Met

Ervin Hatibi | 18.06.2026 | nyje.al 

Kulla 'Tirana Rock Tower'
Tirana Rock Tower, ilustrim 

 

Arabia ka Nurin, Greqia Olimpin, kurse Japonia Fuxhin. Shqipëria të thonë direkt se ka Tomorin, megjithëse Mali i Robit, edhe pse i përfolur si thjesht kodër, është mali më mistik në gjuhën shqipe, prej emrit. Mali i Robit. E ndoshta dhe i kam hipur gabimisht, pa e ditur se është mal, kësaj kodre, një pasdite të përjetshme vere në fillim të viteve 1990, me diellin që rrjedh butë faqeve të kodrës, mjaltë, nëpër rigon e manaferra të shpluhurosura, deri poshtë mes pishash shtatshkurtra, sa mbërrin plazhin, dielli këmbëzbathur.

Qe fillimi i periudhës së gardhimeve, dhe vështrimi i pafajshëm kolektiv i inercisë socialiste që njësonte peizazhin sapo kishte nisur të braktisej, si një lojë Lego, një e nga një, nga vizionarët e parë. Nga ata që kishin përfytyruar të parët fatin e atdheut tonë bregdetar si panel solar për nevojat veriore të kontinentit. Një vizionar i tillë më kishte ftuar në atë kodër të shihja me sytë e tij të ardhmen turistike të zonës, kat mbi kat. Sy pionierë që kryqëzonin telat me gjemba të qerpikëve konfliktualë me të tjerë sy pionierë të sipërmarrjes së lirë, duke na ndarë e përçarë ngastra-ngastra peizazhin nën këmbë si dhe të ardhmen, duke na i shumëfishuar, të dyja, si para fallco – në plane resortesh, vilash, marketesh, hotelesh, pishinash që mbivendoseshin frenetikisht si varreza vertikale, fillimisht në premtime e projekte kundërthënëse, pastaj në kredi bankare, më tutje me kamionë, ekskavatorë, vinça e skela nga vazhdojnë e bien punëtorë të pasiguruar; premtime e projekte që korrigjonin e asgjësonin njëri-tjetrin, me të shtëna, me tritol nën sedilje, me seanca ankandesh gjyqësore, me grisje demonstrative planesh rregulluese territori pas ndërrimit të pushtetit vendor a qendror;  copa-copa toka thërmuar nëpër dokumente divergjente në alfabete të ndryshme që përvijojnë ekzaktësisht të njëjtët kufinj. Se gati çdo ndërtesë mban në themele të paktën dy tapi që anulohen reciprokisht, të paktën dy palë rivale gjyqi të papërfunduar, të paktën dy tribu ndërluftuese ndërpartiake; ndërtesa me themele përmbi pllaka tektonike të cilat janë nisur prej dekadash për përplasje, që nga llogoret e Luftës së Dytë Botërore a më herët, e ashtu mirëmbajnë tensionin lart, kat më kat.

Por atëherë asgjë nga këto nuk dukej nga Mali i Robit, teksa dora e vizionarit mbërthente e zbërthente bikini nëpër horizontin ar e blu, duke nxjerrë e futur prej aty si magjistari nga kapelja ende me yll ngulimet e pritshme europiane, me çadra, disko, vela, akullore, pasthirrma hareje. Zgjëndrra e tij përthyhet sot përgjatë gjithë zig-zagut të barrikadës hotelerike që muros detin ndaj gjithë Shqipërisë së Mesme, për nevoja të pushuesve dhe pushtuesve të tjerë të zhveshur, pse plazhi është vendshpërblimi ku tenton të restaurohet pafajësia adamike, ku vijnë pra e zhvishen nga rolet e rrobat e mëkateve të të gjithë vitit, kundrejt pagesës. Këtë parajsë, të mbushur sot me pushues polakë që digjen, më kishte ftuar ta shoh që nga Mali i Robit një vizionar i fillimit të viteve 1990. Po cilit rob Zoti a robi lufte i dedikohet si mauzole mali, cila kishte qenë historia a mrekullia e tij? Mister. E sikur të mos mjaftonte, gjithçka poshtë e përreth historisë a mrekullisë në mal quhet sot e gjithë ditën Golem.

Shumë i ri isha për t’i ditur atëherë vendet e shkronjave në formula, prandaj rrëqethem kaq vonë, deri kur lexova se Golemi i tmerrshëm na ishte thjesht roboti parateknologjik, dhe mundësisht frymëzimi i tij; kurse vetë fjala ‘robot’ thjesht një filiz çek prej rrënjës ‘rob’. Në traditën kabalistike, mësova, Golemi qe një gjallesë artificiale, antropomorfe, supozuar të krijohet nga materiale të ndryshme – Golem, në hebraisht, do të thotë ‘pa formë’, ‘pa jetë’ – deri sa merrte frymë mes përmendjes së emrit të Zotit. Fuqi pa mend, rob i sajuar me qëllimet më të mira nga rabinë mistikë si shërbëtor shtëpie a shqytar mbrojtës i bashkësisë, Golemi mund të zmadhohej fizikisht e të dilte dikur jashtë kontrollit, aq sa të bënte të domosdoshme shkatërrimin e vet, në mos të krijuesve të tij.

Formula të ndryshme ishin regjistruar në shekuj për krijimin dhe shkatërrimin e një golemi. Përveçse me argjilë, atij mund t’i jepet formë edhe me dhé, dru, dyllë, metal apo copa kufomash, qepur së bashku. Shtatores apo kukullës të sajuar ashtu duhet t’i jepej jetë duke i gdhendur në ballë emrin e Zotit, fjalën ‘Emet’, që do të thotë ‘e Vërteta’ apo ‘Vula e të Shenjtit’. Mistikët duhet t’i silleshin përqark Golemit duke recituar emrat e fshehtë dhe të fuqishëm të Zotit, deri sa të merrte jetë. Nëse donin ta asgjësonin, duhet të recitonin duke i ardhur rrotull, kësaj rradhe në drejtim të kundërt. Golemi po ashtu mund të shkatërrohej duke ia fshirë nga balli shkronjën e parë, ‘alef’, prej fjalës ‘Emet’. Asisoj fjala shndërrohej në ‘Met’, meit pra, siç i thoshin pleqtë edhe te ne, me një fjalë semite, të vdekurit. (Shkrimtari çek Karel Čapek, krijuesi i termit ‘robot’, besohet se u bazua edhe mbi rrëfimet hebraike mbi Golemin e Pragës për të ndërtuar profilin e humanoidëve rebelë të dramës së tij fantastiko-shkencore “Rossumovi Univerzální Roboti“).

Parë nga lartësitë relative të Malit të Robit, Golemi ynë turistik dukej në mos projekt i mirë, qëllimmirë së paku. Pastaj dhe e formësuam prej betoni me rërën e diellin më të dashur në botë, hotel pas moteli, që të luftonim ashtu varfërinë e të mëkëmbnim ekonominë. Vendi ynë ndoshta tashmë qe shumë i vonuar me konkurrencën për t’i hyrë korsive të industrive prodhuese në globalizëm; hoteleria do të qe objektivisht e ardhmja, vendi do hapej për të huajin në vijim të traditave aq shumë të kënduara të mikpritjes. 

Sot, me shifrat e pabesueshme e në rritje të braktisjes së vendit, gjithë ‘sektorin N.’ të ndërtimeve frenetike do mund ta justifikonim dot retorikisht veç si shërbim hotelerie, meqë çdo banesë është potencialisht më së shumti bujtinë për turistin e huaj, po aq dhe për shqiptarin që kthehet sa të varrosë prindërit a sa të varroset pak vetë syhapur nën syze të zeza, për dy-tri javë, në rërërat kurative buzë Adriatikut.

Territori do duhej t’i nënshtrohej pra ekstraktivizmit kolonial të diellit e ndoshta dhe djathit të deles e asaj ç’pak mbeti tjetër për t’iu ofruar vizitorëve si veçori e autentikë. Në harmoni të plotë me pamundësitë e njohura të sovranitetit – që në fakt rrjedhin prej pamundësive të identitetit – vendi do t’i përkiste kështu simbolikisht tjetrit. Kurse vendasit do t’i takonte thjesht gijotina e buzëqeshur e sportelit nga ku ofron çelësat e shtëpisë së vet. Vetëm se, si në çdo pornografi që respekton veten, vëmendja imobiliare ndaj vendit duhej përqëndruar veç në pjesë të tij më kuptimplota për shitje, strategjikisht seksi, si Golemi, si plazhet, pra, sinekdoka mekanike të zhveshjes. Përqëndrimi i ndërtimeve detyrimisht ngushton “afër detit, afër mbretit” si thotë fjala, pra gati ekskluzivisht në Kryeqytet e Plazh. Pjesa tjetër e vendit tonë malor duhet t’i shërbente ndërtimtarisë si gurore, me malet që bluhen përditë e transportohen si rërë me kamionë për t’i ringritur edhe një herë të betonuar si kanione në kryeqytet, a si barrierë bujtinore buzë Adriatikut  – male rëre për të mbrujtur gjithnjë e më të madh  Golemin.  Meqë kërkesa për ndërtim s`njeh kurrë ulje, meqë në plazhe vijnë gjithnjë e më shumë për t’u larë jo vetëm mijëra europianë, po edhe miliarda euro, me sa thonë. 

“Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, DPPP, sektori i ndërtimit është veçanërisht i ekspozuar nga fluksi i parave kriminale që depërtojnë në ekonominë e varfër të vendit. ‘Pastrimi i parave nëpërmjet pasurive të paluajtshme mbetet një instrument ende dominues në Shqipëri, krahasuar me format e tjera për pastrimin e produkteve të veprës penale’, tha DPPP në një përgjigje me shkrim.

Pastrimi i parave në ndërtim shkon pas në dekada që prej kohës kur krimi i organizuar nisi të gjeneronte fitimet e veta në Shqipëri. Por sipas Arjan Dyrmishit, ekspert i sigurisë nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, format dhe përmasat janë shumëfishuar. ‘Në vitet ’90, pastrimi i parave quhej investim,` kujton Dyrmishi, ndërsa shton se sot krimi i organizuar ka ‘më shumë para, më shumë influencë dhe informacion`.`Kështu i janë drejtuar sektorëve që janë më fitimprurës, si ndërtimet në zona me çmime më të larta dhe ndërtimet më strategjike në zonat bregdetare,’ shtoi ai”. 

Një karakteristikë e Golemit është se aty ndërtohet sa ndërtohet në vite, pastaj shkatërrohet, ritualisht, për të rindërtuar nga e para. Nuk numërohen fushatat e prishjeve, përndjekur nga të tjera fushata ndërtimi. (Me aq sa ka ruajtur arkiva e internetit, prishjet e para të dokumentueshme i gjejmë përmes gazetës ‘Shekulli’, në një titull të shkurtit të 2009-tës: “Golem, do të prishen 230 ndërtime pa leje”).  Dhe përveç nevojave të njohura strukturore e ideologjike për ndërtimtari, të shprehura a jo, pulsioni i shkatërrimit shpjegohet zakonisht vetëm me terma juridikë e teknikë (prishje ndërtimesh pa leje o pa kritere) apo me konspiracione jashtëligjore (prishje ndërtimesh të opozitarit a rivalit). Po në fakt të gjitha shpjegimet dhe arsyet janë në thelb të panevojshme, për sa kohë, fatalisht, territori i vlefshëm për ndërtim është përherë në shterim e sipër – por jo paraja, as alibia e modelit zhvillimor. E kështu llava rrafshuese e betonit, pasi ka gllabëruar rërën e plazhit, qendrat historike, pasi u ka kërcyer përsipër me pallate edhe kinemave, teatrove e stadiumeve në kryeqytet, detyrohet të gëlltisë ciklikisht edhe veten, për ta rivjellë direkt në pallate të reja, mbi ato pak më të vjetrat. 

Se nuk ka më vend. Para dy ditësh (22.02.2024) Zëri i Amerikës njoftonte:

“Në Shqipëri parlamenti miratoi sot disa ndryshime në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” të cilat i hapin rrugë ndërtimit të strukturave të hoteleri turizimit, apo dhe zhvillimit të aktiviteteve të tjera ekonomike, të konsideruara si investime strategjike. Ndryshimet e propozuara nga qeveria janë kundërshtuar me forcë nga organizatat mjedisore si dhe nga opozita, sipas të cilave zonat e mbrojtura rrezikojnë të kërcënohen seriozisht. Delegacioni i Bashkimit Europian nga ana e tij ka shprehur shqetësim për mungesën e konsultimeve publike dhe të një procesi të parashikueshëm dhe transparent. Thelbi i ndryshimeve ka të bëjë me fshirjen e nenit 33 të ligjit ekzistues, i cili kufizonte veprimtaritë në këto zona vetëm në ato që ishin në shërbim të përmirësimit të mjedisit të tyre. Neni i ri i propozuar në të kundërt lejon ngritjen e “strukturave akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit” apo dhe të agroturizmit. Organizata të shumta dhe ekspertë të mjedisit, të cilët kanë ngritur zërin dhe më parë, protesuan sot përpara parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ndryshimeve të cilat sipas tyre ‘vulosin përfundimisht fundin e sistemit të Zonave të Mbrojtura dhe biodiversitetit në Shqipëri dhe nuk vendosin asnjë kufi ndaj aktiviteteve shkatërruese të papërcaktuara’”.

Pesë yje a më shumë. Nga legjenda e Golemit, këtij shërbëtori të përkryer, mësuam se zmadhimi i tij duket sikur zmadhon dhe shërbimin, gjersa të bëhet kërcënues. Ky zmadhim mund të mbahet në kontroll vetëm me shkronjën – në mos qoftë shkronja që ndan njeriun nga kafsha a materiali, shkronja që lidh me Zotin, shkronja e shenjtë e ligjit, së paku të jetë shkronja si dije që të bën pjesë të një historie. Sa më shumë jashtë dijes dhe rrjedhimisht jashtë historisë, aq më i tmerrshëm rritet dhe Golemi.

Më 5 prill 2019, gazeta ‘Shqiptarja’ lajmëron me titull: “Grataçela 28-katëshe në Golem do të prishet, pronari debat me hartuesit e relacionit”.  Po atë ditë, titulli i një artikulli në gazetën ‘Sot’ i vë një emër të frikshëm ndërtesës shënuar për prishje: “Jepet vendimi për shembjen e pallatit ‘monstër’, shpallet në kërkim pronari”.  “Në relacionin e hartuar nga Instituti i Ndërtimit, rekomandohet që pallati 28 kate i lartë të prishet pasi ka probleme të shumta të strukturës kryesore të cilat rrezikojnë shembjen e tij, nisur dhe nga fakti se leja e ndërtimit është shkelur. (…) Pallati ‘monstër’ u bë i njohur për opinionin publik 2 vite më parë, kur gjatë shtesës së kateve, konstruksionet metalike të 3 kateve të fundit u shembën duke rrezikuar jetën e punëtorëve dhe banorëve, pasi pallati ka qenë i banuar në kohën kur kanë nisur punimet e tjera”. 

Përndryshe kjo njihet, në formulimin e gazetarit Vladimir Karaj, si dukuria e “pallateve që ngrihen vetë”. Në një shkrim, te reporter.al, ai  tregon sesi për shtesa katesh të paligjshme, në mes të Tiranës, me hapësira banimi prej mijëra metrash katrorë, pronarët e firmave të ndërtimit pretendonin se nuk kishin fare dijeni. “Njëlloj si ndërtuesit, edhe mbikëqyrësit e punimeve dhe drejtuesit teknikë të kompanive që duhej të ishin të pranishëm gjatë procesit të punës, i kanë thënë prokurorit Çela gjatë marrjes në pyetje se nuk kishin dijeni për katet shtesë (…) Vetë administratori i kompanisë është shfajësuar se ai nuk i ndiqte punimet në kantier dhe nuk kishte qenë i pranishëm. Ai ua ka kaluar përgjegjësinë për shkeljet punonjësve të tij”.

Pallate që ngrihen mbi zona historike, mbi stadiume, mbi plazhe, mbi zona të mbrojtura natyrore, pallate që ngrihen mbi pallate, pallate-monstra që ngrihen vetiu, deri ku?

Jakob Grimm, i dyti prej vëllezërve të njohur, më 1808, në organin letrar ‘Zeitung für Einsiedler’ (‘Gazetë për Asketë’), na siguron një parabolë.

“Pasi thonë disa lutje dhe mbajnë disa ditë agjërim, judenjtë polakë mbrujnë shtatin e një njeriu me argjilë ose baltë dhe kur shqiptojnë mbi të emrin mrekullibërës të Zotit, shtati duhet të marrë jetë.

Ai nuk mund të flasë, por e kupton mjaft mirë atë që thuhet ose urdhërohet. E quajnë Golem dhe e përdorin si shërbëtor për të bërë të gjitha punët e shtëpisë. Por ai kurrë nuk duhet të largohet nga shtëpia. Në ballin e tij është shkruar ‘Emet’ (‘e Vërteta’); çdo ditë ai shton peshë dhe bëhet diçka më i madh dhe më i fortë se të gjithë të tjerët në shtëpi, pavarësisht se sa i vogël qe në fillim.

Për këtë arsye, nga frika e tij, ata ia fshijnë shkronjën e parë nga balli, në mënyrë që të mos mbetet gjë tjetër aty veç ‘Met’ (‘ai ka vdekur’), dhe mu atëherë Golemi rrëzohet dhe kthehet në argjilë sërish. Por Golemi i njërit dikur u rrit e u bë aq i madh, dhe i zoti pa i kushtuar rëndësi e la të vazhdonte të rritej aq shumë sa nuk mund t’ia arrinte më ballin. 

I tmerruar e urdhëroi atëherë t’ia hiqte çizmet, duke menduar se kur të përkulej Golemi, do të mund t’ia prekte ballin. Kështu ndodhi, dhe ia fshiu me sukses shkronjën e parë, por pastaj gjithë ai lëmsh i madh balte i ra përmbi dhe e shtypi.”

Shënim: Botuar për herë të parë në revistën SHENJA nr 155, mars 2024

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje