Banorët e Laknasit riorganizohen: Nuk do të lejojmë askënd të na prekë pyllin!

29.06.2020 | nyje.al 

Mbledhje e banorëve të Laknasit, 28.06.2020. Foto nyje.al
Mbledhje e banorëve të Laknasit, 28.06.2020. Foto nyje.al

Banorët e Laknasit vazhdojnë të palodhur të mbrojnë të vetmen hapësirë të gjelbër të zonës ku jetojnë, të quajtur “Plepat e Brukës”. Përplasja mes banorëve dhe shoqërisë “BioProduct” shpk, me pronar Bledar Dacin daton që prej vitit 2019. Pas shumë protestave, përballjeve fizike dhe hetimeve penale, sot banorët janë në gjykatë administrative të shkallës së parë dhe në Apel për ta mbrojtur zonën nga transformimi i saj në thertore.
“Plepat e Brukës” është një zonë pyjore, mbjellur dhe përkujdesur nga banorët e lagjes prej shumë vitesh. Ndodhet në zonën e Laknasit, nëpër të cilën kalon mes për mes lumi i Tiranës. Edhe pse zonë pyjore, Bashkia e Kamzës, në atë kohë me kryetar Xhelal Mziun ia ka ndryshuar klasifikimin duke e kthyer në zallishte, për të lehtësuar kalimin me qera ndaj një kompanie private.
Kjo lagje me mbi 400 banorë është njoftuar vetëm në shkurt të vitit 2019, një muaj pas nënshkrimit të kontratës së qerasë mes Bledar Dacit dh ish-kryetarit Xhelal Mziut, që pylli “Plepat e Brukës”  do të shndërrohet në një biznes privat me aktivitet stabiliment therjeje, lokal dhe mbarështim derrash.
Kontrata e qerasë, e lidhur mes bashkisë Kamëz dhe shoqërisë “Bioproduct” shpk mban datën 24 janar 2019. Sipas saj, kjo zonë do të jepej me qera për një periudhë 20 – vjeçare, në një hapësirë prej 12.400m2 në vlerën prej 110,000,000 lekësh. Qëllimi i përdorimit sipas kësaj kontrate do të ishte: “…dhënia në gëzim të përkohshëm (20 vjet) të objektit… për ngritjen e ambienteve në agroturizëm për ofrim ushqimi, ngritje ambjentesh për argëtim në fermë dhe ngritje ambjentesh në agroturizëm dhe turizmin rural për fermën, kompleks blegtoral dhe stabiliment therje, që do t’i shërbejë komunitetit të Bashkisë Kamëz.”
Protesta e tetorit 2019 solli përplasje të mëdha mes policisë dhe banorëve të zonës, të cilët arritën të mos lejonin fillimin e punimeve në pyll. Pas kësaj proteste banorët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për të siguruar padinë, për të ndaluar fillimin e punimeve dhe për të konstatuar pavlefshmërinë absolute të akteve shtetërore.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë është shprehur në favor të banorëve duke pezulluar fillimin e punimeve nga firma private dhe ndërkohë po shqyrton ligjshmërinë e tre akteve. Vendimi 08 me Nr.identifikimi 123, nr.902 prot., datë 13.02.2019 “Vendim për VNM Paraprake” i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Drejtoria e Vlerësimit Mjedisor në favor të shoqërisë “Bioprodukt” sh.p.k; leja zhvillimore nr.801, datë 02.05.2019  dhe vendimi për lejimin e ndërtimit me nr.932 datë 27.06.2019 të lëshuara nga Bashkia Kamëz– këto janë aktet të cilat janë goditur për pavlefshmëri absolute për shkak se përfaqësuesi ligjor i tyre, Av. Atmir Mani pretendon se janë marrë pa një procedurë të rregullt ligjore.
“Mungon konfirmimi nga basenet ujore, për shkak se kemi një lumë në zonën ku pretendohet të ngrihet kompleksi i fermës dhe thertores. Nuk është marrë parasysh as ligji për burimet ujore dhe as ai për ndërtimin e thertoreve.” – shton ndër të tjera avokati Mani.
Ndërkohë pala e paditur shoqëria “Bioproducts” shpk dhe Avokatura e Shtetit pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit kundër vendimit në favor të banorëve, me pretendimin se paditësit nuk kanë interes legjitim mbi zonën në fjalë. Nisur nga kjo, banorët e Laknasit, ditën e djeshme kanë organizuar një takim mes tyre, ekspertëve të mjedisit, avokatëve mbrojtës dhe medias me qëllim që të bëjnë sërisht thirrje për ndalimin e fillimit të ndërtimit të biznesit privat.

Mbledhje e banorëve të Laknasit, 28.06.2020. Foto nyje.al
Mbledhje e banorëve të Laknasit, 28.06.2020. Foto nyje.al

Një nga banorët e pranishëm, me inicialet B.B gjatë diskutimit shprehet se lagjia është e kahershme dhe ata janë të lidhur ngushtë me vendin e tyre. Ndër të tjera, ai shton me shqetësim:  “Ne jemi kundër ndërtimit të këtij kompleksi sepse ky vend do të kthehet në një vatër infeksioni. Kjo është arteria jonë, pa të nuk marrim dot frymë. Neve na ka dhënë të drejtë edhe Gjykata, ndaj shpresojmë se ato do të vazhdojnë të jenë në anë të së drejtës.”
Ndër të tjerë, banorja me inicialet F. Gj. shprehet se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që të presin pyllin dhe të krijojnë një thertore. “Ai e ka vjedh, ai se ka marrë. Ai e ka vjedhë! Ai nuk mund të vijë e të lumturohet këtu në tokën tonë. Ne nuk do t’ia lajmë, ne do të hyjmë me zor. Nuk e lamë të lumturohet e të vë pasuni, veç se ka çu ca thasë me pare anej. Unë rri tek bishti i lopës. Unë kam punu 40 vjet mjelëse. Bidanat e mi shtrihen këtu e në Dajt me një pension qesharak. Prandaj, u lutna shumë që ai mos të preki këtu! Këtu a’ lumi i vdekjes, ka gjitha mikrobet.”
Edhe pse të gjithë banorët shprehen me besim se gjykata sërisht do ua njohë të drejtën e tyre, banorja me inicialet D.T është shprehur se edhe nëse shteti nuk do na mbrojë, ata do të vetëmbrohen. “Kjo nuk është për interes personal, nuk është për arsye pasurie, këtu bëhet fjalë për ajrin, ujin dhe ambjentin e të gjithëve. Ndaj ne nuk do ta lejojmë kurrsesi. Lodhen kot.”
Për rëndësinë mjedisore të këtij pylli shprehet dhe eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni i cili thekson se pasoja e parë kryesore është ndotja e ajrit. Sipas tij, ndotja do të jetë permanente, pasi lumi sjell ujërat e zeza dhe shkarkime të tjera të dëmshme për banorët. Gjatë bisedës me banorët ai argumenton se kjo rrjedhë e Lumit të Tiranës, së bashku me Lumin Ishëm, që derdhen në Adritatik janë ndër dy lumenjtë më të ndotur në Shqipëri. Së dyti, sipa tij zhdukja e pyllit do të sillte ndotje të ujërave nëntokësorë. “Sistemi i thellë rrënjor i pyllit bën që të filtrohen ujërat e ndotura në drejtim të puseve të shtëpiave që janë shumë afër me lumin. Nëse pylli do të pritet, puset do të ndoten dhe kjo do të shoqërohej me pasoja të parikuperueshme. Nga ana tjetër ka vlerë rekreative për të moshuarit dhe të rinjtë, sidomos në kohë të tilla ku pritet të përkeqësohet situata e ngrohjes globale, është e rëndësishme që të mos preket këtë hapësirë.” – shprehet eksperti.
Rivlerësimi i marrëdhënies me natyrën dhe kafshët, rritja e kujdesit të treguar ndaj zonave pyjore dhe dosmosdoshmëria për të krijuar dhe për t’u përkujdesur për hapësira rekreative, tashmë po merr rëndësi të veçantë, për shkak edhe të situatës së krijuar post-covid-19. Si asnjëherë më parë nuk është ndjerë nevoja për të pasur hapësira të gjelbra për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët.
Në Kamëz nuk ka politika institucionale mjedisore që mbrojnë apo zotohen që do të krijojnë parqe natyrore. Por përkundrazi, e shpesh të akuzuar për paligjshmëri bashkia Kamëz ka tentuar të shkatërrojë hapësira të ndërtuara nga publiku për publiken me qëllim përftimin personal të një grushti individësh. Secila shtëpi në Kamëz është kujdesur më së miri për gjelbërimin brenda mureve të avllisë, ndaj dhe rasti i Laknasit, ku banorët kanë krijuar një oaz për mbi 400 banorë është rast përjashtimor. Ndaj, të vetëdijshëm për vlerat e pyllit, përveç banorëve kjo çështje ka fituar shumë mbështetës të cilët janë shprehur se do ta mbrojnë në të gjitha mënyrat.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje