Kujtesa, jetike për rebelimin

Armand Haxhia | Arnel Çela | 09.11.2026 | nyje.al 

 

“Rebelimi ka nevojë për kujtesën e atyre që s’u dorëzuan,

ndërsa përvoja për guximin e atyre

që ende s’janë pajtuar me botën”

Alain Badiou

 

Vajzat në përballje me forcat e rendit, capture nga video live e gazetarit Osman Stafa, kortezi e autorëve
Vajzat në përballje me forcat e rendit, capture nga video live e gazetarit Osman Stafa, kortezi e autorëve

 

“Lama n’bulg , Belisha n’bulg” – këto ishin fjalët e një vogëlusheje që dilnin pavetëdijshëm prej thirrjeve në bulevardin e shpresës gjatë verës. Por çfarë është kjo? Si erdhëm deri këtu sa te vogëlushja thuajse 2-vjeçare të ngjiste parulla më politike e 35 viteve të fundit? Do të përpiqemi që të bëjmë një analizë të këtyre pesë muajve protestë.

Protesta ka disa muaj që ka nisur dhe është ndër protestat më të gjata dhe më emancipuese që kanë ndodhur në Shqipëri. Nisi me një tërheqje zvarrë të një qytetari nga disa roje private në prani të policisë. A ishte hera e parë që po ndodhte kjo? Jo, nuk ishte hera e parë që po ndodhte, që dikush tërhiqet zvarrë në prani të policisë. Ishte hera e parë që dikush tërhiqet zvarrë dhe policia kthen kokën në anën tjetër. Pikërisht këtu, ky popull që ka 35 vite që akuzohet që nuk di të bëjë shtet, e ndjeu që shteti e kishte braktisur totalisht. Këtu fillon e qara e këtij populli dhe domosdoshmëria për të formuar shtet: një shtet dinjitoz.  Kësaj i referohemi si thelbi i ngjarjes që i ngjan ngjarjes së fundit të tranzicionit. Kështu nisi reagimi dinjitoz i një populli, që përveçse drejtësi, po kërkon edhe përgjegjësi. Po cili popull?  A nuk ka qenë populli më herët i zgjuar?

Alain Badiou, një filozof francez, te libri i tij “La Vraie Vie” propozon një aleancë mes të rinjve rebelë dhe të moshuarve që nuk janë dorëzuar, përkundër brezit të mesëm që zotëron pozitat dominuese në shoqëri. Po t’i shohësh me vëmendje dhe me radhë protestat, kjo është aleanca kryesore në shesh. Jo se nuk ka të tjera grupmosha, por kjo është aleanca masive nëpër sheshet e protestës. Shumëllojshmëri aleancash gjenden në sheshe te ndryshme. Në fizikë thuhet se energjia nuk humbet kurrë, ajo veç transformohet. GenZ-ja është energjia kinetike e protestës, Millenials janë energjia poteciale e saj. Ndër vite ka pasur protesta, edhe të forta edhe emancipuese, edhe lëvizëse, edhe potenciale, edhe kulturore, edhe kombëtare, edhe të dhunshme, edhe të gjata. Ama kurrë më parë nuk ka pasë konsistencë e masivitet si kjo protestë që ka pesë muaj me numër të konsiderueshëm njerëzish të politizuar në shesh.

Badiou thotë, “Konflikti nuk është thjesht ndërmjet brezave. Është një konflikt ndërmjet dy qëndrimeve: të jetosh duke u përshtatur me atë që ekziston dhe të mos heqësh dorë nga mundësia për të krijuar diçka të re”. Ai flet për të rinjtë nën 30 vjeç dhe të moshuarit mbi 60 vjeç, kundër brezit dominues afërsisht 35–65 vjeç. Por kjo nuk përjashton se disa të brezit 35-65 të mos mund të rreshtohen në anën e duhur. Ai thotë se përvoja e të moshuarve mund t’u transmetojë të rinjve idenë se bota mund të ndryshohet, ndërsa rebelimi i të rinjve mund t’u rikthejë të moshuarve energjinë e veprimit. Kur i referohemi brezit dominues në Shqipëri e kemi fjalën për atë brez që e ka jetuar në të gjitha dimensionet e jetës së vet tranzicionin postdiktatorial: nga dëshira për liri dhe demokraci te ‘Shqipëria si gjithë Europa’, nga ëndrra e ndërtimit të jetës jashtë Shqipërisë tek ëndrrat për të bërë diçka në Shqipëri për një jetë më të mirë. Të gjitha këto ëndrra ndërvite filluan të vdesin pak nga pak deri sa në fund ju ofrua vetëm një ëndërr: ajo për të bërë sa më shumë parà me çdo kusht. Pikërisht këtu ja vlen me u ndal pak dhe me mendu.

Kush janë prindërit e GenZ?  Prindërit e GenZ janë brezi “i djegur”. Ata që i kuptonin të metat e një sistemi, por njëkohësisht ishin të rritur me idenë se me “qeverinë, ujin e zjarrin” nuk mateshin dot. E kanë pasur gjithmonë vetëdijen se kjo ka qenë gënjeshtër dhe fëmijët e tyre i rritën duke iu thënë se “ne na rriten kështu, por na gënjyen”. Pra, po të na duhet t’u vendosim një emër tjetër, do na vinte ta quanim brezi i zhgënjimit, pasi u zh-gënjyen nga prindërit e tyre.

Me u zhgënjye nuk do të thotë domosdoshmërisht të humbasësh idealet. Do të thotë të humbasësh besimin se realiteti do të t’i përmbushë ato. Pikërisht kjo është GenZ-ja jonë: brez që refuzon të humbasë besimin se realiteti mund të ndryshohet. “Rebelimi ka nevojë për kujtesën e atyre që nuk u dorëzuan, ndërsa përvoja ka nevojë për guximin e atyre që ende nuk janë pajtuar me botën”, thotë Badiou. Kujtesa e atyre që nuk u dorëzuan i pasohet brezit tjetër si forma më e ndjerë e ndjesive të bukura, si nostalgjia. Në pamundësi për të imagjinuar më tutje (sepse bjerrja sistemike e botës kulturore dhe shpirtërore i ka hequr njerëzve aftësinë e imagjinatës), pasuan nostalgjinë si e vetmja formë e ndjerë e kujtimeve të bukura. Nëse i referohemi Deleuze, mënyra më e mirë për ta përshkruar një ndjesi apo ngjarje është të pikturosh forcat dhe tensionet që e përkufizojnë si ngjarje. Dhe nëse pikturojmë forcat e gjendjes politike dhe sociale të Shqipërisë, do të kishim një tension të madh i cili tërhiqet nga politikanët e sistemit bashkë me të gjithë palët e interesit që e mirëmbajnë atë, dhe poshtë do të kishim pjesën aktive të shoqërisë që është në punë dhe paguan taksa, pjesa më vitale ekonomike dhe që tërhiqet zvarrë vazhdimisht. Dhe sigurisht nëse vazhdojmë pikturojmë efektet e forcave, kjo pjesë vitale do prodhonte një tërheqje në të kundërt, nga pjesa tjetër e shoqërisë e cila varet prej kësaj, që janë të rinjt dhe pensionistët, dhe pikërisht këtu nis akti politik.

Akti politik nis nga të rinjtë të cilët nuk e njohin dhe nuk e bartin mentalitetin e njerëzve të korruptuar, nuk e njohin dhe nuk e bartin mentalitetin e sistemit të kapur; e kuptojnë shum mirë por e refuzojnë si realitet që bëhet pjesë e tyre dhe për pasojë kanë vendosur ta luftojnë. Një i ri sot nuk do të pranojë që në Shqipëri njerëz me funksione shtetërore të vendosin gjoba për shkelje të ligjit teksa shkelin ligjin për të shtypur protestën. Këtë realitet, këta të rinj e refuzojnë. Pikërisht në këtë moment ajo çka ka qenë e mundshme gjithnjë si një realitet i pambërritur, për shkak se imagjinata nuk e rrokte më, vjen si një rebelim i fëmijës ndaj prindit të pafuqishëm, i fëmijës që bart dijen historike.

GenZ-ja, energjia shpërthyese e këtyre ditëve po na kujton atë që gjithmonë ka qenë e mundur, por që thjeshtë ndërlikimet ideologjike na e kanë pamundësuar më herët. Ajo po na tregon energjinë që disa po tentojnë ta kanalizojnë. Kjo është gabim. Nuk ka kanal që ta përballojë këtë uragan energjie që mbart kjo gjeneratë. Ata thon’, “Nuk dimë të bëjmë qeveri, ama kështu JO MË!” Kanalizimet që po tentohen të bëhen janë aq të qelbura sa vetë ky sistem i partive të vjetra polike. Badiou e përmend se, “Kjo aleancë synon të kapërcejë atë që ai e sheh si dominim të një brezi të instaluar në pushtet, i cili e ka zëvendësuar idealin e ndryshimit me sigurinë, suksesin dhe përshtatjen.” Këtyre që duan ta ruajnë këtë sistem, që më shumë e kanë me dukjen sesa me jetën cilësore, GenZ-ja ju përgjigjet: “Jeta e lirë është e vetmja jetë që ia vlen me u jetu!”

Siç thoshte një protestuese në një emision televiz, “Aktivistët e vjetër?! Patjetër që kanë meritë te kjo protestë, se nga ata e mësuam ne se ça do me thënë me protestu.” Kjo frazë e kësaj vajze protestuese flet shumë. E para është që secila protestë ka pasur ndikimin e vet, ndryshe nga ç’thonë disa pseudo-organizime që populli shqiptar është indiferent dhe e fajësojnë vazhdimisht. E dyta është, dhe më e rëndësishme se e para, që këto protesta të mënjëhershme paskan krijuar histori në mendjen e këtyre të rinjve. Pra, pas kësaj proteste, nuk do të mund të thuhet më se kjo është hera e parë që po ndodh, sepse tani e kemi shumë të qartë historikun e kësaj gjëje.

Pyetjes drejtuar Sokratit, e cila rivjen shpesh, se kush i ruan rojtarët e Republikës dhe mund t’i kujtojmë përgjigjen: “Demosi”, pra populli. Dhe që një popull të mbikqyrë rojtarët lypet të ketë një vetëdije politike mbi situatën në të cilët ndodhet. Aktualisht, pasi kemi kaluar dhjetëra vite në përplasje interesash, rrymash, deformimesh politike, deformimesh të realitetit, sllogane të  tipit “shqiptarët nuk bëhen”, etj, është arritur pjesërisht një vetëdije e tillë politike. Njerëzit e kanë kuptuar dhe e dinë se nga u vjen e keqja, dhe prej kësaj vetëdijeje politike ka nisur një çarje e madhe në shoqëri e cila premton shumë. Në momentin që një njeri ka një ide dhe di, nuk ka forcë në botë që t’ia zhbëjë atë gjë përveçse harresës. Ashtu edhe një popull në momentin që është i vetëdijshëm politikisht nuk ka forcë në botë që t’ia zhbëjë përveçse harresës. Kush tenton të çajë çarjen duke sugjeruar një realitet të stisur politik përbrenda këtij që është, e ka të kotë sepse nuk e shpie dot një popull në harresë.

Për t’ju rikthyer fizikës: pra, Millenials kanë qenë potenciali i gjithë këtyre viteve, e ky potencial është shndërruar në energji lëvizëse të GenZ-së. Ky cikël ka ndodhur disa herë më parë në përmasa më të vogla, edhe do të ndodhë përsëri e përsëri derisa të formohet një organizëm politik i cili do ta ketë të brendshme këtë transformim energjie; do ta ketë të brendshëm organizimin spontan që shohim në shesh. Jo domosdoshmërisht lypet ky organizëm të jetë parti politike tradicionale, sepse protesta na ka treguar se këto organizime nuk kanë asnjë të re. Ky organizëm politik i përket të ardhmes, i përket qytetarëve, i përket  shpresës dhe guximit për të imagjinuar një shoqëri tjeter.

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje