Luftarja

Ronald Qema | 10.05.2022 | nyje.al
Që prej vitit 2012, për arsye nga më të ndryshmet, stinën e verës e kam kaluar duke punuar, sadopak, kudo ku mundesha. Por, dy verat që kurrë s’do më shqiten nga mendja janë ato të viteve 2016 dhe 2017. Punoja në fasoneri. Mbaj mend që tashmë i kisha mbushur 17 vjeç dhe ishte disi më e pranueshme që të punoja në fabrikë, ndonëse ka pasur raste boll që kanë punësuar edhe më të rinj. 

Zgjohesha herët dhe nisesha bashkë me punëtorët me dëshirën e pakuptueshme se do humbja mes tyre dhe do gjendesha në katet e sipërme të godinës ku ishin dhe manovitë, vendi ku punëtorët rreshtoheshin përbri njëri-tjetrit, për tetë a më shumë orë. Kjo nuk ishte e mundur normalisht, se në fillim duhej të regjistrohesha në atë vend pune. Ia lashë numrin dhe një kopje të kartës së identitetit rojes që tia përcillte vajzës që priste punëtorët e rinj. Përditë, shumë njerëz prisnin që ajo vajzë ti thërriste e më në fund të kalonin portën e hekurt, a thua se pas saj gjendej puna e ëndrrave. Pasi lashë numrin, besova në burokraci dhe prisja të më telefonin. Kjo s’po ndodhte, kështuqë vendosa përgjatë një jave të shkoja dy-tre herë, si gjithmonë në mëngjes me punëtoret. Java që pasoi pritjen, fillova të shkoja çdo ditë. Normalisht që do vinte ai çast që unë të kaloja portën e ta gjeja veten në katin e tretë të fabrikës. Kështu nisi dita ime e parë, me fatin e mirë që mund ti telefonoja të shpisë të më sillnin drekën me anë të vëllait të vogël. 

Por, Luftarja nuk e kish’ kështu ditën e parë në fabrikë. Luftarja, një vajzë e imët, shëndetpakë, që e shihja nëpër oborrin e gjimnazit, dukej që vinte nga një familje e ngjashme me timen. Shumë fëmijë, të gjithë në shkollë, me prindër të stërmunduar që vuajtjen e sublimonin me punë. Luftarja nuk besoj ta ketë pasur emrin Luftare, por po e quaj unë kështu – ngaqë nuk e mbaj mend si e kishte dhe në fakt besoj që as nuk e kam ditur kurrë – profili i saj, i mprehtë dhe i akullt, më lintë përshtypjen e një vajze luftarake. 

Për t’iu kthyer ditës së parë të punës së Luftares, ngjitur në katin e tretë të fabrikës në mënyrë të papritur dhe e papërgatitur për të. Ajo nuk kishte telefon, as nga ai thjesht “për Alo” siç e kisha unë, dhe nuk mundte të njoftonte familjen për drekën që (s)do e hante në punë. Bëhem pishman si dreqi që nuk i kam tejkaluar ato të tmerrshme mure në mënyrë që ti ofroja telefonin tim që ta përdorte. Dreka erdhi, ndoqa punëtorët dhe zbrita poshtë në kat të dytë ku ishte mensa. Teksa haja, shihja Luftaren që sorollatej korridorit përpara mensës e hante një çokollatë “Crazy” që e kish’ tërhequr nga makineta. Ajo çokollatë qe dreka e saj e parë në punën që shpresoj të ish sezonale për të, ashtu si qe për mua. Ditët kalonin, zheg gushti, dylent, sholla këpucësh, mastiç, përgjegjës dhe italianë. Zënka me përgjegjës dhe italianë. Manovi që fluturonin.

Shtatori i 2016 erdhi, pastaj tetori i 2017ës. Jam ndjerë aq i lumtur, ndofta më shumë se kurrë kur shkela vetë për herë të parë në shkollë të lartë, kur pashë Luftaren në korridorin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Pastaj e shihja teksa futej në sallat e departamentit të Historisë dhe mendoja se ajo do ish në mos historiane e zonja, pa dyshim mësuesja më e mirë e Historisë. Kështu shpresoja dhe vazhdoj të shpresoj.

Luftarja mu kujtua sot, sepse në autobuz një zonjë mori një telefonatë nga kolegia e saj, Bardha, që sapo kish nisur punë dhe po e pyeste në mos e dinte se çfarë turni do punonte ajo këtë javë. Ndoshta jo të ngjashme si raste, por padija e Bardhës më kujtoi telefonatën e munguar për drekën e Luftares.  

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje