Kedis Burrja | 16.06.2026 | nyje.al

Në këtë demonstratë qytetare jam marrë me fotografimin e ngjarjeve. Nëpërmjet fotografisë kam qenë dëshmitar i dy fenomeneve shumë të bukura: fuqia emancipuese e demonstratës popullore në Tiranë dhe rëndësia e parkut kombëtar Vjosë-Nartë për të folur të vërtetën.
Në shesh, aktiviteti nisi si organizim i vogël, por ai kaloi që herët përtej kapacitetit organizues të çdo organizimi që e përbën atë. Protesta, tubimi, demonstrata e manifesti, janë përcaktime që nuk e përkufizojnë më dot atë. Ai është krijues dhe i paparashikueshëm. Dukshëm një lëvizje qytetare që ka angazhuar popullin (brenda dhe jashtë kufijve) në një bosht të vetëm mendimi e veprimi. Pjesëmarrësit guxojnë ta quajnë Revolucion!
Nga organizimet e zakonshme, atë e dallon atmosfera emancipuese, që domethënë prirja që i jep pjesëmarrësve për t’u bërë më të mirë edhe aty ku janë më të dobët. Këtë nuk e bën thjeshtë mungesa e grupeve përfaqësuese (partiake e jo-partiake), por shkëmbimet e drejtpërdrejta që ndodhin në një shkallë kaq të lartë pjesëmarrje qytetare. Tubimi i përditshëm i lidh njerëzit në organizim brenda e jashtë tij. Efekti kryesor i lëvizjes qytetare në shesh mendoj se ka qenë mundësia e shoqërisë sonë për t’u artikuluar në një kauzë politike të përbashkët, gjë që nuk e ka mundësuar asnjë prej kauzave të mëvetshme që i kanë paraprirë. Ajo është mbërthyer pas Anulimit të Projektit për shitjen dhe shkatërrimin ndërtimor të zonave të mbrojtura natyrore Vjosë-Nartë-Sazan, dhe është hallka që lidh zinxhir të gjitha problematikat që nuk shterohen përditë së foluri në shesh prej bisedave të lira të qytetarëve në grupe të ndryshme ose edhe foltoret e vogla sporadike që janë krijuar aty. Jashtë sheshit ekziston një përmasë tjetër organizimesh të pavarura me veprimtari e deklarata të panumërta rreth kauzës së sheshit. Prej te hetimet informative të ekspertëve mjedisorë, ligjorë, etj., te protestat paralele në vendngjarje e qytete të tjera, e deri tek deklaratat e njëpasnjëshme të institucioneve kombëtare e të huaja dhe përfaqësuesve të tyre. Nga këto, më e fundit është rënia domino e gardhimeve uzurpatore brenda ditës anekënd. Ajo që nisi në Zvërnec, u krye dje në Rrjoll në një ditë të vetme pas muajsh protesta, në Librazhd sot papandehur, e me shumë gjasë do të dëgjojmë edhe për të tjera.
Për sa i përket pikës së dytë, të shtunën e shkuar isha në një ekskursion në pjesën më jugore të zonës së mbrojtur, në Zvërnec. Isha për herë të parë. Edhe pse natyra është e ngjashme me pjesë të tjera të bregut Adriatik, vetëm duke e shkelur vetë e kupton përmasën e krimit që po kryhet në atë park. Atje u pritëm nga banorë të Zvërnecit e të Vlorës që dalin përditë, si dhe nga ekspertë mjedisorë. Përveç shumë vizitorëve të vetorganizuar të ardhur nga anembanë Shqipërisë kishte edhe grupe të ndryshme të huaja, që nga Ballkani e deri te shtetet më të largëta të Europës perëndimore që mbanin vesh e shikonin vetë. Duket nga pjesëmarrja që ne si shoqëri e kemi fituar sakaq simpatinë e tyre si në shesh, po ashtu edhe në qytetet Europiane e Amerikane ku mblidhen shqiptarët. Në Zvërnec, e kupton menjëherë se që nga ishulli i Sazanit, te Zvërneci, Pishë, Poro, Nartë e deri te Aeroporti është një sistem i vetëm gangrenizimi i tokës kombëtare që duhet anuluar medoemos. Sikurse vënë në pah ambjentalistët dhe projektuesit e njëjta gjë ka ndodhur prej një dekade me zonat bregdetare të kthyera në qyteza të shkreta të ashtuquajtura “rezorte” nën emrin e turizmit. Përveç zonave të mbrojtura natyrore aty, Sazani përbën një pikë strategjike të sovranitetit territorial të vendit tonë dhe të sigurisë ndërkombëtare të Adriatikut dhe vendeve të NATO-s, për të cilën asnjë vend anëtar ende nuk ka mbajtur qëndrim. Për ata që munden është shumë e rëndësishme që të shkojnë ta vizitojnë vetë zonën e mbrojtur, dhe jo vetëm atë, por edhe Rrjollin, Drilonin, Butrintin e me radhë.
Ndër efektet më të rëndësishme të paparashikueshme gjatë këtyre protestave është se shoqëria shqiptare e ka kuptuar tashmë se projektet strategjike në zonën e mbrojtur nuk janë çështje teknike, por çështje vendim-marrje. Ata e kanë marrë vendimin: “Anulo projektin!”, ose “Jepe dorëheqjen!” – sepse nuk janë huliganë, por janë të dinjitetshëm. I takon secilit institucion dhe përfaqësish të tij të respektojë Vendimin sikurse kanë nisur sakaq. Se si do të shkojë, mbetet për t’u ndjekur.
Koha që po kalojmë në shesh nuk e dimë se sa do të zgjasë, por do ta kemi me vete për një periudhë shumë të gjatë. Pasi të mbarojë, do të kemi të gjithë kohën për të bërë atë Shqipëri të Re! për të cilën qytetarët thërrasin e bisedojnë shoqërisht çdo ditë. Por tani, gjëja më e vyer është mundësia për t’iu bashkuar takimeve e bisedave sporadike mes shqiptarëve në shesh deri në realizimin e vendimit popullor të panegociueshëm: Anulo projektin!

