nyje.al | 17.09.2024
Dita e sotme ishte ajo e fundit në të cilën qyetarët mund të shprehnin opionionin e tyre për projektligjin e hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” në portalin online konsultimipublik.gov.al. Publikuar më 20 gusht, ky projektligj risolli në qendër të opinionit publik çështjen e kontestuar të importimit të mbetjeve pasi në nenin 73 të tij riformulohet ligjërisht tentativa e qeverisë për të lejuar hyrjen e plehrave nga jashtë në vendin tonë.
Aleanca Kundër Importit të Plehrave, e ngjizur në betejën kundër ndryshimeve ligjore të vitit 2011 që kishin për qëllim amendimin e ligjit në mënyrë që të ligjërohej lejimi i importimit të mbetjeve, mbajti ditën e djeshme një takim publik që sipas Lavdosh Ferrunit, bashkëthemelues, hap konsultimin e vërtetë me qytetarët. Sipas aktivistëve që kanë kundërshtuar ndër vite importin e mbetjeve, kjo tentativë e qeverisë për të rihapur lojën e hyrjes së plehrave në Shqipëri vjen kryekëput prej korrupsionit akut në të cilin gjendet shteti, i kthyer në mekanizëm të përfitimeve private.
Duke veçuar aftësinë e arrirë të pushtetit në hartimet legjislative për të nxjerrë në skenë terminologjinë politikisht korrekte e duke lënë pas perdes synimet korruptive, gazetari dhe aktivisti Gjergj Erebara u shpreh se kjo nismë është klienteliste dhe nistore për shkrimin e saj kanë qënë qëllimet për të përmbushur kërkesat e privatit. Korrupsion gjuhësor e cilëson ai këtë mveshje që i bëhet hartimit të ligjeve që prezantohen si çudi-bërese por sjellin rezultat të përkundërt me parimet mbi të cilat miratohet, duke sjellë si shembull ligjin e kontestuar për Zonat e Mbrojtura që së fundimi pësoi ndryshime dhe pse ato u kundërshtuan nga të gjithë aktorët e përfshirë në mbrojtjen e tyre.
Dhe ne jemi prap në të njëjtën situatë, kemi një ligj që titullin e ka “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili duke u parë jashtë kontekstit në të cilin gjindemi ne është një ligj i mrekullueshëm. është një ligj që synon të zgjidhë gjëra shumë konkrete. Ka disa probleme shumë të rënda teknike, të cilat ne mund ti diskutojmë në detaje por do ishte humbje kohe sepse synimi final i këtij ligji nuk është në fakt menaxhimi i mbetjeve por është lejimi i dy fabrikave të çimentos që të mund të importojnë plastikë për ti djegur në furrënaltat e tyre. Sepse plastika e importuar është më e lirë sesa gazi, apo nafta, apo solari që ata përdorin zakonisht në proceset e tyre industriale.
Dhe qeveria bën këtë gjë, bën një ligj të tërë që duket sikur ligji është për menxhimin e mbetjeve por efekti i ligjit është që të lejojë importin e plastikës mbetje për dy fabrikat e çimentove.
Teksa ky projektligj korruptiv, sipas aktivistëve, ka marrë rrugën për në Kuvend, e katërta herë pas tentativa të viteve 2004, 2011 dhe 2016, aktivisti dhe pedagogu i Departamentit të Gazetarisë Ervin Goci në fjalën e tij theksoi nevojën për të kontekstualizuar rikthimin në sipërfaqen e jetës politike çështjen e importit të plehrave. Kjo nevojë lind, sipas tij, pasiqë kemi të bëjmë me një kthesë të fortë në vullnetin politik të partisë në pushtet që në vitin 2011 inicionte peticione për të kundërshtuar hyrjen e mbetjeve në vend ndërsa tani përpiqen për së dyti për ta mundësuar atë.
Dhe pyetja është: Pse tani? Unë mendoj, tani, për dy arsye kryesore: E para punës sepse, partia në pushtet ka humbë çdo lloj dimensioni politik dhe është duke tentuar të shtrydhë para dhe me marrë, si me thënë, me marrë të mira të korrupsionit nga çdo lloj sektori, madje edhe nga plehrat.
Dhe e dyta, që për mua është një test shumë i fortë për ne, është fakti që ata mendojnë që opinionin publik e kanë lënë shakull, e kanë shkatërruar totalisht. Pra ata mendojnë që kemi ardhur në një pikë të caktuar tani, që s’ka kush reagon më.
Mbi arsyen e dytë, për ta kundërshtuar këtë dëshirë të pushtetit që e mendon të kthyer në realitet, pedagogu Goci tregoi që beson së çështja e importit të mbetjeve ka një veçanti me të tjerat kur vjen puna te reagimi publik. Ashtu siç në rastet e kaluara, ai u shpreh që tentativa e pushtetit për ta banalizuar rezistencën dhe për ta shndërruar atë në një çështje “jo aq të madhe” nuk funksionon në rastin e lejimit politik të hyrjes së plehrave në Shqipëri, për më tepër në situatën në të cilën ndodhet vendi kur shohim menaxhimin e tyre aktual.
Mirëpo ne jemi këtu për të thënë që kjo gjëja është shumë më e madhe se ç’mund të ketë qënë në 2016ën, se ç’mund të ketë qënë ndoshta edhe 10 vite më përpara.
Duke rikujtuar betejën e parë kundër importimit të plehrave në vitin 2004, përmes nismës së qeverisë Nano, aktivisti Lavdosh Ferruni u shpreh se e mban mend shumë mirë shifrën prej 70 kamionësh mbetje që donin të sillnin në Shqipëri e pastaj ti digjnin.
Në 2004 ishte ideja që do vinin plehra nga Italia, rreth 70 kamionë në ditë – e mbaj mend shumë mirë këtë shifër – dhe do të rrinin këtu për dy vjet, në Kashar. Pastaj, do të sillte Bechetti i famshëm një incenerator që do i digjte ato në Shqipëri, do investonte. Këtë investimin e inceneratorëve tani qytetarët e kanë shumë të qartë, sesi është muhabeti i inceneratorëve. Ato janë mbetje në vetvete, për mendimin tim, mbetje të rrezikshme.
Për Ferrunin, kjo tentativë për rikthimin e ndryshimeve në legjislacion shkatërron edhe atë perspektivë te vetme që kemi për zhvillim të qëndrueshëm përmes mjedisit. AKIP dhe të gjithë qyetarët do të jenë përballë Kuvendit për ta kundërshtuar shpjegoi ai dhe i kërkoi kreut të qeverisë Rama të tërhiqet nga projektligji.
Shtimi i plehrave nga vendet e tjera është katastrofik, ëshë fatal. Ne e kemi këtë bindje si aktivistë, por ne jemi të bindur se kjo bindje është gjithëpërfshirëse, e ka gjithë shoqëria. Prandaj jemi këtu, që ti çojmë një mesazh qeverisë sot, që të mos e kalojë në parlament dhe ta miratojë ligjin se do të ketë në mënyrë të pakundërshtueshme një reagim të fuqishëm për të ndaluar këtë import të mbetjeve. Do na ketë aty, me protesta shumë më të mëdha.