Historia e Teatrit të Atyre

Diana Malaj| Pavjo Gjini| 08.12.2020| nyje.al

KAMZA DHE GRUPI ATA

Në qytetin si të prerë me gërshërë nga rruga kombëtare e cila të plas drejt e në kryeqytet, në vendin me shtëpi të shumta private të zatetura sa më pranë qendrës që mundën — në Kamëz — vepron grupi i aktivistëve Ata. Prej shtatë vitesh tashmë, ky grup vepron në një seri praktikash: nga ligji te gazetaria, antropologjia, arti, letërsia dhe teatri i të shtypurve.

Në Kamzën si periferia e madhe, grupi ia ka dalë të krijojë qendrën e vet. Qendër që nuk përjashton periferinë, por përbashkon “të tjerët” e përjashtuar rreth një biblioteke për nxënësit e studentët, rreth aktiviteteve të leximit me autorë bashkëkohorë, kinemasë teknikisht të improvizuar, akteve performative në qytet, hulumtimeve gazetareske, aktivizmit ligjor në përballje me ligjin dhe shtetin, dhe më përzemërti shfaqjeve teatrale. Të gjitha këto nga një etje e pashtershme për qytetin.

Kamza ka fituar statusin e bashkisë 24 vite më parë dhe aktualisht numëron rreth 125,000 banorë. Burime jozyrtare e renditin si bashkinë e pestë më të madhe në Shqipëri. Para viteve ’90 është karakterizuar nga puna në fermë dhe në minierë, ndërsa pas viteve ’90 nga zhvendosja e një numri të madh banorësh nga i gjithë vendi, kryesisht prej zonave malore e fshatrave veriore si fillim, e pastaj nga kthimi i shumë familjeve emigrante.

Nga perspektiva e kryeqytetit, Kamza është periferia (për-t’u-përjashtuar) e saj, e stigmatizuar shpesh si e mbushur me “ardhacakë, ilegalë e zaptues pronash, të paqytetëruar e malokë”. Për nga vetvetja qyteti vuan mungesën e institucioneve lokale që i shërbejnë atij dhe mungesën e investimeve nga pushteti qendror. Grupi Ata e ka marrë emrin nga kjo përballje mes “unit” dhe “tjetrit” të huaj dhe inferior, i domosdoshëm për themelimin e vetvetes. Në vetë të tretë, në numrin shumës, Ata zihen në gojë, por nuk janë aty. Distanca mes “atyre” dhe “neve” është e domosdoshme që të shihet më qartë e më thellë tjetri që është përballë. Ata vetërrëfehen në vetë të tretë.

Në sheshin e Kamzës, Fasada e Pallatit të Kulturës. Foto: Aurora Leka.
Në sheshin e Kamzës, Fasada e Pallatit të Kulturës. Foto: Aurora Leka.

Pallati i Kulturës së qytetit ka qenë që prej themelimit të Grupit Ata shembulli i domosdoshmërisë së krijimit të një kulture autonome, krejt të pavarur nga institucionet. Kjo vjen si nevojë për të ndërtuar kritikën ndaj korrupsionit strukturor lokal dhe për të dëshmuar fuqinë e organizimit politik dhe aktit krijues si akt rezistence nga qytetarë të cilëve u mohohet qyteti dhe e përbashkëta.

Pallati ka katër hyrje — të katërta të çojnë gjetiu, veç jo në hapësirat kulturore që mbart brenda tij. Nga dera e parë ballore nuk shkon te kinemaja, por te zyrat e “Ujësjellës-Kanalizimeve”. Nga dera e dytë nuk shkon te biblioteka, por fillimisht hyn në një bar-lokal privat që ka zaptuar hapësirën publike. Dera e tretë të ngatërron, nuk është e qartë nëse do të të çojë pranë një bankomati banke apo brenda ndërtesës. Në shkallët e jashtme rrinë kryesisht banorët e papunë të qytetit dhe moshat e thyera që presin për kohë të gjata një nga urbanët e linjës së brendshme të Kamzës.

Dera e fundit për pak të jep përshtypjen se mund të jetë dera e vërtetë: mund të të kishte çuar te teatri i qytetit, por në fakt të drejton te një bankë private e cila ka marrë mbi 150 m2 të hapësirës.

Pallati i Kulturës në Kamëz, qershor 2020. Foto: Diana Malaj.
Pallati i Kulturës në Kamëz, qershor 2020. Foto: Diana Malaj.
Institucionet e lëna djerrë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste po i konsideron “hapësira amorfe” që po ua jep bankave dhe lokaleve. Qytetarët kanë krijuar tashmë bindjen që pushteti i së “majtës” po likuidon hapësirat kulturore, duke filluar nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë te privatizimi i hapësirave publike në Kamëz. Kjo logjikë e dhunshme biznesore po i merr kundërpërgjigjet e saj — një ndër to është Teatri i Atyre.
Përse “Teatër” dhe si “i Atyre”?Përballë uniformitetit të forcave në pushtet, veprimtaria e Grupit Ata është tejet heterogjene dhe përfshin teatrin si pjesë thelbësore të saj, sepse teatri krijon një komunitet përmes inskenimit të vetvetes. Ndryshe nga festivalet, festat popullore, karnevalet, sportet e lojërat, të cilat e mbledhin komunitetin në formën e ritualit, teatri tenton të shkojë edhe më tutje, duke u bërë momenti ku komuniteti reflekton kolektivisht mbi origjinën, strukturën dhe të ardhmen e tij.

TEATRI I ATYRE HERË PËRDORET PËR TA MBROJTUR TË PËRBASHKËTËN, HERË PËR TA KRIJUAR ATË NGA HIÇI.

Teatri ka për detyrë t’i tensionojë, tendosë e tjerrë në skenë vetë marrëdhëniet shoqërore, ku komuniteti i mbledhur kolektivisht të shohë sesa mbajnë ato dhe se çfarë implikimesh mund të kenë për të në tërësi. Augusto Boal, dramaturgu brazilian i njohur për teatrin e tij eksperimental ku spektatorët bëhen aktorë, metodën e të cilit ndjek Teatri i Atyre, thotë se “nuk është e vendit për teatrin të tregojë shtegun e duhur për t’u ndjekur, por vetëm të ofrojë mjetet përmes të cilave mund të hetohen të gjitha shtigjet e mundshme”.Prej vitesh Ata organizojnë shfaqje teatrale si praktika artistike për krijimin e kolektiviteteve dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e organizimit komunitar për problematizimin e çështjeve lokale: mungesa e politikave kulturore lokale, hermetizmi” i pushtetit lokal, afera korruptive në urbanistikë dhe infrastrukturë, dëmtimi dhe keqmenaxhimi i pronave publike të përbashkëta, deri te ndotja e mjedisit. Teatri i Atyre herë përdoret për ta mbrojtur të përbashkëtën, herë për ta krijuar atë nga hiçi.Shfaqja e parë, “Fytyra e librit” (“Face of book”, me regji të Ergys Malsisë) u dha brenda Pallatit të Kulturës në vitin 2015, biletat e së cilës shkuan për pajisjen me libra të bibliotekave të tri gjimnazeve të Kamzës.

Më vonë Teatri i Atyre ka lexuar përvojën e grave në fasoneri përmes një pjese të vetëkrijuar, Ngritja pa Krye”, pastaj fenomenin goxha të pranishëm të mblesërisë përmes “Propozimit” të Anton Čehovit (me regji të Anila Ballës, ashtu si edhe të tjerat në vijim), mosmarrëdhënien martesore e shoqërore përmes “Këngëtares Tullace” të Eugène Ionesco-s, peripecitë e një aktivisti përballë pushtetit përmes “Vdekjes Aksidentale të një Anarkisti” të Dario Fo-s , dhe më së fundi tjetërsimin dhe grabitjen e pronave publike dhe raportin e kësaj me pushtetin lokal përmes “Vidh një Çikë më Pak”, po përsëri të dramaturgut Dario Fo dhe aktores Franca Rame.

Shfaqja “Propozimi”, e vënë në skenë më 2017; në role Ervis Biba dhe Xhesika Leka. Foto: Alban Tufa.
Shfaqja “Propozimi”, e vënë në skenë më 2017; në role Ervis Biba dhe Xhesika Leka. Foto: Alban Tufa.

Teatri i Atyre bëhet në një qytet ku Bashkia i ka vënë drynin që prej ndërtimit më 2011 teatrit brenda Pallatit të Kulturës. Përkthen skenare nga kryeveprat botërore duke i përshtatur dhe duke i futur në raport me Kamzën. Mbledh në audicione nxënës, studentë, punëtorë e të papunë që ia mbërrijnë të formojnë një kolektiv spontan për realizimin e një vepre kolektive artistike.

Teatri i Atyre ngre skenat me zhele por me merak, në fusha të pandërtuara ende, në shtëpi të nisura e të papërfunduara, në rrugica të pashtruara, buzë lumenjve të ndotur e në sheshpushime lagjesh. Bashkë me skenën, teatri mbledh rreth vetes si milingona edhe komunitetin që e ndjek, të cilët si rrallëherë marrin pjesë si të barabartë e me të njëjtin fat përballë shfaqjeve të grupeve teatrore.

Kështu, Teatri i Atyre ia del të inskenojë jo vetëm shfaqje, por një komunitet të tërë me skenarin që duket sikur e kanë shkruar ata vetë në dialog me të mëdhenjtë e teatrit botëror, të aktruar nga bijtë e bijat e tyre – jo të një shkolle teatri — të përkushtuar e të gatshëm për t’u stërvitur në lojërat e shpirtit aktorial.

Teatri pas shembjes

Ndoshta pikërisht për shkak të fuqisë së madhe që disponon si formë e inskenimit të dramave dhe skajeve të përvojës njerëzore në shoqëri, përgjatë diktaturës enveriste teatri ka patur një rëndësi aq kyçe sa ka mundësuar dhe konfiguruar një pjesë të mirë të arteve të tjera skenike. Edhe për aktorët e kinemasë, teatri ka shërbyer si akademi përmes të cilës është përgatitur “ushtria” kulturore e imazhit të regjimit. Kjo si për të thënë se fuqia e teatrit i është nevojitur shumë një shoqërie e cila tragji-komikisht tentoi të inskenojë parimin stalinist të ndërtimit të socializmit në një vend të vetëm, pra të vetëmjaftueshmërisë së një komuniteti.

Nisur prej kësaj, mund të rikapitullojmë duke thënë se teatri mund të rrënohet vetëm aty ku shoqëria është rrënuar tashmë. Vetëm një shoqëri e rrënuar nuk ka nevojë për teatër. Edhe ata që donin ta mbanin Teatrin Kombëtar në këmbë — Grupi Ata ka dhënë dy shfaqje në kohën e zaptimit të Teatrit Kombëtar nga artistë e qytetarë —  ishin si ata që duan të mbajnë në këmbë rrënojat e një shoqërie të zhdukur tashmë, shenjën se ka ekzistuar një e tillë dikur në këto troje.

Shfaqja “Këngëtarja Tullace” në Teatrin Kombëtar në Tiranë; në role Ervis Biba, Irena Keçi, Desara Hyseni. Foto: Aurora Leka.
Shfaqja “Këngëtarja Tullace” në Teatrin Kombëtar në Tiranë; në role Ervis Biba, Irena Keçi, Desara Hyseni. Foto: Aurora Leka.

Mirëpo, një pyetje shumë më dinamike sesa konstatimi melankolik i humbjes së një shoqërie që duket sikur nuk na ka përkitur kurrë, është pyetja se çfarë mund të bëjë teatri në një vend ku “shoqëria dhe teatri nuk ekzistojnë”, ngjashëm me formulën famëkeqe të shpallur 40 vite më parë nga kryeministria britanike Margaret Thatcher.

Përmes dramatizimit të problematikave shoqërore, Teatri i Atyre ia del sadopak t’i bëjë banorët e Kamzës të ndihen komunitet që kanë nevojë të mendojnë e vendosin bashkërisht mbi problemet e përbashkëta. Teatri  i Atyre i nxjerr nga indiferenca që sjell mbyllja e jetës në sferën private. Në një qytet ku pasqyrat e vetme janë xhamat e makinave dhe autobusëve që rendin drejt Tiranës, Teatri i Atyre i vendos komunitetit të Kamzës një pasqyrë më të qëndrueshme e gjithsesi më dinamike, ku komuniteti e sheh veten për herë të parë në sy pa i ardhur ta pështyjë, e tek lëviz e përpjeket me problemet e zgjidhjet e veta.

Skena të ndryshme, shqetësimi i njëjtë

Pas përballjes me armiqësinë e institucioneve lokale që mbajnë peng pallatin e kulturës, teatri është zhvendosur jashtë ligjit. Rrugët, sheshet e lagjeve, shtëpitë e lëna përgjysmë, rrugicat e fshehura dhe cepet e periferisë së njerëzve që s’u është dhënë kurrë mundësia për të parë teatër — ku teatri s’ka qenë kurrë — janë bërë skenat e Teatrit të Atyre.

Në muajin gusht të këtij viti, grupi vuri skenën e parë në sheshin qendror të zonës së Valiasit në Kamëz, dhe në të premierën e shfaqjes ‘Vidh Një Çikë më Pak’. Dario Fo ishte përshtatur për t’u dukur se ishte i lindur në Valiasin e minierës fashiste, ish-punëtor i minierës socialiste dhe i pensionuar në një Valias të shpunësuar prej të cilit po duan t’ia prishin shtëpinë e ta dëbojnë.

Shfaqja e kësaj komedie — mbi tjetërsimin e tokës së varrezave nga një investitor dhe nga një drejtor varreze, i cili korrupsionin e kërkimfaljen për të e shfrytëzon si mundësi për të kandiduar për Kryetar Bashkie — vinte pas një pune sa etnografike po aq edhe organizative në terren, ku grupi zbulonte edhe historinë e zonës edhe vendoste kontakte me banorët.

Mirëpo, shfaqja u ndërpre dhunshëm në mes nga disa banorë të cilët nuk e duronin dot më vazhdimin e saj aq shumë sa nuk duronin dot as të largoheshin indiferentë ndaj saj, por donin — ose ishin të detyruar — që me këmbëngulje dhe dhunë ta prishnin atë. Edhe pas këtij incidenti të dhunshëm shfaqja ka vazhduar të inskenohet bashkë me skenën pesë herë të tjera.

Shfaqja “Vidh një çikë më pak” në Kamëz, shtator 2020. Foto: Aurora Leka.
Shfaqja “Vidh një çikë më pak” në Kamëz, shtator 2020. Foto: Aurora Leka.

Ata shkojnë te “të tjerët” e tyre të ngjashëm: në lagjet Valias, Bathore, Frutikulturë, në qendër, pastaj në Tiranë, në Lezhë. Loja e aktorëve — e Anisës, Emilianos, Irenës, Klodjanit, Mirës, Marinelës, Mariusit, Ronaldit dhe Redit — e realizuar mjeshtërisht me regji të regjisores Anila Balla, ka bërë bashkë mbi 600 spektatorë të gjashtë vendeve të ndryshme, me qëllimin që t’i kthejë nga spektatorë në spekt-aktorë — siç sugjeron Augusto Boal me teorinë e tij të teatrit të të shtypurve — të jetës sonë publike e të përbashkët.

Grupi Ata me aktivitetin e vet luan ngazëllyeshëm bastin se teatri dhe organizimi qytetar nuk bëjnë pa njëri-tjetrin. Teatri është ushtrimi më i mirë për demokracinë, sepse të bën të futesh në lëkurën e tjetrit. Nuk ka demokraci pa e njohur tjetrin si të barabartin tënd, sepse pa barazinë dhe raportimin me tjetrin demokracia është kaos. Kush nuk e duron teatrin nuk është gati për demokracinë.

Teatri i Atyre e bën më shumë qytet Kamzën dhe si shpërblim për rikrijimin e tij, teatri na mban bashkë duke na stërvitur me njëri-tjetrin.

Ky artikull  është prodhuar për Kosovo 2.0, ku edhe është publikuar fillimisht. Ripublikimi i këtij artikulli është bërë me lejen e Kosovo 2.0.

Imazhi i ballinës: Trupi teatror i shfaqjes “Vidh një çikë më pak”, fotografoi Ervis Biba. 

Ndajeni këtë shkrim

Lini një Përgjigje