Media komunitare

Diana Malaj |08.10.2022 | nyje.al 

Media komunitare vitet e fundit po lëvrohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri nga komunitete të ndryshme të cilëve po u duhet të angazhohen vetë në mediatizimin e problematikave dhe ngjarjeve rreth tyre. Në mungesë të mbulimeve nga mediat tradicionale, komunitete ose përfaqësues komunitetesh të ndryshme gjeografike, gjinore, identitare, etj, kanë vendosur të krijojnë mediat e tyre komunitare. Disa prej vështirësive me të cilat po përballet ky model i ri gazetaresk vijnë nga problematikat e përgjithshme që ka sektori i informimit publik. Gazetaria në Shqipëri përballet me probleme të shumta që vijnë nga brenda dhe nga jashtë strukturës së saj; probleme politike dhe ekonomike, që kufizojnë mundësitë e gazetarisë.

Sipas Reporterëve pa Kufij gjendja e medias në Shqipëri në vitin 2021 është përkeqësuar me 20 vende duke e çuar Shqipërinë në vend të 103 në botë. Ky përkeqësim ka ndodhur për shkak të sulmeve të shumta ndaj gazetarëve, më së shumti gjatë zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, por jo vetëm. Sulmet kanë ardhur si nga institucione të ndryshme qeveritare për të kontrolluar informacionin dhe për të kufizuar punën investigative, por po ashtu edhe nga individë privatë apo përfaqësues institucionesh lokale me sulme fizike ndaj gazetarëve të caktuar. Qeveria shqiptare para dy vitesh tentoi të kalonte paketën ligjore anti-shpifje, e cila pati kundërshti të forta nga gazetarë, organizata dhe institucione ndërkombëtare pasi synonte t’i jepte kompetenca të zgjeruara AMA-s (autoriteti publik për rregullimin dhe monitorimin e transmetimeve audiovizuale në Republikën e Shqipërisë). Ndërsa përkundër kësaj qasjeje mbirregulluese, gazetarët dhe Këshilli Shqiptar i Medias propozuan vetërregullimin e profesionit të gazetarit.

Një tjetër problem madhor në organizimin e medias në Shqipëri vjen nga brenda saj dhe lidhet me financimin. Nga të dhënat e siguruara nga Media Ownership Monitoring (MOM) sektori mediatik shqiptar i të gjitha formave kontrollohet nga një grusht i vogël mediash të mëdha. Sipas të dhënave të agjensisë Abacus, tetë pronarët më të mëdhenj të mediave marrin 72.51% të audiencës, ndërsa sipas agjensisë Telemetric po të njëjtët marrin 80.1% të audiencës. MOM po ashtu shpërfaq se dy pronarët më të mëdhenj, familjet Hoxha dhe Frangaj, mbulojnë 71.7% të tregut. Pronarët e mediave kryesore në vend janë përgjithësisht dhe njëkohësisht pronarë të kompanive të mëdha të ndërtimit. Ndërtimi zë një vend të rëndësishëm në prodhimin e brendshëm bruto të vendit dhe kompanitë e ndërtimit janë shumë afër qeverisë duke shkaktuar shpesh kufizimin e punës së gazetarëve në ndjekjen e lirë të lajmit për tema të caktuara. Mbi ndërlidhjen mes kontrollit të medias nga një grup i vogël kompanish të mëdha dhe komuniteteve të pazë në mediumet e tyre, profesori i gazetarisë Ervin Goci arsyeton se, “Një pjesë e mirë e mediave kanë pronarë që janë në konflikt direkt me komunitetet për të cilat u duhet të raportojnë, një absurd shqiptar që bie si gjyle mbi ndërgjegjen e brishtë dhe të papërgatitur të gazetarëve që punojnë aty.

Gazetarët e Nyjes, mes raportimit dhe të protestuarit për banorët e lagjes 5-Maji, shkurt 2022

Informimi publik nga mediat kryesore në vend është i fokusuar në kryeqytet dhe në lajmet dhe ngjarjet që vijnë nga institucionet kryesore publike dhe subjektet kryesore politike. Nga vrojtimet e vazhdueshme ndër vite që kemi bërë si grup aktivistësh mbi pasqyrimin e Kamzës në mediat kryesore të vendit, kemi vërejtur se komunitetet periferike portretizohen më së shumti në kronika apo edicione informative që i lidhin me kronikën e zezë dhe ngjarjet e dhunshme. Vitet e fundit, vërehen se ekzistojnë edhe programe televizive bamirëse ku portretizohen komunitete të skajuara teksa u jepet lëmoshë, dhe portretizohen zona dhe komunitete të cilat promovohen si turistike. Problemet e tyre të përditshme rrallë arrijnë programet kryesore gazetareske dhe përgjithësisht figurojnë në fund të edicioneve kryesore të lajmeve.

Gazetarët që punojnë si reporterë lokale përgjithësisht paguhen shumë pak, detyrohen të punojnë për disa media njëkohësisht për të arritur një pagë të mjaftueshme mujore, dhe mbulojnë vetëm ngjarjet e bujshme në qytetet e tyre. Jeta e përditshme e komuniteteve të ndryshme rrallë herë figuron në mediat kryesore; edhe atëherë kur shfaqet vjen gjithnjë e fragmentuar dhe pa trajtim dinjitoz. Raportimet dhe analizat mbi origjinat dhe shkaqet e problematikave të këtyre komuniteteve pasqyrohen edhe më pak në mediat kryesore dhe ato lokale.

Përkundër mediave të mëdha të fokusuara në Tiranë dhe në ngjarjet rreth saj, mediat lokale mbulojnë problematikat vendore mirëpo në shumë raste në mënyrë të cunguar, censuruar apo autocensuruar. Sami Curri, gazetar i cili ka themeluar median Bulqizaime me fokus rajonin e Dibrës dhe problemet e saj komunitare, i përshkruan mediat lokale duke thënë se, “kryesisht janë ato TV lokale që funksionojnë në rrjete kabllore dhe që kanë një raportim të cunguar – lajme fasadë për pushtetin vendor dhe pak ose aspak mbulim të problemeve.

Frame e marrë nga web-i i medias Bulqizaime, tetor 2022

Problematikat kryesore të komuniteteve nuk hulumtohen hollësisht nga këto media dhe aq më pak interesat mbizotëruese politike dhe biznesore në rajone, bashki apo lokalitete te ndryshme. Të njëjtin shqetësim ndan edhe Arben Vata i cili prej një viti ka themeluar median e pavarur elektronike Zani.al të fokusuar në pasqyrimin dhe adresimin e problematikave dhe lajmeve që ndodhin në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth tij. Vata mendon se një nga sfidat kryesore të gazetarisë komunitare në këtë situatë është “rekrutimi apo punësimi i gazetarëve, të cilët duhet të bëjnë produkte mediatike që kanë në fokus kryesisht kritikën ndaj njësisë vendore.” Në mungesë të kësaj kritike, Vata vëren se, “Maksimumi i kronikave dhe temave që ofron gazetaria lokale ekzistuese janë ato që trajtojnë aktualitetin dhe ngjarje të zakonshme e të rëndomta si ndryshimi i motit, qytetarët gëzojnë me stolat e rinj të parkut, thyhen xhamat e shkollës, ambasadori bullgar viziton bashkinë, hapet stadiumi, aeroporti etj. Nuk është rastësi që të gjithë ata që bëjnë vëzhgime, analiza, investigime, opinione për shkelje në administratën publike, jetojnë jashtë qytetit të Kukësit. … Madje sigurohen që në raste të tilla, të mos kenë as të afërm që jetojnë aty pasi kundërreagimi mund të jetë imediat si hakmarrja, shkëputje shërbimesh, kontratash etj.”

Si për Currin ashtu edhe për Vatën, një ndër problematikat kryesore me të cilat përballet media komunitare në qytete e zona periferike si Kukësi dhe Bulqiza është gjetja e gazetarëve profesionistë ose studentëve të gazetarisë të cilët janë të gatshëm të punojnë në këto zona për një kohë të gjatë dhe të hulumtojnë problematikat shoqërore pa censurë dhe vetëcensurë deri aty ku të dërgon ngjarja. Ndërsa për Ervin Gocin, “modeli ekzistues i mbyt çështjet komunitare, i nënraporton, i keqraporton, ose nuk di si t’i raportojë; pra, nuk ka as bazën konceptuale për ta mbuluar këtë hapësirë,” ndërsa gazetaria komunitare sipas tij, “nuk është thjesht si një formë asistence ndaj një komuniteti, por i kthen ngjarjet në çështje dhe tema që ndërtojnë axhenda.” Goci mendon se pikërisht ky është roli i vërtetë i gazetarit.

Entenela Ndrevataj, gazetare e Citizen’s Channel, gjatë raportimit në Zall-Gjoçaj, janar 2022, fotografi nga Trivet

Për shkak të cungimit të përgjithshëm të mbulimit të ngjarjeve në vend nga mediat klasike kombëtare dhe lokale, mediat komunitare po bëhen më të rëndësishme se kurrë. Media komunitare merr formën e komunitetit për të cilin ose nga i cili bëhet dhe nuk ekziston një përkufizim universal i gjithpranuar se ç’është një media komunitare. Gjithsesi, sipas një përkufizimi të përgjithshëm të UNESCO Community Media Sustainability Policy Series, mediat komunitare janë media të pavarura nga qeveria dhe biznesi, jofitimprurëse, në pronësi dhe të mexhanuara nga komuniteti i cili merr pjesë në organizimin dhe programimin e saj dhe të fokusuara kryesisht në çështje që shqetësojnë po këtë komunitet.

Sipas Brunilda Bakshevanit, e cila ka një përvojë 10 vjeçare si koordinatore dhe menaxhere e programeve në mbështetje të mediave komunitare në fondacione, organizata dhe institucione të ndryshme, “media komunitare ka edhe tiparin e pjesëmarrjes së komunitetit në raportim, qoftë duke sjellë tema, ngjarje e histori, qoftë edhe duke bërë reporterin apo gazetarin vetë. Kjo qasje përfshirëse e komuniteteve, i bën keto media më afër publikut dhe komuniteteve duke rritur edhe besimin e tyre në reportimet mediatike, dhe kjo merr shumë rëndësi në kontekstin kur besimi i publikut tek media main-stream në Shqipëri po kalon një sfidë të madhe dhe po cënohet dita ditës, qoftë nga përhapja e fake-news dhe disinformimit, qoftë edhe nga vetë propaganda e të pushtetshëmve për të negativizuar mediat dhe gazetarët.” Kështu përmes medias komunitare mund të hidhet dritë mbi aspekte dhe probleme të fenomeneve shoqërore që mediat e tjera i kanë lënë në hije dhe po ashtu të rritet edhe besimi i komuniteteve në fuqinë dhe funksionin e medias.

Komuniteti i Laknasit teksa mbron pyllin “Plepat e Brukes” kundër forcave policore, fotografi Ronald Qema

Nga përvoja jonë me gazetën Nyje.al, themeluar prej vitit 2017, nga aktivistët e qytetit të Kamzës, kemi kuptuar se me këtë qasja e gazetarisë komunitare zgjeron përfytyrimin për shoqërinë duke hulumtuar problematika që nuk trajtohen tjetërkund. Falë kësaj qasjeje, ne si grup ATA kemi arritur, ndër të tjera, të raportojmë mbi jetën e përditshme dhe problematikat e grave në lagjet e qyteteve periferike, problemet e komunitetit rom me strehimin dhe kushtet e jetesës, rezistencën e banorëve në fshatra të ndryshëm kundër projekteve që dëmtojnë mjedisin, aspiratat e të rinjve që banojnë në qytet, shfaqjet teatrale komunitare, e shumë tema të tjera lokale. Falë qasjes së gazetarisë komunitare, problematikat e komuniteteve mund të ndiqen sistematikisht. Përshembull, rasti i komunitetit të Zall Gjoçajt që kundërshton prej vitesh ndërtimin e hidrocentraleve në parkun kombëtar Lurë-Mali i Dejës, është pasqyruar vazhdimisht dhe në detaje nga grupi jonë i angazhuar në këtë betejë edhe si aktivistë edhe si gazetarë. Njëjtë kemi vepruar edhe në rastin e komunitetit të Laknasit i cili prej vitesh po ndalon ndërtimin e një thertoreje në vendin ku ata kanë mbjellur dhe mbajtur një pyll për të mbrojtur shtëpitë nga ndotja e Lumit të Tiranës. Këto pasqyrime nuk i shërbejnë vetëm aktualitetit të kauzave të këtyre komuniteteve, por janë edhe një arkivë e vyer për t’u qasur në të ardhmen nga kushdo që është i interesuar t’i studiojë këto lëvizje shoqërore.

Në lidhje me kontekstin nga i cili lind gazetaria komunitare, Ervin Goci pohon se, “kush nuk kupton që informimi diktohet nga tensioni i përhershëm social dhe që gazetari duhet të peshojë se në cilat raporte peshe janë palët, i thotë vetes kot gazetar.” Sipas tij është pikërisht gazetaria komunitare e cila nxjerr në pah tensionin e përhershëm social që ekziston në trupin shoqëror duke mos i trajtuar ngjarjet dhe lajmet si diskurse abstrakte pa trupa dhe efekte reale trupore. Përmes kësaj qasjeje, komuniteti shfaqet si një grup shoqëror që ia del të adresojë problematikat e tij, t’i analizojë ato, të kërkojë dhe ofrojë zgjidhje. Lajmi i gazetarisë komunitare nuk vjen nga perspektiva e politikbërësve apo e mediave të mëdha, por nga perspektiva e vetë komunitetit duke adresuar pasojat që kanë politikat në jetët e përditshme të njerëzve dhe nga mënyra sesi komunitetet përballen me këto pasoja.

Ronald Qema, gazetar i Nyje.al, mes raportimit dhe protestës. Fotografi nga Trivet, janar 2022

Në Shqipëri ka disa media të cilat e fokusojnë punën e tyre në komunitete, rëndësia e të cilave është rritur vitet e fundit falë punës së tyre. Ndër disa sosh janë Zani Citizenchannel, Bulqizaime, Historiaime, Reporterët e Komunitetit, Amfora.al, platforma të ngjashme me to si Portavendore dhe gazetën elektronike të themeluar nga grupi ynë i aktivistëve në Kamëz nyje.al.

Në mënyrë që të jenë të pavarura nga financues privatë e influenca politike dhe po ashtu sajë mungesës së interesimit të mediave kryesore mbi komunitetet, këto media kërkojnë mbështetje jashtë tyre. Qofshin si iniciativa të lira ose të regjistruara si organizata jofitimprurëse, shumica prej tyre kërkojnë mbështetje financiare prej fondacioneve, granteve dhe organizatave ndërkombëtare të ndryshme të cilat mbështesin forcimin e shoqërisë civile, median e lirë, rritjen e transparencës institucionale dhe informimin e duhur të publikut. Kjo varësi ndaj donatorëve i bën financiarisht të paqëndrueshme nisma të tilla duke qenë gjithmonë nën presionin e aplikimeve për grante.

Për gjendjen aktuale të medias komunitare, Bakshevani vëren se në Shqipëri e rajon, “nuk ka patur një zhvillim apo konsolidim të këtyre mediave,” ku gjendja e përgjithshme e medias dhe më specifikisht e asaj komunitare, “nuk i ka lejuar të kapërcejnë atë nivelin fillestar të ekzistencës dhe të zhvillimit të tyre.” Më tutje, shton se, “sfidat për të përfituar mbështetje nga donatorët e ndryshëm lidhen edhe me statusin ligjor të këtyre mediave. Në përgjithësi nuk mund të jenë përfitues grantesh nëse nuk janë të regjistruar si entitet ligjor jofitimprurës. Dhe jo të gjitha mediat komunitare mund të kenë struktura për të patur të tillë status. … Për më tepër duhen aftësi e kapacitete në shkrim e menaxhim projektesh, që përsëri jo të gjitha mediat komunitare mund t’i kenë këto aftësi tek burimet e tyre njerëzore.”

Frame nga web-i i Reporterëve të Komunitetit, tetor 2022

Për shkak të mungesës së organizimeve komunitare klasike si shoqata, organizata vendore dhe sindikata, të cilat do të mund të financonin përmes abonimit kolektiv e individual mediat komunitare, donatorët e huaj kanë mbetur i vetmi burim financimi për nisma të tilla. Edhe pse, Bakshevani mendon se kontributi i vetë komunitetit në mbajtjen e tyre gjallë duhet të konsiderohet si mundësi pasi ende nuk është eksploruar sa duhet përmes formave të crowd-funding apo kuotave në mënyrë që të nxirren mësime nga këto përpjekje. Burimet financiare të kufizuara e të paqëndrueshme, përpos problemeve të tjera strukturore të profesionit të gazetarit në Shqipëri, ua pamundësojnë zgjerimet e redaksive këtyre mediave dhe rrjedhimisht zgjerimin e zonave dhe temave që mundet të mbulojnë.

Mirëpo, me gjithë kufizimet në burime, periferitë shqiptare vijnë në media më së shumti vetëm falë punës së kësaj gazetarie minore që po zhvillohet në vendin tonë. Rasti i Bulqizës është ilustrativ, duke qenë se aksidentet në punë të minatorëve raportohen dhe adresohen kryesisht falë punës së Bulqizaime.al. Themeluesi i saj Sami Curri thotë se vetë gazetaria, është një “dozë e mirë” nxitje dhe rritje ndërgjegjësimi për t’u marrë dhe për t’u angazhuar në gazetarinë komunitare; pasi nxit ndjenjën e solidaritet në shoqëri, por edhe të rëndësisë së pronës së përbashkët.”

Ndërsa Arben Vata, i cili po adreson problematika të rajonit të Kukësit dhe po ashtu po raporton mbi kulturën e kësaj zone, e sheh angazhimin në gazetari komunitare si, “mënyrën e vetme të lëvrimit të një media me politika tërësisht të pavarura editoriale … një medium i mirë për gazetarët dhe studentët e rinj që e kanë pasion këtë fushë dhe ndryshe nga mediat e tjera gazetaria komunitare nuk përdor lajme të rreme, nuk përdor tituj “karrem”, luan rrallë me kronika “Gossip”, nuk merret me figura publike të konsumuara, faktorë këto që pengojnë ndjeshëm vizibilitetin dhe masivitetin e tyre.”

Frame nga web-i i medias Zani.al, tetor 2022

Në mediat kryesore në vend problematikat si gjendja e minatorëve në Bulqizë, situata e fermerëve dhe blegtorëve, puna e grave në fabrika, përpjekjet e komunitetit rom dhe egjiptian, apo aktivizmi rinor dhe fenomene të tilla shoqërore duken fenomene krejt periferike për shoqërinë dhe komunitetet tona. Ndërsa gazetaria komunitare ia ka dalë të depërtojë në këto problematika shoqërore, t’i pasqyrojë dhe t’i adresojë ato.

Nga përvoja jonë si grup ATA, gazetaria komunitare funksionon më së miri kur është e ndërlidhur me angazhime të tjera disi të ngjashme si organizimet komunitare dhe aktiviste, studimet sociologjike, aktet artistike performative dhe qasjen etnografike në qytet. E ndërthurur me praktika të tilla gazetaria komunitare arrin ta mbajë vazhdimisht veten të sfiduar nga dije dhe disiplina të tjera, të hapë mundësi të reja të angazhimit të saj dhe të sigurojë mbështetje edhe jashtë punës së saj profesionale si nga ana logjistike ashtu edhe nga ana financiare. Gazetaria komunitare e këtij lloji, reporterin e ka aktivist, ose bëhet i tillë për shkak të ndjeshmërisë politike dhe sociale që kultivon ndër vite duke qenë pjesë e një kolektivi të angazhuar, siç ka ndodhur ma gazetarët e Nyjes, të cilët janë edhe aktivistë të Grupit Ata.

Gazetaria komunitare në periferitë e Shqipërisë pa mbulime mediatike është jetike për të mbajtur gjallë dhe krijuar një sferë publike jashtë thashethemeve lokale dhe territ informativ të cilat i bëjnë këto zona toka pjellore të indiferencës dhe ndjekjes së teorive të konspiracioneve. Po ashtu, angazhimi me komunitete dhe adresimi i problematikave të tyre në sferën publike qëndron edhe si kundërpeshë e mbizotërimit të klaneve të ndryshme biznesore, familjare dhe politike në periferi.

Aktivistët e Grupit Ata në përgatitjet për protestën kundër dhunës ndaj vajzave në Rrëshen. Të njëjtët protestojnë dhe raportojnë në kthim për komunitetin e tyre. Fotografi nga Irena Keçi.

***

Fotografi e Ballinës: Thomas Krempke

Në foto gazetarët: Fjona Çela, Entenela Ndrevataj, Ronald Qema. 

Shënim i autores: Për realizimin e kësaj analize janë intervistuar në mënyrë elektronike Ervin Goci, Sami Curri, Arben Vata dhe Brunilda Bakshevani, të cilët kanë punuar nga afër me gazetarinë komunitare. I falenderoj për përgjigjet me vlerë që kanë dhënë në lidhje me temën. Pa ta nuk do të ishte realizuar kjo analizë.

Ky tekst është shkruar në sajë të nismës së programit për gazetarët “Zgjidhjet dhe Inovacionet në Media”, zbatuar nga Mediacentar Sarajevo dhe Organizata “Why not”, i mbështetur nga Ambasada e Hollandës në Prishtinë, Tiranë, Sarajevë, Shkup dhe Beograd.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje