Çifuti dhe Antigona – Sllavoj Zhizhek (IV)
Këtë “Che vuoi?” e ndeshim kudo në fushën politike, përfshirë në luftën zgjedhore amerikane të vitit 1988, ku, pas sukseseve të para të Jesse Jackson, shtypi filloi të pyesë: “Çfarë dëshiron vërtet Jackson?” Është e lehtë të dallohen nëntonet raciste në këtë pyetje, sepse kjo pyetje kurrë nuk ngrihej për kandidatët e tjerë. Përfundimi se kemi të bëjmë me racizëm konfirmohet më tej nga fakti se kjo “Che vuoi?” shpërthen më dhunshëm në formën më të kulluar, si të thuash të distiluar, të racizmit, në anti-semitizëm: në perspektivën antisemite, çifuti është pikërisht një person për të cilin nuk është kurrë e qartë “çfarë dëshiron vërtet” – pra, veprimet e tij gjithmonë dyshohen se udhëhiqen nga disa motive të fshehta (konspiracioni çifut, dominimi i botës dhe korruptimi moral i jo-çifutëve, e kështu me radhë). Rasti i antisemitizmit gjithashtu ilustron në mënyrë të përsosur pse Lakani vendosi, në fund të lakores që shënon pyetjen “Che vuoi?”, formulën e fantazisë ($ ◊ o): fantazia është një përgjigje ndaj kësaj “Che vuoi?”; ajo është një rrekje për të mbushur boshllëkun e pyetjes me një përgjigje.

