Nje bibliotekë? Do të ishte mrekulli…

Aurora Leka | 22.12.2017 | nyje.al
Ata po më prisnin në një kafe të cilën e dinim të qetë. Ndërsa ngjis shkallët që t’i takoj e kuptoj që muzika në sfond, me volumin dhe llojin e saj do të më ngrejë tensionin. Emiljano dhe Mariana ishin ulur në këndin më të bukur të barit me nga një çaj dhe ca libra përpara. Në këndin tjetër, përballë tyre ishin një grup djemsh adoleshentë, të cilët kishin vënë mbi tavolinë një objekt që dukej si oktapod. Ata i thithnin tentakulat dhe pastaj nxirrnin nga goja tym aromatik dhe të qeshura çjerrëse. Sapo ulem i kërkojmë njëri-tjetrit falje që ishim aty. Vetëpërmbajtja ime zgjat derisa vjen kamarieri të marrë porosinë. E pyes nëse ky vend ishte kafe apo diskotekë. Me njëfarë qetësie surprizuese më thotë që do ja ulin volumin zhurmës që ai e quante muzikë.
Emiljano dhe Mariana janë vëlla e motër. Lexojnë vazhdimisht. Se si i sigurojnë ata librat në këtë qytet ku biblioteka është luksi i fundit për t’u shqetësuar do ta them më poshtë. E kjo me siguri nuk është vetëm historia e tyre, por edhe e shumë të rinjve të tjerë. Edhe e imja.

Emiljano dhe Mariana Syla

Normalja do të ishte që në botën e librave t’i kishin futur mësuesit e tyre të parë të letërsisë, por jo… ata kanë qënë thjesht me fat. Kanë takuar në jetë njerëz që lexojnë të cilët u kanë huazuar libra.
Marjana mban mend që leximet e para të Remarkut e kanë afruar përfundimisht me letërsinë. E si mund të jesh adoleshente e të mos dashurohesh me Remarkun?!
Ajo është e regjistruar prej kohësh në bibliotekën e Qendrës “Shpresa” e cila u ndërtua nga Fondacioni “Mission Possible Albania” në vitin 2011. Kjo është biblioteka komunitare e vetme jo vetëm e Bathores, por e gjithë bashkisë së Kamzës me një popullsi prej afro 150 mijë banorë. Duke qeshur më thotë se kur shkonte verës për libra i duhej dy ditë të merrte veten nga dielli. Ajo nëpërmjet bibliotekës dhe shoqeve siguron kryesisht letërsi, ndërsa Emiljano zhanre të tjerë. “Unë madje i shkarkoj nga interneti dhe i printoj” – më thotë ai me një ton sikur po më dëfton një zbulim të ri të tijin, pasi këtë nuk ja tregon çdo kujt. Herën e fundit që e kishte bërë e kishin marrë për budalla!
I pyes nëse e ndjejnë mungesën e një biblioteke. A do të donin ta kishin?
“Do të ishte mrekulli”- thotë Mariana.
“Madje edhe sikur proçedurat për regjistrim të ishin shumë burokratike do ishte gjëja më e mire”- shton i vëllai.
Pas kësaj, stafetën e të bërit pyetje e marrin ata, por unë po ndalem këtu, me shpresën se ky shkrim, do të bjerë në veshin (syrin) e atyre që mendojnë se në Kamëz ka nevoja më të mëdha se biblioteka!

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje