Erion Tufa | 30.07.2024 | nyje.al

Kur kooperativisti simpatik, Demir Sulonjaku, dhe dy shokë të tij zbulojnë në fshatin “Tri Tavernat” një varrezë osmane – e pasur me stoli e plaçka ushtarësh të rënë në betejë – kryetari i kooperativës, Myrteza Faruku, sheh mundësinë e përkryer për të shëlbuar kooperativën e tij jofitimprurëse, të varur deri atëherë nga ndihma e kooperativave të tjera për plotësimin e nevojave të brendshme. Zbulimi fatlum i kësaj pasurie të varrosur pritet me entuziazëm nga organet administrative lokale, madje disa autoritete planifikojnë shpëtimin e atdheut socialist me stolitë e gjetura. Por ca shokë nga Instituti i Arkeologjisë nuk ndajnë të njëjtin mendim.

Premisa e veprës qëndron në faktin se shtetet, regjimet, sistemet refuzojnë me çdo kusht të vdesin. Ngjashëm me organizmat e gjallë, edhe regjimeve u shtohet dëshira për jetë pikërisht atëherë kur kriza i godet më fort, kur duket se gjërat janë drejt fundit. Në këto rrethana ndodh edhe metamorfoza e funksionarëve si Myrteza Faruku, Bajo Myzeqari e plot të tjerë, që për të shpëtuar sistemin ushqejnë lloj-lloj shpresash të marra dhe besojnë lloj-lloj deliri.

E gjithë vepra shoqërohet nga pasazhe komike aq sa është e pamundur të kalosh një kapitull pa hasur në pasazhe të tilla që i japin frymëmarrje situatave, që të para si të izoluara, do të ishin veçse të mjera. Ky lloj humori meriton mirënjohje për faktin se është i kontekstualizuar, ose siç do shprehej Voltaire-i, “… i nënshtrohet rregullave të Dekorumit”. Nuk është, pra, një humor i imponuar apo edhe më keq, i importuar – është një lloj humori me të cilin lexuesi shqiptar është i familjarizuar. Samuel Johnson-i, shkruante në shekullin XVIII se “Shakespeare-i është një pasqyrë e shoqërisë britanike, në mos e jetës vetë”, njëlloj, edhe humori në veprën e Nezhës është një pasqyrim i humorit shqiptar. Se ç’na qenka ky “humori shqiptar” është një pyetje që sekush duhet t’ia drejtojë vetes, gjithsesi është diçka e mirëpritur.

Myrteza Faruku, antagonisti i romanit, është një burokrat lokal që beson sinqerisht në ndërtimin e socializmit. Ai ndien përgjegjësi personale për shpëtimin e kombit për shkak se kooperativa që ai drejton ka pasur historikisht rendiment të ulët, por edhe sepse është karrierist. Ambicia personale e Myrtezait assesi nuk e përlyen ndjenjën e tij të besnikërisë ndaj pushtetit dhe shërbimit ndaj atdheut. Ai e sheh shpëtimin e sistemit si qëllimin kryesor, ndërsa ngritjen e tij në detyrë si pasojë e këtij shërbimi që ai i bën atdheut. Karakteri i tij pëson transformime progresive gjatë gjithë romanit, maskohet, merr trajta të ndryshme në shërbim të nevojave të kohës dhe të vendit.

Kleanth Trushi, arkeologu i ri, beson fort te shkenca. Ai është simpatik, pak pedant, por gjithsesi i dashur. Trushi nuk beson aspak se vlera e varrezës qëndron ne pasuritë e saj materiale, por në rëndësinë historike, shpirtërore dhe shkencore që ka ajo. Si protagonisti shembullor që është, Kleanthi përfaqëson të gjitha virtytet e njeriut të dinjitetshëm, skrupuloz dhe arsimtar. Rrjedhimisht, Kleanth Trushi është personazhi më pak interesant i veprës, asgjë e veçantë nuk mund të thuhet për të. Djalë i mirë.

Myrteza Faruku dhe Kleanth Trushi janë dy personazhe në konflikte të shumëfishta me njëri-tjetrin, të hapur dhe të fshehtë. Fundi i tyre (që rastis pas rënies së regjimit) i përngjan një konstatimi të hollë të realitetit postkomunist shqiptar. Kleanthi çoç privatizon ca ndërmarrje duke shfrytëzuar edhe njohjen disi më të mirë të tregut të lirë, ndërsa Myrtezai, pas shumë përpjekjesh, mundi e djerse për ndërtimin e socializmit, shpërblehet bujarisht me pozicionin e punës Roje Objekti.

Ndoshta personazhi më kompleks dhe më autentik i romanit të Nezhës, është kooperativisti Demir Sulonjaku. Ai i ngjan një gomari të urtë që sa më shumë ta rrahësh, aq më i bindur bëhet. Çfarë e bën tërheqës Demirin është thjeshtësia dhe idiotësia e tij monumentale, një koqe kandari par excellence. Dallkauk, gërdallë, matrapaz, derdimen, llapaqen, lumpen, Demiri, gjithsesi, shfaq një anë të butë, tolerante të tijën. Kur çohet në hetuesi i mohon pothuajse të gjitha akuzat, por i pranon pothuajse të gjitha, pasi hetuesit e zgërdhijnë në dru. Pra, mu atëherë kur pritej një rezistencë heroike prej tij, Demiri përgjunjet.  Është e qartë se Demiri është një nga personazhet që autorit i ka dalë duarsh, e kësisoj ka krijuar një vetëdije krejtësisht të vetën, dhe në mendimin tim, formon qendrën gravitacionale të të gjithë romanit. Vetëm në rastin e Demirit mund të flasim me të vërtetë për një personazh kompleks dhe autentik jashtë skemave të ngurta i mirë-i keq, protagonist-antagonist. Demiri, pra, ka njëfarë cilësie tmerrësisht tërheqëse, shpjegimi i së cilës – thonë gojët e liga – mund të kuptohet vetëm nëpërmjet hyrjes së videoklipit të këngës “God’s Gonna Cut You Down” të Johnny Cash-it.

Narracioni në vepër, në pjesën më të madhe të tij, është linear me thyerje shumë të vogla kohore dhe hapësinore në kapitujt e fundit. Ngjarja zhvillohet në të tashmen dhe ndërthuret me introspeksione kalimtare gjatë rrëfimit, gjë që i shton dramacitetin dhe anticipimin veprës. Rrëfimi bëhet nga autori omnishent që ofron një vizion të thelluar të situatave dhe ngjarjeve në roman, por edhe një perspektivë të brendshme të personazheve kryesore të romanit.

Romani është shkruar duke pasur konsideratë të veçantë për durimin e lexuesve, duke ruajtur sensin e masës në humor, në dramë në narracion – duke u kujdesur të mos e teprojë me asnjë nga elementet përbërëse të këtij romani. Sensi i vetëpërmbajtjes është evident edhe në numrin modest të faqeve të romanit. 

Romani “Tri Tavernat” është, pa dyshim, një ndër krijimet më të mira letrare të shkrimtarit Ervin Nezha, aq sa pa frikë mund të themi se me kohë do të bëhet një ndër thesaret e vyera të letërsisë shqipe.

Për autorin:

Erion Tufa, leu në Sohodoll, Dibër. Kreu studimet bachelor dhe master në Universitetin e Tiranës, në profilin Teori dhe kritikë letrare.

Imazhi i ballinës: Ervin Nezha