nga gjuhët e tjera. Po ashtu, eseistët e shkëlqyer nuk i mungojnë qoftë historisë qoftë aktualitetit të letrave shqipe. Megjithatë, ky shkrim është bërë për ata të cilët nuk e kanë kohën për t’i lexuar dhe kanë nevojë për një recetë të shpejtë gatimi. Artikulli është më pak se një doracak. Më shumë është një fletushkë e cila përmbledh bazat kryesore të kësaj teknike shkrimi dhe mund ta shtyjë lexuesin për t’u thelluar më shumë në hulumtimin e saj. Nevoja për shkrimin e eseve bëhet edhe më urgjente kur kujtojmë dobësimin dëshpërues të universiteteve dhe shkollave të mesme në përgjithësi në trevat shqiptare dhe programet e pambështetura për diasporën. Më specifikisht, shkrimit akademik si lëndë në gjimnaze dhe në fakultete nuk i është dhënë rëndësia e duhur. Edhe në shtypin e shkruar niveli i artikujve gazetaresk është nën nivelin e esesë.


Vdekja e Maratit, pikturë e Jacques-Luis David (1793)
Vdekja e Maratit, pikturë e Jacques-Luis David (1793)

Eseja është bërë pjesë integrale e kurrikulave si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në atë universitar. Konsiderohet ndër dijet bazë që duhet të dijë nxënësi dhe studenti në lidhje me aftësitë shkruese dhe reflektuese. Kjo formë shkrimi na jep mundësinë të parashtrojmë një problematikë, të mbajmë qëndrim kritik mbi të dhe të mundemi ta mbrojmë këtë qëndrim përmes argumenteve. Funksioni i saj është që temave dhe objekteve që parashtron dhe që në dukje të parë mund të shfaqen jo problematikë, t’ua  problematizojë dukjen e paqtë, indiferente apo konsensuale duke i vendosur nën sitën e mendimit kritik. Shkrimi i esesë nuk është mekanik e përsëritës, por krijues e kritik.
Vetë autorit kjo formë i jep  mundësinë të eksplorojë mendimet, marazet dhe hamendjet e tij mbi një temë për të cilën ai kërkon të jetë më i qartë dhe më i artikuluar përballë një Tjetri. Eseja nuk mund të jetë gati në kokën tonë ende pa u shkruar. Shkrimi i saj është një aventurë e mendimit mbi një temë të caktuar, është një mënyrë e të menduarit në vetvete. Ne mund të kemi një tezë, një qëndrim dhe disa argumenta para se të ulemi me shkrujt, mirëpo eseja na ndihmon të kuptojmë se përse ne e kemi këtë qëndrim dhe se sa qëndrojnë argumentat tonë, na ndihmon me strukturu mendimin dhe qëndrimin tonë. Përndryshe, mendimet i kemi të çakërdisura. Nëse e marrim të mirëqenë poetin Paul Valery tek thotë se ‘gjuha është Zoti i çakërdisur në mish’, atëherë eseja është një nga mënyrat për ta kurdisur apo akorduar këtë Zot jashtë mishit në letër.
Kjo teknikë letrare na trajnon sesi të mësojmë vetë, sesi ta shtjellojmë mendimin tonë. Fjala ‘ese’ vjen nga frengjishtja dhe nënkupton ‘të provosh’, ‘të përpiqesh’. Për Montenjin në shek XVI, i pari i cili i qasej shkrimeve të veta me këtë term, qëllimi i saj ishte ‘përpjekja’ e sinqertë me ftillu mendimet në shkrim mbi një shqetësim apo habi tonën. Kjo formë i jep mundësinë autorit të qartësojë raportin me idetë e tij. Eseja përmbyllet si një qark i shkurtër rreth temës së saj pa pretenduar shterimin e kësaj teme. Është një sprovim i ideve tona, një tentativë për ta parë nëse një qëndrim a mendim që kemi funksionon, nëse qëndron në këmbët e veta.
Shkrimi i esesë është një mënyrë jo vetëm për të shkruar ide, por edhe për t’i zbuluar ato përgjatë këtij procesi; një mënyrë për të kuptuar se çfarë dëshiron, çfarë të intrigon apo shqetëson dhe se përse ka rëndësi kjo për ty. Shkrimi mund të tingëllojë formal për nga tema, struktura dhe tonaliteti, ose informal për nga trajtesa personale dhe intime e ndjeshmërive dhe mendimeve të autorit. Mund të përdoret për kritikë letrare, pra kritikë të një teksti që kemi lexuar, për zhvillimin e një qëndrimi politik, për shpalosjen e një polemike me një tjetër eseist, për përshkrimin e një fenomeni dhe për reflektimin e autorit mbi një çështje. Për shkrimtarin amerikan Aldos Huxley një ese e mirë përfshin përvojën personale të autorit, fakte mbi temën dhe një qëndrim abstrakt universal.1
Për dallim nga punimet shkencore dhe prozat letrare, eseja është një formë e çlirët e të argumentuarit të mendimeve dhe tipet e saj janë të shumëllojshëm. Disa nga llojet më të njohura dhe ndër kategorizimet më të përgjithshme të esesë janë:

  • Eseja përshkruese – merret me përshkrimin e një subjekti, objekti, teme a problematike dhe me rëndësinë e këtij përshkrimi. Për ese të tilla objekti i marrë nën shqyrtim është i qartë dhe i dukshëm. Ky tip shkrimi e ndan temën deri në detaje për t’i ofruar lexuesit një panoramë vizuale të saj.
  • Eseja shpjeguese – shpjegon përkufizimin, historinë dhe gjendjen e një subjekti apo teme. Shpjegimi tenton t’i përgjigjet Pse-së dhe Si-së së ekzistencës së problematikës nën shqyrtim. Shpjegimi mund të bëhet pëmes analizave, krahasimeve, kontrasteve, lidhjeve shkak-pasojë, etj.
  • Eseja bindëse – përbëhet nga shtrimi i linjës argumentuese të autorit mbi një qëndrim të caktuar që do të mbrojë për të bindur lexuesin mbi qëndrimin e tij. Mundet të përbëhet e gjitha nga shtrimi i një radhe argumentash mbi temën, ose mundet të përbëhet nga parashtrimi i një argumenti qendror pasuar nga një kundërargumenti thelbësor dhe të përmbyllet me një linjë përfundimtare argumentimi ku rimbrohet teza fillestare me një përgjigje bindëse ndaj kundërargumentit.
  • Eseja narrative – lidhet me një përvojë personale të autorit ku autori tregon përvojën dhe ndjesitë e tij duke e shkruar atë në vetën e parë. Përvoja mund të lidhet me një ngjarje në të cilën autori është përfshirë ose vetë një përvojë e caktuar e autorit mund të tregohet si vetë ngjarja e esesë.

Kornizën fillestare të esesë mund ta mendojmë të përbërë nga 5 paragrafë: i pari hyrës, tre të rradhës përbëjnë trupin e esesë dhe i fundit përmbyllës. Ky është një skelet më së shumti për t’u patur parasysh kur nuk kemi shkruar ese më parë dhe jo për t’u marrë si modeli ideal i saj. Paragrafi i pari shërben për prezantimin e temës që do të trajtohet përgjatë shkrimit, shpall qartë qëndrimin e autorit, futet drejt e në temë dhe përmend përmbledhtazi argumentet kryesorë që do të vërtetojnë qëndrimin përgjatë shkrimit. Pas tij, 3 paragrafët e trupit të esesë shpalosin argumentet tona në një linjë argumentuese të ndarë në 3 pjesë. Ndërsa paragrafi i fundit përmbyll esenë duke rikapitulluar pikat e saj qendrore dhe duke treguar rëndësinë e tezës që ato lëvrojnë. Ky paragraf i jep frymëmarrje shkrimit duke e rikapitulluar më thjeshtë se trajtesa dhe lë shteg për mendime të ardhshme; çështje të patrajtuara.

Tre paragrafet e trupit shpërfaqin llojin e esesë që po shkruajmë. Përshembull, për një ese argumentuese lidhja mes këtyre tre paragrafeve mund të jetë e tillë: paragrafi i parë i trupit të esesë mund të shkruhet duke patur në mendje lexuesin që synojmë tek përpiqemi ta fusim atë drejt e në problematikën që kemi marrë nën trajtim. Ky paragraf mund të përshkruajë problemin që po ballafaqojmë me informacionin përkatës të domosdoshëm për lexuesin, të parashtrojë kontekstin e problemit, të përkufizojë temën nën shqyrtim, të fillojë analizën e argumentit tonë fillestar, ose të parashtrojë pikëpamjen që duam të kundërshtojmë përmes tezës tonë dhe kontradiktat e saj. Paragrafi i dytë mund të shtojë një argument tjetër në favorin tonë ose të parashtrojë një përgjigje sa më të fortë të jetë e mundshme nga perspektiva e kundërt me të tonën. Këtu mund të mendojmë kundërargumentin më të fortë që mund të ngrihet kundër esesë tonë. Paragrafi i katërt është paragrafi më i fortë retorik e logjik, ai që të gjithë e presin. Këtu ‘armikut’, ose idesë që po kundërshtojmë, i japim goditjen finale. Argumenti kyç dhe qëndror vendoset në këtë paragraf, analizohet dhe tregohet sesi është komplet ndryshe nga ai i ‘armikut’ apo i konsensusit publik mbi temën.

Secili paragraf qëndron logjikisht dhe gramatikisht më vete dhe secili trajton tërësisht njërin nga argumentat tonë mbi tezën e shkrimit. Paragrafi është si një mini-ese për njërën nga pikat e temës që ne duam të shtjellojmë. Paragrafet e trupit të esesë komunikojnë qartë një zonë të idesë së saj. Në fund të tij, çdo paragraf i hap rrugën dhe lidhet logjikisht dhe estetikisht me paragrafin e rradhës. Paragrafet i shtrojnë rrugën njëri-tjetrit në mënyrë që të mos tingëllojmë kakofon, por polifon. Idealisht secili prej tyre shërben si bazament i sigurt për pasardhësin. Teksti duhet të jetë integral, të tingëllojë harmonik dhe ta mbajë premtimin e shtjellimit të tezës së tij qendrore nga fillimi në fund.
Edhe vetë paragrafi ka hyrje, zhvillim dhe mbyllje. Si fillim mund ta mendoj të përbërë nga 5 deri në 8 fjali. Ka fjali qendrore dhe fjalë kyçe (ato të cilat priten të shtjellohen më tej). Fjalia qendrore dhe fjalët kyçe janë ato mbi të cilat mbahet paragrafi dhe në shërbim të të cilave është. Fjalia qendrore s’duhet të jetë neutrale dhe e vakët, por pohuese dhe polemike. Fjalia qendrore nuk e përfaqëson tezën, por është vetë teza. Është qëndrim dhe qasje, nuk është thjeshtë informuese. Është gjykim dhe jo fakt. Një tezë e mirë është specifike dhe e përmbledhur. Mirë është të jetë fjalia e parë në paragraf ose e dyta, në mënyrë që t’i japë drejtim paragrafit, por mund të jetë edhe e fundit për të përmbyllur argumentimin, si rezultante e tij. Nëse paragrafi nuk ka një fjali qendrore, një ide e posaçme duhet ta përshkruajë për ta mbajtur të bashkuar. Pozicioni i paragrafit është kyç për natyrën e tij. Përshembull, i pari, meqë e hap esenë duhet të jetë shpallës, ftues dhe përmbledhës.2

Paragrafi mund të përkufizojë një term, të përshkruajë një person ose vend, të bëjë një krahasim. Mund të tregojë ç’ndodhi, të përmbledhë një opinion, të japë një përfundim. Një paragraf i mirë bën një pyetje dhe i përgjigjet, përshkruan një pasojë dhe shpjegon shkakun, parashtron detaje dhe arrin në konkluzione mbi to, ofron një analogji ose paraqet një kronologji. Paragrafi mund të nisë nga një shembull për të bërë një gjykim përgjithësues ose t’ia nisin nga një gjykim përgjithësues te një shembull specifik. Paragrafët mund të jenë të shkurtër, me më pak se pesë fjali, kur shërbejnë për kalime ose përmbledhje argumenti.3

Mënyra më e mirë për të mësuar se si të shkruajmë një ese është të përvijojmë rrugëtimin e dikujt që di ta shkruajë atë.
Kur na duhet të shkruajmë një ese, shqetësimi i parë që lind është pyetja e ankthshme se për çfarë të shkruaj? Na duhet të zgjedhim! Na duhet të vendosim për një temë me një subjekt mbi të cilin do të mbajmë një qëndrim. Tema dhe subjekti duhet të na interesojnë që të shkruajmë mbi të, të jemi të intriguar ta shtjellojmë, të ndjejmë domosdoshmërinë e shkrimit të saj, të duam të sqarojmë veten mbi të, dhe të jetë e mundshme të kryhet prej nesh si për nga vështirësia e temës, burimet e të dhënave apo për nga koha që kemi në dispozicion.
Eseja është ballafaqim. Synimi jonë është që lexuesi të ndryshojë mendje mbi temën, të dallojë qëndrimin tonë nga ai i ‘armikut’, t’i tërhiqet vëmendja mbi çështjen. Pra, shkruajmë për një lexues i cili është minimalisht i tërhequr nga tema a titulli dhe që bëhet maksimalisht i tërhequr nga teza jonë. Shkruajmë për një lexues të cilit ia dimë kodin gjuhësor, mënyrën e të logjikuarit dhe ndjeshmëritë. Shkrimin duhet ta mendojmë si bashkëbisedim me lexuesin. Kur mendojmë se mbi çfarë do të shkruajmë mendojmë edhe se si do të shkruajmë për lexuesin tonë specifik, se ç’duhet të dijë ai/ajo, pse duhet të interesohet dhe se ç’duhet të vendosë. Shkruajmë për një lexues mes neutralitetit dhe shqetësimit mbi temën. Nuk shkruajmë për ‘armikun’, por e kemi në mendje ‘armikun’ tek shkruajmë për të bërë dallimin me të.

Pasi vendosim temën për të cilën duam të shkruajmë, në një copë letër apo në një dokument kompjuteri hedhim idetë, argumentet, pikat kryesore që na vijnë ndërmend tek mendojmë për të. Mënyra e hedhjes së shënimeve fillestare i përshtatet autorit. Një prej mënyrave për ta fokusuar vetë menjëherë është përmes shkrimit të një pyetjeje që na bren dhe të cilës shkrimi jonë do të synojë t’i japë përgjigje. Dikush i hedh në formë liste, dikush në formë skicash dhe dikush tjetër në formë skemash. Në letër hedhim gjithcka dimë menjëherë mbi temën, tezën tonë fillestare sado qesharake dhe e përgjithshme të na tingëllojë. I mbajmë shënim argumentat logjik që na mbijnë në mendje, literaturën dhe personat që kemi lexuar apo pyetur tashmë, apo që mund të lexojmë dhe të pyesim mbi temën. Një pjesë e shënimeve mund të fshihen më vonë, por si fillim e rëndësishme është t’i hapim punë vetes me pikat për të cilat mund të shkruajmë, me pikat që duhen hulumtuar për t’u kuptuar nëse është e udhës të shtjellohen më tutje.

Planifikojmë kohën që kemi në dispozicion për esenë. Koha është faktori më i rëndësishëm që na përcakton se sa mund ta zgjerojmë punimin tonë në kërkim dhe shkrim. Ka ese që mund t’i shkruajmë pa patur nevojë për hulumtime para shkrimit. Për shkrime të tilla, hulumtimi bëhet brenda labirintit të mendjes tonë mbi leximet paraprake, shqetësimet dhe mendimet tona rreth temës. Hulumtimi kryhet brenda ndjesive dhe mendimeve tona të mbledhura mëparë nga përvojat. Për ato ku lipset të bëhet kërkim paraprak, siç janë esetë universitare dhe gazetareske, kërkimin e bëjmë sepse më duhen prova për të mbështetur tezën time. Më duhen shembuj, dëshmi, analiza, përmbledhje, perifrazime, citime, fakte, arsye, statistika, përshkrime, ilustrime, raporte qeveritare dhe OJQ-shë, ligje, investigime, artikuj gazetaresk, revista, fjalime, punime akademike, intervista personale, përvoja personale, përkufizime, e të ngjashme si këto. Të gjitha burimet që më vijnë ndërmend nga ç’kam lexuar, dëgjuar dhe shikuar i mbaj shënim për t’i kërkuar përgjatë hulumtimit.

Mënyra më e shpejtë për kërkimin e tyre është përmes internetit, bibliotekave dhe librarive. Për kërkimet në internet, por jo vetëm, më duhet të sigurohem se informacioni është i saktë, i besueshëm dhe më duhet të kuptoj se nga ç’këndvështrim dhe se nga ç’subjekt është shkruar dhe botuar ai. Në rastet kur temën apo subjektin që kam nën trajtim nuk e njoh mirë dhe nuk di si të kërkoj për të, atëherë mendoj nëse njoh dikë që e njeh problematikën për të cilën po shkruaj. Gjej kontaktin e tij/saj dhe provoj të lë takim për ta pyetur mbi dokumentet dhe problematikat që e karakterizojnë temën tonë. Në takim shkoj me disa pyetje paraprake për personin në fjalë. Pyetjet tona janë të domosdoshme që ta orientojnë edhe atë, që të mundet të na orientojë më pas ai/ajo ne si kërkues në mënyrë të foksuar. Ndërkohë që e dëgjoj mbaj shënime. Materialet e sugjeruara prej tij/saj i lexoj më pas duke mbajtur po prap shënime përgjatë leximit, qoftë të ideve të punimeve që mendoj se më shërbejnë për esenë, qoftë emra autorësh apo materiale të tjera që përmenden aty dhe që mua më duhet t’i gjurmoj. Sigurohem të mbaj edhe faqen e materialit, autorin, titullin, botuesin, vitin dhe qytetin e botimit, për t’i shënuar në fund si citime dhe bibliografi.

Burimet më duhet t’i lexoj në mënyrë kritike. Shoh nëse subjekti i tyre është i njëjtë me shqetësimin e esesë time, shënoj argumentat kryesorë të tij në formë të përmbledhur, mbaj shënim tezën kryesore nëse ka dhe nuk harroj faktet e padiskutueshme që përmenden. Po ashtu, jam i vëmendshëm ndaj llojit të tekstit, qëndrimit të autorit, lexuesit për të cilin është shkruar dhe retorikën që e karakterizon materialin. Varësisht nga koha që kam dhe natyra e materialeve vendos edhe për mënyrën sesi do t’i lexoj tekstet. Vendos nëse do t’i hedh një sy përmbajtjes së lëndës për të parë nëse figuron në kapitujt e tij/saj tema apo subjekti ynë që ta lexoj të veçuar, nëse e lexoj në mënyrë të shpejtë dhe sipërfaqësore kur po kërkoj vetëm për interpretimin e ndonjë fakti a ngjarjeje specifike, nëse e lexoj imtësisht kur është investigim, apo nëse bëj lexim intensiv kur është tekst i ngjeshur letrar, kritik, politik apo filozofik. Në rastet kur nuk kam kohë të lexoj materiale të gjata mund të kërkoj për kritika apo artikuj përmbledhës mbi to ose mund të lexoj abstraktin apo vetëm hyrjen e materialeve të caktuara. Në çdo lexim që bëjmë nuk duhet të heqim dorë nga qasja jonë kritike. Kjo nënkupton pyetësimin e pandehmave tona dhe të atyre të autorit, pyetësim i të dhënave dhe i përfundimeve. As besimet tona as besimet e autorit nuk duhet të merren për të mirëqena, por të pyetësohen në mënyrë që të kuptojmë nëse i qëndrojnë testit të kritikës, të kuptojmë se mbi ç’baza logjike mbështeten.
Shënimet mbi leximet i mbaj ose në formë përmbledhje koncize, ose në formë perifrazimi të argumentave të autorit me gjuhën time, ose me citime fjalë për fjalë të autorit. Pasi kam mbaruar punë me hulumtimin i lexoj disa herë shënimet e mia dhe fokusohem aty ku tërhiqem ose çuditem prej tyre. I rikthehem skicës fillestare duke ia shtuar të rejat e hulumtimit dhe tek i rilexoj mendoj nëse ka një fokus tema, nëse është specfike mjaftueshëm dhe nëse mundem ta precizoj tutje qëndrimin tim mbi të. E rishoh nëse kam argumentim të mjaftueshëm për qëndrimin, nëse linjën argumentuese e kam të organizuar qartë dhe në përshkallëzim e sipër.

Pas kësaj pune mbajtje shënimesh, kërkimesh, intervistash dhe rishikimesh mund të them se jam gati për t’u ulur dhe për ta shkruar esenë. Përsëri, i rikujtoj vetes se procesi i shkrimit të esesë nuk është thjesht një punë mekanike e hedhjes së shënimeve në një formë korrekte gjuhësore. Vetë procesi i shkrimit do të më shtyjë ta mendoj edhe më thellësisht vetë tezën time, materialet që do të përdor dhe linjën argumentuese. Në shkrim do të kuptoj se një pjesë e shënimeve nuk më shërbejnë, ndërsa një pjesë tjetër kanë nevojë për më shumë stërhollim nga ana ime që të paraqiten të komunikueshme logjikisht në ese.

Kur ulemi me shkrujt fjalinë e parë rreziku fillestar është përballja me ankthin e nisjes: si t’ia nisim? ç’fjali të shkruaj? Këtë ankth mund ta kalojmë thjesht duke hedhur në letër ç‘na vjen ndërmend. Në shkrim të parë edhe fjalia e parë edhe i tërë paragrafi hyrës mund të na tingëllojnë të sforcuar dhe të përciptë. Megjithatë qendrore është të nisim dhe të mos ngecim. Do të mund t’i rishkruajmë  kur të bëjmë redaktimin pas përfundimit. Atëherë do të mund të shkruhen edhe më prerë, saktë dhe bukur.
Për fjalinë e parë mund të ndihmojë sugjerimi për të shkruar diçka që është kapluese për temën, një konstatim shokues apo një deklaratë provokuese, në mënyrë që lexuesi të fiksohet menjëherë në ese. Informacioni apo qëndrimi duhet të jenë të qartë dhe jo të mjegullt. Fjalia hapëse mund të shpallë temën që do trajtohet, të pohojë objektin që do të merret nën shqyrtim. Mund të jetë po ashtu një argument kundër-intuitivë mbi temën në fjalë, një shembull përjashtimor që provon të kundërtën e opinionit mbizotërues. Shkrimin mund ta nisë edhe një anekdotë rigoroze, një përkufizim i fortë, apo një pyetje interesante a provokuese. Në nisje duhet t’i shmangim përgjithësimet, të mos përsërisim titullin dhe të mos ia fillojmë me një citim klishe. Fjalia e dytë mund të parashtrojë logjikën e opinionit mbizotërues mbi temën. Përmes kësaj fjalie tregojmë sesi njerëzit i raportohen zakonisht problematikës në fjalë. Në fjalinë e rradhës mund të shtrojmë shkurt dhe qartë tezën tonë e cila do të shtjellohet përgjatë të gjithë esesë. Pas pohimit të tezës, e cila është fjalia qendrore e këtij paragrafi, rreshtojmë argumentat kryesore që do të shpjegohen hollësisht në paragrafet e trupit për të mbrojtur tezën. Fjalia e fundit e këtij paragrafi mundet të flasë për rëndësinë e temës që po trajtojmë dhe se pse është i domosdoshëm qëndrimi mbi të.
Paragrafi i rradhës është çelja e linjës tonë argumentuese. Ky paragraf mund të përshkruajë objektin, përkufizojë termat, të japë kontekst historik të debateve a opinioneve, të tregojë ngjarjen me kronologjinë dhe shkaqet e saj, të perifrazojë idetë e ‘armikut’, të shtrojë një parantezë që kthjellon pjesën tjetër të shkrimit. Po ashtu, mund të parashtrojë një shembull nga jeta, një dëshmi, apo të shpjegojë një hulumtim. Mundemi ta mbyllim si paragraf me argumentin tonë të parë që tregon se trajtesa jonë nxjerr në pah diçka të re mbi temën.
Paragrafi i dytë i trupit merr nën shqyrtim një argument tjetër tonin i cili mund të rrjedhë logjikisht prej argumentit të parë, të shpjegojë implikimet e tij, të hedhë dritë mbi temën nga një kënd tjetër, ose të parashtrojë kundërargumentin më të mirë të mundshëm që mendojmë se do të na shtrohej përballë.

Pas tij, në paragrafin e tretë të trupit tregohet domosdoshmëria logjike e qëndrimit tonë, rëndësia e tij universale ose polemika politike. Paragrafi mund të dekonstruktojë opinionin dominant ose argumentin e armikut përmes linjës tonë argumentuese. Është paragrafi kulmor i esesë, aty ku linja jonë argumentuese përforcohet maksimalisht dhe shtjellohet më së shumti. Nëse ky paragraf nuk na bind në shkrim atëherë duhet riparë dhe i duhet kushtuar vëmendje edhe më e madhe.
Ndërsa sa i përket paragrafit të fundit nuk kemi pse ta nisim me “si përfundim”. Mund të nisë me një citim apo përfundim që zgjeron hyrjen e paragrafit të parë, që i bën jehonë atij. Mundet të rimarrë një ide a detaj nga paragrafi i parë për t’i dhënë një përgjigje që nuk do të kuptohej pa u shtjelluar më parë e gjithë linja e argumentimit. Paragrafi i fundit shërben për të ripërmbledhur me fjalë të tjera të gjithë esenë nga teza qendrore dhe përfundimi i saj tek ripërmendja e argumentave qendror. Mund të mbyllet me një ngjarje historike ose mitologjike që i jep perspektivë dhe e lë lexuesin ta mendojë esenë edhe në situata të tjera. Qëllimi nuk është të shkruani një përfundim apokaliptik, një finale të madhe. Paragrafi i fundit mund ta rijapë materialin e trajtuar në një këndvështrim të ri, ta çojë një hap më tutje, ose t’i tregojë Tjetrit lexues se si t’i raportohet esesë pas përfundimit të saj.

     Mbarimi i dorës së parë të shkrimit nuk është fundi i kësaj pune. Në këtë pikë punimin e kemi në gjendjen fillestare të të shkruarit. Ai duhet redaktuar për nga përmbajtja dhe më pas korrektuar për nga aspektet gjuhësore. Të dyja këto ndërhyrje mirë është të bëhen të paktën në dy ditë të ndryshme, por edhe përpara tyre të paktën për një ditë të mos e prekim apo mendojmë si shkrim. Kjo bëhet për të lënë një hapësirë kohore për të pushuar, pas të cilës mundemi shkrimin ta lexojmë pak më shumë si i huaj për të dalluar gjëra që na kanë rrëshkitur në punim e sipër. Edhe më e udhës është që varësisht nga natyra e tekstit shkrimin t’ia japim një shoku/qe, të dashuri/e, kolegu a familjari për ta lexuar dhe për të na dhënë sugjerime sesi i tingëllon shkrimi, nëse është i qartë dhe i argumentuar mjaftueshëm.
Tashmë mund t’i futemi redaktimit duke i kushtuar vëmendje më të madhe paragrafit hapës. Meqë e dimë se si dhe se ku mbërrin eseja jemi më të çlirët për ta rimenduar hapjen. Siç thotë në mbyllje të 4 Kuarteteve poeti T.S. Eliott, “Ne s’do ta rreshtim kërkimin, Dhe caku i kërkimit tonë, Do jetë mbërritja në vendin e nisjes, Dhe njohja për së pari e këtij vendi 4”. Në redaktim i dallojmë boshllëqet argumentuese që mund të mbushen dhe cedimet logjike që kërkojnë ndërhyrje. Shprehje më të rrjedhshme na vijnë në mendje për të zëvendësuar momente të caktuara. Po ashtu, edhe vetë teza e esesë mund të precizohet më shumë duke ia ditur hullitë nëpër të cilat e kemi kanalizuar punimin. Sigurohemi përfundimisht nëse eseja është shkruar qartë mjaftueshëm, nëse ia mbërrin ta komunikojë historinë e saj, nëse na informon, nëse e ka të qartë audiencën dhe nëse i komunikon qartë lexuesve. Shohim se cilën kemi si pikën më të fortë dhe më të dobët të esesë për t’i përforcuar tutje nëse mundemi.

Në gjuhen e përdorur tregohemi të kujdesshëm për të mënjanuar stilin bisedor me sharje, mallkime, shprehje të huaja, përqeshje apo betime. Veçanërisht tregohemi të kujdesshëm për të mos përdorur gjuhë seksiste, përgjithësime klishe, korrektesë politike, apo gjuhë teknike, të fryrë, pretencioze dhe të pakuptimtë.5 Mashtrimi me faktet dhe përqeshja e pikëpamjeve kundërshtare apo e atyre që mendojnë ndryshe nga ne e vetësabotojnë të gjithë punimin.
Përsa i përket korrektimeve gjuhësore duhet të jemi vigjilent për të shmangur përsëritjet e shpeshta të emrave. Ku është e mundur i zëvendësojmë me përemra, ku është edhe më e mundur i heqim fare edhe përemrat. Fjalia është mirë të jetë e shkurtër. Pika na jep mundësinë me marr frymë edhe ne në shkrim edhe lexuesit në lexim. Në rast se është e gjatë është mirë të jetë fjali e nënrenditur, për të mos lënë të ndara dy fjali shumë të shkurtra informuese. Folja është mirë që të jetë e të njëjtës kohë brenda paragrafit dhe të jetë në formën veprore. Përcaktori duhet vendosur në vendin e duhur për t’u kuptuar menjëherë se kujt i referohet.6 Fjalia është mirë të nisë me kryefjalën. Rendi i gjymtyrëve të fjalisë të fillojë me gjënë e njohur që vendoset e para dhe pastaj të ndiqet nga e panjohura për të cilën thuhet fjalia. Lidhja mes fjalive mundësohet me përsëritje, zëvendësimit të emrit me përemër, lidhëza dhe rimarrje të fjalëve kyçe nga fjali paraardhëse në atë pasardhëse.

Lidhja e paragrafeve po ashtu bëhet me fjalë tranzitore, përsëritje fjale të fundit të paragrafit paraardhës, ose me fjalë kyçe. Hapjet e paragrafëve me lidhëzat e tipit ‘si fillim’, ‘së pari’, ‘më tutje’, ‘më pas’, ‘pastaj’, ‘prandaj’, ‘megjithatë’, ‘po ashtu’, ‘për më tepër’ tregojnë se struktura cedon. Lidhëzat mes paragrafeve shpërfaqin riprodhim të shënimeve, ose tingëllojnë si thjeshtë listime të shembujve.7 Gjithsesi, mund të përdoren për të lidhur fjali brenda paragrafit kur nuk na vjen ndërmend variant më i mirë. Sa i përket shenjave të pikësimit, lihet një hapësirë bosh gjithnjë pas shenjës së pikësimit dhe jo para tyre. Ndërsa citimet e autorëve të tjerë, kur i shkruajmë fjalë për fjalë, gjithnjë i fusim në thonjëza në mënyrë që të citohen siç duhet dhe të shmangim plagjiaturën. Çdo ide e marrë diku duhet përmendur se nga ku dhe prej ku është marrë në footnote dhe në bibliografi.
Këto sugjerime të mësipërme thjeshtë mbulojnë gabimet më të zakonshme në shkrim. Për ta zotëruar përdorimin e gjuhës dhe shumësinë e formave të të shprehurit leximi i letërsisë është i pazëvendësueshëm nga asnjë libër mbi shkrimin shqip apo atë akademik.

Sa i përket citimeve të burimeve të përdorura përgjatë tekstit tonë ato citohen në dy momente: brenda në tekst si citime apo referime dhe në një faqe veçmas ne fund pas punimit si bibliografi. Formatet e citimit janë të shumta varësisht nga natyra e tekstit dhe nga natyra e mediumit ku botohet teksti. Për të na e thjeshtuar punën, programi kompjuterik word ka edhe butonat përkatës për shënjimin e citimeve (sipas formatit që na lipset), futjen e footnotave dhe listimin e bibliografisë nën rubrikën “references”. Për çdo dokument që citojmë na duhet të marrim emrin dhe mbiemrin e autorit, titullin e punimit, qytetin e botimit, shtëpinë botuese, vitin e botimit dhe numrin e faqes. Kur bëhet fjalë për materiale të marra jo veç në libra të tjerë, por edhe në punime arkivore, punë në terren apo faqe interneti atëherë informacione shtesë duhen përmendur. Për hir të ekonomisë së tekstit të gjitha këto detaje nuk mund të jepen këtu, por mund të gjenden lehtë në internet, edhe pse në gjuhën angleze, ose duke blerë libra mbi shkrimin akademik. Puna e fundit që mbetet është listimi i bibliografisë në fund të esesë. Nën bibliografinë rendisim të gjitha burimet të cilave u kemi huazuar ide dhe njohuri. Me përmbylljen e bibliografisë puna jonë është e përfunduar tashmë dhe gati për t’u lexuar dhe kritikuar nga të tjerë.
Të gjitha sugjerimet e dhëna këtu mund të shërbejnë si mbështetje për t’ia nisur sprovave me këtë formë shkrimi. Këto janë pika fillestare, pikëmbërritja jonë ideale eseistike do të kishte qenë një shkrim i ngjashëm me atë të Martin Luter King Jr, “Letër nga Burgu i Birmingamit” botuar në të njëjtën gazetë elektronike si ky shkrim, nyje.al. Hendekun e madh mes sugjerimeve të këtij punimi dhe forcës konjitive e letrare të Martin Luter Kingut mund ta ngushtojë vetëm puna e pareshtur e përballjes rigoroze përmes shkrimit me mendimet dhe shqetësimet tona.
______________________________________________________
1. Nora M. Alter & Timothy Corrigan, eds., Essays on the Essay Film, (New York: Columbia University Press, 2017), f. 83.

2. Sylvian Barnet & Pat Ballanca & Marcia Stubbs, “Formimi i Paragrafëve”, në Shkrimi Akademik, (Tiranë: Dita, 2000), f. 56-88.

3. Ibid.

4. T.S. Eliot, Katër Kuartetet, Përkthyer nga Azem Qazimi, (Tiranë: Zenit. 2018), f.137.

5. Barnet, Shkrimi Akademik, f.105-121.

6. Rami Memushaj, Shqipja Standarde, (Toena: Tiranë, 2005), f. 101-108.

7. Ibid, f. 18-23.

8. Martin Luter King Jr, Letër nga Burgu i Birmingamit, (http://www.nyje.al/leter-nga-burgu-i-birmingamit-gusht-1963/)

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje