Baltë e Populit
Me një SMS të vetme mundem ta organizoj Tiranën tjetërsoj, rreth qendrash të fshehta provizore, të pazbërthyeshme dot si koordinata nga shërbimet e inteligjencës, qoftë dhe artificiale. Fjala vjen, send: “Neser te gjithe n’ora 5 te ish monumenti i tur bolit :)”. Fjalë si këto të fundit mund t’ua ndezin llampat deri nesër vetëm diç më tepër se një dyzine hartash në Tiranë, aq sa kanë mbetur në atë vend të mbajnë mend shtangien e Tur Bolit (disa emra janë maskuar për nevojat e këtij raporti), me cigaren që i digjej rrafsh me gishtat, përditë po aty, qiri, orë me rradhë - “Waiting for the Man”, si thotë kënga. Mjaftoi që dikush ta quante atë vëngjill, atë pritje të përditshme “monument”, dhe ja befas midis gazit tek rithemelohej qyteti brenda një shakaje përjashtuese, me në qendër pajtorin e ri: Bolin.

