Fatmirësisht pati mjaftueshëm dëshmitarë në ekspozenë private, gati njëzet vjet më parë në Shkup, të një kërkuesi thesaresh, të famshmit aga Abdullah. Në strofkën e tij mes gjethesh në mal, natën, mu nën megakryqin elektrik të qytetit. Në luftë me volumin shurdhues të refreneve të Genta Ismajlit, përmes të cilit ndoshta neutralizonte përgjimin ambjental, shpaloste defterët e vet – gjysëm harta rudimentare sekrete, gjysëm storyboard-e të ashpra të përfytyrimeve, peripecive të veta nëpër luginat maqedonase – për të rrëfyer mënyrën si orientonte shenjat në terren. Që të orientohej pastaj prej tyre në kërkime thesaresh, fshehur herë nga “jevrejtë”, herë nga “ermenijtë”. Kështu, dy kocka gjetur në gërmime bri një pete guri të rrumbullakët bënin gjithsej shifrën shtatë në hartën e agës Abdullah: shtatë hapa më pranë “mallit”, si e quante ai thesarin përherë në ikje; shtatë hapa, meqë dy kockat paralele janë II në numërimin romak, plus rrethin O prej guri që është 5, - tha -“në qoftë se i dini harfet”...

Në Shqipëri, politika e fadromës nuk është një praktikë e jashtëzakonshme, por pjesë përbërëse e një regjimi periodik hapësinor që fshin me pseudo-legjitimitet forma organike të lidhjes me territorin. Prishjet e bizneseve të vogla, dëbimet e banorëve përmes politikave zhvillimore, privatizimi dhe shfrytëzimi i burimeve ujore; të gjitha këto nuk janë thjesht akte teknike, por përshfaqje të fuqizimit dhe legjitimimit të atyre që studiuesja e sociologjisë dhe ekonomisë së globalizmit Saskia Sassen i quan formacione grabitqare (predatory formations). Këto formacione operojnë si një aleancë ndërmjet kapitalit financiar, shtetit dhe sistemit ligjor. Ato veprojnë nga brenda institucioneve për të përvetësuar toka, pasuri, e të drejta komunitare. Dhuna është arbitrarisht e mbështetur nga ligji, e ajo, sipas Sassen, prodhon dëbime (expulsions), jo vetëm fizike, por edhe simbolike, duke fshirë nga hapësira lidhjet territoriale dhe kujdesin për vendin, të afërmin e mikun...

Shfaqja e shtetit me fadroma, apo shkrirja e imazhit të tij me fadromën që vjen për të shembur shtëpinë apo biznesin privat të dikujt, është bërë një nga shprehjet më të zakonshme të dekadës së fundit të qeverisjes. Përballë fadromës së shoqëruar me polici, banorët përpiqen të argumentojnë. U duhet të thonë se janë pro ligjit, sepse janë paraqitur si antiligjorë; u duhet të dëshmojnë se ndërtimet janë bërë me djersë, sepse janë akuzuar për fitime të pandershme; u duhet të tregojnë “kulturë”, sepse janë akuzuar si të pakulturuar apo të prapambetur...

Nuk është çështja nëse zgjedhjet u vodhën. Sot kemi të bëjmë me një sistem ku zgjedhjet kontrollohen nga partia në pushtet – Partia Socialiste. Ajo deklaron se është modernizuar, ndaj dhe fiton. Në fakt, është modernizuar për të vjedhur më mirë dhe, akoma më tepër, për të kontrolluar votën në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kornizave institucionale. Kemi të bëjmë me një sistem tashmë të njohur dhe të përshtatur – një model i sofistikuar i manipulimit elektoral. Forma më e njohur është ajo e Putinit; forma të tjera hibride të këtij modeli hasen brenda dhe jashtë Bashkimit Europian...

Në vitet ’80, disa studiues filluan ta emërtojnë fazën e kapitalizmit që po merrte hov në Perëndim falë politikave neoliberale si “kapitalizëm i çorganizuar”. Ky lloj i kapitalizmit shoqërohej me: zhbërjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për stabilizimin e flukseve financiare dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja për tregtinë e lirë dhe heqjen e barrierave tarifore, çmontimin e rolit të shtetit në kontrollin e kapitaleve dhe orientimin e tyre, çmontimin e të drejtave dhe organizimit të punëtorëve në vendin e punës, dhe çmontimin e një sërë mekanizmash për mbrojtje sociale. Dëshira mbizotëruese ishte ajo për liri individuale sipërmarrëse pa shtrëngesa dhe orientime shtetërore, liri kjo deri në çorganizim...

Përse me tezën e Ukshin Hotit sot, pikërisht sot? Do mund të përmendeshin shumë mirë një sërë arsyesh. Por nuk dua të përmend e të merrem as me zhvillimet politike globale; as me “kohët interesante” në kuptimin e shprehjes që mendohet se është kineze; as me risitë e rizgjedhjes së D. J. Trump si president i ShBA-së – e me heqjet e fondeve ndaj ministrive e SPAK-ut; as me implikimet sa i përket BE-së sidomos në aspektin e sigurisë ushtarake e tjetërsoj; as me zhvillimet gjeopolitike rajonale, përfshi këtu protestat në Serbi kundër korrupsionit dhe Vuçiçit; as me faktin që ka zgjedhje të përgjithshme parlamentare në të dyja republikat shqiptare së afërmi; as me faktin që prospekti i integrimit në BE është pikë kyçe e strategjisë së partisë mbizotëruese në Shqipëri – me idenë që mundësisht deri në 2028-n, pra muaj përpara zgjedhjeve të radhës të rregullta të 2029-s, në të cilat pritet të rifitojë po ajo Parti Socialiste...