Valbona

Antonela Pepkolaj | 06.08.2022 | nyje.al

“Me jetue né Provinc, Me ec, e me ec, deri né rraskapitje,

Me hy mespérmes turmés, Né metropol.

Aromén e parfumit me trazue me rrugén e zhurmshme,

Me trotuaret ambulant. Me ec, pa u ndal. Me ba’ si e lumtur,

Me ndérrue té folurén, Gegnisht e Tosknisht vramull me i ba’…

E népér turmé me hy’. Me u ba’, njé me realen.

Me u pajtue me hapésiren. Me té voglén.. me bardh e zi..

Me marr frymé Province..”

Këto janë disa vargje të shkëputura nga krijimtaria poetike e Valbonës, referuar Kamzës, në të cilin jeton prej shumë vitesh. Përvoja e urbanes, e zhvendosjes, e nyjëtimit të mundësive dhe pamundësive që ofron jeta në skaje, ia kanë kushtetuar qënien dhe mënyrën e saj të banuarit të qytetit.

Pavarësisht se profesionin e  mësuesisë e ka ëndërruar prej kohësh, vonë i është dhënë mundësia ta ushtrojë atë me shumë pasion e përkushtim. Ajo e do dijen, dhe është në përpjekje të vazhdueshme për ta përftuar atë, sidomos duke qenë në marrëdhënie të përditshme me nxënësit dhe kolegët e saj në shkollën “Elina”. Ëndrra për të ndjekur studimet e larta i mbeti peng për njëzet vite, në fillim prej dajës së babait, që kishte studiuar në Stamboll për Teologji Islame dhe ishte hoxhë, shkak i të cilit familja u klasifikua me biografi te keqe. Mandej për shkak se u martua dhe duhej kujdesur për familjen dhe shtëpinë, ajo dëshirë u shty edhe për ca kohë. Këtë Valbona e justifikon me thënien “..ishte koha”, por, thotë, “...kohën e bajmë vetë”, për të cilën ajo është munduar dhe ka sakrifikuar shumë nga jeta e saj.

Shprehet se migrimi është shumë më i vështirë se emigrimi dhe, për këtë sjell si shembull ardhjen e banorëve nga zonat kryesisht të veriut dhe verilindjes të cilët lëvizën drejt Tiranës në Kamëz për një jetë më të mirë. Thotë se, ata që nuk vdiqën në udhëtimin e tyre jashtë Shqipërisë, panë dritë gradualisht, ndërsa këta të tjerët, që janë ende këtu, përballen me vështirësi që ndonëse duhet të ishin tejkaluar, na pëndjekin edhe sot. Pa drita, pa ujë, pa asnjë lloj infrastrukture, të ‘ardhurit’ – ashtu siç na etiketuan, thekson ajo – ndërtuan qytetin e tyre. Pohon se më problematikja ka qenë mungesa e punës, çfarë krijoi mundësi për dyndjen e fasonerive. Përveç kësaj, shton ajo, mungojnë investime serioze. Kamza ka pësuar ndryshime ndër vite, por jeta vazhdon të mbetet e varfër për shkak të papunësisë, arsyeja përse rinia largohet dhe rrezikohet shpopullimi i vendit. Vetë ajo është zhvendosur nga Tropoja dhe jeton prej vitesh në Kamëz.

Nga ana tjetër, ajo pohon se mirëqenia fizike nuk është e vetmja e mirë që njerëzit duhet të kërkojnë, por edhe atë shpirtërore, të cilën Valbona e njëson me kulturën dhe artin. “U japin njerëzve bukë dhe cirk, si në antikitet”, shprehet për qasjen e pushtetit lokal në Kamëz, por jo vetëm. Iniciativat janë të pakta dhe njerëzit nuk kanë çfarë të bëjnë, pos të shtyjnë kohën nëpër parukeri dhe kafene, të cilat, siç thotë Valbona, janë me shumicë. Pallati i kulturës duhet të shërbejë më shumë për aktivitete kulturore dhe të  përdoret më pak për takime elektorale. Panairi i librit, që ajo e vlerëson si një ndërmarrje të mirë, duhet të bëhet dy herë në vit dhe me çmime më të arsyeshme. Këtë Valbona e thotë edhe si autore e cila ka botuar. “Unë nuk kam dashur të bëj ndonjëherë biznes me libra, pjesën më të madhe i kam dhuruar”.

Si autore, Valbona e ka zbuluar veten herët. Poezia e parë që ka shkruar ka qenë kur ishte dhjetë vjeçe, për mësuesen e saj. Në një fletore që nuk i është ndarë për pjesën më të madhe të jetës, Valbona ka shkruar poezi për shumicën e gjërave që ka përjetuar. Tregon se, fletoren e mbante kudo me vete, kur shkonte në shkollë në çantë, kur u martua e kishte poshtë pajës, kur lindi pranë djepit. I pëlqen të shkruajë për peizazhin, për të bukurën dhe ndjesitë shpirtërore. Për herë të parë, Valbonës iu publikua një cikël me poezi te gazeta “Shkëlzeni” në Bajram Curr. Mban mend që u pagua 70 lekë te reja, sa pesëmbëdhjetë ditë pune të prindërve në kooperativë, prej të cilave 50 ia dha të atit, 20 vëllait. Për jetën në komunizëm ajo shprehet se nuk i sheh asnjë anë pozitive, jetesa e limituar në frikë, terror, dhunimi i fjalës së lirë… por sërish, edhe tranzicioni ishte dhe vazhdon te mbetet i mundimshëm për jetesën e njerëzve të thjeshtë.

Nga fëmijëria e saj në komunizëm, Valbona mban mend plot gjëra, të cilat i rrëfen në librin e saj më të fundit që do ta botojë së shpejti si një vëllim me tregime të shkurtra. Ndoshta, kujtimi më i çmuar është gjyshja, Ajshe Hoxha, një grua, në syrin e saj, shumë e talentuar dhe e ndjeshme. Thotë se, nuk kishte televizor në fëmijëri dhe radioja ishte e rrezikshme sepse kapte stacione nga Prishtina, kështuqë, kohën e kalonte duke dëgjuar rrëfime prej gjyshes. Kjo gjë, e ka bërë Valbonën një njeri me imagjinatë të gjallë dhe që shpesh e shkonte kohën duke fantazuar.

Përrallat e rrëfyera nga gjyshja, ajo i ka bashkuar në një vëllim prej 36 përrallash të titulluar “Shtëpia pa dyer”, të cilën Valbona e cilëson si një ndër veprat më të mira që ka shkruar. Por, përrallat nuk janë e vetmja arsye pse Valbona ndjen një lidhje të veçantë me gjyshen, më së shumti është kurajoja që ka marrë si fëmijë prej qëndrimit të saj në kohë që ajo i cilëson aq të errëta. “Se si ka mundur, duke qenë në skamje dhe, pa asnjë shpresë për të ardhmen, të jetë njeri aq i gjallë me aq pasion për jetën, s’e di”.

Nxënësit e Valbonës do të mund të thonin të njëjtën gjë për të.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje