Operatorët telefonikë “skllevërit” e shoqërisë moderne

nyje.al | 02.05.2024

Një ditë para ditës ndërkombëtare të punëtorëve, organizata Drejtësia Sociale e cila prej kohësh merret me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vendin tonë, organizoi një takim publik ku u diskutua për zhvillimin dhe sfidat e sindikatave ndër vite, me në fokus sindikatën e operatorëve telefonikë. Operimi telefonik ose ndryshe call-centre është tashmë zgjidhja më e zakonshme për shumë të rinj që duan të punojnë dhe studiojnë njëkohësisht. Kjo fatkeqësisht jo se ofron kushte pune më të favorshme, por prej disponibilitetit të orareve dhe pagave më të larta në krahasim me pagat në punët e tjera më afër profesioneve. 

I ftuar në këtë takim, Ilir Xhemalaj, kryetar i  Sindikatës së Operatorëve Telefonik e përkufizon këtë sektor si “skllavërimin modern”. Ai shprehet se shfrytëzimi në call-centre është maksimal dhe krahason numrin e telefonatave që punonjësi duhet të bënte dikur me numrin që duhet të bëjë sot, ku nga 7 telefonata për orë, numri është rritur në 120 telefonata për orë. Sipas përvojës që ai bashkëndau, tashmë nuk është i rëndësishmëm kualiteti i telefonatës në raport me klientin, por norma e tyre për në orë.

Teksa flet për kushtet e punës, Xhemalaj shprehet se për të marrë liçencën në këtë sektor duhet të përmbushësh disa kritere në lidhje me ambientin në punë sic janë izolimi akustik, hapësira e qëndrimit minimalisht 1m e 50cm, paijsja e kompjuterave me filter protektiv dhe kufje cilësore për mbrojtjen e veshëve dhe të tjera si këto. Sipas tij, asnjëri nga këto kushte nuk plotësohet, paijsjet janë të një cilësie shumë të dobët dhe hapësira e qëndrimit në shumë vende është sa gjysma e normativës së kerkuar, pra varion nga 50 cm deri në 70cm. 

Operatorët telefonikë ndër vite kanë punuar në këto kushte, por ngritja e një sindikate nuk erdhi më së shumti si pasojë e shfrytëzimit të ditëve të punës së punonjësve. Pasi arritën të identifikojnë shkelje të rënda të të drejtave të tyre, si ditë pune apo orë shtesë të papaguara, Ilir Xhemalaj bashkë me koleget e tij, në vitin 2019 vendosën të ankohen te kompania punëdhënëse e cila si zgjidhje ju tregoi ‘derën’. Pas kësaj ata u ankuan te inspektoriati i punës, plot 4 herë, por askush nuk i mori parasysh ankesat e tyre. Një tjetër përpjekje për t’u dëgjuar ishte dhe dërgimi i një peticioni me firmat e punonjësve si dhe pezullimi nga puna, por ajo që morën mbrapsht ishte vetëm kërcënimi për pushim nga puna. Këtu lindi dhe nevoja për krijimin e një sindikate.

Kjo sindikate e filloi veprimtarinë e saj në mënyrë të menjëhershme edhe pse përgjigja nga gjykata e lartë për miratim vonoi rreth një vit. Ata adresuan problematikën e tyre në kryeministri nga ku u kontaktuan dhe u dërgua një tjetër grup insepktimi të cilët vërtetuan shkeljet e kompanisë dhe i dhanë afat asaj për të shlyer detyrimet ndaj punonjësve. Kjo ishte fitorja e parë e kësaj sindikate e cila ngjalli shpresë dhe arriti të ishte zë për shumë punonjës të shtypur e të shfrytëzuar në kompanitë e operimit telefonik. Sfida më e madhe me të cilën kjo sindikatë dhe të gjitha sindikatat në përgjithësi hasin është frika. Frika e humbjes së vendit të punës apo kërcënimeve nga punëdhënësit e tyre ka bërë që në disa raste punonjësit të vazhdojnë të punojnë edhe kur rroga e tyre mund të kishte 6 muaj që nuk ishte paguar.

Duke qenë se puna në call-centre nuk njihet si profesion, misioni më i fundit i sindikatës është njohja e profesionit, sëmundjet apo problemet shëndetësore, vështirësia në punë dhe mosha e pensionit. Kultura e mosbesimit në vendin tonë e ka vështirësuar këtë proces, megjithatë numri i atyre që i drejtohen sindikatave vitet e fundit, është rritur shumë në krahasim me vitet e kaluara. I pyetur në lidhje me numrin e të punësuarve sot në këtë sektor, Xhemalaj tregon se numri ka rënë në 15 mijë nga 30 mijë që ka qenë para pandemisë, pasi emigracioni ashtu si në sektorë të tjerë ka ulur numrin edhe në sektorin e sherbimeve. Përveç kësaj, sipas tij një tjetër ndryshim kanë pasur dhe grupmoshat që punojnë, ku numri i moshës është rritur dhe në fokus nuk janë më vetëm të rinjtë, pasi shumica e tyre po largohen.

“Unë kam vënë re që njerëzit nuk ikin për rrogë, sepse një njeri që do të punojë ndoshta edhe me dy punë ia del të ketë majftueshëm para, por njerëzit, ikin për kushte më të mira jetese. Ikin sepse këtu nuk ka mjek, shërbimi urban është i tejmbushur, në institucione nuk arrin dot të gjesh të drejtën tënde por sorollatesh me vite. Ikin sepse e kanë si opsion.” shprehet ai.

Teksa flasim për mosbesim, duhet theksuar se ky mosbesim i skalitur në shoqërinë tonë nuk ka ardhur vetvetiu. Sindikata të ndryshme në vite të ndryshme janë krijuar pothuajse për çdo sektor dhe profesion, por jo çdo sindikatë ka mbrojtur dhe ka përfaqësuar me korrektësi antarët dhe të drejtat e tyre, duke e humbur kështu rolin që ka një sindikatë, përmirësimin e kushteve më të mira për punëtorët dhe mbrojta e interesit të përbashkët. Në diskutimin e ngritur në lidhje me sindikatat e vjetra dhe ato të reja u vu në dukje rëndësia e madhe për përhapjen e një fryme të re në mënyrë që të rritet besimi. 

“Duhet kuptuar zhvillimi dhe njëfarë dinamike e re për të parë se çfarë po ndodh ndryshe nga e kaluara. Sindikatat sot kanë sfida shumë dimensionale, në lidhje me punonjësit, me punëdhënësit dhe presionin e tyre si dhe me sindikatat e vjetra të cilat i shohin sindikatat e reja si një lloj pengese dhe ju prishin rehatinë”, – shprehet Plejada Gugashi e pranishme në takimin e Drejtësisë Sociale.

Një tjetër diskutim u shtrua në lidhje me financimin e këtyre sindikatave të reja, të cilat të ardhurat e tyre i kanë kryesisht nga projekte ndërkombëtare. Kjo ka ardhur si pasojë se, ndryshe nga sindikatat e vjetra të cilat kanë kontratë kolektive me ministritë përkatëse dhe kontributi i punëtorëve iu mbahet automatikisht nga rroga, për sindikatat e reja është pothuajse e pamundur. Prandaj një tjetër mision i sindikatave të reja, është edhe prishja e këtyre marrëveshjeve të heshtura të cilat në dukje mbrojnë të drejtat e punonjësve por në fakt vetem përfitojnë në kurriz të tyre.

“Thelbi kryesor i sindikalizmit është solidariteti. Në rast se mbahet një protestë në Elbasan nga punonjësit e pastrimit, ne si sindikatë do jemi aty për t’i mbështetur edhe pse nuk ka lidhje me sektorin tonë. Kjo  krijon forcë, krijon bashkim.”- tregoi Xhemalaj një ditë para protestës në bashkëpunim me sindikatat dhe shoqërinë civile me rastin e 1 Majit.

Imazhet: Drejtësia Sociale 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje