Çfarë ndodh pas? Një ftesë për përfytyrim

Genc Shehu |08.07.2026| nyje.al 

Proteste 6 korrik, 2026, Nyje
Protestat e Lëvizjes Flamingo, 6 korrik, 2026, Nyje

 

Si mund t’i shërbejmë lëvizjes?

Një pyetje mbetet ende e hapur: si mund t’i shërbejmë lëvizjes nëse kërkesa e parë realizohet dhe qeveria jep dorëheqjen? Çfarë ndodh më pas?

Përgjigjja e parë është e thjeshtë: protesta nuk mbaron. Përkundrazi, ajo hyn në fazën e saj më të rëndësishme. Sepse largimi i qeverisë nuk është përmbushja e pesë kërkesave; është vetëm kushti që ato të mund të realizohen.

Institucioni kryesor që do ta mbikëqyrë këtë proces mbetet vetë protesta. Ajo është burimi i legjitimitetit, forma e trysnisë qytetare dhe garancia që kërkesat të mos zbrazen nga përmbajtja apo të zvarriten pafundësisht.

Por protesta, nga vetë natyra e saj, nuk është ndërtuar për të organizuar konsultime publike, për të hartuar drafte reformash apo për të ndjekur teknikisht hap pas hapi zbatimin e tyre. Këto kërkojnë një shkallë tjetër organizimi. Jo për ta zëvendësuar protestën, por për t’i shërbyer asaj; për ta bërë më të rregullt dhe më të efektshëm atë që, edhe pa një organ të tillë, protesta do të përpiqej ta realizonte gjithsesi.

Pikërisht për këtë arsye mund të mendohet krijimi i një trupi të përkohshëm, në formën e një apo disa forumesh qytetarë. Jo një institucion i ri pushteti, por një instrument me mandat të kufizuar dhe funksion të përcaktuar qartë, në shërbim të lëvizjes.

Ky trup nuk do të qeveriste. Nuk do të zgjidhte qeverinë teknike, nuk do të emëronte ministra, nuk do të merrte vendime në emër të qytetarëve dhe nuk do të pretendonte të mishëronte sovranitetin apo vullnetin popullor. Përkundrazi, ekzistenca e tij do të mbështetej pikërisht mbi vetëkufizimin.

Detyra e tij do të ishte modeste në kompetenca, por konkrete në funksion.

Së pari, të organizonte dëgjimin dhe këshillimin publik me qytetarë, ekspertë, profesionistë, akademikë dhe grupe shoqërore mbi mënyrën se si duhet të marrin formë reformat e kërkuara. Së dyti, të përgatiste propozimet dhe draftet përkatëse. Së treti, të monitoronte që qeveria teknike të mos e tejkalonte mandatin e saj të kufizuar: administrimin normal të shtetit, garantimin e lirive kushtetuese, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e kushteve për zbatimin e reformave. Së katërti, të ndiqte ecurinë e kërkesave dhe të ushtronte trysni publike që ato të mos shtrembëroheshin gjatë procesit të miratimit dhe zbatimit.

Pra, jo një parlament paralel dhe as një qeveri në hije, por një mekanizëm publik monitorimi dhe koordinimi në shërbim të vetë protestës.

Por pikërisht këtu lind pyetja më e vështirë: kush do ta përbënte një trup të tillë?

Kjo pyetje është edhe më e rëndësishme në një shoqëri ku problemi nuk ka qenë thjesht ndërrimi i njerëzve në krye të institucioneve, por kapja graduale e vetë mekanizmave përmes të cilëve prodhohet dhe kontrollohet pushteti. Rreziku nuk është vetëm që një qeveri e re të marrë vendime të gabuara; rreziku është që çdo strukturë e krijuar për të çliruar demokracinë të mund të përthithet nga e njëjta logjikë kapjeje që ka deformuar institucionet ekzistuese.

Prandaj përbërja e tij nuk mund të mbyllet paraprakisht pa e kthyer vetë nismën në atë që kërkon të shmangë. Atëherë si ndërtohet një hapje që nuk prodhon menjëherë një mbyllje të re? Kush vendos se kush mund të marrë pjesë, pa u bërë vetë pronar i procesit? Dhe çfarë e ruan këtë kufi, kur vetë kufiri është objekt i debatit?

Ndoshta zgjidhja nuk qëndron te gjetja e disa emrave “të duhur”, por te ndërtimi i një procedure që nuk i lejon emrat të ngurtësohen në një përfaqësim të ri. Jo te përzgjedhja e njerëzve që premtojnë besueshmëri, por te krijimi i rregullave që e bëjnë të vështirë shndërrimin e këtij trupi në një elitë të re kapëse.

Edhe mënyra e funksionimit do të duhej ta pasqyronte këtë logjikë. Moderatorë me mandate shumë të shkurtra dhe me rotacion. Mbledhje të hapura, procesverbale publike dhe transmetim i çdo seance. Sa më pak autoritet personal, aq më shumë besim te procedura. Mesazhi nuk do të ishte: “na besoni ne”, por: “të shohim procesin”.

Po kështu, edhe vetë jeta e këtij organi do të duhej të ishte e kufizuar. Do të mund të parashikohej një mandat 100- ose 300-ditor, i mjaftueshëm për të organizuar konsultimin publik, për të përgatitur paketën e reformave, për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave gjatë tranzicionit dhe për të dorëzuar produktin e punës së tij.

Por çfarë e ndalon një trup të përkohshëm të bëhet i përhershëm? Ligji? Rregulli? Apo pikërisht fakti që mandati i tij është aq i shkurtër sa të mos harrohet kurrë se autoriteti i tij është i huazuar dhe jo i vetvetishëm?

Pikërisht kjo vetëshpërbërje është një nga siguresat më të rëndësishme. Ky trup nuk do të transformohej në parti, nuk do të kandidonte në zgjedhje dhe nuk do të vazhdonte të ekzistonte pasi të kishte përmbushur funksionin për të cilin u krijua.

Ndoshta, në fund, pyetja themelore nuk është vetëm “kush e përbën?”, por: si ndërtohet një instrument politik që nuk e trashëgon fuqinë që i jepet?

Dhe nëse kjo nuk mund të garantohet plotësisht, çfarë mund të garantohet realisht? Ndoshta jo mungesa absolute e devijimit, por mundësia që çdo devijim të mbetet i dukshëm, i kundërshtueshëm dhe i korrigjueshëm nga vetë protesta.

Sepse në këtë tranzicion apo tranzicion për fundin e tranzicionit, protesta mbetet institucioni i parë dhe i fundit i legjitimitetit. Ky trup do të ishte vetëm një mjet i përkohshëm për t’i shërbyer lëvizjes, për ta ndihmuar atë të përkthejë energjinë qytetare në procedura të qarta, transparente dhe të kontrollueshme.

Dhe pikërisht këtu qëndron një kufi i rëndësishëm politik: një lëvizje qytetare nuk duhet të krijojë që në fillim projektin e saj të mbyllur të së ardhmes. Ajo duhet të hapë një proces ku qytetarët të mund të marrin pjesë në përcaktimin e asaj që vjen më pas. Sepse lëvizja nuk e mbyll paraprakisht horizontin politik, por i lë të ardhmes hapësirën për të marrë frymë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje