Kamza – Bashkia me “xhama të zinj”

nyje.al | 18.09.2020 
Kjo faqe nuk mund të arrihet! – është përgjigja e zakonshme që merr nga faqja e bashkisë së Kamzës nëse klikon për të parë jetëshkrimin e Kryetares së Këshillit Bashkiak, për t’u informuar mbi procedurat e prokurimeve, apo nëse ke kuriozitet mbi të dhënat e arkivës së bashkisë. E klikueshme është rubrika për programin e transprencës, por shpresa se diçka të rëndësishme mund të gjesh është jetëshkurtër, deri sa përpara ekranit të kompjuterit të hapet një faqe e gjatë krejtësisht e paplotësuar dhe e paqasshme.

Programi i transparencës për institucionet publike është një ndër elementët kryesorë që mundëson informimin e publikut, pa pasur nevojë të përpilohen kërkesa paraprake. Ligji për të drejtën e informimit, miratuar në vitin 2014 parashikon të detyrueshme për çdo institucion publik (qendror, vendor, organe kushtetuese etj) që të publikojë rregullisht informacione që lidhen me strukturën organizative të institucionit publik, të dhëna për arsimin, kualifikimin dhe pagat e funksionarëve të institucionit, mekanizmat monitorues e të kontrollit mbi autoritetin publik, si dhe të dhëna për buxhetin dhe raportet vjetore të shpenzimeve.
Ndër të tjera në të parashikohet që të bëhen publike të gjitha informacionet mbi procedurat e prokurimeve publike, koncesionet me partneritet publik-privat, kontratat e lidhura, shumat e kontraktuara, si dhe informacione mbi zbatimin e kontratave. Në sajë të studimeve të qendrës ligjore Res Publica, rezulton se nga 100 institucione të monitoruara përgjatë 5 viteve, transparenca mbi prokurimet publike dhe koncesionet është pika më e dobët e institucioneve në vend. Kjo pikë është një ndër të dhënat që fshehet më shumë.
Bashkia Kamëz nuk është shquar ndonjëherë për respektimin e të drejtave së informimit. Përkundrazi është renditur ndër bashkitë që nuk ka pasur asnjëherë program transparence dhe vonesa të mëdha në dhënien e informacionit, si dhe trajtim diskriminues ndaj disa subjekteve që kanë insistuar për të marrë informacion publik.
Ardhja e kryebashkiakut Suli, përpos shenjave të tjera, u shoqërua dhe me rindërtimin e një faqeje të re zyrtare të bashkisë Kamëz, e cila, përveç  ngjyrës së kuqe, nuk ka sjellë asgjë të re e përmbajtësore prej tashmë një viti në qeverisje. Një program transparence i paplotësuar, me regjistër të kërkesave të qytetarëve të lënë pa të dhëna prej tetorit të vitit 2019 dhe me informacion të cunguar mbi koordinatorin për të drejtën e informimit, përbëjnë fakte të mjaftueshme që kryetari i bashkisë së Kamzës të gjobitet në masën prej  50 000 deri në 100 000 lekë.
Sipas parashikimeve ligjore, Bashkia Kamëz ka pasë detyrimin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi të ligjit për të drejtën e informimit të zbatojë, të plotësojë, të publikojë dhe të rishikojë programin e transprencës, duke mbajtur në konsideratë interesin e publikut për t’u informuar. Në nenin 18 dhe 19 të këtij ligji parashikohet se është titullari i institucionit që duhet të mbajë përgjegjësi në rastin e mospërmbushjes së këtij detyrimi.
Në faqen zyrtare të bashkisë deri në momentin e shkrimit të këtij teksti, programi i transparencës së publikuar është thjesht shembulli i miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, i cili është krejtësisht i paplotësuar. Asnjë pikë e tij nuk ofron asnjë nga informacionet e lartëpërmendura.
Kanë kaluar 6 vite nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, dhe as përgjatë qeverisjes së djathtë dhe as me ardhjen e kryebashkiakut socialist në Kamëz nuk evidentohet asnjë përmirësim lidhur me nivelin e transparencës. Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk ka marrë masa për të vënë në vend të drejtat kushtetuese  të qytetarëve të Kamzës, të cënuara nga mungesa e vullnetit të titullarit të institucionit për të plotësuar programin e transparencës , duke lënë pa dënuar kundravajtjet administrative nga Mziu dhe Suli.
Informacione të cilat duhet të bëhen publike menjëherë nga bashkia, pa pasur nevojë të bëhen kërkesa, nga praktika e redaksisë sonë dhe aktivistëve të qytetit shpesh i kanë tejkaluar afatet ligjore në rastet kur u janë drejtuar me kërkesa specifike, duke e vështirësuar qasjen e menjëhershme në atë çfarë na takon si qytetarë të interesuar për publiken.
Ndërkohë që programi i transparencës duhet të përmbajë çdo mekanizëm për të mundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve dhe palëve të interesuara në procese vendimmarrëse apo në procese të hartimit të politikave, Bashkia Kamëz jo vetëm që nuk i bën publike, por nuk lejon as pjesëmarrjen e qytetarëve në mbledhjet e këshillit bashkiak. Edhe pse në kushte të veçanta të kushtëzuara nga pandemia, shumë prej bashkive të Shqipërisë i kanë bërë publike mbledhjet e tyre online prej muajit mars të vitit 2020. Ndryshe ka ndodhur me Bashkinë e Kamzës, të cilët nuk kanë mundësuar aksesin e qytetarëve të interesuar për asnjë prej mbledhjeve të këshillit, pavarsisht kërkesave të përsëritura ndër muaj nga aktivistë të qytetit.
Standardet e dyfishta të ligjit rëndojnë mbi qytetarin. Një banor i Kamzës është i detyruar të paguajë taksat vendore nëse kërkon të marrë një shërbim lokal, sakaq nga ana tjetër institucioni nuk ndihet aspak i survejuar e nën kontroll të syrit të qytetarit deri në atë pikë sa mund të shkelë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për vite me radhë dhe të mos marrë asnjë ndëshkim nga autoritetet përkatëse.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:2 Comments

This Post Has 2 Comments

Lini një përgjigje