“Sa më larg teatrit!”, Policia ndalon aksionin qytetar kundër aktivitetit të ambasadës së Izraelit

 nyje.al | 11.06.2024 

Ndonëse Izraeli çdo ditë që kalon bombardon Gazën dhe vazhdon sulmin gjenocidal mbi palestinezët, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) në Shqipëri nuk u tërhoq nga organizimet e Javës Kulturore të këtij shteti. Letra e hapur e firmosur nga më shumë se 700 qytetarë të përfshirë a të interesuar në fushën e artit dhe kulturës për t’i ndalur këto aktivitete ra në vesh të shurdhër të institucioneve. 

Ditën e djeshme, Kolektivi Palestina e Lirë njoftuan zhvillimin e një aksioni në hyrjen e ArTurbinës me thirrje kryesore bojkotimin e aktiviteteve, specifikisht në rastin e mbrëmshëm, një shfaqje kërcimi bashkëkohor. Të paktë në numër, me dy pankarta në duar dhe shaje e flamuj palestinezë, pjesëmarrësit nuk u lejuan të qëndrojnë në hyrje të godinës apo kudo nga ku shihej ajo. 

Perimetri i sigurisë qe i pa caktuar nga forcat policore dhe thirrja nga një prej efektivëve ishte për të shkuar “sa më larg teatrit”. 

Dhjetra efektivë të policisë qenë prezentë që në nisje të mbledhjes së qytetarëve, fillimisht bashkë me praninë e dy furgonëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Njësisë Anti-Eksploziv të Reneas. Pas kontrollit të kryer, ata ua lanë vendin efektivëve Shqiponja, të cilët edhe nisën largimin e qytetarëve që bënin thirrje për bojkot të aktivitetit. Të shumtë në numër efektivët i drejtuan manifestuesit në anën tjetër të rrugës. 

Por pak minuta më tej, forcat policore nuk lejuan qëndrimin e tyre as në trotuarin matanë ArTurbinës. Me tone të ngritura dhe shtyerje fizike, efektivët i përcollën manifestuesit deri te shkolla “Petro Nini Luarasi”, drejt sheshit “Woodrow Wilson”. Përmes thirrjeve të herëpashershme dhe pankartave, aktivistët kërkuan solidarizim me popullin e Palestinës dhe bojkot të propagandës së shtetit Izraelit, duke përfshirë edhe atë që vishet me petkun e artit dhe kulturës. 

Teksa organizimet e MEKI dhe Ambasadës Izraelite vazhdojnë, kolektivi Palestina e Lirë bën thirrje për bojkot të aktiviteteve të “Javës së Gjenocidit”, siç e kanë emërtuar ata. Në mbështetje të popullit palestinez, ky kolektiv ka njoftuar edhe mbajtjen e disa eventeve në kuadër të një Muaji Kulturor të Palestinës. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje