Kamza përmes syve të të huajve

Evi Veliu | 31.10.2018 | nyje.al
Kamza është ndoshta qyteti me më shumë të rinj në Shqipëri. Shpesh kemi dëgjuar, shkruar e ndoshta, edhe jemi alarmuar, se të rinjtë e qytetit synojnë vazhdimisht të shkollohen, të punësohen a të jetojnë jashtë Shqipërisë. Dritaret e hapura për të shtegtuar i përcjellin këta të rinj duke i dërguar larg. Këto dritare janë njëkahëshe dhe shpesh na zbrazin nga potenciali i madh i të rinjve për të sjellë ndryshime në shoqëri. Ky artikull synon të jetë pasqyrë e një dritareje me kah të kundërt, që të huajën na e sjell pranë duke e përballur me mjedisin tonë. Kjo pasqyrë na njeh me vizitorë të huaj të Kamzës. Disa janë gjendur atje në mënyrë të rastësishme, të tjerë këtë rastësi e quajnë “shtëpi”.
Mingchao
Mingchao-ja vjen nga Kina por prej 10 vitesh jeton në Francë, ku ka përfunduar studimet doktorale në Shkencat Sociale në Paris. Kur punonte në fushën e urbanizmit dhe migrimit të brendshëm në Kinë, duke lexuar për rajonin e Ballkanit ajo mësoi për Kamzën përmes një punimi të studiueses Erka Çaro me tezën “Nga fshati në qytet. Procesi i përshtatjes së migruesve të brendshëm në Shqipëri”. Përmes një burse nga shteti kinez Mingchao-ja vendosi të studionte procesin e legalizimit të “zonave informale” duke zgjedhur Kamzën si rast studimi.
Më 19 korrik të vitit 2017, për herë të parë në jetën e saj, Mingchao-ja vizitoi Kamzën. Për tri javë ajo qëndroi në Tiranë. Në Kamëz shkonte thuajse përditë me autobus dhe nuk është ndjerë aspak komode në të. Verës ishte shumë nxehtë. Në përafërsisht një orë udhëtim prej “Zogut të Zi” deri në Kamëz, ajo gjeti rrugën më të shpejtë për të kuptuar ndryshimin midis të ashtuquajturës “qendër” dhe “periferisë”. Gjëja e parë që i kapi syri ishin ndërtesat e papërfunduara dhe pati ndjesinë se ashtu do të qëndronin përgjithmonë, të papërfunduara, në një qytet që ndryshon. Kur u kthye dhjetë muaj më vonë vendosi të kalojë më shumë kohë në Kamëz qëndroi në shtëpinë mikpritëse të familjes Malaj.
“Pavarësisht fytyrës sime aziatike”, – thotë ajo, “- aty kam miq dhe nuk e mendoj veten të huaj. Mbi të gjitha veçon njerëzit. Banorët e Kamzës i duken të guximshëm, miqësorë dhe kureshtarë. Kureshtja e tyre nuk është e zakonshme, mospërfillëse, por është kërshëri e vërtetë. Mban mend të jetë habitur kur, gjatë disa intervistave me banorë të zonës, disa të moshuar kënduan këngë kineze të periudhës maoiste. Aty pati përshtypjen se banorët e Kamzës dhe shqiptarët në përgjithësi, janë të ngjashëm me kinezët në njëfarë mënyre. Për shembull, lidhjet personale janë të rëndësishme në të dy popujt dhe njerëzit priren t’u besojnë më shumë këtyre lidhjeve sesa institucioneve. Gjithashtu, të dy popujt janë të dashur me të huajt dhe gjithnjë të gatshëm t’i ndihmojnë ata. “Mos ndoshta ka të bëjë kjo me shpirtin kolektivist të së kaluarës komuniste që kemi ndarë së bashku?” pyet Mingchao-ja. Tani ka filluar të ndjejë nostalgji dhe mirënjohje për gjithë ata njerëz që i erdhën në ndihmë gjatë qëndrimit në Kamëz. E bindur se gjërat po ndryshojnë sakaq, ngase Kamza është e hapur me botën, ajo ka vendosur ta vizitojë sërish, si dhe shpreson se do të ketë gjithmonë një “identitet të Kamzës,” çfarëdo kuptimi të ketë kjo.

Elsie
Elsie-ja është nga Lioni. Ajo sapo ka përfunduar masterin në Shkencat Politike. Pasi të kryejë një praktikë në Zyrën e Mjedisit në Bruksel, ajo synon të punojë me OJF-të mjedisore në Ballkan.
Ndërkohë që kryente një praktikë në Beograd, e ëma e saj ishte duke vizituar Tiranën për një konferencë tri-ditore mbi drejtsinë restauruese [që është një qasje përmes së cilës drejtësia përpiqet të arrihet me ndërmjetësim midis viktimës, dhunuesit, e disa herë, edhe anëtarëve të komunitetit].
Kështu pra, edhe Elsie-ja mbërriti në Tiranë për t’u takuar me të ëmën përpara se të ktheheshin së bashku në Lion. Në kuadër të asaj konference u organizua një guidë në Kamëz mbi temën e aktivitetit politik atje. Deri në Kamëz shkuan me autobus, i mbushur përplot me pasagjerë. “Si kudo”, – thotë Elsie-ja. Ato takuan të rinj të angazhuar në zhvillimin e jetës sociale dhe kulturore në Kamëz, vizituan qytetin dhe mjediset e jashtme të Pallatit të Kulturës që është i mbyllur për qytetarët.
Përshtypja e saj e parë për qytetin ishte një ndjesi heshtjeje, zbrazëtie, si një qytet i braktisur ku nuk ka asgjë për të bërë por, në të njëjtën kohë, rrugë të caktuara kishin shumë gjallëri dhe fëmijë që vraponin. Me shaka, ajo thotë se njerëzit nuk janë mësuar të shohin të huaj në rrugët e Kamzës!
Kamza i jep mbresën e lëvizjes së shkaktuar prej historisë së qytetit dhe njerëzve që shkojnë e vijnë. Miqve të saj ajo ua përshkruan këtë qytet si “periferi e Tiranës”, i braktisur nga politikanët, i shkëputur dhe i izoluar nga qendra e kryeqytetit. Nga ana tjetër, do t’u thoshte se Kamza është një qytet i ri, me peizazh shumë të bukur të maleve përreth, me një jetë shoqërore konservatore, me një potencial për të zhvilluar aktivitete kulturore dhe për të shtjelluar ide politike si alternativë ndaj moskokëçarjes së autoriteteve publike.


Effi dhe Amir
Effi dhe Amiri janë artistë të lindur e të rritur në Izrael. Ata kanë rreth 13 vjet që jetojnë në Bruksel. Në tetor të vitit 2016, për herë të parë, ata vizituan Kamzën me ftesë të mikut të tyre Ilir Kaso i cili kishte menduar t’i prezantonte me “ATA”, një grup të rinjsh të pavarur. Në prill të vitit 2017, ata u rikthyen në Kamëz për një punishte një-javore me grupin “ATA”. Punishtja do të hidhte bazat për një projekt që ende ka mbetur për t’u zhvilluar e i cili ka në fokus vetë Kamzën, ashtu siç shihet, dokumentohet dhe interpretohet nga banorët e saj. Effi dhe Amiri me zor presin të kthehen për zbatimin e projektit.
Gjatë asaj jave e kanë përdorur shpesh transportin urban. Brenda në autobus ishte tepër nxehtë e atyre iu duhej të llogarisnin pozicionin e diellit për t’u fshehur prej tij midis së çarës së ngushtë nga dilte ajër i kondicionuar dhe derës prej së cilës frynte nga pak erë kur hapej e mbyllej nëpër stacione. Kjo qe e vetmja mënyrë shpëtimi për t’i mbijetuar udhëtimit. Çka ju ra më së shumti në sy gjatë vizitës së tyre ishte “Bulevardi Blu” që shërbente si qendër e qytetit, pasi nuk dukej si e tillë. Bulevardi i ngjante më tepër një elementi të huaj që nuk ka zënë vend tërësisht në hapësirën përreth. Emrat e rrugëve përpendikulare të lidhura me bulevardin vetëm sa e theksojnë përshtypjen e mungesës së identitetit. Effi dhe Amiri do donin të shihnin shfrytëzim më të mirë të hapësirës publike, më shumë shërbime publike dhe përfshirje më të madhe të banorëve. Ata do të donin po ashtu që Pallati i Kulturës të vihej në përdorim të popullsisë lokale.
Ajo që gjetën me interes në Kamëz ishte historia e vendit dhe më pas një grup i quajtur “ATA”, që përballen me realitetin dhe veprojnë pa infrastrukturë e mbështetje. Këta të rinj të vetorganizuar, edhe pse pa formim të përshtatshëm dhe pa ndonjë përvojë për punën në komunitet, kanë marrë përsipër përgjegjësinë për të ardhmet e tyre dhe të bashkëmoshatarëve duke zbatuar projekte kulturore dhe edukative. Effi dhe Amiri janë mahnitur dhe frymëzuar shumë nga fakti që “ATA” nuk kufizohen vetëm në aktivizëm politik, por e vlerësojnë kulturën si burim i ndryshimit social. Effi dhe Amiri do të dëshironin të ktheheshin në Kamëz për të punuar veçanërisht me projekte kulturore.

Valentina
Valentina është artiste dhe studiuese nga Italia. Pas përfundimit të doktoraturës së saj në Londër, ajo u zhvendos në Shqipëri, në Tiranë fillimisht e interesuar për kulturën dhe gjuhën e partnerit të saj shqiptar. Edhe Valentina e ka njohur grupin “ATA” përmes artistit Ilir Kaso. Që prej nëntorit të vitit 2016 ajo e viziton Kamzën rregullisht. Shkon me autobus atje, shijon peisazhet rrugës dhe sheh ndryshimin mes qytetit dhe periferisë. Kamza i duket sa pjesë e kontekstit periferik të qytetit aq edhe fshat. Po ashtu, i ka bërë mjaft përshtypje sesi Pallati i Kulturës funksionon si simbol për Kamzën, si në stendat e afishimit ashtu edhe në rrugët e bulevardit kryesor që të çojnë atje. Por, me të mbërritur në vend, është përballur me një arkitekturë boshe. Miqve të saj nuk u flet për Kamzën, por i ngacmon shpesh që ata të vijnë e ta shikojnë me sytë e tyre. Sipas saj, ndoshta gjëja më tërheqëse rreth Kamzës janë historitë e njerëzve, tokës dhe emrat që nuk janë folur ende.
Brishtësia, forca dhe nevoja janë tri ndjesitë që i kanë mbetur Valentinës prej vizitës së parë. Ajo do të donte që kinemaja, biblioteka dhe teatri të jenë të hapura dhe aktive për qytetarët. Diçka që do të donte të mos ndryshonte asnjëherë është ajo gruaja që bën “flia” përpara shtëpisë së saj. Një ditë, në dritën e porsaçelur të agut, ajo pa tullat dhe stolat që përdoreshin nga burrat për të luajtur domino, të shpërndara përpara Pallatit të Kulturës dhe që ishin lënë atje me njëfarë informaliteti shumë domethënës. Ajo u magjeps nga pamja. Më pas, me këto mjete ajo vuri në jetë veprën “Martesa e Atyre”. Ajo ka dëshirë të jetojë në Kamëz, dhe nëse i jepet rasti, do ta bënte këtë, pasi i duhet më shumë kohë dhe hapësirë për të çuar përpara projektet e saj kulturore.

Foto e shkrepur nga Effi dhe Amiri në Kamëz

Këta vizitorë të huaj e kanë së paku një të përbashkët, një dritare që u është hapur për në qytet e që është qendra e grupit “ATA”. Në dallim nga dritaret e zakonta shtegtuese për të dalë jashtë shteti, dritarja e “Atyre” na sjell të renë, artistiken, të huajën brenda në qytet, ndërsa ruan atë çka është e jona. “ATA” kanë shpresë se kjo dritare do të nxisë të tjerë të rinj që të qëndrojnë dhe të hapin shtigje të reja brenda shoqërisë sonë, së bashku, për të gjithë ne.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje