E kisha harruar që kisha një veshkë.
Kur mendoja për organet, nuk mendoja për të.
Tanimë sa herë mendoj për Revolucionin,
mendoj për veshkën.
Veshka që m’u ça nga Revolucioni
Gjak i shpërndarë në mes të këmbëve
I mbledhur në qesen e një kateteri
Është gjaku që jap, jo për propagandën e qeverisë
sesi protestuesit çajnë njëri-tjetrin
Po për utopinë e një Shqipërie
ku përqafoj edhe atë që më godet me gur.
Ku dëshiron të jesh tani, më pyet terapistja e spitalit?
Ne protestë, ku tjetër!
Po ai ështe vendi i traumës, ma kthen.
Ka një traumë me të madhe sesa diagnoza
e veshkës sime, i përgjigjem.
Teksa Ministria, psikologia, mjeku,
i gjithë stafi i këtij spitali
shqetësohet për traumën time
dhe hesht për të veten,
trupat e tyre kullojnë gjak.
Supë spitali, vigona, marrje mendsh
Fletëhyrje, brenda katër mureve
Jashtë tyre gaz lotsjellës, molotov,
molto për policinë, vajza guximtare.
Mundohem të dal nga e para,
të shkoj tek e dyta,
të kthehem prapë tek e para.
Në pavion pyes
nëse mund të marr benzodiazepinë
që të fle.
Me thonë se nuk lejohet,
pasi duhet të jem koshiente.
E detyruar të rri zgjuar,
thërras në reanimacion:
Jashtë po ndodh Revolucioni!
Janë jokoshientë, ata janë në prag të fundit,
mos u lodh kot, më flet infermierja.
Epo ata mund t’i shpëtojë vetëm Revolucioni!
Teksa veshka thërrmohej akoma me shumë,
që të gufohej zemra,
shpirti lëshoi një pikë lot
në tavolinën e hekurt
ku qëndronte trupi im sakat.
Elira Kadriu | 04.11.2026

