Antigonë Bytyçi | 21.06.2024 | nyje.al

Konflikti i brendshëm psikologjik instinkt-moral

“Tërë jeta jonë psikike shfaqet si një luftë e vazhdueshme dhe patetike midis dëshirës së vetëdijshme dhe asaj të pavetëdijshme, midis veprimit të përgjegjshëm dhe instinkteve tona të papërgjegjshme” 

Kasëm Trebeshina këtu, synon të përshkruajë dhe të studiojë botën e brendshme të një personazhi-fëmijë dhe lëvizjet më delikate të instinkteve të pavetëdijshme të tij. Bazë e krijimeve të tilla është nxitja e sjelljes sipas instinktit dhe veprimet e personazheve që dashur-padashur kundërshtojnë vlerat e përgjithshme morale kolektive.    

Stina e stinëve është quajtur roman moralist nga një numër i madh studiuesish, me të drejtë, pasi në vështrimin tonë na ngjan si një rrëfim i përqendruar në shpërfaqjen e standardizimit të sjelljeve etike e morale në shoqëri. Kjo novelë na bën që pashmangshmërisht të përqendrohemi në botën e larmishme të brendshme të heroit fëmijë. Ajo cilësohet si rrëfim i fëmijërisë ngaqë edhe rrëfehet pikërisht nga një fëmijë, i cili e jeton ngjarjen në mjedisin karakteristik shqiptar, ku fenomenet sociale bëhen katalizatorë të shndërrimit të individit. Kështu, Trebeshina futet në zonat e impulseve të brendshme infantile, duke e shquar rolin që ato luajnë dhe trajtuar kështu një tematikë krejt unike në letërsinë shqipe. Në romanin e tij për fëmijërinë, autori duke reflektuar më tepër në zgjimin e instinkteve mashkullore, arrin të analizojë psikologjinë e protagonistit, të vlerësojë problematikën dhe të kërkojë zgjidhje për probleme sociale që e karakterizojnë realitetin shqiptar dhe jo vetëm. Kritika ndaj shoqërisë për mungesën e edukatës seksuale të fëmijëve (adoleshentëve) në botën shqiptare duhet parë edhe si nxitje për reflektim, dhe në gjykimin tonë është pikërisht kjo arsyeja se pse ky roman është kaq aktual e i pëlqyer edhe sot.

Narratori na rrëfen në vetën e parë, dhe nëse flasim me termat e narratologjisë së Zh. Zhenetit kemi të bëjmë me narracion autodiegjetik. Kryepersonazh-narratori është Hiqmeti, i cili i realizon instinktet e tij e të cilat janë në kundërshtim të plotë me rregullat dhe ligjet e moralit shoqëror. Romani ruan të treguarit naiv të ngjarjeve, anipse ai prek disa tema tabu të intimitetit njerëzor në përgjithësi, dhe realitetit shqiptar të kohës në veçanti.  

Zigmund Frojd te qëllimet e tabusë përfshin edhe qëllimin “në ruajtjen e akteve të rëndësishme jetësore, si fiset, shugurimi i burrit të rritur, martesa, veprimtaria seksuale”, prandaj edhe novela në fjalë, duke i cilësuar si tabu sjelljet e skenat seksuale, bën represionin e tyre në nënvetëdije. 

Segmentet eksplicite e lakuriqe, jepen nga këndvështrimi i fëmijës që po zhvillohet, ai vështron dhe përfiton njohuri e kënaqësi të ndaluara nga trysnia kolektive. Pamjet pastorale të fshatit, fshehtësia dhe pamja e zbuluar papritmas e botës seksuale, bëjnë presion në pjekjen, rritjen e parakohshme dhe kryerjen e mëkatit, por këtu reagon autori duke e amnistuar protagonistin adoleshent përballë botës. Studiuesi dhe shkrimtari A. Tufa, shprehet: “Stina e stinëve është një pikturë, një pëlhurë, e fëmijërisë së fshatit shqiptar myzeqar para L2B, që shënon rritën e një adoleshenti përmes shoshës së perceptimeve infantile-metafizike”. 

Një vepër e zhanrit psikologjik është e mbushur me monologë të brendshëm, siç e gjejmë dendur edhe në rastin tonë. Zakonisht kemi të njëjtën teknikë, që rëndom na paraqitet në gjithë romanin, ku Hiqmeti flet me veten, si në rastin në vijim: 

Mësova se e quanin Ervehe… Po kishte ikur!… Aty kishte mbetur vetëm një emër dhe ai emër më ndoqi gjatë gjithë miturisë sime. Sikur u mjegullua fytyra e saj, e bukur gjatë viteve të luftës, por përsëri fill pas mbarimit të saj ajo fytyrë filloi të shfaqej përgjithnjë e më dendur në qiellin e netëve të mia, që po bëheshin gjithnjë e më të gjata. Ku kishte shkuar Erveheja? 

Ose: 

Ia pashë edhe një herë gjashtëllaren dhe thashë me vete; tundesh ti se nuk ka ndonjë xhandar këtu afër! Po të dukej ndonjë gushkuq, ti do ta fusje gjashtëllaren në bark dhe më tej…

dhe përherë ky monologim ndërpritet nga një veprim i tij apo i miqve të tij.  

Subjekti si objekt            

      Fabula rrok një periudhë të gjatë kohore, qysh nga fëmijëria e hershme, deri në rritje. Rrëfimi është linear, me ndalesa të herëpashershme ku, karakteri kryesor monologon me veten, përveçse në rastin e kapitullit të fundit ku ngjarja kapërcen një kohë relativisht të gjatë për të arritur te kujtimet e fëmijërisë. Pra, te koha që personazhi veçse është i rritur dhe kujton me nostalgji fëmijërinë si fazën më të dëlirë të jetës së tij, këngën e paharrueshme dhe stinën më të bukur të jetës, “stinën e stinëve”. Poshtë titullit, Trebeshina vendos “këngë fëmijërie” si nëntitull, që shërben si çelës për të dekoduar ngjarjen e rrëfyer dhe komplotin psikologjik, që në pamje të parë na ngjan i thjeshtë. Përveç nëntitullit, si piketë për lexuesin model qëndron edhe kapitulli i fundit i cili përmbledh thuajse gjithë projeksionin ideor të autorit, e ai na jepet në tekst në mënyrë të tillë: 

Duket se njeriu jeton me të vërtetë vetëm njëzet vjetët e parë, dhe në ata njëzet vjetë ka një stinë vere plotësisht të tijën… dhe unë e pata verën time atëherë me manastirin, me varrezat, dhe vajzat që u sollën rrotull meje dhe fluturuan. Ajo që ikën nuk kthehet më dhe ne nuk mund të kemi një stinë tjetër vere. 

Jo krejt rastësisht autori zgjedh krahasimin e stinës së stinëve ose të stinës së verës me një periudhë jetësore si fëmijëria – kohë kjo e pastër moralisht, e pas së cilës vjen rritja dhe nis mosha e mëkatnimit. Hiqmeti në roman kalon moshën e pubertetit si kohë tranzicioni mes fëmijërisë dhe pjekurisë, kohë kjo mjaft problematike ngaqë ngjall te fëmija kureshtje të shumta lidhur me trupin e tij, që i nënshtrohet një faze të furishme ndryshimi. Ideja e vendosjes së subjektit adoleshent në qendër të objektit të ngjarjes që trajton ky roman, në një kohë kaq të vështirë si puberteti është një sfidë për secilin autor. Trebeshina e realizon mirë si në përshkrimin psikologjik të subjektit, ashtu edhe ngjarjen që zhvillohet rreth tij. Njeriu si qenie e ndërgjegjshme, në kundërvënie me botën e jashtme dhe në veçanti me shoqërinë është një temë universale në letërsi, por kur objekt i saj bëhet një fëmijë atëherë ngjarja bëhet shumë më specifike, aq më shumë kur na vjen përmes një përballjeje në mes të së thënës me të bërën, moralit shoqëror dhe realitetit. Zgjidhja që autori i jep ngjarjes, është ajo që njeriu është i paraprirë të zgjedhë. Nga njeriu i parë e gjer më sot, subjekti njeri i joshur nga instinkti dhe kureshtja, pa marrë parasysh pasojat dhe kohën e refuzimit të “mëkatit” ka përfunduar si mëkatar. Ndaj Hiqmeti edhe pas shijimit të “mollës së ndaluar”, anipse ndihet fajtor dhe e bren ndërgjegjja për një kohë të gjatë, do ta përsërisë “mëkatin” me vetëdije të plotë, kësaj radhe jo me Kristinën, por me Sofën. Në rastin e parë të mëkatnimit të protagonistit na jepet edhe një pasazh i Kristinës teksa qan nga rëndimi emocional kur sheh fytyrën e Hiqmetit që po e bënte, ngase e priste nga të gjithë, por jo nga ai. Njëjtë ngjan edhe me protagonistin, i cili i lodhur psikologjikisht nga zhgënjimi i Kristinës për një kohë të gjatë nuk takohet me shokun e tij të ngushtë Mehdiun, dhe është pikërisht largimi i Kristinës (e cila martohet) nga fshati që bëhet çlirim nga rëndimi emocional. Edhe ana psikologjike e Kristinës, pavarësisht se na jepet shumë pak në krahasim me atë që e kemi quajtur subjekt i objektit të rrëfimit, është mjaft e rëndësishme. Kjo e bën të mundur që romani të shihet edhe nga këndvështrime të tjera, anipse rrëfimi na shfaqet nga syri dhe zëri i subjektit fëmijë, Hiqmetit.

Unë – Jo unë

Letërsia na mundëson jo vetëm që të vëzhgojmë njerëz të ndryshëm nga ç’jemi ne, por edhe të hyjmë në universin e tyre mendor, të zbulojmë se si është të jesh këta njerëz dhe të përballemi me situatat e tyre jetësore. Romani realist mund të jetë potencialisht jo vetëm përfaqësim real i ngjarjeve dhe i personazheve, por edhe i frikës, kufizimeve, paragjykimeve dhe dobësive reale. Lexuesi mund të lidhet emocionalisht me personazhin duke u çliruar nga shtrembërimet e realitetit. Romani mundohet ta përfaqësojë jetën dhe pothuajse çdo roman i ofron autorit mundësinë për ta eksploruar tipin njerëzor dhe personalitetin e tij, por edhe të tjetrit. Kështu, përmes individit një autor i realizmit heton qenien shoqërore të njeriut. Nëpërmjet tipit njerëzor, shkrimtari na jep një ide mbi mentalitetin e njerëzve, qëndrimet e tyre morale, idealet dhe aspiratat, por edhe iluzionet e tyre. Romani psikologjik, “Stina e stinëve”, është një trillim në të cilin mendimet, motivimet dhe ndjenjat e personazheve janë me interes më të madh sesa veprimi i jashtëm, ngaqë janë po ato që e shtyjnë individin në njëfarë mënyre drejt atij veprimi që ai kryen. Në këtë roman shkohet më thellë në mendjet e karaktereve, sesa në romanet e zhanreve të tjera, ku i jepet rëndësi primare diçkaje tjetër. Kjo do të thotë se ajo që romani ka në fokus janë peizazhet e brendshme të një karakteri ose mendjen e individit prej nga buron gjithçka.

Unë (individi) dhe Jo-unë (shoqëria) është pjesë e pandashme e librit, por nuk mund të themi se zhvillohet plotësisht, pasi heroi fëmijë është vetëm një unë, por në një moment ndien që duhet të jetë jo-unë, ngaqë e kërkon morali shoqëror një gjë të tillë. Jo-uni realizohet edhe për shkak se jemi në fazën kur mosha nuk i arrin dëshirat tonasiç na thotë teksti. Përderisa dominante për format e tjera të rrëfimit është që të marrin një ngjarje nga jashtë, duke përshkruar situatën e jetës, veprimet, fjalët, pamjen etj., – bota e brendshme është ajo në të cilën depërton romani në fjalë, edhe pse mund të kemi veprim e komplot, ai përherë është i nxitur nga e brendshmja psikologjike. Hiqmeti është adoleshenti rreth të cilit sillet e gjithë ngjarja dhe bota e brendshme e tij me shumë mëdyshje. Këtu shfaqet bota e një fëmije, që herët e mëson të vërtetën seksuale, rastësisht duke përgjuar të rriturit, nga të cilët nuk ka marrë ndonjë informacion për aktin. Në pasazhet e brendshme të tij ndodhin disa “metamorfoza” që do të ilustroheshin përmes formulës:

                                              Unë » jo unë » unë

Fytyra “aktuese” (siç do t’i quajë Greimas-i personazhet) e një romani të këtij lloji rëndom është joaktive sipas specifikave të përgjithshme, por në rastin tonë kemi aktant pasiv-aktiv. Themi kështu ngaqë karakteri kryesor gjendet përballë dyzimeve të brendshme, ku ka dy rrugë të cilat mund t’i ndjekë, njëra e shkelur (e moralit shoqëror) dhe tjetra e pashkelur (bota e instinktit dhe e kureshtjes seksuale). Hiqmeti na jepet si një adoleshent i bindur ndaj moralit dhe etikës kolektive për dallim nga shoku i tij i ngushtë, Mehdiu, dhe adoleshentë të tjerë. I gjendur në mes të një lufte mes id-it dhe superegos në të pavetëdijshmen e tij, Hiqmeti i joshur nga instinkti njerëzor e provon “mollën e ndaluar”. Duke u izoluar artificialisht në “jo unë” Hiqmeti automatikisht kthehet në “unë” dhe kështu i dorëzohet plotësisht instinkteve dhe kënaqësive erotike, të cilat ia ofron jeta në momentin kur kureshtja është më e madhe se frika e brendshme që ka. Prandaj artisti thotë Frojdi, është në themel një njeri që nuk e pranon realitetin, sepse nuk mund të pajtohet me kërkesën për të hequr dorë nga kënaqja (plotësimi) e kënaqësive instiktive, prandaj ai lidhet me botën e fantazisë dhe u lë dorë të lirë të gjitha dëshirave erotike e ambicioze të tij. Sigurisht që bota e jashtme është e thurur disi në tablonë e romanit për “Jo-unë”, por vetëm si sfond, pasi në brendi secili jemi dhe duam të jemi një “unë”, ngase njeriu është i krijuar për të qenë i tillë. Përmbajtja e ndërgjegjes së heroit jepet si “vetëdije”, pra ndahet më dysh: një “unë” përmban dy “dije” të kundërta: dy ide jodikotomike, por logjikisht të papajtueshme me njëra-tjetrën. Veprat psikologjike kanë të bëjnë me ndarjen e individit ndaj kolektivit, “unë” ndaj “ne”. 

Analiza e personazheve në roman u drejtohet motiveve të sjelljes, e kjo sipas një qasjeje psikanalitike vjen nga e pavetëdijshmja e fëmijës dhe përballja e libidos me të pranueshmen nga kolektivi. Instinktet prodhohen nga e brendshmja dhe motivet e sjelljes janë të fshehura, por i zbulohen secilit përmes një zinxhiri veprimesh të jashtme. Aventurat bëhen krejt të qarta, ngase impulset dhe instinktet janë të natyrshme për individin, edhe kontradiktat e ndërgjegjes, të cilat na shpien tek ajo që thotë Prust-i – se vetëm në letërsi mund të identifikohemi plotësisht me tjetrin.

Referencat:

  1. Warren, Austin dhe Wellek, Rene, Teoria e Letërsisë, Onufri, Tiranë, 2015
  2. Frojd, Sigmund, Totemi dhe tabuja, Fan Noli, Tiranë, 2006
  3. Frojd, Sigmund, Hyrje në psikoanalizë, Fan Noli, Tiranë, 2004
  4. Trebeshina, Kasëm, Legjenda e asaj që iku-Stina e stinëve, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1992. 
  5. https://www.radiandradi.com/tre-vepra-te-kasem-trebeshines-nga-agron-tufa-dhe-nje-debat-rreth-tyre

Fotografia e ballinës: Kopertina e “Stina e stinëve