Thirrje për solidaritet mes gazetarësh, “Rama s’mund të na e mbyllë gojën”

nyje.al | 05.07.2022

“Riedukimi”, si masë ndëshkimi nga kryeministri Rama, për gazetarët që i drejtojnë pyetje që nuk i duken të përshtatshme nxorri dje në shesh një pjesë prej tyre. Rasti i fundit i gazetarit të A2CNN, Klevi Muka, erdhi si akti i rradhës i Ramës në “luftën” e tij me median, ose kazanin siç preferon ai ta quajë. Kjo marrëdhënie e tensionuar që në ardhjen e Edi Ramës në postin e kreut të qëverisë, ka risjellë herë pas herë në opinionin publik akte “rebelimi” të disa gazetarëve dhe zgjidhje autokratike nga kryeministri. Këto vendime prej autokrati, për gazetarët janë të papranueshme dhe para Kryeministrisë ato kërkuan që ti jepet fund kësaj qasje.

“Ne si gazetarë jemi mbledhur sot për ti bërë thirrje kryeministrit që mos ta kthejë si standard këtë mënyrë apo këtë metodë që po përdor për të ndëshkuar gazetarët. Në fakt qëllimi ynë është që vetëm të informojmë opinionin publik dhe duhet të jemi të lirë, sigurisht pa cënuar normat e etikës, që të drejtojmë pyetje. Por, nuk është aspakt e drejtë që gazetarët të ndëshkohen në këtë mënyrë.” Fjona Çela – Gazetare

“Rasti i fundit i kolegut Muka, që kryeministri e dënoi më të ashtuquajturin riedukim nuk mund të kthehet në precedent për të ardhmen, pasi kjo nuk është e bazuar në asnjë normë ligjore vendase e as ndërkombëtare të njohur deri më sot. Ndaj ne i dënojmë ashpër këto veprime dhe i kërkojmë edhe një herë tërheqjen e menjëhershme të kësaj mase ndaj kolegëve tanë.” Isa Myzyraj – Gazetar


Gazetarja Fjona Çela bashkë me një kolege mbulojnë gojën me adeziv si akt simbolik, Tiranë 2022, Ronald Qema


Përpos kërkesave për tërheqjen e masës së ndërmarrë nga kryeministri, mes të pranishmëve pati dhe nga ata që kërkuan edhe kundër përgjigje ndaj kësaj qasje të kreut të qeverisë. Aleksandër Çipa, i cili drejton Unionin e Gazetarëve u bëri thirrje kolegëve të bojkotojnë konferencat e në këtë mënyrë të tregojnë pavarësinë e tyre.

“Unë personalisht do tu bëj apel të gjithë kolegëve që natyrisht ta shikojnë edhe bojkotin e konferencave dhe këtë duhet ta bëjnë për të ngritur autoritetin dhe marrëdhënien partneriale që kemi ne me pushtetet dhe institucionet e tjera. Nuk jemi ne një pushtet që varemi nga pushtetet e tjera, ne jemi një pushtet që respektojmë demokracinë dhe funksionalitetin e një shoqërie demokratike.” Aleksandër Çipa – Drejtues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Në mars të vitit të kaluar, gazetarja Edona Haklaj pati në incident me kryeminstrin Rama i cili e shtyu atë pasi pa që nuk po mbante maskë. Në rrjet u diskutua për sjelljen e menjëhershme dhe të ashpër të Ramës, që mund ti kishte kërkuar asaj të largohej pa pasur nevojë për të ndërmarrë akte fizike intimiduese. Haklaj mbrëmjen e djeshme u shpreh se pati mbështetjen e medias ku punonte, edhe për të mbajtur qëndrim publik por nuk është gjithmonë ky rasti. Ajo u shpreh se cilido qoftë reagimi i brendshëm në redaksi, gazetari duhet të ketë dinjitet dhe të mbrojë parimet e tij pa kushte përballë pushteteve që ia vështirësojnë punën.

“Patjetër që ka raste kur mediat dhe televizonet shpeshherë i vënë ndoshta nën presion edhe gazetarët duke mos u dhënë hapësirën që ata të këmbëngulin për të reaguar ndaj rasteve të tilla, por ka raste kur televizionet i mbështesin. Mendoj që gazetarët në çdo rast do të duhen të përpiqen që të jenë zëri i tyre, zëri i të vërtetës, të këmbëngulin, të solidarizohen siç në rastin e sotëm, edhe të ngrenë zërin për të mos lejuar asnjëherë që pushteti, pozita dhe as opozita, të mos lejojnë deformimin e fjalës së tyrë dhe as mbytjen e zërit, mbyetjen e të vërtetës edhe pyetjeve, gjithmomë.” Edona Haklaj – Gazetare

Nga ana e kryeministrit nuk ka patur ende një reagim mbi këtë protestë të zhvilluar poshtë zyrës së tij. Për situatën, ai postoi të dielën një seri deklaratash në Twitter ku shprehej i pashpresë nga mos-avancimi i procesit të vetërregullimit të medias dhe se gjithashtu nuk do të lejontë kurrë atë çfarë ai e quajti “lirinë e shkeljes së etikës”.

Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!

— Edi Rama (@ediramaal) July 3, 2022

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje