Me Ionescon si kundërpërgjigje

Shkëputur nga shfaqja “Këngëtarja tullace”, vënë në skenë në Teatrin Kombëtar, 28 dhjetor 20219
Shkëputur nga shfaqja “Këngëtarja tullace”, vënë në skenë në Teatrin Kombëtar, 28 dhjetor 2019

Diana Malaj | 11.01.2020 | nyje.al 

Një vit pas shfaqjes “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, realizuar nga grupi i aktivistëve ATA dhe regjisorja Anila Balla, për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe krijimin e një skene teatrore të mirëfilltë në Kamëz, në datat 28 dhe 29 dhjetor të muajit të kaluar, i njëjti grupim dhe për të njëjtën kauzë vunë në skenë shfaqjen teatrale “Këngëtarja tullace” të dramaturgut Eugéne Ionesco. Ionesco-ja konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme i teatrit avangard të absurdit.

“Këngëtarja tullace” si vepra e parë, shkruar në të 40-tat e tij, është  antidrama që i solli autorit fillimisht disfatë dhe më pas njohje dhe vlerësim ndërkombëtar. Sot, kjo vepër konsiderohet gur themeli për teatrin absurd. Temat e trajtuara si vdekja, ëndrra dhe kotësia e jetës gjenden në të gjitha veprat e tij, dhe shprehen nëpërmjet gjuhës që rrjedh në bosh dhe kotësi dhe që përcjell pamundësinë e komunikimit.

Pavarësisht vështirësisë që mbartte kjo antidramë për t’u luajtur nga aktorët e rinj dhe për t’iu shfaqur një publiku jo shumë i mësuar me teatër në Tiranë dhe Kamëz, domosdoshmëria për të kritikuar aktualitetin politik, social e kulturor në qendër dhe periferi e shtyu këtë grup të merrte përsipër një barrë më të rëndë nga çfarë mund të mbante. Kjo e bërë me vetëdijen se akti krijues i rezistencës në kohë të errëta është më i rëndësishëm sesa estetika dhe kërkesat e epërme të teatrit profesional.

Përveç përfshirjes dhe përkrahjes së Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe atij në Kamëz, kjo nismë ka krijuar kolektivin e vet që ka bashkuar studentë e gjimnazistë nga Kamza. Ervisi student i Fakultetit të Fizkulturës, Mariza studente e Drejtësisë, Ronaldi nga Gazetaria, Emiliano nga Akademia Ushtarake, Irena nga Filozofia Greke dhe më e vogla Desara 16-vjeçare nga gjimnazi “Ibrahim Rugova”, ia dolën që për dy muaj me radhë, me prova dhe përgatitje në mbrëmje të ftohta, ta kthenin teatrin eksperimental në të përbashkëtën e jetës së tyre.

Përsëritja e aktit për të dytin vit radhazi në dy skena – asaj kombëtare dhe lokale – është e qëllimtë. Si Teatri Kombëtar, që prej dy vitesh tashmë mbrohet me stoicizëm nga aktivistë, artistë e qytetarë, ashtu edhe Pallati i Kulturës në Kamëz, apelojnë njësoj. Të dy janë të rrezikuar prej të njëjtit pushtet që i administron ose i ka qeverisur deri dje. Shkatërrimi fizik i Teatrit Kombëtar dhe ai përmbajtësor i teatrit të Kamzës. Dy shkatërrime i kanë shtyrë domosdoshmërisht aktivistët dhe regjisoren Anila Balla të rezistojnë duke krijuar.

Situata e Teatrit Kombëtar, njihet tashmë. Rezistenca vazhdon prej pothuaj 2 vitesh. Për ATA nuk mjafton me e ditë që ka rezistencë, por është e rëndësishme që të kontribuojnë modestisht në vazhdimësinë e saj. Nga ana tjetër, ATA vijnë nga një qytet që nuk e ka pasur shansin me pasë një teatër të mirëfilltë, ndaj nga kjo janë edhe më të ndjeshëm teksa kërcënohet ai që është. Ndër vite, në mungesë dhe nga mungesa, janë detyruar ta krijojnë dhe rikrijojnë atë. Nga një skenë e mohuar teatri, përvojat e grupit ATA me teatrin kanë bërë që të dalin bashkë me të në rrugë, në shtëpi të braktisura, me tekste të improvizuara dhe me skenarë të gatshëm të eksperimentojnë me ia çel rrugën imagjinatës…

Teatrit në Kamëz nuk i është dhënë ende mundësia. Njerëzit e Kamzës ende s’janë të mësuar me të, kjo jo prej sjelljes antikulturore të banorëve, por prej një qasjeje antinjerëzore të institucioneve vendore. Godina që është ndërtuar mbi premtimin se do të ishte Pallat Kulture me teatër, kinema e bibliotekë, ndër vite është përdorur si skena e radhës ku shpërfaqet pushteti politik si monopol i drejtuesve të qytetit.

Lajm i ri i vjetër

Për 9 vite nga 3 mandate që ishte në  pushtet, Xhelal Mziu bashkë me të tijët e ktheu Pallatin e Kulturës në folenë e mbledhjeve të PD-së. Tek-tuk ndonjë shfaqje për fëmijë apo ekspozitë organizuar nga shkollat e qytetit, përsëritje ciklike e një festivali folklorik të shpërfytyruar sipas shijeve kryebashkiake, apo ndonjë festivali ndërkombëtarë kitsch-i si “Miss Globe”.

Tash, me ardhjen pa kontratë sociale të kryebashkiakut socialist, Pallati po përjeton agoninë e tij të dytë. Në ditët e fundit të qeverisjes së Mziut, një pjesë e konsiderueshme e katit të parë të Pallatit tjetërsohet dhe i jepet me qira një biznesi privat për hapjen e një kafeneje. Hapja e kafenesë brenda një “skeleti” arkitekturor ku biblioteka, kinemaja dhe teatri janë kthyer tashmë në hapësira të vdekura, një kërmë urbane si ushqim për sorra. Ndërkohë që asgjë nuk funksionon brenda atij pallati, e vetmja që nuk mbetet pa punë në një mjedis të varfër e të bjerrur, është kafeneja.

Si të mos mjaftonte kjo, vetëm pak javë pas ardhjes së kryebashkiakut të majtë, pothuajse gjysma e Pallatit të Kulturës tjetërsohet për krijimin e zyrave të Ujësjellës-Kanalizimeve të Kamzës. Dhoma e regjisorit dhe aktorëve, e të tjera për artin dhe kulturën transformohen në dhoma drejtorësh e nëpunësish. Të pyetur për këtë rast, nëpunësit janë përgjigjur se ky veprim afërmendsh duhej bërë, pasi ishin hapësira që nuk përdoreshin e s’ishin përdorur asnjëherë. Përfaqësuesit e bashkisë, të pranishëm në shfaqje dhe të zënë pak ngushtë nga kritika shprehen se kjo situatë do të jetë e përkohshme.

Shumë prej banorëve e kanë pranuar këtë logjikë praktike. Për askënd s’ka kaluar pa u vënë re për shkak të afishimeve gjigante në pjesën e jashtme të Pallatit të Kulturës me emërtimet “Ujësjellës-Kanalizime Kamëz”. Të tjerë mund të jenë skandalizuar, por kanë vazhduar rrugën indiferentë.

Pallati i Kulturës në Kamëz, pjesa e transformuar për Ujësjellës-Kanalizimet Kamëz, dhjetor 2019
Pallati i Kulturës në Kamëz, pjesa e transformuar për Ujësjellës-Kanalizimet Kamëz, dhjetor 2019

 

Reagimi 

Për Grupin ATA ky është sinjal i përkeqësimit të situatës social-kulturore në qytet dhe  të provokuar, kundërpërgjigjen me “Këngëtaren tullace”. Zëri i regjistruar i njërit prej aktorëve që në fillim të shfaqjes lajmëron:

“Zonja dhe Zotërinj, mirëmbrëma. Mirëseerdhët në Pallatin e Kulturës, Ujësjellës-Kanalizimeve Kamëz. Ju lutemi, fikni celularët dhe mbyllni rubinetat sepse shqetësoni jo vetëm aktorët në skenë, por edhe veten tuaj. Ju urojmë shikim të këndshëm.” Salla qesh, të paktë janë ata që mrrolen. Një pjesë e mirë e publikut është e shpërqendruar.

Salla është krejtësisht e ndriçuar. Aktorët mund të shihen sy më sy me spektatorin. Në fakt, kjo është më shumë një skenë koncertesh sesa teatri. Dikush flet me tjetrin, dikush bezdiset nga loja e avashtë e aktorëve, dikush ndihet i apeluar t’i përgjigjet fjalëve të personazhit në gojën e aktores së re.

Një grup djemsh të veshur me kostume sportive dhe kapuçzinj ”kërcënojnë” me një të qeshur paralajmëruese e cila po u organizua edhe më shumë do të mund ta hedhë në erë përqëndrimin e aktorëve. Një shenjë nga ne për të mbajtur qetësi u lëshohet me maturi. “Bëjeni për ata, jo për ne”… përpiqemi t’ua themi me gjeste dhe shenja … Në një moment vendosin të dalin. Tre të tjerë thërrasin të tjerët e mbetur. E braktisin të gjithë. Ne marrim frymë më lirshëm. Dy vajza të vogla i thërret nëna që sapo ka mbyllur punët me pastrimin e pallatit. Ato refuzojnë të ikin. Ajo i merr kundër dëshirës së tyre. Largohen duke folur nëpër dhëmbë.

Një zotëri e humbet durimin, e teksa del e pyesim nëse do të mund të qëndrojë deri në fund. Më përgjigjet se duhet të merret vesh me pastiçerinë se nuk e ka porositur ende bakllavanë. E ftojmë të kthehet. Tri minuta para se të mbyllet shfaqja rivjen, i mërzitur se s’arriti të shohë më gjatë djalin teksa interpreton.

Dy gra largohen. Dy të rinj largohen. Tre vajza shkojnë në banjo. Dera e teatrit hapet e mbyllet vazhdimisht, duke futur dritë e zhurmë në sallë. Aktorët vazhdojnë me lojën e mbrëmjes. Deri në batutën e fundit. Përkulen, presin. Ato pak duar që mbeten deri në fund duartrokasin e brohorasin. Familjarët afrohen, flasin me ndrojtje dhe mirënjohje, e më pas shpërndahen në mbrëmjen e ftohtë.

Pallati i Kulturës (Ujësjellësit dhe Kanalizimeve) sa vjen dhe tkurret. Përpjekje të tilla për ta çuar teatrin te njerëzit, teksa njerëzit pengohen të shkojnë te teatri, mbetet si mundësia e vetme për të kapërcyer stërkëmbëshin që vendos shteti.

***

Link për shfaqjen e plotë në Kamëz: https://www.youtube.com/watch?v=gBERCQNhIsI 

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje