Antigonë Bytyçi | 27.05.2024 | nyje.al

Marrëdhënia e individit me shtetin është një tematikë e trajtuar mjaft shpesh në letërsi. Ky raport shfaqet përmes perspektivave të ndryshme. Vepra të ndryshme fokusohen në konfliktin midis individit dhe shtetit, duke shfaqur përpjekjet për të mbrojtur lirinë individuale kundrejt kontrollit mbytës të pushtetit, ose, në disa raste të tjera, përshkruhen marrëdhëniet komplekse midis individit dhe shtetit në kontekste të ndryshme historike dhe shoqërore. Marrëdhënie kjo e shfaqur në një realitet distopik që e gjejmë të lëvruar edhe në letërsinë shqipe. 

Në prozën e parë të Azem Deliut, “Puthësi i paligjshëm”, vihet re ndikimi nga veprat distopike që përbëjnë kanonin e përbotshëm të letërsisë, e sidomos nga “Pallati i ëndrrave”, sepse fundja “çdo tekst është një përzierje tekstesh të lexuara më parë” shprehet Roland Bearthes-i. Libri shfaq një vizion të tmerrshëm të një shteti totalitar që ushtron kontroll të plotë mbi jetën e individit deri në ekstremizëm. Konflikti që vendoset në qendër të romanit, i cili njëherazi sjell risi tematike, është censura e dashurisë. Nga ndalesa e dashurisë, e cila shihej si armikja më e madhe e njerëzimit, varej shpëtimi i individit, i cili duke rendur pas budallallëkut të ndjenjave harron dashurinë e vetme me të cilën duhet të krenohet, atë për Liderin dhe Partinë. Ligji absurd e i kobshëm do të transmetohet përmes një fjalimi të deputetit njëzetvjeçar, Emo, fjalim i cili vjen si ligj i orkestruar më parë nga sistemi. Njerëzit paraqiten si vegla të Partisë, entuziastë hipokritë dhe ekzekutues “të verbër” të ligjeve, edhe pse secilin e ndan një vijë e hollë mes jetës dhe vdekjes, duke mos u amnistuar askush. Autoriteti është në gjendje të kontrollojë jetët private deri në dehumanizim apo largim nga qenia, duke iu përafruar kontrollit oruellian apo akoma më tepër, atij kadarean, për nga karakteri imagjinativ. 

Keith Booker duke e trajtuar teorinë e Freud-it dhe Foucault-së në raport me distopinë, midis vëzhgimit të Freud-it se qeveria moderne përpiqet të shtypë seksualitetin sepse e sheh atë si një burim të fuqishëm të energjive subversive, dhe vëzhgimit të Foucault-së se qeveria moderne nuk përpiqet të shtypë, por të administrojë seksualitetin dhe t’i kthejë energjitë seksuale në avantazhin e saj, shpjegon se distopitë janë më shumë sesa thjesht trillim, dhe se ato projektojnë frikën e nënvetëdijshme të njerëzve për humbjen e lirisë, identitetit dhe vetëdijes ndaj autoriteteve shtypëse. Në rastin e antiutopisë së Deliut kemi të bëjmë me shtypje të seksualitetit, të erosit si një forcë e fuqishme e cila e nxit substancën jetësore, e duke qenë pjesë e pandashme e saj edhe dashuria, do të bëhet nxitëse e ideve subversive për revoltë kundrejt një diktature despotike. Nuk duhet lënë anash as përpjekja për administrimin e seksualitetit si armë e fortë në avantazh të ruajtjes dhe shtrirjes së pushtetit. Shembuj të përpjekjes për administrimin e seksualitetit na jepen edhe përmes tekstit: 

Pra, nëse doje ta puthje duhet ta bëje këtë gjë nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 08:00 të mëngjesit. Pak minuta jashtë këtij orari të çonin në burg. (Puthësi i paligjshëm, f.34)

Ivan Shollohovi e puthi të dashurën e tij, Rinën, 4 minuta e tridhjetë e pesë sekonda para orarit të përcaktuar politikisht. Kjo do ishte puthja e vdekjes dhe e fundit për të, pasi do të jetë pikërisht ajo që do ta çojë drejt ekzekutimit. Parimisht, vetë vendosja e orarit “për dashuri”, është kërkesë për administrim të seksualitetit më tepër sesa tendencë për moralizim. Ky regjim përshtat dhe ushtron mbi shoqërinë e saj forma dhe teknika depersonalizuese. Ai synon një instrumentalizim të njerëzve në shërbim të një pushteti ekonomik dhe politik gjithnjë e më shtypës – me të cilën u morën Shkolla e Frankfurtit në teorinë e tyre kritike (Adorno, Horkheimer, Benjamin etj.). “Liria e premtuar” qoftë edhe disaorëshe për plotësim të nevojave seksuale, shndërrohet në një proces të humbjes së zotërimit të aftësisë së individit për të menduar.  

Në rastin tonë është dashuria që e dërgon drejt vdekjes Shollohovin. Natyrshmëria e ndjenjës që e shtyn drejt puthjes nuk është arsye, një e tillë madje as që kërkohet, pasi nuk ka nevojë për një gjykim, që e arsyeton për sjelljet e tij thjesht humane.  

Ngjarja është e vendosur në Republikën imagjinare të Moralistës, duke na krijuar kështu antonomin republikëdiktaturë, ose të një diktature moderne të quajtur republikë. Deliu shkruan antiutopinë e tij duke mos iu referuar një kohe dhe një vendi konkret, duke e paralajmëruar lexuesin për një rrezik potencial që e nesërmja mund t’i sjell botës dhe individit. Romani është dëshmi e përpjekjes së këtij sistemi totalitar për të vënë nën kontroll intimitetin njerëzor. Aparatura e Shokut 34, detekton emocionet e Ivan Shollohovit, viktimës së Republikës së Moralistës. Nëse arsyeja e pushkatimit të Ivan Shollohovit është absurde, akoma më absurd është fakti se si rolin e gjykatësit duhet ta luanin fëmijët, ngaqë Partia i mendonte për njerëzit më të sinqertë e më besnikë dhe i duhej kushtuar rëndësi e madhe moralit të pastër dhe devotshmërisë ndaj saj. 

Struktura romanore përfshin tri pjesë që na japin këndvështrime të ndryshme për ngjarjen. Romani hapet përmes fjalimit të deputetit Emo, i cili e propozon ndalimin e ideologjisë së rrezikshme të quajtur dashuri. Pjesa e parë dhe e dytë përmbajnë gjithë zgjidhjen e ngjarjes, konkretisht fabulën, e cila na rrëfehet nga një narrator klasik. Ndërkaq, pjesa e fundit është retrospektivë krejt intime e Shollohovit në burg, që pasohet nga perspektiva e gardianit të burgut. Rrëfimi i Ivanint në vetën e parë përshkohet nga letrat që shkruan për Rinën dhe ditët e luftës për ekzistencë, edhe pse duke e ditur që do të ekzekutohet, instikti i vetëmbrojtjes e bën të luftojë deri në energjinë e fundit. Më pas vazhdohet me disa pasazhe të gardianit i cili gjen letrat e Shollohovit. 

I njëjti aparat që kish identifikuar emocionet e Shollohovit në raport me Rinën, e kishte bërë këtë edhe për gardianin.
Tek ai ishte hetuar një ndjesi që aparati e kishte pakëz problem ta identifikonte.
Emocione jo fort të zakonshme. Gjithsesi, ai e donte Ivanin. (Puthësi i paligjshëm, f. 68)

A është gardiani viktima e radhës e pushkatimit vetëm sepse kishte ndier dhembshurinë njerëzore teksa lexoi një dedikim dashurie në letrat e Shollohovit, apo sepse emocionet e tij në aparaturën detektive ishin të papërcaktueshme saktësisht? Kjo është pikëpyetja që libri ngre, duke na sugjestionuar në ambiguitet e duke e lënë të hapur për receptuesin. 

Gardiani qe ndjerë keq për fatin e Shollohovit. Ose, qe ndjerë çuditshëm për Shollohovin vetë. (Puthësi i paligjshëm, f .68) 

Fundi i librit ka lidhje të ngushtë me paragrafin nistor të pjesës së dytë. Përderisa fshatarët si opera e organizuar ecin të vetmuar dhe të heshtur, mali afër tyre jehon heshtjen që simbolizon ndalesën e lirisë së fjalës. Ndërkaq, fundi i librit na shpie në dekada më pas, afër ndërtesës që dikur shërbente si burg, aty ku jehona e fshatarëve nuk e tha të njëjtën gjë, por e tha atë siç s’kishte ndodhur mijëra vjet.

Ikën nëpër natë

Si qengji pa gëzof

Fatprerja e pushtetit

                                                   Ivan Shollohov . . .  (Puthësi i paligjshëm, f. 70)

 Shollohovi bëhet jo vetëm hero i dashurisë, por edhe i thyerjes së çdo propagande, i çdo totalitarizmi. 

Referencat:

  1. Bartheas, Roland, S/Z, Editions du Seuil, 1970.
  2. Booker, M. Keith, Dystopian literature: a theory and research guide, London, Greenwood PressWestport, 1994.
  3. Deliu, Azem, Puthësi i paligjshëm, Tiranë, Onufri, 2017.
  4. Freud, Sigmund, Three Essays on the Theory of Sexuality, Standard Edition, Vol. 7, 1905.

Fotografia e ballinës: Kopertina e “Puthësi i paligjshëm”