Arkiva 2019: Për një version të besueshëm të Universitetit
Shkrimi i mëposhtëm është folur dhe lexuar në hapësirën e krijuar përgjatë bojkotit nga studentët në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës në datën 29 janar 2019. Titulli është huazuar nga një kritikë letrare mbi poezinë e poetes bashkëkohore Luljeta Lleshanaku, në të cilën shkruhet se “ajo (Lleshanaku) i paraqet lexuesit një version të besueshëm të botës 1” . Në këtë shkrim kam mbledhur një pjesë të kritikave më të forta të bëra ndaj gjendjes aktuale në arsimin e lartë, Ligjit për Arsimin e Lartë dhe masave të deklaruara nga qeveria me emërtimin Pakti për Universitetin. Këto përmbledhje ofrojnë një panoramë të degradimit të arsimit të lartë në një version mashtrues të universitetit. Më tutje, shkrimi hedh dritë mbi horizontet e çelura nga lëvizja studentore e dy muajve të fundit, mbi limitet e formave të deritanishme të veprimit kolektiv universitar dhe mbi horizonte të tjera që do të mund të hapeshin kolektivisht. Përballë versionit aktual mashtrues të universitetit, në përfundim tentohet të ofrohet një version i besueshëm i tij, duke u mbështetur në idenë moderne të këtij institucioni dhe në kritika bashkëkohore ndaj tij.

