Pse nis shkëndija te Ministria e Arsimit?!

Pavjo Gjini | 15.10.2026 | nyje.al 

Revolta studentore te Ministria e Arsimit, 13 tetor 2026, Antonio Muco, nyje.al
Revolta studentore te Ministria e Arsimit, 13 tetor 2026, Antonio Muco, nyje.al

 

Korrupsioni është në nivele tepër të larta, mirëpo nuk është asgjë në krahasim me atë që nuk mblidhet dhe nuk rishpërndahet në Shqipëri. Shpërdorimi i fondeve publike nuk është asgjë në krahasim me kontraktimin e shpenzimeve publike. Vjedhja më e madhe ndodh paraprakisht. Në 26 vitet e fundit shpenzimet publike në Shqipëri kanë vazhduar të jenë tepër të ulëta. Aktualisht më të ulëtat në rajon dhe Europë. Këtu nuk ka dallim midis Berishës, Ramës, apo edhe Nanos.

Kur ekonomia kishte rritje të madhe teksa merrte veten nga kriza e piramidave, dhe deri sa ra kapitalizmi në krizë në 2008, mungesa e këtyre shpenzimeve tentohej të harrohej duke folur për rritjen e aktivitetit ekonomik, lirinë e sipërmarrjes dhe prurjet e remitancave. Mirëpo, sot teksa rritja ekonomike mbahet mbi pragun e krizës prej 3% ekskluzivisht falë ndërtimit dhe pastrimit të parave, ndjeshmëria ndaj një shteti të vogël, të pandjeshëm e të padrejtë është e lartë. Në Shqipëri prodhohen pak mallra dhe shërbime, mirëpo kapital ka goxha shumë. Shumë pak prej tij mblidhet dhe shumë pak rishpërndahet.

Situata në shërbimet publike si arsimi dhe shëndetësia, apo në mbrojtjen sociale e në pensione, e nxjerr edhe më shumë në pah se sa të vogël e ka rolin shteti në ekonomi dhe shoqëri. Blendi Kajsiu pati vënë re se që në 2008-n Shqipëria kishte një sektor privat më të madh sesa mesatarja e vendeve anëtare të OECD-së. Ndërkohë vazhdon të jetë, si me Ramën si me Berishën, vendi që ka shpenzimet më të ulëta publike në raport me GDP-në në Ballkanin Perëndimor dhe shumë larg atyre të BE-së. Akoma pa iu futur diskutimit se ku kanë shkuar shpenzimet publike, shpërdorimi i të cilave është siç thonë anglezët ‘t’i shtosh fyerje plagëve’, në 20 vitet e fundit ato nuk kanë arritur më të kapin shifrat më të lartat të regjistruara në 2009 (nëse nuk gaboj me shifrat).

Qeveria shqiptare vazhdon me kokëfortësi të jetë qeveria që e mbështet më së pakti arsimin në rajon dhe kontinent: 2.9% të GDP-së, përkundër mesatares së BE-së prej 4.7%. Sipas parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin pritet të ulen në raport me GDP-në në vitet në vazhdim në 2.1% të saj. Prioritetet janë tjetërkund edhe në ato pak shpenzime që do të kryhen. E njëjta gjë parashikohet edhe për shëndetësinë. Ekonomia rritet, por pritet të ulet masa e shpërndarjes së fitimit në këto sektorë.

Edhe për sa i përket shpenzimeve në arsimin e lartë, Shqipëria mban rekord në rajon dhe Europë. Vendet e rajonit, pra të ngjashmit tanë, shpenzojnë për çdo student 2-3 herë më shumë se qeveria shqiptare. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të ketë numrin më të lartë të universiteve për banorë në Europë, më shumë sesa dyfishi (15 universitete për 1 milionë banorë në Shqipëri; 7 universitete për 1 milion banorë në BE). Ndikimin kryesor në këtë shifër rekord e kanë universitetet private, ku nga 40 institucione 26 janë të tilla në vendin tonë. Pra, ka tepër treg në arsimin e lartë në Shqipëri dhe qartazi, më e pakta të thuhet, rezultatet e kësaj teprie tregu nuk janë të kënaqshme për qytetarët. Shumë flitet për profesorët, mirëpo, nga rreth 4.844 profesorë, në periudhën prej 2016-2023, 48% e tyre kanë qenë të punësuar me kohë të pjesshme, dhe sikur të mos mjaftojë kjo Shqipëria ka një pedagog për 28.7 studentë, pra një pedagogu në Shqipëri i duhet të ndjekë thuajse dyfishin e studentëve të mesatares së vendeve të OECD-së.

Pra, pse flaka nis nga Ministria e Arsimit drejt asaj të Financave?! Sepse qytetarët, sidomos të rinjtë, ndihen të djegur prej tyre. Sepse qeveria e ka djegur arsimin e lartë në vend tashmë. Sepse pas krizës së 2008, përgjatë të gjithë dekadës 2010, Ministria e Financave iu bind FMN-së duke u përqendruar në kontrollin e borxhit publik (vini re, kjo është krenaria e Arben Ahmetajt) dhe uli shpenzimet publike, ndër të tjera për arsimin. Tani po korr çfarë ka mbjellur.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje