Pezullohet vendimi për Zall-Gjocaj, hap mbrapa për mbrojtjen e parkut

28.03.2022 | nyje.al

Më datë 25  shkurt Gjykata e Lartë ka vendosur të pranojë kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, duke favorizuar kështu punën e firmës private “Seka Hydropower”. Pas humbjes në Gjykatë të Apelit, Enti Rregullator i Energjisë, përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit dhe firma private Seka Hydropower dorëzuan në krye të këtij viti rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit. Krahas saj, këto palë patën dorëzuar edhe kërkesën për të pezulluar ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të Apelit, me argumentin se zbatimi i tij eventualisht do t’i sillte dëme të parikuperueshme firmës private.  

Gjykata e Lartë, me vendimin nr.19, dt. 25.02.2022 ka vendosur të pranojë argumentet e ERE-s dhe firmës private ‘Seka Hydropower”. Absurditeti i arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Lartë qëndron në pohimin e pabazë të gjyqtarëve që banorët “nuk kanë parashtruar argumente lidhur me bazueshmërinë në ligj të kërkesës për pezullim dhe për qëndrimin e tyre”. 

Nga ana tjetër, banorët e Zall-Gjoçaj kanë lajmëruar sot në faqen e tyre zyrtare se ky arsyetim i Gjykatës nuk qëndron për shkak se parashtrimet dhe argumentet e tyre janë paraqitur brenda afateve ligjore, më datë 21.01.2022, ndërkohë që njoftimin e kanë marrë më datë 18 janar. Sipas parashtrimeve të banorëve të cënuar, pasojat e rënda dhe të pariparueshme i vijnë vetëm e vetëm komunitetit të zonës dhe Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj. Hec-i “Zais” po prodhon ndërkohë energji elektrike, duke shkaktuar kështu dëme të pariparueshme në mjedis, biodiversitet, rrjedhën e ujit, pyjet, florë e faunë.  

Ditën e djeshme, përgjatë një udhëtimi me qëllim hulumtimin e zonës nga gazetarë dhe aktivistë, ata kanë dëshmuar për problemet serioze që po u shkaktohen banorëve përreth. Ismet Koleci, pohon se 300 kokë bagëti që ka, i duhet t’i zhvendosë çdo ditë në largësi të mëdha për t’u dhënë ujë. Shtrati i lumit Flim nuk sjell më ujë për bagëtinë e Melthit. Tashmë ato duhet të kalojnë malin për të shuar etjen. Për Ismetin po bëhet e pamundur jetesa me vështirësitë që HEC-i ka sjellë. Edhe ujin e pijshëm e merr kilometra larg. Sali Koleci, një tjetër pjesëtar i komunitetit shprehet se duke na e marrë lumin, tashmë ua kanë marrë edhe jetën. Sipas tij tharja e shtratit të Zallit të Melthit për ta është paralajmërim i vdekjes së jetës në zonë.

Në pamjet filmike të mëposhtme, në shtratin e lumit rrjedh sot vetëm ai pak ujë që i “arratiset” portave të HEC-it. Sipër digës, lumi Flim rrjedh me vërshim, poshtë saj, shtrati i është tharë plotësisht. Ky ujë në mungesë të digës dhe tubave, do të kishte qenë shpëtim për Melthin që po vdes në thatësirë.

Pas kallëzimit penal që i kanë bërë banorët ERE-s për mosmarrje masash për të ndaluar prodhimin pa licensë të energjisë elektrike nga hec-i i Zaisit, rikujtojmë për lexuesin se më dt. 10.02.2022 ky institucion pati vendosur që të rishikojë përkohësisht vendimin e licensimit të SekaHydropower-it duke ia hequr licensën firmës private. Menjëherë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Lartë, ky organ ka ndryshuar kah, duke vendosur që të shqyrtojë kërkesën e firmës për rishikim të vendimit të bordit të ERE-s. Kompania ka kërkuar që t’i jepet sërisht leja për të prodhuar energji elektrike në hec-in Zais, me argumentin se tashmë zona për të cilën është bërë beteja me banorët ka dalë jashtë hartës së zonave të mbrojtura.

Për çdo pretendim të ngritur nga firma private dhe nga organet shtetërore, të cilat prej fillimit të këtij procesi e deri tani janë shfaqur në krah të njëra-tjetrës, ka kundërshtime me baza ligjore nga ana e banorëve të zonës. Avokatja përfaqësuese e tyre, ka pohuar që po vlerësohet situata nga ana ligjore për të kuptuar saktësisht mënyrat e atakimit të vendimeve të marra.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje