Në tarracën e një ndërtese dykatëshe në Rrugën “Demokracia”, në Bathore, diellin nuk e pengon asnjë përmasë betoni. Është i ftohtë janari. Regjistruesi xhiron. “Unë kam pas një vetëgjykim”, thotë Klodi. “Kam ba 9-vjeçaren, jo fort larg prej këtu. Ishte e mbushur me tiransa dhe jugorë. Deri vonë nuk e pranoja që isha nga Bathorja, sidomos kur takoja persona që s’janë t’zonës. Bathorja shihej edhe ma poshtë se Kamza.” Klodi, Diana, Roni, Fidi, të tjerë që vijnë e na gjejnë në bisedë, rrinë, varin kokën e dëgjojnë, i përkasin gjeneratës Zeta, me një stil jetese larg kafeneve, qendrave tregtare dhe tërheqjeve të tjera sociale. Mes tyre dhe familjeve të tyre nuk ka ndonjë dallim të madh në të ardhurat financiare, në llojin e shtëpisë që kanë ndërtuar, në mjetet e transportit (autobus, biçikleta) që përdorin, në vullnetin për arsimim dhe në arritjet që kanë fituar. Pa harruar punën më vete apo në grup me vetëgjykimin, për të cilin flet Klodi, më shumë i provuar nga prindërit, apo fëmijët më të mëdhenj të familjes, mijëvjeçarët, në kohën kur Kamza dhe Bathorja si pararojë e saj, nuk kishte asfalt, ujë, kanalizime e drita...

Emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë jashtë vendit ka sjellë tkurrjen e popullsisë në Shqipëri dhe si rrjedhojë rritjen e kërkesës për krahë pune nga vende kryesisht të Afrikës dhe Azisë Juglindore. Kriza për punëtorë ka nxitur vitet e fundit rekrutimin e punëmarrësve nga jashtë për të plotësuar boshllëqet në tregun e punës në Shqipëri. Rekrutimi i punëmarrësve me nënshtetësi të huaj nga kompani shqiptare është një trend i vërejtur në vitet e fundit edhe në Bashkinë e Kamzës. Nga të dhënat e mbledhura nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), për vitin 2024 janë miratuar rreth 9400 leje pune (ku përfshihen dhe të vetëpunësuarit) për shtetasit e huaj të punësuar në Shqipëri, me Tiranën (duke përfshirë dhe njësinë e Kamzës) si rajonin me 50% të numrit total të lejeve të lëshuar, duke e renditur si rajonin me numrin më të lartë të lejeve për punëtorët emigrantë...