Ekspertët e mjedisit bashkohen për Zall Gjoçaj: zona me pyjet më të vjetër në Shqipëri nën rrezikun e hec-eve!

16.07.2020 | nyje.al 

Zall Gjoçaj është një ndër çështjet mjedisore më të rëndësishme të dekadave të fundit në Shqipëri, kjo për shkak të qëndresës së palodhur të qytetarëve për të mbrojtur të vetmin burim uji të pijshëm (Lumin Flim) kundër ndërtimeve të hec-ve. Pas shkeljeve flagrante ligjore të firmës koncensionare (Seka Hidropower) në bashkëpunim me instituticionet qendrore e vendore të shtetit shqiptar, rrugës së gjatë të proceseve gjyqësore dhe tubimeve masive të banorëve të prekur dhe qytetarëve të tjerë të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje, banorët e Zall-Gjoçaj mbajtën ditën e djeshme një takim me studiues të fushës për të nxjerrë edhe një herë në pah vlerat e jashtëzakonshme të këtij parku dhe dëmet e pallogaritshme që sjell ndërtimi i hec-eve në këtë zonë.
Takimi mblodhi studiues, ekspertë mjedisi, biologë, aktivistë, gazetarë dhe banorë të zonës në qytetin e Kamzës. Kjo mbledhje, në vazhdën e një shumësie takimesh të banorëve, erdhi si domosdoshmëri për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të grumbulluar sa më shumë informacione mbi rëndësinë e pyjeve, burimeve ujore dhe gjallesave të rrezikuara në Zall-Gjoçaj dhe për të ndërmarrë shumë shpejt ekspedita studimore në zonën e mbrojtur.

Olsi Nika, drejtues i Organizatës EcoAlbania

Olsi Nika, drejtues i Organizatës “EcoAlbania” u shpreh se kjo tryezë diskutimi do të shërbejë si hap fillestar për të realizuar një studim përmbledhës mbi veçantitë natyrore dhe biodiversitetin e zonës së Zall Gjoçajt.
Me shtimin e numrit të hec-eve që po ndërtohen në të gjithë Shqipërinë, sipas ekspertëve të pranishëm, studime të tilla janë me rëndësi  si për të vazhduar betejën gjyqësore, ashtu edhe për të penguar punimet për ndërtimin e tyre.
Në sajë të studimit të studiuesit mjedisor Abdulla Diku rezulton se në Zall Gjoçaj gjenden pyjet më të vjetër në të gjithë Shqipërinë me ah, bredh, arne, pishë të zezë dhe rrobull. Dallohen rreth 48 lloje bimësh, 24 lloje të florës dhe 24 lloje të faunës. Kjo zone, sipas ekspertit përfshin 5 maja të larta malesh mbi 2,000 m lartësi, me majën më të lartë të Malit të Dejës (2,246 mnd).

 

 

 

Gjithashtu, në vijë ajrore zona me pyje të vjetër (mbi 145 vjet) të Ahut (Mamusha) ndodhet shumë afër liqeneve të Lurës (3-5 km). Kjo afri, sipas biologut Erald Xeka ka shumë mundësi që të ketë krijuar habitatin “strehë” në Zall Gjoçaj për një pjesë të mirë të gjallesave që mund të jenë larguar nga liqenet e Lurës (për shkak të shkatërrimit të zonës). Biologu Xeka, i cili punon pranë shoqatës së Studimit të Shpendëve (Albanian Ornithological Society) shprehet se prania e pyjeve të Ahut shtron terren për të studiuar qukapikët në këtë zonë, specie shpendi e rrezikuar nga zhdukja.
Nuk janë të pakta organizatat që kanë mbështetur çështjen e mbrojtjes së Zall Gjoçajt.

 

 

 

Ermelinda Mahmutaj, drejtuese e organizatës EDEN

Ermelinda Mahmutaj, përfaqësuese e Organizatës mjedisore EDEN shprehet se në bazë të vëzhgimit të tyre ndër vite, shumë çështje mjedisore kanë përfunduar në gjykata. Për ta, përveç ndjekjes së rrugës gjyqësore, e cila deri tani ka rezultuar ndër më të vështirat për të vënë drejtësi, është e domosdoshme të krijohen masa kritike të qytetarëve që mbrojnë zona të tilla, të cilët të mund të përdorin të njëjtat “teknika ligjore” që përdorin firmat koncesionare, duke përmendur ndër të tjera rëndësinë e konsultimit publik.

Pak ditë më parë, organizata EcoAlbania në bashkëpunim me WWF ka publikuar një studim mbi ndikimet social-ekonomike të hec-eve në Shqipëri, “Impakti ekonomik i hec-eve të vogla në Shqipëri”, i cili hedh dritë mbi politikat shtetërore në favor të bizneseve private, investimet e mëdha të taksapaguesve shqiptarë në favor të firmave koncensionare, pa përfitime domethënëse në rrjetin e  energjisë elektrike.

“ Ndërtimi i shumtë i hec-eve të vogla ka një justifikim shumë të ulët ekonomik. Nga 27 milionë euro që kanë paguar qytetarët shqiptarë për vitin 2019 për të subvencionuar ndërtimin e hec-eve, ne marrim mbrapsht 31 milion euro. Pra një diferencë prej 4 milion euro, që është një fitim shumë i ulët, e thënë në mënyrë të thjeshtëzuar. Nisur nga kjo e dhënë, kërkesa jonë kryesore që del nga studimi është që të hiqen tarifat subvencionuese për hec-et. Arseja përse kanë mbirë hec-et në këtë mënyrë në Shqipëri është se sjellin përfitim kryesisht dhe eskluzivisht vetëm për bizneset private. Momentalisht po përgatisim një kërkesë institucionale qeverisë shqiptare nga organizata WWF (World Wide Fund for Nature) për të hequr subvencionet.” Gjatë fjalës së saj, Rea Nepravishta thekson se do të ishte më dobiprurëse të mirëmbaheshin hec-et ekzistuese dhe të mos ndërtoheshin më hec-e të reja.
“Përmirësimi i sistemit të transmetimit të energjisë, duke ulur humbjet në rrjet dhe jo ndërtimi i hec-eve të reja- kjo
do të ishte zgjidhja në mënyrë që të ruhen lumenjtë dhe të shtohet energjia.”

Rea Nepravishta

Përveç kostove të larta ekonomike e natyrore, ndërtimi i hec-eve në Shqipëri është shoqëruar me pasoja sociale. “Shkatërrimi i komuniteteve, emigrimi i banorëve të zonës, konfliktet sociale mes njëri-tjetrit, janë vetëm disa prej problematikave që vijnë si pasojë e këtyre politikave anti-mjedisore.” – përmbyll me shqetësim fjalën e saj përfaqësuesja e WWF në Shqipëri.
Dhimitër Koleci, banor i Zall Gjoçajt, i angazhuar familjarisht në mbrojtjen e parkut Zall Gjoçaj dhe shumë lumenjve të tjerë në Shqipëri që po rrezikohen nga hec-et shprehet se vendi i tyre është në rrezik.
“Komuniteti i Zall Gjoçaj ndodhet në një terror; terror ekonomik, psikologjik, dhunë dhe presione nga të gjitha anët. Zona është në kufijtë e skamjes dhe varfërisë, por banorët ia kanë dalë të mblidhen dhe të bëjnë rezistencë. Për 8 muaj me radhë e bllokuan firmën ndërtuese të hec-eve. Aty vepron mafia e hec-eve, mafia e drogës dhe politikës. Ndërkohë që kërkojmë përballjen mediatike me personat përgjegjës që po ndërtojnë hec-et, gjithmonë na janë fshehur dhe kanë evituar takimet me ne. Na i kanë hequr 4 kryepleq dhe na i kanë shkarkuar nga puna, janë thirrur më pas edhe në komisariatin e Matit. Edhe në gjykatë, asnjëherë gjatë procesit të fundit gjyqësor asnjëri nga ne nuk ka pasur mundësi të flasë përballë gjyqtarëve për t’u treguar padrejtësinë që na është bërë. Kauzën e Zall Gjoçaj mund ta mbrojë dhe një avokat, por duhej që të flisnin dhe banorët, pasi ata e ndjejnë, e duan dhe e njohin mirë vendin me gjithë pasojat e hec-eve. Zall Gjoçaj është zonë e paeskploruar dhe e pastudiuar më parë, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Ajo nuk duhet të preket!”
Pas humbjes së çështjes në shkallë të parë, banorët e kanë dërguar çështjen e tyre në Gjykatën Administrative të Apelit.

Dhimitër Koleci dhe Aurora Leka, aktivistë

Ndërkohë, siç u shpreh dhe avokatja po punojnë me kërkesa drejtuar ministrive respektive dhe institucioneve në varësi të tyre për ndalimin e ndërtimeve në zonë të mbrojtur. Për shkak të shkeljeve penale si ndotja e ujit të pijshëm nga firma “Seka Hidropower” dhe shkatërrimit të mullirit 100-vjeçar të zonës, banorët bashkë me avokatët e tyre do t’i drejtohen Prokurorisë me kallëzime penale, ndërkohë që janë të vendosur për të vazhduar qendresën e tyre në terren.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje