Mit vegjëlie (pjesa e dytë)

Antonela Pepkolaj | 27.10.2022 | nyje.al 

Pjesa e dytë

Gjyshja File
Fotografi nga arkivi familjar, Pukë 1985

Gjyshen nuk e ka mësuar njeri të jetë krenare, as egoiste, përkundrazi, por e kanë mësuar të jetë e drejtë. Në mundin e saj për të qënduar e drejtë, ka zhvilluar një forcë karakteri më të ashpër se ajo e njerëzve vetjakë. Në mendjen e saj, nëse e nderon jetën tënde, natyra të nderon ty. Kështu e gjykonin fshatarët vendimin e saj për të braktisur fëmijët e vet, si diçka që e bëjnë vetëm njerëzit pa shpirt dhe të ashpër. Si mund t’ia mbathë një grua dhe të braktisë katër fëmijë të mitur? Pse burri ia dredh ndonjëherë nuk është mëkat. Fundja, ai kujdeset për ta dhe është më rehat se krejt familjet e tjera në fshat dhe, në kohë të varfërisë ekstreme, gjendjet emocionale as nuk duhet të diskutohen fare.

Por gjyshja nuk ia mbathi pse kishte ndonjë zemër të thyer, por sepse për të e gjithë situata ishte poshtëruese. U mundua për shumë muaj ta bindë të kthehet, por vetëm kur gjyshi i dha fjalën për besnikëri, gjyshja u kthye. Së bashku patën edhe dy fëmijë të tjerë dhe konfliktet u sheshuan, më së shumti sepse gjyshit nuk i shkonte mendja të bënte gjëra që do e provokonin.

Me ndryshimin e sistemeve ndërtimi i botës së re kërkonte haraçet e veta, ashtu siç ndodhi me ngrehinën e komunizmit, e cila tani po shembej gradualisht dhe po merrte kë mundej me vete. Kjo në kuptimin e parë. Blatimi është një rit pagan dhe i Dhiatës së vjetër. Katolikë në fshat besojnë se është i domosdoshëm, sepse Zoti nuk është i njeriut por i popullit, ndaj njeriu duhet të vdesë.

Një ndër magazinat në fshat u dogj, së bashku me disa njerëz, një ndër ta vëllai i gjyshit. Gjyshi rrëfen se në varrim, Orët i folën me zërin e një të çmenduri, a të hutuari, siç thonë në gjuhën e fshatit. I tha se do hidhen themelet për një kishë të re, aq të domosdoshme për besimtarët. Dhe se, është e nevojshme që dikush të flijohej për themelin. Orët kërkuan në të gjitha fshatrat dhe nuk gjetën grua të përshtatshme, pos gjyshes, e cila, në fjalët e njeriut që fliste me orët, ishte vendosur që të vdiste.

Pak para se të mbushej një vit nga kjo profeci, fshai ushton nga gjamt e malit. Vaji rrëshqet prej majës së malit, pranë lisit të arrës e drejt e në luginë. Gjimojnë krojet dhe fshati bëhet gati për mort. E parandjejnë gratë, të cilat janë të vetmet që mund të dëgjojnë vajin e Orëve. Të nesërmen gjyshja vdes nga një kosh drithi që i bie në qafë, duke i lënë një blanë të zezë që vjen e ngjan prapë më e ftohtë se lëkura e bardhë.

Siç fryma troket xhamin e bëhet avull, ashtu edhe gjyshja iku, por nuk humbi. Dy fëmijët e saj më të vegjël e shohin në kopsht dhe rendin ta përqafojnë, të dy bien dhe njëri çan ballin e tjetri dorën, shenja të cilat u kanë ngelur edhe sot. Të tjerë e kanë parë herë pas here në ëndërr, i këshillon, i drejton apo thjesht u buzëqesh. E mbajnë mend si fjalëpakë, por me mimika të gjalla, më shumë fliste me trupin se me gjuhën. Tash flet me këmbanoren, jehonën e së cilës të dielën e parë të çdo muaji, disa e dëgjojnë me ndjenja nostalgjie.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje