Karnavali i Bozovcës - rrëfim nëpërmjet etnografisë vizuale

Trivet | 08.05.2024 | nyje.al

Në kohën kur karnavalet na shpërfaqen me maskat veneciane, me ngjyra e xixa, në Bozovcë ende mund të shohim kremtimin e karnavaleve në një mënyrë më autentike në thelb e kuptim, të njohura ndryshe si edhe si Karnavalet Ilire në Tetovë.

Bozovca është fshati më i thellë i malësisë së Sharrit, pjesë e qytetit të Tetovës. Majat e Sharrit të shtrira përreth, nuk të lënë pa të bërë përshtypje, duke i dhënë hijeshi të pamasë fshatit. Rrugës duke shkuar drejt tij, përveç luleve të shumëllojta çelur arave, sildomos atyre të qershive, hasje dhe me plot bagëti si kuaj, lopë e dele liruar rrugëve e lëndinave. Në një fshat të tillë ku blegtoria është pikë kyçe e ekonomisë së fshatit, s’ka si të mos jetë themel edhe i këtyre karvanavele që kjo zonë feston. Maskat prej lëkurëve të kafshëve, gëzofi, guna, këmboret janë dekori kryesor i karnavalistëve.

Si festë pagane e arkaike, karnavalet e Bozovcës i kanë rezistuar shekujve si edhe ndikimeve të feve monoteiste, në krahasim me shumë karnavale të të njëjtit lloj në rajonin e Ballkanit që nuk kanë mundur dot të mos ndikohen nga fetë monoteiste.

Këto kremte të kalendarit pagan, duke përdorur zhurmën e theksuar me anë të këmboreve dhe daulleve, por edhe me anë te këngëve të ndryshme, kanë si motiv të përcjellin të keqen bashkë me stinën e egër të dimrit duke ia përgatitur rrugën ardhjes së pranverës.

Banorët kujtojnë se deri në vitin 1980 këto karnavale janë festuar rregullisht në fshat, duke mos kujtuar dot as se kur mund ta kenë pasur fillimin. Në vitin 1981, pushteti jugosllav në Maqedoni ndaloi kryerjen e karnavaleve apo aktiviteteve kulturore qe lidheshin me origjinën ilire, duke i quajtur aktivitete irredentiste.

“Ky ishte diskriminimi më i madh apo etnocid i pashembullt ndaj popullit shqiptarë që jetonte në Maqedoni e gjithandej trojeve të tjera në ish-Jugosllavi” citon mësues Neshati, të cilin e takuam gjatë vizitës sonë në kremtimin lokal.

Mbas 28 viteve ndalese, në vitin 2009 karnavalet risillen në fshatin Bozovcë. Kjo falë punës dhe vullnetit të banorëve të zonës.

“Në 3 janar 1980 unë jam martuar. Me 2 janar 1980, një ditë më herët, ka qenë ditë e premte, janë mbajtur karnavalet ilire. Dhe kjo ka qenë data e fundit që janë mbajtur karnavalet ilire, sepse në vitin 1981 filluan demostratat në Republiken e Kosovës dhe të gjitha aktivitetet kulturore, që kanë pasur të bëjnë me trashëgiminë tonë shqiptare, të gjithë sllavët i llogarisnin se janë të dëmshme për ta, dhe i ndaluan me ligj. Sporti, kultura, traditat, edhe veshmbathja kuq e zi, atyre i bënte dëm. Pati një ndërprerje jashtëzakonisht të gjatë, 28 vite. Pas 28 vitesh, në shkurt të vitit 2009, karnavalet rikthehen në fshatin Bozovcë. Ky ishte një vit i një thyerjeje të gjatë heshtjeje, 28 vite. E heshtja e gjatë, shpesh bën që gjërat të harrohen… Kur janë rikthyer, ka qenë ditë e jashtëzakonshme, se po t’i llogarisësh para 28 vitesh, sa gjenerata apo njerëzit që janë pas bërë karnavalist, sa e kanë përjetuar atë ditë! Ishte një ditë lumturie, një ditë hareje sepse u ringjall ai aktivitet i cili ishte i harruar. Kur i kemi ftuar ne njerëzit për t’u bërë karnavalistë, ata nuk e dinin se çdo të thotë karnavale. Kur u tregonim, ata u mahnitshin,” citon mësues Neshat Mehmedi, banor i fshatit dhe një nga organizatorët kryesorë të karnavaleve.

Përgatitjet fillojnë disa ditë më herët, dhe si thonë edhe banorët e zonës duhet me patjetër që të ftohen njerëz nga çdo lagje e katundit për të marrë pjesë në rit, pasi nëse nuk ftohen nuk i lënë karnavalistët të hyjnë në lagjen e tyre, ngaqë ndihen të përjashtuar. 

Pjesë e veshjes së karnavalistëve janë materiale origjinale dhe jo të fabrikuara, më së shumti të marra prej barinjve të zonës, ku mbizotëron lëkura e kafshëve, këmboret, qeleshja, apo maskat prej lëkure. Shkopi është një tjetër element i rëndësishëm që bashkë me hinin përbëjnë dy armët kryesore të karnavaleve që shërbejnë për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur. Dikur maskat janë punuar me më shume detaje, duke imituar kafshët shtëpiake, por edhe ato të egra si ujkun, ariun, kaprollin. Sot vijnë më të thjeshtëzuara, në të cilat mbetet elementi kryesor, lëkura e kafshëve.

Veshja e karnavalistëve përgjatë festimit të karnavaleve, skicim i Trivet

Ditën e karnavaleve fillimisht bëhet përgatitja e veshjes së karnavalistëve, vendosja e maskave apo ngjyrosja e fytyrës me thëngjill.  Secili karnavalist ka rolin e vet, që nga nusja, vjehrra, vjehrri, vajza, dhëndri, vëzhguesit, mbrojtësit. Më herët, rolet e vajzave dhe grave bëheshin nga djemtë dhe burrat. Nga konsultimi arkivor i fotografive të karnavaleve të mëparshme, duket qartazi mungesa e vajzave në to. Rolet e tyre janë luajtur nga djemtë e veshur me kostume vajzërore. Në bisedë me organizatorët na pohohet që vajzat nuk janë lejuar të marrin pjesë në to, me argumentimin e përkujdesit ndaj tyre. Në karnavalet e sivjetshme prania e vajzave në to ishte dukshëm e lartë dhe shumë të pranishme që prej përgatitjes deri në performimin publik të ritualit. 

Foto nga Karnavalet e Bozovcës të vitit 1976, me autor Musli Fejzullahu

Më pas, si lum që rrjedh në shtratin e tij, edhe karnavalistët rrjedhin nëpër rrugicat e fshatit, dhe herë duke hyrë nëpër lëmet e shtëpive, ku mirëpriten me ushqime nga familjarët. Ushqimet e grumbulluara, të cilat variojnë që prej patateve, miellit, mishit, pastermasë dhe vezëve, në fund të ditës mblidhen diku për t’i gatuar, ose ua çojnë familjeve që më së shumti kanë nevojë. Ecja nëpër fshat shoqërohet me valle, këngë, rrokje mes njëri-tjetrit, qoftë me shkopinj apo duke i hedhur hi njëri-tjetrit, e shoqëruar gjithashtu edhe nga kali.

Më herët këto karnavale janë mbajtur në të gjitha katundet e malësisë së Sharrit, në Korab, Lumë, Opojë, Vrini. Mirëpo, në Bozovcë banorët janë riorganizuar duke e vazhduar traditën e paraardhësve të tyre, edhe pas dekadash privimi. Tetovarët e konsiderojnë këtë ngjarje në prag pranvere si shumë të rëndësishme për historinë dhe identitin e tyre. Në publikimet referuar Karnavalit të Bozovcës pranohet me krenari që krahas gjuhës, traditës e zakoneve,  kjo ngjarje kulturore dëshmon për identitetin e lashtë të popullit shqiptar. 

Trivet është krijuar nga tri motra (Natasha, Elsa dhe Fatma Paja), krijimtaria artistike e të cilave rrok pikturën, fotografinë, ilustrimet, antropologjinë vizuale dhe dizajnin. Me ndjeshmëri politike, sociale e me prekje lirike ato prej vitesh kanë realizuar ekspozita, ndërhyrje artistike dhe produksione audio-vizuale në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera. Gjuha e tyre vizuale ka shënjuar tashmë prej një dekade shumë publikime artistike, kulturore dhe edukative, po aq edhe organizimet publike (protesta, marshime), platforma digjitale aktivistësh e organizatash. Pikturat e tyre shpesh na shfaqen me ngjyresa të stilit impresionist dhe me peizazhe idilike natyrore. Puna ekspozuese më e fundit e Trivet Që prej Motmoti vjen nga një sfond hulumtimi të riteve dhe mitologjisë shqiptare.