Personat me aftësi të kufizuar mbështeten ende te familjarët si ndihmës personalë

Erisa Kryeziu | 05.05.2024 | nyje.al

“E kam menduar që mami do të plaket me kalimin e viteve, por nuk kam çfarë të bëj. Mami që tani e ka të vështirë se është e sëmurë për vete dhe nuk mundet. Fëmija çfarë stë bën, nga halli…“, –rrëfen Klodjana, ndërsa përpiqet njëkohësisht të ngadalësojë ritmin e të folurit.

Tanimë 37 vjeç, Klodjana kujton kur ishte në të 18-tat dhe pa shenjat e parat të sëmundjes, që do ta linin në të ardhmen në pamundësi për të lëvizur në mënyrë të pavarur. Ajo e ka shumë të vështirë të orientohet në hapësirë, duke humbur kësisoj ekuilibrin, ndaj e ka të nevojshme që të ketë një person që ta shoqërojë në çdo moment që vendos të lëvizë.

„Pasi kam mbaruar gjimnazin më kanë bërë mjekime të gabuara dhe kam arritur në këtë gjendje që jam sot. Unë isha në hapat e parë të sëmundjes dhe nuk arrinin mjekët të kuptonin çfarë kam. Dhe eksperimentuan te unë. Dhe jam kështu siç jam sot”, – ndan nga jeta e saj 37 vjeçarja, banuese në Laprakë.

Njëjtë si Klodjana, edhe Eduarti nga Durrësi e ka të pamundur lëvizjen e lirë. Në vitin 2000, për shkak të një aksidenti automobilistik, ai mbeti i paralizuar në pjesën e sipërme të trupit, duke qenë sot nën statusin e tetra-plegjikut.

„Kur jam aksidentuar, ishte viti 2000 dhe atëherë edhe spitalet nuk merrnin vesh fare. Kur vajtëm në një klinikë në Tiranë, edhe i thonin mamit mos e lëviz se do ta mbytësh. Unë doja të haja, ata i thonin mos e lëviz se do ta mbytësh. Edhe pse isha i aksidentuar, isha goxha trup dhe doja të haja”, -ndan nga jeta e tij Eduarti, tanimë 47 vjeç.

Përpara se të shkonte në Durrës, Eduarti kujton kur jetonte në Elbasan, në pamundësi  për të dalë nga shtëpia.

“Në Elbasan, pallatet ishin të vjetra, ato të Enverit. Ishim në kat të tretë dhe nuk dilja dot. Duhet të kisha 2-3 njerëz që të zbrisja shkallët”, – kujton Eduarti.

Ndihmësi personal, domosdoshmëri e “keqpaguar”

Referuar ligjit 93/2014 „Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar jetesa e pavarur për personat me aftësi të kufizuar mundësohet përmes shërbimeve që synojnë mbështetje dhe kapërcimin e barrierave, sikurse asistenca personale, pajisjet ndihmëse dhe shërbimet e aksesueshmërisë sikurse transporti.

Ndërkohë që për kategori të caktuara të aftësisë së kufizuar sikurse para dhe tetra plegjikët, por jo vetëm, nevojitet edhe ndihmësi personal.

Eduarti u detyrua të lëvizë në Durrës te motra e tij, me qëllim që ajo të kujdesej për të.

„Lëviza për motrën. Unë jam djalë i vetëm, kam edhe një motër. Mami me babain u plakën se mosha bën të vetën. Motra u martua në Durrës dhe meqë kemi edhe motrën larg, erdhëm afër motrës që mos të vijë edhe ajo lart e poshtë”,- tregon Euarti.

Mirëpo, pagesa që përfiton ndihmësi personal nga shteti shqiptar është tepër e vogël, duke jua pamundësuar atyre jetesën dhe duke i detyruar të shohin për një punë.

“Nuk ka mundësi të rrijë motra pa punë, ka burrin edhe kalamajtë. Çfarë do bëjë ajo me 110 mijë lek (të vjetra)?! Marr edhe ndihmë sociale që është 100 mijë lek, edhe motra që merr saç e kanë lënë këta që në vitin 2005. Supozohej atëherë që kujdestari do merrte rrogën minimale. Se në letra ashtu shkruhet në fakt, sikur këta marrin rrogën minimale. Po ama kështu japin 110 mijë lek të vjetra“,- shprehet Eduarti, i pakënaqur më mbështetjen financiare.

Situata është e njëjtë edhe për Klodjanën, e cila ndan vështirësitë që kalojnë në aspektin financiar, përpos të qenit në pamundësi për të lëvizur në mënyrë të pavarur.

„Kam vetëm mamin. Marr më pak se 100 mijë lek, ma kanë kthyer në kujdestari të pjesshme, ndërkohë që unë kam gjithmonë nevojë për kujdestar. Unë vetëm me mamin jetoj dhe mami është pensioniste tani. Me ato lekët e kempit mundohemi të kalojmë. Këtu në Shqipëri është jeta shumë e vështirë dhe nuk kemi çfarë bëjmë tjetër”.

Eduarti mund të dalë jashtë shtëpisë vetëm kur motra e tij përfundon punën.

“Motra punon ekonomiste, ka raste që e lë punën vonë. Ishte në një kompani që e mbyllte punën shumë vonë. Pastaj lëvizi për hatrin tim që të vinte pak më shpejt. Tani ka filluar punë tjetër, por në 18 e 30, 18:45 është në shtëpi. Duhet të pres të vijë ajo që të dal, edhe sigurisht kur është kohë e mirë, se kur është ftohtë nuk para dal. Ngaqë jam gjithë kohës me infeksion dhe e kam me merak“, -shprehet Eduarti.

Prej humbjes së babait të tij para dy vitesh, gjatë kohës që motra nuk është në shtëpi, për të kujdeset nëna pensioniste.

„Unë jam tetra-plegjik, e kam në qafë dhe rri në krevat më shumë. Por kam mamanë që kujdeset, më kthen majtas dhe djathtas. Se po ndejte shtrirë shumë në krevat, pa lëvizur bëhesh me plagë. Edhe pastaj shtohen gjërat më shumë”.

Për Klodjanën lëvizja jashtë shtëpisë ndodh një herë në dy ditë, sipas mundësive të nënës së saj, tashmë pensioniste dhe me shqetësimet e veta shëndetësore.

“Lëviz këtej afër, nuk shkoj dot larg. Se mami nuk ka fuqi, por edhe mua po më ikën qejfi ngaqë nuk dal”.

Ndërsa shton se nuk e imagjinon asnjëherë të dalë jashtë Tiranës, ashtu sikurse nuk e merr mundimin fare as të largohet jashtë lagjes së saj.

Për shkak të pagesave të ulëta, për personat me aftësi të kufizuar është shumë e vështirë edhe të punësojnë dikë jashtë familjes për të ndihmuar në përditshmërinë e tyre.

Jetesa e pavarur, sfida e përditshme e personave me aftësi të kufizuar

Që personat me aftësi të kufizuar të jetonin në mënyrë të pavarur do të thotë se mund të lëvizin vetë në qytet, të shkonin të bënin vetë pazarin, të merrnin vetë shërbim shëndetësor apo në institucione publike, të pashoqëruar. Mirëpo kjo vijon të jetë ende e pamundur në Shqipëri, ndërsa realizohet me anë të një ndihmësi personal, që jo me patjetër duhet të jenë prindërit.

Sipas Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, prindërit dhe të afërmit e personave me aftësi të kufizuar në shumë raste nuk mund të punojnë për shkak se duhet të kujdesen për familjarët e tyre, duke shkaktuar kësisoj dëm ekonomik.

Po ashtu, mos pagesa e kontributeve shoqërore për ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuar është një tjetër problematikë që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ngre për vëmendje.

„Nga njëra anë mungesa e aksesueshmërisë ose e lëvizjes së pavarur dhe nga ana tjetër, fakti që do të duhet të jetë gjithmonë një person që do ta shoqërojë, bën që njëri nga prindërit të jetë i detyruar që të mos punojë, pra për rrjedhojë të mos përfitojë ekonomikisht, dhe në këto raste do të ishtë mirë që patjetër ndihma e shtetit të paktën të përkonte me pagën minimale që do të duhet t´ju jepet këtyre personave dhe nga ana tjetër mund të paguheshin kontributet shoqërore që ajo periudhë kohe pastaj në momentin që do të dalë në pension të mund ta përfitojë pensionin si të gjithë të tjerët“,-argumenton Komisioneri Gajda.

Sipas tij, duhet që të punohet më shumë në aksesueshmëri, me qëllim që nevoja e një personi ndihmës të jetë minimale.

„Nga ana tjetër që kjo gjë të mos i pengojë këto persona që të kujdesen për të afërmit e tyre duhet që aksesueshmëria të jetë e garantuar. Pra duhet që një person me aftësi të kufizuar të mos e ketë të nevojshme që të shoqërohet nga një person tjetër, pra të jetë i pavarur. Duke qenë i pavarur pastaj edhe prindërit mund të punojnë dhe personi mund të kryejë të gjitha shërbimet vetë“, –rendit Gajda.

Komisioneri Gajda thekson se shteti ka dy mundësi për të zgjidhur situatën.

„Ose do të duhet të rrisi shërbimet dhe ti bëjë ato realisht të aksesueshme, çka do të thotë që një person me aftësi të kufizuar nuk ka nevojë që të ketë një kujdestar sepse çdo gjë është e aksesueshme dhe personi mund ti bëjë vetë. Ose nëse nuk i garanton këto shërbime, do të duhet që personat që janë kujdestarë, kjo përkujdesje t’u trajtohet tamam si punë. Dhe për rrjedhojë ajo të jetë e pagueshme dhe për rrjedhojë të paguajë edhe kontributet shëndetësore dhe sigurimet shoqërore dhe të njihet tamam si punë“, -përfundon Komisionieri Gajda.

Sipas censusit të përgjithshëm të popullsisë 2011 (nuk ka ende rezultate publike për censusin e kryer së fundmi) 6.2% e popullsisë në moshë madhore ka deklaruar se ka një aftësi të kufizuar. Format më të zakonshme, është vështirësia në lëvizje (3.7%), ndërsa 1.7% ka vështirësi në dëgjim dhe 1.5% në komunikim.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje