“Enciklopedia e Mërgimit”
Erion Tufa | 30.12.2024 | nyje.al
Është mbjellë, tashmë gjerësisht, në vetëdijen kolektive konstrukti emotiv i dukurisë së mërgimit: silueta të kërrusura mbi bastun, projektime bebëzash të lagura dhe ajër i jonizuar me trishtim. Por përtej keqardhjes, hidhërimit, mbase edhe dëshpërimit, ky fenomen ka si valvulë presioni plot e përplot shprehje artistike. Një e tillë janë edhe poezitë e këndshme të Shqiptar Osekut dhe Entela Tabakut. Poezitë e tyre të botuara në një vëllim të quajtur “Enciklopedia e mërgimit”, ku të dy janë bashkautorë, janë konstatime të holla mbi natyrën, sensacionet dhe përvojën e të qenit emigrant, pra – i huaj. E gjithë përvoja e mërgimtarit përshkruhet në gjuhë lakonike të pambingarkuar stilistikisht, që të tejçon një ndjesi zbrazëtie emocionale, gjë që i jep poezive një sens kobi apokaliptik (nganjëherë, mbase edhe të tepruar). Autorët i shëtisin tematikat e ndryshme të migrimit në ndarje sipas fenomenit.
Në poezinë e titulluar “alien”, autorët e kanë estetizuar mjaft bukur përvojën e hidhur të dyzimit të nacionalitetit. Përtej konstatimit të natyrës së gjësë, mund të lexohet nëpër rreshta edhe njëfarë note proteste, një “pse” ambivalente, e pathënë, por e nënkuptuar. Na shfaqet edhe uni poetik femëror, duke i shtuar kësisoj veprës edhe vlerën e polifonisë së zërave dhe identiteteve.
unë nuk jam si gratë e këtij vendi
por unë nuk jam ma as si gratë e vendit tem
unë jam ai akrobati që pa rrjetë mbrojtëse
me një shkop të gjatë balancon mbi tel
mbahem për vedi e për çfarë kam në duer
si gratë në mërgim
gjithmonë në kapërcyell
gjithkund e huej
Kjo poezi trajton ndjesinë e tëhuajsimit në përdorimin e gjuhës dhe lidhjen e saj me identitetin personal. Stampimi i emrit në letër të stampon si të huaj, gjithsesi, motivi i revoltës shfaqet sërish. Duke na paralajmëruar se situata do të ishte ndryshe nëpërmjet alegorive dhe metaforave midis fjalëve dhe plumbave.
fjala jeme
ka tingull të huej
edhe në shkrim
shkon e lidhun për emën
tem
si theks i padukshëm
që thirret ndër germa
mbush armë mosbesimi
që presin me iu shtrazë në rastin ma të parë
dhe fjalës teme
i duhet me buzëqeshë
paqtueshëm
edhe me shkrim
Kur mendojmë për diskriminimin – nisur mbase nga përvoja historike – e mendojmë vetëm veten si viktima dhe nuk na shkon kurrë në mendje që edhe ne mund të bëhemi dhunuesi. Diçka e tillë nuk ka pse imagjinohet, pasi kjo ka ndodhur, edhe ata që kanë qenë vetë viktimat, që kur janë gjetur në pozicione fuqie, janë bërë dhunues. Topikë të tillë trajton edhe poezia “refugee”, që na kujton predispozitën njerëzore për ta nënçmuar më të voglin dhe më të dobëtin. Fjalët e Ismailit plak, nyjëtojnë me brutalitet thelbin ndjesor të dobësisë, përbuzjes dhe mospranimit. Ligjërimi i urrejtjes dhe mospranimit është çuditërisht komparativ mes “jush” dhe “atyre”, vendos shenja barazie e mosbarazie, dhe është diskriminues e dhunues par nature.
Ne mbiemrin e kishim muti
Më tha Ismaili çami plak
Ik or çam muti këtej
Ik or çam muti andej
Edhe tash na thonë njësoj
Ja kosovarët e nxuarën me luftë
Pse s’shkoni edhe ju të luftoni
Po kërkoni të na vini flakën neve
Kështu or bir na ndajnë
Në Ne dhe Ju
Edhe fëmijët që na lindën këtu në Shqipëri
Pale më neve pleqve të fishkur
Kur na rripnin ato pak që kishim
Na quanin budallenj
Tash kur rrimë mënjanë na quajnë të pabesë
Askush s’na e shtrin një dorë
E kur ndihmojmë njëri-tjetrin egoistë na thonë
Ne kurrë të mirë nuk bënemi
Çamë muti qemë e çamë muti mbetemi
Për jetë e mot
Për të mbijetuar mpihemi
Shndërrohemi në gurë
Unë ka dy vjet që nuk shoh
Ka tre vjet që nuk dëgjoj
Mbaj mend veç tre orë
Shyqyr ju o bir që patët fat
e u kthyet në trojet e lashta
Guri rëndë peshon vetëm në vend të vet
Kështu më tha Ismaili çami plak
Vajza ime e lindur në ekzil që dëgjoi Ismailin
fshehu fytyrën
në kraharorin tim
Vargjet e autorëve Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku, reflektojnë mbi topika të identitetit, emigrimit, asimilimit, integrimit e diskriminimit. Vargjet e tyre evokojnë me forcë të pamohueshme poetike pafuqinë e qenies njerëzore, që e shkulur zgupthi nga fabrika shoqërore dhe e flakur qindra kilometra larg, e gjen veten pa nacionalitet, pa komunitet, pa mbështetje dhe pa asnjë formë mbrojtjeje. Nyjëton, gjithashtu edhe revoltën ndaj këtij fakti (a fati). Një vend të veçantë në poezinë e tyre zë edhe integrimi – asimilimi e më the e të thashë – në Atdheun e ri. Në fund të fundit të mirat, ashtu si të këqijat, kur vijnë, vijnë në turma. Do të ishte sipërfaqësore dhe e pahijshme që një enciklopedi mërgimi të kishte vetëm anë të errëta, torturë e dhimbje. Në jetë fati herëdokur u buzëqesh edhe të mjerëve.
Estetizimi i një pikëpamjeje holistike mbi eksperiencën e mërgimtarit është i mirëpritur, i bukur etj., etj., por nuk është qëllimi primar i vëllimit poetik (në mendimin tim). Qëllimi i këtij vëllimi është përshkrimi i të gjithë procesit emocional dhe i proceseve të tjera të lidhura me eksperiencën dhe ndjesitë në një subjekt, në këtë rast vetë autorët. Gjatë leximit të poezive, lexova shpesh mes rreshtash revoltën, indinjatën dhe ankesën e autorit për secilën topikë. Çdo herë m’u kujtua një njeri i mençur që pat thënë: “Kush sheh padrejtësi le t’i zhbëjë me dorë, në mos me dorë, atëherë me gojë, në mos me gojë atëherë me zemër”.
Për autorin:
Erion Tufa, leu në Sohodoll, Dibër. Kreu studimet bachelor dhe master në Universitetin e Tiranës, në profilin Teori dhe kritikë letrare.
Imazhi i ballinës: Shtëpia Botuese Onufri