Selma Daku | 02.05.2025 | nyje.al
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë u mbush me zëra kërkues për dinjitet, barazi dhe drejtësi sociale. Punëtorë nga sektorë të ndryshëm si pastrimi, fasoneritë, transporti dhe shërbimet, së bashku me aktivistë e përfaqësues sindikalë, protestuan kundër kushteve të punës dhe shpërblimit minimal që marrin. Ata folën për kushtet jo të dinjitetshme të punës, pagat e ulëta dhe mungesën e mbrojtjes sindikale, sidomos në sektorin privat. Shqipëria, ndonëse pjesë e aspiratave europiane, përballet ende me paga minimale të krahasueshme me vendet më të varfra të botës dhe çmime që rriten me ritme të shpejta. Vetëm këtë vit, 33 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kryesisht për shkak të mungesës së sigurisë dhe mosrespektimit të ligjit nga punëdhënësit. Kjo protestë erdhi si një thirrje për sigurinë në punë, për trajtim të dinjitetshëm, për barazi dhe etik e profesional ndaj atyre që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit.
Ilia Kondi, përfaqësues nga Unioni i Sindikatave dhe Koalicioni për të Drejtat në Punë ngriti shqetësimin se në Shqipëri punëtorët paguhen me paga të ulëta, të cilat nuk përputhen me çmimet e jetesës që po i afrohen niveleve të Europës Perëndimore. Kjo disbalancë, tha ai, po e shtyn gjithnjë e më shumë fuqinë punëtore drejt emigracionit. Në qendër të kërkesave ishte nevoja për luftimin e punës informale dhe fuqizimin e sindikatave dhe kontratave kolektive, veçanërisht në sektorin privat, ku këto shpesh anashkalohen.
“Jemi bashkuar në këtë tubim për të këkruar dinjitet për punëtorët. Jemi këtu për pagat e ulëta si në Afrikë dhe çmimet e shtrenjta si në Europën Perëndimore. Prandaj punëtorët ikin çdo ditë, emigrojnë jashtë Shqipërisë, sepse pagat në Shqipëri janë të ulëta dhe të pamjaftueshme. Jemi këtu për t’i bërë thirrje qeverisë të luftojë informalitetin në punë. Ne kërkojmë të fuqizohen sindikatat dhe kontratat kolektive, sidomos në sektorin privat, dhe sindikatat të mos shihen si armiq por si bashkëpunëtorë në dialogun social dhe në politikbërje.”
Pranvera Sulova, punëtore e ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në Elbasan shprehu shqetësimin për rritjen e kostos së jetesës, ndërkohë që pagat janë shumë të ulëta. Ajo tregoi se me të ardhurat që merr, nuk arrin të përballojë as shpenzimet bazë si uji dhe energjia elektrike. Duke theksuar vështirësitë në punë, kërkesa e saj ishte e qartë: një pagë më të lartë dhe më të drejtë për punëtorët, sepse 300 mijë lekë në muaj nuk mjaftojnë për të jetuar.
“Çdo gjë është bërë e shtrenjë ndërkohë që paguhemi shumë pak. Nuk na dalin as të paguajm ujin as të paguajmë drita. Vështirësi në punë kemi me bollëk. […] unë kërkoj një gjë: të na jepet e drejta që na takon ne punëtorëve. Kërkojmë një pagë në rritje jo një pagë 300 mijë lekë që marrim ne.”
Aktivistja Sidorela Vatnikaj theksoi se kërkesat e punonjësve nuk janë për luks, por të drejta themelore. Ajo kërkoi që të zbatohet Kodi i Punës në mënyrë që punëtorët të kenë një kopje të kontratës së punës, të paguhen në mënyrë të drejtë dhe të marrin leje mjekësore pa humbur të ardhura. Vatnikaj u ndal pak më gjatë te punonjësit e pastrimit për të cilët tha se i ka parë nga afër vështirësitë që hasin në punë.
“Ajo që ne kërkojmë, për të gjithë punonjësit, është të zbatohet Kodi i Punës. Ne nuk kërkojmë luks. Ne kërkojmë që çdo punonjës të marri kopjen e vet të kontratës, çdo punonjës të marrë pagë të dinjitetshme, çdo punonjës të marrë leje shëndetësore dhe të mos i hiqet dita e punës kur janë sëmurë, prandaj sot edhe çdo ditë, ne do jemi me punonjësit e pastrimit dhe të çdo sektori për të kërkuar pagë të dinjitetshme.”

Gëzim Bardhi, përfaqësues i sindikatës së taksistëve të Tiranës, shprehu revoltën për presionin që u bëhet për të ulur çmimet, ndërkohë që çmimet e banesave dhe kostot e tjera po rriten vazhdimisht. Ai kritikoi qeverinë për krijimin e një ekonomie që favorizon vetëm të pasurit, ndërsa njerëzit e zakonshëm po përjashtohen dhe po shtyhen drejt emigrimit, pasi nuk munden të përballojnë jetesën.
“Çmimet janë më të larta se në Europë ndërsa ne vazhdojmë punojmë duke na bërë presion që të ulim çmimet. Po çmimet e ndërtesave pse nuk i ulin këta? Pse e bëjnë 6 mijë euro m2? Pse nuk thonë për këta, po të ulim çmimet neve? Me çfarë do t’i blejmë shtëpitë ne? Duan ta kthejnë Shqipërinë në vendin e të pasurve, duan të na largojnë dhe ne që jemi këtu.”
Gëzim Karanxha përfaqësuesi i Bashkësisë së Sindikatave kritikoi qeverinë për mungesën e bashkëpunimit dhe për përjashtimin e sindikatave nga proceset vendimmarrëse. Ai e përshkruan qeverinë si një forcë që ka uzurpuar institucionet dhe nuk respekton më parimin e partneritetit social. Sipas tij, një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë pa sindikata, të cilat janë institucione kyçe për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe qytetarëve.
“Me këtë qeveri që nuk e ka konceptin e partnerit social, që duhet të mbrojë të drejtat e punonjësve dhe qytetarëve, sot bandat e qeverisë janë kthyer në uzurpator të institucioneve. Pa sindikata nuk mund të ketë sistem demokratik. Institucioni më demokratik është sindikata, ajo kërkon të drejtat e punonjësve dhe qytetarëve, por janë të zhgënjyer.”
Protesta e sotme bëri bashkë punëtorë, aktivistë, organizatorë e sindikata të cilët kërkojnë të jenë më të zëshëm dhe më të organizuar përballë padrejtësive ekonomike. Ata kërkojnë jo vetëm paga më të larta, por trajtim profesional dhe etik, përfaqësim dhe përfshirje në vendimmarrje. Me thirrjen për një Shqipëri më të drejtë për të gjithë, ata lanë pas një mesazh të qartë: 1 Maji nuk është thjesht një ditë feste, por një ditë rezistence.