Parlamenti tetë minutësh përlan zonat e mbrojtura dhe ratifikon marrëveshjen Rama-Meloni

nyje.al | 22.02.2024

Në seancën plenare të ditës së sotme që zgjati më pak se tetë minuta, deputetët e mazhorancës miratuan ndryshimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura” dhe ratifikimin e protokollit mes Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e krizës së refugjatëve. Të dy vendimet kanë hasur kundërshti nga grupet e interesit që në prezantimin e tyre dhe sot deputetët u pritën me protestë dhe aksione simbolike nga aktivistët dhe qytetarët. 

Në njërën prej hyrjeve të Kuvendit, aktivistet Arilda Lleshi dhe Kristina Millona shpërndanë kartonë të kuq për deputetët, kartonë mbi të cilët shkruheshin arsyet pse marrëveshja për refugjatët nuk duhej ratifikuar. 

Në hyrjen kryesore u mbajt protesta e thirrur nga organizatat në mbrojtje të mjedisit, ku përmes pankartave dhe fjalëve pjesëmarrësit bënë thirrje për heqjen dorë nga projektligji për ndryshimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura” pasi kjo do të sillte shkatërrim të pariparueshëm. 

Kampet e refugjatëve do të monitorohen

“Fatkeqësisht pavarësisht përpjekjeve që ne patëm si aktivistë për ta ndaluar kalimin e një marrëveshjeje të tillë që është jo vetëm anti-kushtetuese në rang kombëtar por edhe në rang ndërkombëtar, shkel të drejtat dhe liritë themelore për komunitetin e azil-kërkuesëve, sot, ajo marrëveshje do të marrë dritën jeshile, pra do të shkojë drejt ratifikimit edhe në parlamentin shqiptar, pasi ka marrë dritën jeshile tashmë në parlamentin italian.”  Kristina Millona – Aktiviste/Studiuese

Aktivistet e angazhuara në kundërshtimin e marrëveshjes së firmosur nga Kryeministri Rama dhe Meloni e prisnin miratimin e saj pa asnjë kundërshti në parlament. Shpërndarja e kartonëve të kuq ishte për to një akt simbolik, me vetëdijen se deputetët e pozitës nuk do të reflektonin mbi pasojat e aktit të tyre. 

Pavarësisht se përpjekjet e grupit të angazhuar në këtë çështje janë hedhur poshtë nga institucionet në vend, Kristina Millona u shpreh se kolektivi i krijuar do të vazhdojë punën, tashmë atë monitoruese për kampet e refugjatëve që do të ndërtohen në Gjadër dhe Shëngjin.

“Sigurisht, është një aksion simbolik sepse e dimë, e parashikojmë ratifikimin e marrëveshjes… Por, gjithsesi rezistenca nuk do ndalet këtu. Ne do të përpiqemi të krijojmë një grup aktivistësh, grupe pune që do të vendosen pranë këtyre qendrave për të monitoruar situatën brenda kampeve.”

Dëshmi e punës së munguar të ligjvënësve shqiptarë me qytetarët që përfaqësojnë apo ngritja e problematikave të tyre në Kuvend është mos-njohja e tyre as nga qytetarët e angazhuar tregojnë aktivistet. Përpos ministrave dhe atyre që dalin në televizione, për aktivistet ishte i vështirë identifikimi i tyre, në mënyrë që edhe t’ua jepnin kartonin e kuq të marrëveshjes për refugjatët.

“Mendoj se është një tregues, flet shumë edhe kjo mungesa e njohjes që kemi për disa deputetë, sepse nuk janë shumë të zëshëm. Për sa i përket rrjeteve sociale, e kanë mjaft të kuruar profilin e tyre por mendoj që duhet të ishin pak më të zëshëm, dhe të kontribuonin më shumë në seancat parlamentare, për më tepër për një marrëveshje të tillë të një rëndësie kombëtare por edhe ndërkombëtare.”

Duke iu bashkuar protestës kundër miratimit të ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, Kristina dhe Arilda ndërtuan edhe “tabelën e fajtorëve” për të gjitha vendimet që në mënyrë të drejtëpërdrejtë a jo, po shkatërrojnë vendin. 

Zonat e mbrojtura nxirren zbuluar për oligarkët

Vetëm 110 sekonda u deshën për zhbërjen e zonave të mbrojtura dhe kthimin e tyre në kantiere ndërtimi për investitorët strategjikë. Tashmë zonat e mbrojtura e humbasin statusin në disa pjesë të tyre me një firmë nga Kryeministri Rama, si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit. 

Aktivistët u shprehën se ndryshimet e trumbetuara si përgjigje ndaj kërkesave që vinin nga banorët dhe qeveria lokale nuk do të sjellin zhvillim por shkatërrim të pasurive tona natyrore. Sipas studiuesit Aleksandër Trajçe dhe drejtuesit të një prej organizatave mjedisore më të zëshme kundër ndryshimit të ligjit PPNEA këto ndryshime i hapin rrugë investitorëve të preferuar të pushtetit, të cilët do t’i kthejnë këto zona në mundësi përfitimi personale dhe do t’i shndërrojnë ato në hapësira ekskluzive. 

Na thonë se ky ligj duhet se duhet të mendojmë për zhvillimin. Na thonë se ky ligj duhet se zonat e mbrojtura i ndalojnë komunitetet të jetojnë mirë, të jetojnë të begatë dhe të zhvillohen. Të gjitha këto janë gënjeshtra, janë gënjeshtra që tashmë i kemi kuptuar mirë.  Ky ligj ka një dhe vetëm një qëllim, të marri kontrollin e zonave të mbrojtura dhe për t’ua dhënë atyre bizneseve të paracaktuara. Zhvillimi për kë do të jetë? A ka ndonjë nga ju sot që mund të shkojë të bëjë plazh në atë cop deti ku është ndërtuar Green Coast-i? As 1% e juaja nuk mund të shkojnë aty, as 1% e juaja nuk do munden të shkojnë në Divjakë nëse projektet famqëkeqe që dolën, dhe që ishin arsye e vetme për ndryshimin e këtij ligji, do të zbatohen. 

Ndër protestues pati edhe nga ata që akuzuan qeverinë si vegël të oligarkëve, që vendimet e saj lindin prej tyre dhe miratohen për ta. Edhe projektligji i miratuar sot për ndryshimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura”, u shpreh një prej protestuesve, është një projektligj që është hartuar prej oligarkëve dhe do të jetë në shërbim të Zamir Manes, Shefqet Kastratit dhe Gjergj Lucës.

Ky ligj famëkeq që është prezantuar në Divjakë nga Kryeministri Rama dhe ka përdorur 12 deputetë anonimë, ëhtë një ligj i inicuar nga ata që ne i quajmë oligarkë. Dhe që ne nuk duhet të kemi frikë t’ua themi emrin troç. E di që shumica e mediave kanë frikë t’ua përmendin emrin, Voldermortëve ashtu siç i quaj, Zamir Manes, Qet Kastrati që po merr Karavastanë, që po merr aeroportin e Vlorës, Zamiri që ka marrë gjithë jugun apo Gjergj Luca. Këta njerëz bëjnë projekt-ligje, i çojnë te Engjëll Agaçi, i çojnë te Kryeministri dhe vijnë në Parlament. Përdorin 12 deputetë anonimë për t’i kaluar e për të shkatërruar pronat publike, për të shkatërruar pjesën jeshile, për të shkatërruar edhe pjesën historike, kulturore dhe mjedisore. Modeli i Tiranës, i betonit, i shkatërrimit të së gjelbrës, nuk duhet të ndiqet nga gjithë Shqipëria. Përkundrazi është modeli më i gabuar që mund të ndjekin.

Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë drejtoi një pyetje për 12 deputetët socialistë, hartues të projekt-ligjit për zonat e mbrojtura. Deputetë që sipas tij kanë pranuar të kthehen në vegël të të fortëve politikë dhe ekonomik. 

“Një pyetje…Ore një pyetje kisha unë për këta. Se po t’i shohësh këta janë deputet të Lezhës, janë deputetë të Shkodrës, janë deputetë të Beratit, të Vlorës. Si ka mundësi?! 

Si ka mundësi… që këta që supozohet të jenë përfaqësues të qytetarëve më të varfër të Republikës, kanë folur 0 sekonda. Nuk flasin për qytetet që po shpopullohen, nuk flasin për shkollat që po mbeten pa fëmijë, nuk flasin për papunësinë, nuk flasin për pensionet, nuk flasin për asgjë, por zgjedhin të bëhen sekserë të oligarkëve, të parasë së pisët dhe të kriminelëve të zonave për ta betonizu çdo pjesë të gjelbër të Shqipërisë.”

Zonat e mbrojtura nuk duhet të quhen më të tilla sipas protestuesëve pasiqë me ndryshimet e sotme, vetëm mbrojtje nuk siguron ligji “Për zonat e mbrojtura”. Thirrje kishte edhe për deputetët në dalje të Kuvendit pas seancës, ku protestuesit i akuzuan ata si hipokritë dhe shkatërrues të vendit. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje