Zall-Gjoçaj: Mes humbjesh dhe fitoresh, të vendosur për të vazhduar rezistencën.

nyje.al | 25.01.2021

Sot, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë (Tiranë) ka rrëzuar padinë e tretë të ngritur nga banorët e fshatit Zall-Gjoçaj. Pas një jave nga fitorja e një gjyqi tjetër kundër Entit Rregullator të Energjisë, gjykata vendosi të rrëzojë padinë e ngritur kundër Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Shoqërisë “Seka Hydropower” shpk, me argumentimin se nuk ishte kompetencë e saj të ndalonte punimet.

Nëpërmjet kësaj padie banorët i kërkonin palëve të paditura të merrnin masa për zbatimin e pikës 5 të VKM-së nr. 661, dt. 31.10.2018 “Për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar “Lurë” dhe krijimin e Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” si dhe për të ndaluar ushtrimin e aktivitetit të realizimit të HEC-eve “Sekë” dhe “Zais” brenda zonës së mbrojtur. Ministritë në komunikimet e tyre të brendshme kanë pranuar se vepra e marrjes së ujit është futur brenda territorit të Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës rreth 2450 m, por nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e ndërtimeve të HEC-eve, në shkelje të ligjit për zonat e mbrojtura.

Pra pas miratimit të VKM-së autoriteti publik kompetent, duhet të merrte masat e duhura për të verifikuar nëse projektet e miratuara përpara hyrjes në fuqi të VKM-së do të ishin apo jo në përputhje me ligjin për zonat e mbrojtura. Kjo gjë, megjithëse kanë kaluar gati dy vjet nga miratimi i VKM-së nuk është kryer kryesisht nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që është autoriteti kompetent.

Ligji për zonat e mbrojtura, lidhur me zonat e mbrojtura në nenin 9, pika (e) përcakton: e) të ndalojë ndërtimin e zonave urbane, si autostradave, hekurudhave, linjave të tensionit të lartë, veprave të mëdha hidrike dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë. Në vijim është neni 26 (c), i cili përcakton se në zonat e mbrojtura të kategorisë së II, ku bën pjesë dhe parku Kombëtar: c) janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë; ç) nuk lejohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura. Pra qartësisht veprimtaria e projektit të ndërtimit të HEC-ve Sekë dhe Zais është një veprimtari e cila vjen në kundërshtim me statusin e ri të zonës, si park kombëtar dhe detyron organet kompetente që të ndalojnë ushtrimin e këtij aktiviteti brenda zonës së mbrojtur, siç kanë pretenduar dhe banorët.

Sipas avokates së çështjes Dorina Ndreka, gjyqtari u dha të drejtë moralisht, por për arsye proceduriale Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë lidhur me projektin.

“Argumentimi ligjor ishte një argumentim procedural lidhur me faktin që vetëm Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka autoritetin për të bërë ndryshimet. Ne e kishim të paditur AKZM-në. Me këtë vendim të sotëm, ndërtimet do të vazhdojnë.- tha ajo.

Ndërkohë banorët e pranishëm, shumë të revoltuar nga vendimi i gjykatës u shprehen se nuk do ta ndalin përpjekjen e tyre ligjore dhe në terren deri sa të ndalet përfundimisht procesi i ndërtimit të HEC-eve në parkun kombëtar.

Aktivistët e Zall-Gjoçaj ndërkohë po tentojnë të gjitha rrugët zyrtare për të ndikuar edhe tek palët e treta për të ndaluar ndërtimin e HEC-eve. Ata i janë drejtuar Ambasadorit të Republikës së Italisë dhe Ambasadorit të Bashkimit Evropian duke u kërkuar që të mbajnë qëndrim zyrtar kundër ndërtimit të HEC-eve nga një kompani private e cila rezulton të jetë në pronësi të shtetasve Italianë, të cilët sipas banorëve janë në shkelje flagrante ndaj ligjeve kombëtare e ndërkombëtare e që i sjellin dëme të parikuperueshme pasurisë mjedisore shqiptare.

Ndërkohë sipas Vendimit nr. 244, dt. 21.12.2020 Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar se ka filluar procedurën për shqyrtimin e kërkesë së shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, për vendosje hipoteke dhe barrë siguruese/peng në favor të Bankës “Intesa San Paolo Bank Albania”sha mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të krijuara apo që do të krijohen nga shoqëria konçensionare “Seka Hydropower”shpk.  Ndonëse kompania dukshëm nuk ka plotësuar shumicën e dokumentacionit të kërkuar, ERE nxitimthi ka nisur këtë procedurë. Ata i bënë më dije ERE se lënia e pasurive të paluajtshme si barrë hipotekore, apo pasurive të luajtshme si peng dhe/ose barrë siguruese, mbart në vetvete rrezikun që në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e debitorit, shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, për shkak të problemeve të shumta ligjore, këto asete dalin në ankand, ose i transferohen Bankës.

Gjithashtu ata kanë informuar Intesa Sanpaolo Bank Albania mbi proceset gjyqësore që po ndjekin me këtë kompani duke i kërkuar që si një bankë me një dimension të theksuar social në vend, të vihet në dijeni për situatën ligjore përpara se të marrë një vendim të rëndësishëm për të dhe për publikun e gjerë në Republikën e Shqipërisë duke mos financuar më projekte të HEC-ve sipas vendimit Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në fillim të vitit 2020.

Megjithatë me po të njëjtin nxitim dhe në fshehtësi të plotë, më 28 dhjetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) me në krye vetë kryeministrin Edi Rama miratoi kufijtë e rinj të zonave të mbrojtura, ku mendohet që Zall-Gjocaj të jetë jashtë këtij rrjeti sipas pohimeve të vetë AKZM. E gjithë kjo pa asnjë studim të thelluar për këtë zonë të cilën vetë këto institucione e përfshinë në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës 2 vite më parë.

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:3 Komente

Ky postim ka dy komente

Lini një Përgjigje