Europa shtrin kolonitë e saj penale në Shqipëri
Në Gjadër, fshati i vogël në veriperëndim të vendit, nën diellin përcëllues të korrikut, rrugët janë të zbrazura. Me rëndësi strategjike përgjatë periudhës komuniste, fshati i bënte vend bazës më të rëndësishme ushtarake në rajon. Në atë periudhë, qielli gumëzhinte nga zhurma e avionëve në ulje teksa i drejtoheshin hangarëve të mëdhenj nëntokësorë të ndërlidhur përmes një rrjeti tunelesh. Pas rënies së komunizmit, baza u braktis dhe fshati u zbraz gradualisht për shkak të migrimit masiv. Sot kanë mbetur vetëm pak familje, shumë prej të cilave janë ende të lidhura ngushtë me kujtimet e jetës së dikurshme në Gjadër. Në njërin nga tre lokalet e vetme përgjatë rrugës kryesore të fshatit, takuam Jetmirin*, një i ri shqiptar i deportuar së fundmi nga Franca. “Më kthyen në Shqipëri para dhjetë ditësh,” na tregon teksa rrufit birrën. Si shumë të rinj të tjerë nga ky fshat i vogël, Jetmiri u largua nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Mirëpo, ëndrra e tij u ndërpre kur policia franceze e kapi pa dokumente.

