Cirk te Këshilli Bashkiak

Ronald Qema | 23.09.2023 | nyje.al

“Media dhe kushdo do të marrë pjesë sa herë të jetë e interesuar në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak.” – tha kryetari i Këshillit Bashkiak Kamëz, Hysen Koldashi në dyert e Bashkisë e më tej hyri në mbledhjen, në të cilën nuk u lejuan gazetarët. Në mbledhjen e muajit shtator është dëgjuar ish-kryetarja e këtij këshilli të thotë që Rakipi gjithmonë i ka lejuar mediat në punimet e këtij këshilli. A thua nuk është Rakip Suli, kryetari i Bashkisë Kamëz, ai që doli nga zyra më 21 korrik dhe iu drejtua medias me “më do qefi mua” që ju të mos ndiqni mbledhjen e Këshillit Bashkiak. 

Ky organ kolegjial, i cili teksa nuk është transparent, shkel ligjet dhe Kushtetutën, shpërfaq qartazi animin e tij për nga interesat e Sulit dhe Partisë Socialiste, si dhe paralajmëron shkelje, parregullsi dhe vendime të njëanshme në dëm të qytetit dhe qytetarëve. 

Pse ky cirk?

Hera e fundit që nyje.al e ka pasur mundësinë të ndjekë punimet e Këshillit Bashkiak është mbledhja e datës 20 korrik 2022. Në këtë mbledhje u diskutua për projekt-vendimin e marrjes me qera të disa automjeteve për administratorët lokal me një shifër prej 22 milionë lekësh, shifër e cila u kundërshtua nga një prej këshilltarëve. Diskutimi u mbyll shumë shpejt dhe vendimi u mor në mbledhjen e rradhës, pa praninë e medias.

Pa praninë e medias janë marrë të gjitha vendimet e Këshillit, i cili nuk njoftonte mbajtjen e mbledhjeve, deri në momentin që Bashkisë Kamëz me vendim gjykate iu kërkua që të bëheshin publike, proces gjyqësor që ky institucion humbi pas padisë së grupit të aktivistëve të Kamzës, Ata. 

Një ndër këto vendime që lidhet direkt me mirëqënien e banorëve të qytetit, me heqjen e mundësisë për strehim, është heqja e detyrimit të ndërtuesve për të dhuruar 3% të sipërfaqes së investimit për strehim social. Këshilltarët e opozitës, pas daljes nga mbledhja e datës 20 shtator, u shprehën se donin ta rikthenin për diskutim këtë vendim të marrë dhe ta shfuqizonin atë por kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë nga Partia Socialiste.

Gjithashtu, këshilltari Faik Basha u shpreh se për projekt-vendimet, ata ishin njoftuar vetëm një ditë para mbledhjes dhe socialistët kërkonin miratimin e tyre pa konsultimin publik dhe pa diskutuar mbi to në Komisonet respektive të këtij Këshilli. 

“Ky Këshill kërkon të nxjerrë vendime mbi ligjet, është një këshill që nuk funksionon mbi bazën e ligjit. Sekretari i këshillit është i paemëruar, i pa votuar nga këshilli. Këtu nuk funksionon asgjë, kryetari i Këshillit sillet në mënyrë harbute, me një gjuhë që nuk është normale të përdoret me këshilltarët. Këtu nuk lejohen këshilltarët të japin mendime, nuk lejohen këshilltarët të flasin për projekt-vendimet. Pra, është një Këshill i cili kërkon të marri vendime në heshtje, vendime që nuk i vihen në dispozicion këshilltarëve apo qytetarëve të Kamzës, vendime që hartohen për të vjedhur taksat e banorëve të Kamzës.”

Këshilltari Basha u shpreh se për të gjitha këto shkeljet të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, ata kanë dorëzuar një padi në SPAK. 

Kush e pengon dhe si, median?

Që në mbledhjen që konstituonte Këshillin Bashkiak aktual, mediat u lanë të prisnin dhe iu mohua pjesëmarrja në punimet e saj. Të pranishëm, punonjës të medias nuk u lejuan të hynë në mbledhjen  e parë të Këshillit Bashkiak dhe u njoftuan për një urdhër që i lejonte ata të hynin vetëm në momentin e betimit të Kryetarit, në ora 11:00. Këtë urdhër e lajmëroi sekretarja e Kryetarit të Bashkisë, krejtësisht jashtë kompetencave të saj, si një urdhër që vjen nga lart, afërmendsh nga Kryetari, që edhe ai jashtë kompetencave përcakton mbarëvajtjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. 

Në mbledhjen e korrikut, teksa pritej të niste mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz, nyje.al nuk u lejua të hynte dhe të ndiqte punimet e saj. Në komunikimin e parë, sekretarja e Sulit na njoftoi që në mbledhjen e sotme nuk mund të merrnim pjesë dhe na lajmëroi: “Hajde herën tjetër.” 

Herën tjetër, më 21 gusht, edhe pse u deklarua nga kryetari Koldashi, u ripërsërit pengimi. Media nuk lejohet të marrë pjesë me asnjë kusht brenda mbledhjes së këshillit. Jashtë mbetën për disa minuta edhe katër anëtarë të këshillit që nuk pranuan të hynin në mbledhje pa praninë e medias. Këshilltari Alfred Halilaj u shpreh se Bashkia vazhdon të trajtohet si një pronë private e kryetarit të saj, Rakip Suli dhe jo si një institucion publik që duhet t’u japë llogari qyetarëve.

Ditë më parë, në mbledhjen e shtatorit, në nisje të saj një nga punonjëset që punon në sektorin e Informacionit u shfaq duke na lajmëruar që duhet të bënim një kërkesë për të marrë pjesë. 

“Duhet të bësh një kërkesë, drejtuar tërë anëtarëve të Këshillit që t’i të marrësh autorizimin (për të hyrë brenda).”

Pas kundërshtisë tonë dhe njoftimit që as Kushtetuta e asnjë ligj nuk e sanksionon kështu ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, ajo njoftoi që do pyeste dhe do na lajmëronte.

Kë pyet një nënpunëse e administratës për lejimin e ushtrimit të së drejtës së medias dhe lirisë së qytetarit të angazhuar për të marrë pjesë lirisht në mbledhjet e këshillit? 

Duke njohur atë institucion, Kryetarin Suli. Përgjigja e tij për pengimin e ushtrimit të kësaj të drejte është tashmë publike: “Se më do mu qefi”.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje