Letra e bojkotit ‘Bread and Heart’ me mbi 500 firmëtarë, organizatorët heshtojnë kritikat

nyje.al | 07.06.2026

Në kohë rekord organizimi dhe shpërndarjeje, letra e hapur për festivalin e arkitekturës ‘Bread and Heart’ është nënshkruar nga mbi 500 organizata mjedisore, aktivistë, kolektive, arkitektë, e shumë të tjerë. Grupi i hartuesve është siguruar që letra të shpërndahet edhe dorazi ndër pjesëmarrës të festivalit me datë 3 qershor.

Letra e hapur parashtron kontekstin brenda të cilit do të ndodhte ky festival dhe jep një panoramë të plotë të protestave të vazhdueshme e masive që po mbahen në Tiranë prej ditësh kundër ndërhyrjeve ekocidiale në një nga peizazhet e mbrojtura dhe më të rëndësishme në Shqipëri, Pishë Poro-Nartë. Nëpërmjet letrës publike, nënshkruesit u kërkonin arkitektëve pjesëmarrës të ‘Bukë e zemër’ që të distancoheshin nga bashkëfajësia me shtetin shqiptar, të mbanin dhe të kërkonin llogari për ngjarjet në Nartë dhe kudo nëpër Shqipëri, si dhe t’u bashkoheshin protestave për kauzën dhe të bojkotonin eventin treditor.

Studentë shqiptarë dhe të huaj, pjesë e festivalit në Tiranë kanë shprehur interes dhe janë informuar nëpërmjet kësaj letre, si dhe më pas janë angazhuar në aksione konkrete të atypëratyshme. Në muret e brendshme të hapësirës ku mbahej aktiviteti janë ngjitur letrat bashkë me kodin QR ku pjesëmarrësit të mundeshin të informohoheshin dhe të nënshkruanin letrën. Të tjerë pjesëmarrës, pas mbarimit të festivalit dhe kthimit në vendin e tyre janë bashkuar në protestat diasporike. Një rast i tillë ka ndodhur me studentët e Zvicrës që i janë bashkuar tubimit në Zyrih, këtë të shtunë. ‘Sot do të ketë një protestë nga diaspora, do t’u bashkohem, kështu ta dini që e gjitha kjo po zgjerohet e po bëhet më e madhe.’- njofton me mesazh studenti A*, grupin hartues të letrës. 

Letra e hapur ngjitur brenda hapësirës ku u zhvilluar Bread and Heart
Letra e hapur ngjitur brenda hapësirës ku u zhvillua Bread and Heart

Sipas informacioneve të brendshme, edhe gjatë zhvillimit të paneleve të diskutimit në festival është tentuar herë pas herë, në forma direkte dhe indirekte për të tematizuar çështjen e Nartës dhe investimeve në Sazan, duke ngritur pyetje dhe dyshime për to teksa jashtë hapësirës së tyre, shqiptarët kudo në vend e nëpër botë janë ngritur në revoltë e protesta kundër regjimit Rama.

Megjithatë, pak e aspak reflektim ka ardhur nga zërat kryesorë të festivalit, arkitektë e kuratorë që janë krejt afër pushtetit të kryeministrit të vendit dhe që përdorin njohjen me të për të konkretizuar projekte arkitekturore të kontestuara nga vendasit. Një rast ilustrues është censurimi dhe fshirja e komenteve denoncuese ndaj publikimit të librit ‘ The Albanian Files: Freedom and Architecture’ të Anneke Abhelakh, kuratorja e prezantimit të Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës (2025). Abhelakh, e përballur tashmë me një seri kritikash të forta në disa projeksione të hapura, ka heshtuar disa zëra shumë të rëndësishëm të arkitektëve shqiptarë, artistëve dhe fotogravëve nga brenda dhe jashtë vendit duke bllokuar komentet dhe fshirë ato ekzistentet.

Sakaq, jehona e letrës së hapur që kritikonte festivalin ka arritur nëpër rrugët e ndezura të revolucionit të Flamingos. Nëpër pankarta krijuar nga qytetarët është shkruar kritikë e thukët kundër festivalit, arkitektëve ndërkombëtarë dhe qasjes neokolonialiste të star-arkitektëve dhe Ramës.

Ndërkohë, një tjetër letër e hapur që fton të gjithë komunitetin akademik të kundërshtojnë shkatërrimin e Pishë-Poro Nartë, Zvërnec e gjitha zonat e mbrojtura, është nënshkruar me mbi 200 studiues shqiptarë në Shqipëri e diasporë, si dhe akademikë të huaj. Letra është ende e hapur dhe mund të nënshkruhet këtu.

Imazhi i ballinës: Antonio Muco

shënim: studenti A* është i anonimizuar.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje