Me dyer të mbyllura prej Kryetarit

nyje.al | 26.04.2024

Të hënën u mbajt mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz për muajin prill. Takimi u hap me falenderimet e Iris Luarasit ndaj Këshillit dhe Bashkisë Kamëz për miratimin e Planit Social 2024-2026. Ka një tendencë në rritje të bashkisë së Kamzës për të ftuar figura që ia lejojmë vetes t’i quajmë intelektualë me popullaritet, me të cilët të mund të shpërlajë imazhin e saj kur flitet për menaxhim qyteti dhe politika kulturore. Si shumë të tjerë, edhe intelektualja në fjalë, sapo hap gojën për t’u shprehur për Kamzën, nuk vonon për të rënë në fjalime të shpejta e sipërfaqësore, tek të cilat shpaloset konceptimi saj për qytetin: qytet i vogël, qytezë, brumë i mirë. Për të mos u marrë më gjatë me ‘Kamzën si qytezë’ a si ‘periferi e kryeqytetit’, konsiderime të stërthëna e reduktuese të qytetit, nuk rrimë dot pa thënë që po e njëjta administratë të cilën intelektualja e angazhuar edhe për çështjet e të drejtave të grave i drejtohet me mirënjohje, paqtohet në karriget e pushtetit prej kohësh teksa qytetit i vriten dhe (vet)vriten gra në seri, këmbëza që shkrehen mbi trupa me po të njëjtën indiferencë me të cilën përcillen ngjarjet tragjike nga kryetari i bashkisë dhe administrata e tij. 

Iris Luarasit iu hap dera, iu dha fjala dhe u duartrokit, por ajo mbase nuk e di që studentit të saj, i cili prej vitesh monitoron punimet e Këshillit, dera e institucionit i mbyllet në fytyrë vazhdimisht, nga e njëjta administratë. 

Sakaq, mbledhjen arriti ta ndiqte gazetarja e afruar rishtaz në redaksinë tonë, Selma Daku. As ajo nuk e pati dhe aq të pakontrolluar hyrjen. Ditë përpara mbledhjes, ajo dërgoi një kërkesë për pjesëmarrje me arsyetimin se është studente e interesuar në proceset vendimmarrëse lokale. Fillimisht i është kërkuar numri i saj i telefonit, dhe të nesërmen vetë Kryetari i Këshillit Bashkiak Hysen Koldashi e ka telefonuar duke e pytësuar për identitetin dhe qëllimet që e shtynin të merrte pjesë në mbledhje. Mesa duket rregullores së këshillit i janë shtuar nene specifike për të skanuar secilin qytetar të interesuar për të ndjekur punimet e tij. Filtrat e bashkisë qartazi na tregojnë për mbylljen e saj të vazhdueshme, me metoda dhe praktika të ndryshme nga intimidimi, ofendimi, ndalimet fizike me roje e me këshilltarë, deri te procedura burokratike të pabazuara ligjore. Po aq, kjo mbyllje ndaj qytetarit kritik e medias lokale na rrëfen edhe që kjo bashki i druhet analizës kritike, dhe me shumë gjasë duhet të ketë diçka për të fshehur. 

Këshilli i Kamzës dhe tre mbledhjet e para të 2024ës

Viti 2024 nisi me plot punë për Këshillin Bashkiak Kamëz, i cili që në mbledhjen e parë miratoi 14 vendime të rëndësishme për qytetin. Specifikisht, këto vendime lidheshin me ndryshime në buxhetin lokal, ndryshime në policinë bashkiake, sanksione për kundravajtjen administrative, parashikimet për ndihmën ekonomike dhe bonuset e qerasë, projektim të planit social dy vjeçar, shpronësime për ndërtime rrugësh, si dhe në fund aboneja dhe shërbimet falas për studentët. Pas njoftimit për mbajtjen e mbledhjes së këshillit më 22 janar, redaksia jonë ashtu siç ka këmbëngulur prej vitesh tashmë, edhe atë ditë kërkoi akses në punimet e mbledhjes. Por, pas paraqitjes në sportelin pritës, gazetarit as nuk iu desh të prezantohej dhe një prej punonjëseve u nis për tek sekretaria e Këshillit. Ajo u kthye me përgjigjen: “Fola me sekretaren e Këshillit dhe ajo më tha të marr një konfirmim dhe të them.” Pyetjes se nga kush duhej marrë konfirmimi, u përgjigj me Kryetari i Këshillit. Ndërsa pyetjes së gazetarit se si e kishte prezantuar kur nuk e pyeti për emrin dhe median, punonjësja tregoi se e kishte njoftuar si “ai që vjen gjithmonë”

E ndonëse mundësia dhe detyrimi për të njohur ‘atë që vjen gjithmonë’ është krejt e mundshme, ajo nuk ndodh kur qëllimi i bashkisë është të ndalojë në çdo mënyrë aksesin e qytetarëve a gazetarëve në mbledhje. Një tjetër punonjëse paraqitet dhe njofton se kryetari i Këshillit thotë që pa autorizim nuk lejohet. Pavarësisht insistimit tonë për të kuptuar se çfarë lloj autorizimi kërkon Kryetari i Bashkisë Kamëz, i cili afërmendsh, çdolloj qoftë ai do të ishte i pabazuar dhe krejtësisht arbitrar, mbetemi pa përgjigje për shkak të neglizhencës dhe refuzimit të vazhdueshëm për të dhënë një sqarim mbi këtë kërkesë. 

Pas përfundimit të mbledhjes, redaksia jonë siguroi projekt-vendimet e miratuara në mbledhje dhe që prej atëherë hulumton zbatimin e tyre. Projekt-vendimi i miratuar në mbledhjen e 22 janarit është ai i kompensimit të biletës së pajtimit mujor për studentët. Kompensim i cili ende nuk është kryer ndonëse në vendimin nr.14/dt 22.01.2024 . të Këshillit Bashkiak caktohet si periudhë zbatimi për këtë vendimmarrje nga janari në dhjetor të 2024-ës. Në një takim propagandistik të organizuar nga Bashkia e Kamzës dhe Ministria e Arsimit, përfaqësuesit në fjalë prezantuan për pjesëmarrësit gjimnazistë Kartën e Studentit. Kartë që ashtu si në qytetet e tjera ofron praktikisht pothuaj asgjë përpos abones së studentit, e cila siç e kemi raportuar edhe më parë ende nuk është lëshuar. Si dëshmi e pavlefshmërisë faktike e kësaj karte janë shërbimet që ofron Bashkia Kamëz falas për studentët, miratuar në vendimin nr.13, datë 22.01.2024, edhe kjo e argumentuar më në detaj në këtë artikull

Një tjetër akt pa efekt real social, si pasojë e vendimeve të Këshillit Bashkiak të Kamzës, është edhe sistemi i pikëzimit për përfitimin e subvencionimit të qerasë. Në vendimin nr.9, të marrë në mbledhjen e janarit, miratohet sistemi i pikëzimit nëpër të cilin kalojnë banorët e Kamzës që aplikojnë për asistencë për mbulimin e qerasë së banesave në tregun e lirë. Në këtë sistem, gjejmë absurditete si ai i moshës totale të çifteve të reja që përfitojnë 1 pikë. Për të përfituar një pikë më shumë, çiftet e reja duhet të kenë moshë totale 40 vjeç, të dy së bashku, kriter jologjik dhe afërmendsh thuajse i pamundur për t’u kapur nga mosha mesatare e çifteve të reja në nevojë për subvencionim të qerasë. Kombinimet moshore për të përfituar një pikë më shumë në këtë lloj sistemi pikëzimi janë shumë të ngushta, nëse përjashtojmë mundësinë që bashkia nuk po sugjeron në mënyrë të pavetëdijshme martesat në moshë minore. 

Absurditete të tjera gjen në këtë dokument dhe në vendime të tjera përsëri, dhe do vazhdojmë të ndeshim për sa kohë këshilltarët e Kamzës ngrenë kartonët e miratimit pa zhvilluar diskutime mbi projekt-vendimet e herë-herë edhe pa i lexuar fare ato. 

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të 22 shkurtit arritëm të hymë për të ndjekur punimet e saj pasi ajo u mbajt nën drejtimin e zëvëndës-kryetarit të Këshillit, Munir Shehu. Me votim të këshilltarëve, drejtorët morën parësinë duke prezantuar projekt-vendimet e tyre dhe pas miratimit lanë sallën. Koha e fituar prej tyre nuk ishte e madhe sepse mbledhja zgjati më pak se tridhjetë minuta. Kryetari i “ri” po ashtu si pararendësi vuri në praktikë metodën “të votojmë e mos ta zgjasim”, metodë që Këshilli i Bashkisë Kamëz e cilëson të suksesshme. Rikujtojmë këtu prononcimin e këshilltareve socialiste pas mbledhjes së janarit që cilësonin se mbledhja shkoi shumë mirë dhe se projekt-vendimet u miratuan pa asnjë diskutim. Edhe në mbledhjen e muajit shkurt vendimet e Këshillit Bashkiak u morën pa zhvilluar diskutime dhe me thirrjen e kryetarit të seancës “mos ta zgjasim kot”. 

I vetmi vendim që i shtroi për diskutim palët ishte ai nr.23, përmes të cilit rruga “Bashkim Gazidede” tashmë do të merrte emrin “Shëtitorja e Bathores”. Debate pati mes kryesuesit të seancës e këshilltarit Enver Buci. Ky i fundit u shpreh se si banor i Kamzës me origjinë nga Dibra nuk ishte dakord me këtë ndryshim dhe i sugjeroi dhe nënkryetarit Shehu të mbante të njëjtin qëndrim përderisa bashkëndajnë origjinën. Gjithashtu diskutime pati mbi firmat e 600 banorëve që kishin inicuar dhe nënshkruar një peticion për këtë ndryshim, që u miratua nga Këshilli ndonëse edhe vetë ata kishin rënë dakord në janar për mos kalim të projekt-vendimeve për emërtime të reja pa u themeluar një komision që i shqyrton ato paraprakisht. 

Pas njoftimit të mbajtjes së mbledhjes së muajit mars vetëm dy ditë përpara dhe pa rend dite, gazetari i redaksisë sonë Ronald Qema u paraqit në ambientet e Bashkisë Kamëz më datë 21 para seancës. Me rikthimin në drejtim të seancës të kryetarit të Këshillit Hysen Koldashi, rikthehet edhe e njëjta politikë ndaj medias. Ndonëse e lajmëruar 20 minuta më herët për prezencën tonë si media, sekretarja e Këshillit Bashkiak të Kamzës nuk denjoi të komunikonte dhe lehtësonte pjesëmarrjen tonë në mbledhjen e organit kolegjial drejtues të qytetit që sipas Kushtetutës duhet të jetë i aksesueshëm për secilin person të interesuar. Pas një telefonate të dytë të kërkuar nga ne, një prej punonjëseve në recepsion të bashkisë njofton që një zë burri i ka komunikuar asaj se sekratarja e këshillit është e zënë. 

Kësisoj nën shkelje flagrante të detyrës nga sekretarja e Këshillit Bashkiak, rimbetemi jashtë sallës së mbledhjes. 

Jashtë mbeti edhe Selma Daku, praktikante pranë redakisë sonë, edhe pse ajo kishte nisur një kërkesë për pjesëmarrje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ditën e njoftimit për mbajtjen e saj. Në përgjigjen e kërkesës së drejtuar, sekretaria e Këshillit njofton se prania në mbledhjen e muajit mars nuk është e mundur pasi nuk ka vend në sallë.

Dua t’u informoj se në këtë mbledhje e kemi të pamundur konfirmimin për të qënë prezente, pasi pjesëmarrja është e lartë dhe kapaciteti i sallës është i vogël.

Në fotografitë e publikuara më vonë nga vetë Këshilli Bashkiak vërehet që salla nuk ishte e mbushur dhe vende të lira kishte mjaftueshëm. 

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz mbajtur më 21 Mars, Burimi: Faqja e KB në Facebook

Pak ditë më vonë, i dërgojmë kërkesë për informacion institucionit të Bashkisë Kamëz, përmes së cilës bëjmë thirrje për transparencë duke na bërë të mundur aksesimin e projekt-vendimeve të miratuara dhe secilit dokument bashkangjitur atyre. Për të shmangur praktikën bllokuese të Bashkisë Kamëz përmes arsyetimit që vendimet do duhet të merrnin konfirmimin ligjor përpara se të bëhej transparencë, ne kërkuam specifikisht dokumente publike që tashmë ishin të përgatitura dhe dorëzuara tek këshillitarët. 

Në përgjigjen e Bashkisë Kamëz dërguar me email më 9 prill, dy javë më vonë, ky institucion injoron tërësisht të drejtën për t’u informuar sipas parashikimit ligjor. Përgjigja e Bashkisë Kamëz ishte krejt jashtë spektrit të kërkesës sonë për informacion dhe ndante formulime të kopjuara nga dokumentacion i pakërkuar. Në shënimin në fund të përgjigjes, ky institucion njofton se vendimet gjenden në faqen në rrjet. Ky ishte informacion i genjeshtërt, pasiqë në faqen e institucionit nuk ishte publikuar asnjë vendim i marrë në vitin 2024 deri në momentin që ne nisim një ankesë drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit, edhe pse ishin mbajtur më së paku tre mbledhje të Këshillit Bashkiak Kamëz. 

Vetëm pas ankesës sonë, Bashkia u investua të publikojë kështu vendimet e marra përgjatë tre muajve të parë të vitit 2024, më 19 prill. Kujtojmë që edhe vitin e kaluar vetëm pas ankesës sonë në KDI, Bashkia Kamëz ka publikuar më shumë se 70 vendime në bllok, pas 8 muajsh mungese të plotë transparence.

Tentativa për transparencë e Këshillit Bashkiak Kamëz përsëri mbetet e cunguar pasiqë në vendimet e publikuara të 2024-ës mungon një syresh dhe gjithashtu në asnjë rast nuk gjejmë të publikuar dokumentat bashkangjitur vendimit të marrë. Marrim shembull këtu vendimin nr.10 të datës 22 janar që miraton Planin Social 2024-2026, dhe nuk mund të gjejmë bashkangjitur dokumentin e miratuar. Plani Social na është vënë në dispozicion vetëm pas ankesës mbi injorimin e kërkesës për informacion drejtuar Bashkisë Kamëz dhe ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.