nyje.al | 06.06.2022
Jena në Vjosë për me mbështet kauzën ose ngjarjen që Vjosa të bëhet më së fundmi plotësisht Park Kombëtar me gjithë degët e saj. Kjo është një formë për me qenë bashkë, për me mujt me ngrit problematika të ndryshme ku njerëzit marin kurajon për të thënë ça nuk shkon edhe që mund të kemi një të mirë të përbashkët.


Prej dy mikeshave të mia shumë të mira, Elina Duni dhe Eda Zari, të cilat e kanë marrë këtë inicativë me na bo bashkë, mandej kemi vazhdu me ba nji kangë edhe sot jemi në këtë koncert. Bëjmë krejt thirrje bashkë që Vjosa të bëhet Park Kombëtar, që ta ketë një mbrojtje pak ma stabile dhe ma afatgjatë. Shpresoj që kjo thirrje do të dëgjohet.
Ky koncert u organizua nga EcoAlbania që prej vitesh ka lobuar për çështjen e Vjosës, duke përdorur dhe muzikën përveç formave të tjera të advokimit.
Jemi sot këtu, jemi të shumtë të numër dhe jemi të gjithë për një qëllim, që Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe momenti më i mirë është tani.
Olsi Nika – Drejtues i EcoAlbania
Aktivitetit iu bashkuan qytetarë dhe aktivistë të shumtë, prej tyre edhe banorët e aktivistët e #MbroZallGjoçaj, me thirrjen për lumenjë të lirë.
Sot Zall – Gjoçaj ka ardhur të mbështesë Vjosën, dhe çdo lumë tjetër i lirë, jemi në mbështetje të çdo lumi që i kërcënohet rrjedha. Ashtu siç e ka dhënë Zoti dhe ashtu siç është e dreja, lëjini lumenjtë të rrjedhin në rrjedhën e vet.
Alta Koleci – Aktiviste #MbroZallGjoçaj
Unë mendoj se si person që e ka një platformë publike, mendoj që është përgjegjësi me mbështet kauza të rëndësishme edhe me pru në opinion publik vlera që për ty janë të rëndësishme.
Shpat Deda – Këngëtar
Zëri i Eugent Bushpepës, si kujë malesh e përmbylli koncertin me thirrjen për Vjosën Park Kombëtar.