Ronald Qema | 13.05.2024
Pas premierës së filmit “Një fidan dhe një lopatë”, të artistit të ri e regjisorit Nikolas Pipero një prej pyetjeve nistore që ju bë ishte ajo e merakut për “përjetësinë” e punës së tij. Nikolasi tregoi që për qënien e tij, edhe atë artistike, e tashmja dhe vendi i tij në të ishte më i rëndësishëm. Megjithatë është e pranishme edhe dëshira e tij për të krijuar memorie përmes punës së tij, aq kolektive sa mundet. Kjo përpjekje vërehet edhe në filmin që pati shfaqjen e tij të parë në hapësirën alternative për të rinjtë “Minus Art Space”.
“Një fidan dhe një lopatë” vjen si një ese kinematografike në të cilën pa zë tejçohen qëndrime që lidhen me merakun për hapësirën, të përbashkëtën, emotiven dhe rolin që secila “pemë” zë në “pyllin” që bashkë krijojmë. Xhirimet spontane dhe gjysmë të inskenuara të përcjellin një përplasje të vazhdueshme të dy natyrave që personazhet duken sikur i zgjedhin.
Pa ndonjë qëllim për t’i identifikuar karakteret me gjithë mjedisin që i rrethon apo krijuar marrëdhënie mes këtyre bashkërendimeve, filmi përcjell rrugën që lopata dhe fidani kryejnë nëpër Tiranë për t’u bërë bashkë në hapësirën e Parkut të Liqenit Artificial. Në shikim të parë, fidani dhe lopata në kryeqytet ngjallin te shikuesi një kureshti për një trajtesë të mundshme të betejës që ka ky qytet me mbijetesën e gjelbërimit.
I pyetur rreth ç’kodifikimit të fidanit në film, artisti Nikolas Pipero ndau me të pranishmit që për të ajo bimë që dikur mund të kthehej në pemë është simbolizimi që pret të percillet te secili sipas kqyrjes që i bën. Për të, fidani mund të jetë shoqëria, një marrëdhenie apo gjithçka që lind e zhvillohet prej njeriut. Mbetet në amulli përcaktimi i një simbolike të fundme për shkak se edhe kur është xhiruar filmi nuk ka pasur një përcaktim të tillë, u shpreh Nikolasi.
Narrativa e filmit
Në film shfaqen dy personazhe, një djalë dhe një vajzë, ku secili lëviz nëpër qytet me një fidan dhe një lopatë në dorë, respektivisht. E xhiruar brenda një dite, filmi nis me imazhe që sjellin audio të fortë me prezencë të lartë të përditshmërisë në qytet. Djali, luajtuar nga Sylejman Vrangalla, kryen ecejake nëpër qytet me fidanin e pemës në duar dhe po ashtu e merr atë në autobus. Në këtë ambient dëgjohet dialog që vërtitet rreth shqetësimeve që kanë qyetarët në përdorimin e urbanëve duke injoruar prezencën e personazhit.
Pas një thyerje që pëson narrativa, duke i lënë vend një skene të ngjashme me ëndrrat, të shoqëruar me muzikë dhe ngjyra në tonalitet të theksuar përkundër xhirimeve bardhezi që ishin parë deri në atë moment, në Parkun Rinia, fidani bëhet bashkë me lopatën, që e sjell vajza, luajtuar nga Anxhela Pipero.
Të dy përsonazhet i rikthehen ecjes përmes qytetit për tek vendi ku do të mbillet fidani. Në shumësi të planeve rrëfehet cikli i veprimeve të hapjes së gropës dhe mbjelljes së bimës që mund të kishte shansin të shndërrohej në pemë. Duke iu afruar “cut-it” fundor, kamera na tregon që fidani është anuar e gati përdhe dhe vajza, përsëri duke iu larguar bardh-e-zisë, shfaqet në udhëtim në autobuzin e qetë, matanë dritares së të cilit shfaqet qyteti që pluskon dritë dhe zhvillime “konkrete”.
Film-bërja dhe vëzhgimi
Teknikat e xhirimit, në filmin e Piperos, por edhe në përgjithësi, mbeten në çdo skenë të veçanta sepse janë të përditshme. Nikolasi u shpreh se regjistron çdo ditë me kamerën e tij dhe subjekti është i gjithëllojshëm. Ai tregoi që përpiqet të kapë më lenten e tij aq sa mundet nga krejt çka e rrethon dhe ai vëzhgon. Kinemaja e Observimit i përafrohet asaj çka artisti i ri Nikolas Pipero rreket të zhvillojë si qasje artistike për të ndërtuar narrativat e tij.
Gjithashtu, Nikolasi tregoi që dokumentari është zhanër në të cilin e sheh veten të angazhohet në vitet në vijim. Pikëtakimi i tij me antropologjinë, përmes Laboratorit të Antropologjisë Urbane që zhvillohet në Kamëz, ka hapur një shteg të mundshëm për t’u ndjekur nga ky artist që vëzhgimin e përditshmërisë e sheh si subjekt.
Kjo rrjedhshmëri pune bën që edhe pyetja se kur llampa e projektorit do të ngjeshë për muri filmin e radhës nga ai, të mbesë pa përgjigje derisa koha t’i vijë.