Marisa

Jetë imagjinare | Antonela Pepkolaj | 21.01.2023

Shoqja jonë e përbashkët, Guri, u fejua dhe martua para disa muajsh dhe u zhvendos në Gjermani. Guri është një nofkë. Si u zhvendos, Guri qante çdo ditë atje dhe tërë kohës që ishte vetëm në shtëpi (sepse i shoqi punonte), Guri izolohej në errësirë dhe dëgjonte balada kancerogjene shqiptare. Një ditë i shoqi e zuri duke qarë dhe kjo i rrëfeu se, arsyeja përse ishte kaq mizearbël, ishte sepse kishte lënë të dashurin për të fejuarin (pra atë). Ai tipi kishte qeshur dhe i kishte rrëfyer se edhe ai kishte lënë të dashurën gjermane për të fejuarën, por ajo spo i hiqej qafe. E ftuan të dy bashkë në shtëpinë e tyre, e ngushëlluan dhe i kërkuan që të mos i shqetësonin më. Zemra e Gurit ndryshoi kur mori vesh se i shoqi ka një ish gjermane dhe tash nuk mendon më për djalin që la pas në Shqipëri. Të gjitha këto gjëra, Guri ia rrëfeu Marisës, në telefon dhe Marisa m’i rrëfeu mua. Të treja kemi qeshur shumë, sidomos me skenën kur Guri dhe i shoqi e kishin ulur gjermanen në mes dhe ia kishin fshirë lotët, ndërsa ajo i lutej këtij të fundit, të mos e braktiste dashurinë e tyre të vërtetë.

Unë dhe Marisa, përveç Gurit kemi pasë dhe një tjetër shoqe, e cila na vdiq kur ishte pesëmbëdhjetë vjeçe. Të treja ishim në funeral, Guri qante shumë, Marisa vetëm vëzhgonte, ndërsa unë nuk mbaja mend asgjë. Pas funeralit, ishte Marisa ajo që më rrëfeu nga fillimi krejt çfarë pamë dhe, me mendjen e përçartur që ka Risa, ma përshkroi si të ishte gjëja më e bukur në botë. E vdekura e veshur me të bardha do të kthehej në zanë dhe dielli pranveror do ta bënte të avullonte krejt trupin e vet në një mirësi që do i bekonte gjithë të pranishmit, ata që vajtonin ishin idiotë që nuk kuptonin asgjë nga ciklet e jetës. Është faji i Risës që tashmë truri im e asocionon vdekjen përgjithmonë me dritën, me vitalitetin, me hyjnoren që sendërtohet në jetët tona. Madje që atëherë, çdo gjë e shëmtuar dhe traumatike, fshihet dhe shndërrohet në një panoramë aq idilike dhe marramendëse, saqë nëse nuk më bëjnë të vjell, të paktën më bëjnë të qaj.

Risa është një vit më e madhe se unë dhe jeton dy lagje sipër meje. Jemi njohur në bibliotekë, ajo lexonte përralla dhe unë lexoja romane. “Bota e Sofies” është libri i vetëm i përbashkët që kemi lexuar. Diku nga klasa e pestë, Marisa më ftoi të bëhem pjesë e grupit të saj, në të cilin bënin pjesë Guri dhe shoqja që na vdiq. Ishte një grup, i cili përmes fuqive magjike, vendoste drejtësinë në Kamëz. Ishte Risa ajo që na mësonte sesi të përzienim lule dhe verë të ftohtë me sheqer, për të hedhur mallkime njerëzve që na lëndonin, kryesisht prindërve dhe mësuesve. “E pse vetëm në Kamëz?”, patëm pyetur Risën, po Tirana. “Sepse këto gjëra funksionojnë vetëm me njerëzit që kanë moral. Pastaj ata nuk kanë nevojë, janë e keqja e vetes”. Dhe e dinim se Risa e kishte për të atin e vet, i cili pasi ishte ndarë nga e ëma, ishte zhvendosur në Tiranë.

Grupi u shpërbë dhe në gjimnaz na mbante afër vetëm leximi. Unë isha krejt e përfshirë me nihilizmin rus, ndërsa ajo me realizmin magjik. Më fajësonte se pesimizmi im po më mbante të mbyllur ndaj magjisë së jetës, ndërsa unë i thoja se përkundrazi, magjia e presupozuar e jetës është ajo që i bën njerëzit pesimistë. Gjithsesi, edhe Marisa mërzitej shumë, shpesh për gjëra të vogla dhe të parëndësishme. Gjatë atyre episodeve thoshte se dielli u zhvendos nga horizonti drejt e mbi kokat tona, jo për të na shquar por për të na asgjësuar. Edhe unë thoja se do vdisja kur isha shumë e mërzitur, por nga ndonjë goditje në zemër dhe jo nga sulme diellore. Fatmirësisht nuk ka vdekur ende asnjëra.

Gjatë kësaj kohe shkruanim të dyja dhe ia tregonim vetëm njëra-tjetrës. Unë shkruaja poezi lirike me varg të lirë, sepse nuk kisha disiplinë për të përpunuar metrikën, ajo shkruante tregime të shkurtra utopike, në të cilat dielli shkëlqente fort dhe njerëzit ngarkoheshin me misione të mëdha që prekte krejt rracën njerëzore. Kur unë isha në vit të tretë, Risa u zhvendos nga Kamza dhe filloi studimet për infermieri. Nuk jemi takuar fare, gjatë gjithë vitit, vetëm flisnim me mesazhe dhe më dukej sikur Risa ishte bërë një nga personazhet e tregimeve të veta, të cilët pasi thirren nga ndonjë perëndi, ngjiten në një mal të lartë shkretinor dhe jetojnë vetëm për të fituar lavdinë e heroit. Ishte natyrale për mua, që humbja dhe e bukura të bëheshin njësh.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje