Jehonë bashkimi në protestë

Evi Veliu | 08.10.2018 | nyje.al

Autobusi shkonte ngadalë, aq ngadalë sa mund t’i duket atij që me zor pret të mbërrijë. Mua do të më çonte nga Tirana në Prishtinë, disa ditë përpara datës së caktuar për protestën paqësore gjithëpopullore të 29 shtatorit në sheshin “Skënderbeu”.

                           Pamje nga marshi i protestes se 29 shtatorit, Prishtinë

Shkova me vullnetin tim për të ndihmuar në përgatitjet për shpërndarjen e thirrjes. Nuk ishte e para herë që shkoja. Atë rrugë e kam bërë në shi, në dëborë, në diell, vetëm, e shoqëruar, në grup… në atë rrugë më kanë ndalur e më kanë lënë të shkoj. Mirëpo kujtimet e hidhura në kufirin e andejmë janë më të gjalla: kanë kontrolluar valixhet, kanë ndërprerë udhëtimin duke kthyer njerëz pas a duke i arrestuar, na kanë endur nga një institucion në tjetrin për të gjetur një motiv për këto, na kanë lënë pa përgjigje e na kanë dhunuar; kanë përdorur madje çdo mjet për të na frikësuar, kërcënuar, arrestuar, e zbrapsur drejt kufirit gojëkyçur të këndejmë… për një parrullë bashkimi, mendoj. Ndaj, më së shumti më copëzohet e përbashkëta përpara syve në formë kufijsh, trarësh taksavjelës, shkopash gome, kërcëllime dhëmbësh, copëza letrash që të shpallin ‘rrezik për shëndetin publik’, e mbi të gjitha, në formë shpërfilljeje të veshur me pushtet pa kufij. Tani, “kompromiset e dhimbshme” të paralajmëruara nga i vetëquajturi president i Kosovës prekin pikërisht kufijtë, veçse ata nga ana e gabuar dhe pa marrë parasysh kufijtë e pozicionit të vet. Zemërimi, për rreziqet e njëpasnjëshme që i kanosen një populli me qeveri të dobët prej zyrtarëve të papërgjegjshëm, kthehet në organizim, organizimi në vullnet dhe vullneti në punë. Vendi nuk më mbante kur mendoja se sa punë prisnin për t’u kryer në përgatitjen e një proteste gjithëpopullore. E megjithatë, fjeta. Fjeta kur dëshirova të mos e shihja trarin taksavjelës të këndejmë që shumëfishon ndarjen. Më sjell në mendje se si çdo kufi fsheh kufij të tjerë, madje disa kufij ia vëmë vetes edhe pa qenë aty. Më duket një prerje në besë, si kusarët e rrugës së kohëve të harruara që të vjedhin xhepin, lirinë e mundin e përbashkët. Protesta e Kukësit për trarin taksavjelës u shtyp, siç di të shtypë autoriteti i veshur me pushtet pa kufij… Gjumin ma nxorën në kufi, për kontrollin rutinë të valixheve.
Sa shumë arsye që mund të hasësh çdo ditë për të protestuar! Sa shumë ngjarje për të cilat na i ka ënda të dalim në një protestë të denjë për mendimin dhe dyshimin, në një lëvizje të vazhduar që përmes përsëritjes shton e nuk zbraz, në një përpjekje për përndritje për të parë se si bashkë mund të jemi më të fuqishëm në kërkesat tona për drejtësi e barazi! Sa shumë kohë duhet për t’i folur të gjitha këto me njëri-tjetrin! Shumë prej nesh janë të rinj. Ënda na e ka që të mos endemi rrugëve por t’i banojmë rrugët tona; që të mos endemi universiteteve por t’i banojmë ato sa jemi aty; që të mos endemi spitaleve por të shërohemi aty; që të mos endemi nga puna në punë por të përparojmë aty, që të mos endemi rrugëve të botës por të mund të shëtisim atje dhe të zhvillohemi këtu… Sa i hollë filli mes ëndjes dhe endjes! Megjithatë, durimin nuk e humbasim. Puna është: të bëhemi bashkë për të shprehur vullnetin, në mënyrë që të përfytyrojmë veten dhe, pastaj, përfaqësuesit që kemi të mos i shmangen atij përfytyrimi. Populli është sovrani, kjo vlerë universale njerëzore është për ne që ta marrim seriozisht. Le ta marrim shtetin më seriozisht se ç’e merr shteti veten!… Cilat protesta do të mund të merrnin më të mirën tonë? Çështjet nuk janë asnjëherë të shkëputura, sikurse fenomenet shoqërore dhe ekonomike janë gjithnjë të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. Ndaj, secila protestë që i vendos në një ligjëratë të përbashkët këto, do të duhet të mjaftojë për të dhënë një mesazh. Po si arrin të organizohet një e tillë protestë? Mora frymë. Me këto mendime mbërrita në stacion. Ndjehesha si me fat! Nuk do të shkoja drejt e në sheshin plot me njerëz, por do të dëshmoja një rrjet të tërë aktivistësh, puna e pazëvendësueshme e të cilëve ishte të bënin të mundur takimin e njerëzve me njëri-tjetrin përpara protestës dhe gjatë saj. Kjo do të bëhej në formë shoqërore me grupe të vogla, në formë takimesh më të mëdha, në formë tubimesh edhe më të mëdha, në formë ftesash publike në rrugë, lagje, pallate, me njoftime… gjithçka dhe kudo, për çdo qytet e fshat, që thirrja të shkojë te njerëzit në mënyrë që ata të mund t’i përgjigjen. Thirrja në rrjete sociale ishte anësore, vetëm për ata që shkojnë ta kërkojnë vetë atë thirrje. Thirrja është e njëjtë për të gjithë dhe bëhet për t’u dëgjuar. Që të dëgjohet, është e nevojshme të shpërndahet. Pastaj, ajo thirrje e pjekur mund të bashkohet në shesh.
Protestën paqësore gjithëpopullore e organizonte lëvizja më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje! Organizatorët dhe të pranishmit kishin ardhur pa flamuj partiakë. Prindërit kishin ardhur së bashku me fëmijët. Bashkëshortët rrinin krah për krah. Flamuri kombëtar shqiptar flakëronte gjithandej në shesh. Përkrah i qëndronin flamujt e vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës. Folësit ishin të përzgjedhur dhe hynin menjëherë në temë vetëm me praninë e tyre. Mes tyre ishte një grua deputete, e cila i kishte mbijetuar 16 plumbave në trup gjatë masakrës që iu bë familjes së saj gjatë luftës së 1999-ës në Kosovë. Një nënë përcolli zërin e të gjitha atyre nënave fëmijët dhe/ose burrat e të cilave janë ende të pagjetur. Një minator kërkoi shtet ligjor e të drejtë për të gjithë. Një deputet përcolli gjithë ngërçin teknik dhe rrezikun e “kompromisit të dhimbshëm” për shkëmbim të territoreve, pra, absurditetin e saj. Një politikan përshkroi gjithë gjendjen politike – ekonimike – sociale në të cilën shqiptarët jetojnë në rajon. Një artist i muzikës u bë zëri i atyre që nuk mundën të ishin të pranishëm, zëri i skamjes, siç e quajti ai veten. Protesta fliste shqip. Ç’kompromise të dhimbshme mund të durojë akoma njeriu në jetë? Ne i nënshtrohemi përvojës. Secili mund të shohë tjetrin në sy e të reflektojë mbi veprimtarinë e vet. Madje, edhe Kukësi mundi ta përcjellë mesazhin e lënë përgjysmë disa muaj më parë dhe të kishte prani në atë shesh. “Populli i bashkuar ka për të fituar.” “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu.” Thirrja është bërë dhe tani ajo vlen për këdo që e ka dëgjuar, përtej kufijve.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje