Të tepërtit e botës dhe kapitali i pakicës
Rrallë ndodh që një pamje e vetme të mishërojë si një koncept i vetëm të tashmen dhe të ardhmen. Një maskë godet dhe grabit një protestues. Kjo ndodh sy policisë. Policia gjendet përtej gardhit bashkë me protestuesit dhe qytetarët. Maska nuk diferencon teksa dhunon policinë dhe qytetarinë. Policët janë të atrofizuar, drejtori i tyre del e mbron maskën përtej gardhit. Maska arrestohet pas shumë orësh nga presioni i shoqërisë. Maska ka grabitur dhe gardhuar me ligj e maliq tokën. Asaj i ka dalë zot kapitali ndërkombëtar i pronave të paluajtshme, kapitali gjeopolitik i Amerikës, kapitali politik i Shqipërisë (qeveri e opozitë), kapitali oligarkik vendor i ndërtimit dhe i mediave (Kastrati, Ulaj, Top, & Ko), dhe kapitali i hurit-e-litarit i krimit të organizuar (sa lokal aq edhe transnacional).

