100 ditë, Rama nën rrethim

Imazhi: Antonio Muco

nyje.al | 07.09.2025

Sot bëhen 100 ditë që kur nisi protesta, ose më mirë të thuhet lëvizja, mbarëkombëtare për rrëzimin e qeverisë Rama dhe ndërtimin e një Shqipërie të re dhe demokratike: një Shqipëri ku pasuritë e përbashkëta natyrore mbrohen, ashtu siç mbrohen edhe qytetarët nga dhuna e grabitjeve dhe shpronësimeve oligarkike. Goditja dhe tërheqja zvarrë e një protestuesi me datë 30 maj nga punonjësit e maskuar të një kompanie sigurie (sipas të gjitha indicieve e lidhur me Kastrati Group) në Zvërnec indinjuan mbarë shoqërinë dhe e shndërruan një protestë në jugperëndimin e Shqipërisë në atë që tani po quhet Revolucioni Flamingo. 

Që në vitin 2024, Jared Kushner kishte deklaruar për Bloomberg se kishte plane investimesh në bregdetin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit të lindura prej vizitës së tij të parë në zonë në 2021. Përpos projektit në Shqipëri, Kushner pati planifikuar po ashtu edhe rikonstruksionin e godinave qëndrore të ministrisë së brendshme të Jugosllavisë në Beograd, mirëpo për shkak të hetimeve të nisura ndaj zyrtarëve përgjegjës për prokurimin pas protestave kundër projektit, Kushner u tërhoq. Ndërkohë, projekti tjetër famëkeq i tij është ai i lidhur me spastrimin etnik të Gazës përmes gjenocidit dhe kthimit të asaj hapësire në një zonë zhvillimi pasurish të patundshme resortesh turistike. Qeveria shqiptare i mbështet të dyja këto projekte, si atë në Sazan ashtu edhe atë në Gaza përmes mbështetjes për Bordin e Paqes për administrimin e Gazës. Edhe për këtë të fundit nuk kanë munguar protestat e shumta në Shqipëri kundër mbështetjes së qeverisë shqiptare për gjenocidin e Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza. 

Pak para se Presidenti Trump të fitonte zgjedhjet e fundit, qeveria Rama i dha kompanisë së lidhur me dhëndrin e tij, Kushner, statusin ligjor të investitorit strategjik me të gjithë privilegjet shtetërore që i akordohen këtij statusi. Qeveria madje ndryshoi edhe ligjin për portet turistike në prill të këtij viti për ta përjashtuar investitorin strategjik nga detyrimi për të garuar në koncesion për ndërtimin e porteve pranë resorteve. Plani fillestar i kompanisë ishte i ndarë në një investim strategjik në ishullin e Sazanit dhe në një investim tjetër në bregdetin e zonës së Zvërnecit. Me 21-22 janar të këtij viti zona u vizitua nga Ivanka Trump, vajza e Presidentit të SHBA-ve, e shoqëruar nga arkitektë dhe biznesmenë vendas dhe të huaj. Zonja Trump takoi po ashtu kryeministrin Rama, teksa asnjë nga banorët e zonës nuk mori pjesë në takime. 

Menjëherë pas vizitës së saj, me 31 janar, një grup aktivistësh organizuan një aksion kreativ për të tërhequr vëmendje e për të denoncuar grabitjen e një zonë publike e të mbrojtur. Nga perspektiva e sotme, një shkrim i muajit shkurt i Brunela Mërtirit – poete e re dhe banore e Zvërnecit, e njohur për fjalimin e guximshëm nga protesta në Zvërnec me 16 maj – tingëllon profetik për vendosmërinë që shprehte në kundërshtimin e këtij projekti. Me datë 30 prill, aktivisti dhe eksperti mjedisor, Taulant Bino, teksa ndodhej në Zvërnec, dalloi që persona në zonë po rrethonin zonën me tela dhe po fusnin e nxirrnin kamionë me inerte. Kompania kishte nisur punën pa leje të zbardhur, duke i detyruar agjensitë lokale të pezullonin ndërtimin deri sa institucionet qendrore të konfirmonin lejen për punimet. Kryeministri deklaroi se rrethimi me tela dhe kamionë po bëhej që studiuesit të përgatisnin vlerësimin e ndikimit në mjedis të projektit eventual. Në gusht, i pari i qeverisë do t’i ndryshonte deklaratat varësisht gazetarit që e pyeste dhe do të deklaronte se rruga ishte hapur për t’u lehtësuar banorëve qasjen në plazhet e Zvërnecit. 

Përgjatë muajit maj, ambientalistët dhe aktivistët filluan të publikonin video të ndërhyrjeve me mjete të rënda dhe të denonconin mungesën e transparencës dhe konsultimit të banorët. Në mungesë të reagimeve institucionale për ndërtimet pa leje në zonë, në datat 16, 23 dhe 30 maj organizuan protesta në Zvërnec. Të shqetësuar nga reagime të tilla që tërhiqnin vëmendjen për ndërhyrjet e paligjshme në zonë, përfaqësues të grupit Kastrati dhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës takuan një pjesës të komunitetit të zonës duke u kërkuar të hiqnin dorë nga çdo përpjekje për nisma ligjore kolektive dhe duke i kërcënuar në rast se merrnin pjesë në protesta. Mirëpo, prej datës 31 maj, protesta u zhvendos në Tiranë dhe nuk ka ndaluar prej asaj dite. 

Efektet e protestës ishin menjëherë të dukshme. Mbështetja popullore për të u bë masive duke pezulluar funksionimin normal të kryqytetit nga pasditja deri në orët e para pas mesnate. Në oraret e protestës, shumë biznese të vogla mbyllën dyert duke vendosur njoftimin “jemi në protestë”. Të tjerë, mbështetën me ushqim dhe pije protestuesit përgjatë marshimit. Shumica e lokaleve dhe dyqaneve të hapura e mbajtën televizorin në kanalet që transmetonin drejtpërdrejt protestën. Ata qytetarë të ngelur në trafik për shkak të protestës jo vetëm që nuk u konfliktuan me protestuesit, por ndaluan makinat dhe i mbështesnin përmes borive. Një pjesë e dyqaneve të bojërave filluan të jepnin falas printime, gëlqere, spray rozë dhe materiale të tjera të nevojshme sapo merrnin vesh që ato do të përdoreshin për grafitet e revolucionit. 

Puna e gazetarëve doli të jetë shumë e rëndësishme. Investigimet nxorën në pah sesi kompania pas projektit të ndërtimeve në Zvërnec është pjesë e një zinxhiri kompanish guackë të lidhura me projektin e Sazanit, dy miliarderë nga Katari, një biznesmen shqiptar i akuzuar për lidhje me mafian ndërkombëtare, një ish-gjyqtar i përjashtuar nga sistemi gjyqësor për prona të pajustifikuara, një biznesmen i vrarë dhe një ndër oligarkët më të mëdhenj vendas, Kastrati. Po ashtu, investigimet e gazetarëve të caktuar kanë qenë kyçe ndër vite për të shpërfaqur se si ligji për investimet strategjike ka mbështetur grabitjen e pronave publike dhe private nga oligarkë vendas dhe të huaj në bashkëpunim me krimin e organizuar. Një pjesë e konsiderueshme e investitorëve strategjikë – të shtrirë thuajse në të gjithë territorin bregdetar nga Shkodra, në Dhërmi dhe Butrint – janë nën hetime si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale që falsifikojnë dokumente, tjetërsojnë prona dhe pastrojnë para përmes projekteve të tilla.

Këto projekte problematike janë të mbështetura politikisht nga strategjia makroekonomike e qeverisë Rama për prioritizimin e turizmit elitar. Me mbështetje të tillë politike, persona të lidhur me krimin ndërkombëtar të drogës dhe oligarkinë vendase arrijnë të bindin, diku me hir e diku me pahir, fshatarët të hyjnë në bashkëpunim me ta. Fshatarëve u garantohet se vetëm persona të tillë mund t’ua sigurojnë nxjerrjen e dokumenteve të pronësisë të mbetura në zyra shtetërore dhe gjykata ndër dekada me kushtin që t’ua shesin atyre sapo t’u njihet pronësia. Ndërlidhja e grupeve kriminale me tjetërsimin e tokave është aq e fortë në bregdet sa në 10 vitet e fundit më shumë se 20 drejtorë të zyrave të hipotekës në Bashkinë e Vlorës kanë dhënë dorëheqjen nga presioni i grupeve kriminale. Ndërkohë, ndërtimet fillojnë pa patur nevojë për kapitalin e domosdoshëm për ndërtimin e projektit, pasi apartamentet dhe hapësirat komerciale fillojnë e shiten para ndërtimit duke u blerë në një pjesë dërrmuese si mekanizëm për pastrimin e parave të drogës ndërkombëtare. Duhet përmendur se bankat i mbështesin projekte të tilla gjerësisht përmes kredidhënies duke u garantuar likuiditetin. 

Teksa mediat kombëtare si Klan dhe Top Channel, njëkohësisht përfituese të statusit të investitorit strategjik për biznese të lidhura me to, e kanë heshtur ose sulmuar protestën, gazetarë dhe media të tjera, sidomos ato alternative, kanë dhënë një kontribut të vyer në dokumentimin dhe publikimin jo vetëm të protestës në tërësi, por sidomos të elementeve të shumta përbrenda saj: aksioneve, intervista, reportazheve dhe zhvillimeve përbrenda protestës dhe të lidhura me to. Po ashtu, mbulimi i mediave ndërkombëtare, për shkak të përfshirjes së dhëndrit të presidentit të Shteteve të Bashkuara në projekt, i ka bërë jehonë mbarëbotërore protestës, duke e bërë kryeministrin Rama për herë të parë të përballej me kuadër mediatik ndërkombëtar kritik e jo simpatik ndaj tij. Për 13 vite kryeministri e ka patur prioritet kyç investimin në imazhin e tij jashtë vendit. Madje, edhe përgjatë protestave, ka qenë duke realizuar ekspozita artistike në Europë. Për ta thënë me Majakovskin sipas përkthimit të Agron Tufës, për herë të parë imazhin e tij që ëndërronte në trurin e butë të perëndimit si lakeu i dhjamur mbi kanapenë me zdral, protesta e talli dhe e shkërmoqi me zhelen e përgjakur të zemrës. Dhe kryeministri doli ashtu siç e njohim e siç është: një autokrat i vocërr i cili është gati të bëjë çdo kompromis të mundshëm me shitje e grabitje territori për të mbetur në pushtet.  

Si rezultat i qëndrueshmërisë së protestave, edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime për tjetërsimin e pronave, përfshirjen e krimit të organizuar, falsikimit të dokumenteve dhe pastrimit të parave në projektin e Zvërnecit. Pagesa prej 128 milionë euro për blerjen e tokës ku do të realizohet investimi është sekuestruar nga prokuroria. Prokuroria ka bërë të ditur po ashtu edhe nisjen e hetimeve për një pjesë të konsiderueshme të ndërtuesve dhe grupeve kriminale të përfshira në tjetërsime pronash, ndërtime resortesh dhe kullash. Një ndër to është edhe operacioni më i madh i pastrimit të parave që po hetohet në Shqipëri, i cili heton lidhjen mes biznesit të ndërtimit të kullave në Tiranë, oligarkëve kryesore të vendit, dhe pastrimit të parave të grupeve kriminale shqiptare që operojnë në Europë dhe Amerikë Latine. Pronari i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec po hetohet si pjesë e grupeve kriminale që kanë falsifikuar dokumente pronësie dhe kanë pastruar lekët e krimit të organizuar në zonën e Zvërnecit e në zona të tjera.

Përgjatë muajit qershor, protestën filluan ta mbështesnin masivisht edhe diaspora shqiptare kudo në botë. Grupe informale për organizimin e protestave të diasporës u formuan në thuajse çdo cep të botës nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, në shumicën e vendeve të BE-së, në Mbretërinë e Bashkuar e deri në Australi. Këto grupe vazhdojnë të organizojnë protesta periodike në mbështetje të Revolucionit Flamingo në Shqipëri. Protestat u zgjeruan edhe brenda vendit duke përfshirë edhe disa nga qytetet më të mëdha të vendit, ndër to edhe vetë Vlorën. Disa komunitete lokale rurale duke parë vazhdimin e protestës ndërmorrën nisma komunitare për të hequr dhe prishur gardhet e kompanive private të cilat i kanë privuar këto zona nga uji i pishëm e ai vaditës, si dhe qasja në plazhe publike. Protestat kundër grabitjes së pronave publike e private nga oligarkë lokalë, kombëtar dhe ndërkombëtar nuk janë një fenomen i ri. Përgjatë 15 viteve të fundit, me gjasë protestat më të shpeshta dhe të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë kanë qenë protestat e komuniteteve rurale kundër privimit të tyre nga uji i lumenjve, për shkak të ndërtimit të numrit më të lartë të HEC-eve në Ballkan. 

Pjesëmarrja në protesta është masive dhe heterogjene, duke përfshirë grupime të bindjeve politike nga më të ndryshmet. Ky heterogjenitet nuk ka kaluar pa tensione dhe sulme përbrenda protestës. Sidomos përgjatë muajit gusht, një numër protestuesish me prirje konservatore kanë bërë thirrje të shumta kundër aktivistëve me bindje të majta dhe të angazhuar në protestë të cilët mbështesin çështje si të drejtat e njeriut për orientim seksual apo çlirimin e Palestinës nga gjenocidi, kolonizimi dhe aparteidi i shtetit të Izraelit. Në disa raste, këtyre pikëpamjeve u është pamundësuar edhe fjala. Me thirrjet “poshtë sorosistët” këta protestues me prirje konservatore tentojnë t’i bëjnë pjesë të një ombrelle komplotiste të pandehur të gjithë ata aktivistë të cilët janë angazhuar për çështje të cilat kërkojnë më shumë sesa vetëm dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Me gjithë këto tensione të brendshme, gjithsesi protesta vazhdon të mbetet e hapur dhe ende jo e kanalizuar në një linjë të vetme ideologjike. Ajo që vihet re është pjesëmarrja masive e vajzave, grave dhe fëmijëve. Madje në bulevardin ku zhvillohet protesta vazhdon dhe mirëmbahet me shumë përkushtim e kujdes zona e madhe për fëmijët ku prindërit mund t’i lënë ata aty të sigurt të luajnë, shkruajnë parulla e të qëndrojnë njëkohësisht me ta në protestë. Edhe mjetet protestuese kanë qenë të shumta duke përfshirë, protestën e përditshme, tribunën e fjalimeve, shkrime të mëdha në bulevard, grafiti dhe postera nëpër mure qytetesh, banderola të hapura nëpër godina, projektime të mëdha, këngë e instalacione artistike, fushata online bojkotimi të bizneseve të lidhura me qeverinë, nisma për referendume për shfuzimin e ligjit 21/2024, hedhja e vezëve ndaj deputetëve, rrethimi i Kryeministrisë, nisma profesionistësh për të ofruar alternativa qeverisjeje për sektorë të ndryshëm, e shumë aksione të tjera. 

Organizatat e shumta mjedisore dhe ato që merren me territorin e planifikimin urban kanë bojkotuar proceset konsultuese ligjore të qeverisë deri sa ajo të tërheqë projektet dhe ligjet që mundësojnë shkatërrimin e natyrës. 96 organizata të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje qeverisë të rishohë ligjin për zonat e mbrojtura. Ndërkohë, Komisionerja për Zgjerimin dhe Komisioni Europian, Marta Kos ka dalë në mbështetje të kryeminsitrit Rama duke e shtuar edhe më tepër zhgënjimin e protestuesve me pozicionimin e BE-në ndaj kësaj çështjeje. Qëndrimi i Kos u kritikua menjëherë nga 77 organizatat mjedisore brenda vendit. Mirëpo, si pasojë e trysnisë së ushtruar nga 11 eurodeputetë, në muajin gusht Kos theksoi se integrimi në BE është i kushtëzuar nga shfuqizimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura në 2024 dhe shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike. Më herët, përgjatë muajit qershor, teksa protesta ishte masive në Tiranë, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë ku bënte me dije se standarded europiane për mjedisin janë të panegociueshme dhe se Shqipëria jo vetëm që duhet të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike dhe amendamentet problematike të 2024 për zonat e mbrojtura, por duhet që të vendosë edhe një moratorium për lejet, ndërtimet dhe ndërhyrjet në këto zona deri në miratimin e ndryshimeve ligjore. Eurodeputetë të shumtë kanë qenë tepër aktivë përgjatë protestave duke rritur trysninë ndaj qeverisë Rama për t’i dëgjuar zërat protestues. Në fundin e qershorit një grup eurodeputetësh të gjelbër, të majtë dhe të pavarur, mes tyre edhe zëvendësi i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, ishin pjesëmarrës dhe mbajtën fjalime në protestat para kryeministrisë. Protestat janë mbështetur vazhdimisht edhe nga Demokratët Europianë, një familie e partive europiane të qendrës, ndërsa familia e partive popullore europiane miratoi një rezolutë ku dënonte rrëshqitjen e qeverisë Rama në autoritarizëm dhe sulmet ndaj protestuesve. Sajë këtij presioni brenda dhe jashtë vendit, kryeministri Rama vendosi të pezullojë punimet në Zvërnec deri në muajin shtator. 

Kërkesat e protestuesve tashmë janë zgjeruar duke përfshirë një sërë padrejtësish sistematike në shoqërinë shqiptare. Ato filluan me kërkesën për anullimin e projektit në Sazan dhe Zvërnec, pastaj u zgjeruan me kërkesa për ndryshime ligjore që ndalojnë grabitjen e pronave nga oligarkët, ruajtjen e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura. Më pas kërkesat u fokusuan në kërkimin e dorëheqjes së Kryeministrit Rama dhe në thirrjet ndaj sistemit të drejtësisë për të burgosur kryeministrin aktual ashtu edhe paraardhësin e tij Sali Berisha. Kjo kërkesë e fundit, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, reflekton një pavarësi të kësaj lëvizjeje popullore ndaj opozitës më të madhe në vend dhe një qasje më sistematike e historike ndaj padrejtësive me të cilat po përballet shoqëria, duke e konsideruar edhe qeverinë para vitit 2013 si kontribuese në situatën politike dhe ekonomike aktuale. 

Në pamundësi për t’i akuzuar si pjesë e një opozite pa mbështetje popullore, Kryeministri Rama dhe partia e tij kanë provuar një sërë mekanizmash për goditjen e protestave. Si fillim, i akuzuan protestuesit si vegla të agjenturave greke dhe serbe dhe më pas si pjesë e agjenturave iraniane. Edhe Kastrati u mundua që përmes mediave kombëtare të shpërndante një deklaratë, të cilën e shpërndau edhe kryetarja e Bashkisë Vlorë, të kompanisë që ndërton në Zvërnec ku akuzon protestuesit se janë pjesë e një plani për të diskretituar projektin. Më pas, qeveria e Shqipërisë i akuzoi protestuesit se po ngrinin një imazh të paqëndrueshëm të Shqipërisë dhe po kontribuonin në largimin e turistëve të huaj në fillimin e sezonit turistik, një sezon i rëndësishëm për të gjithë ekonominë e vendit. Mirëpo, gazetarët provuan se kjo nuk ishte e vërtetë, teksa turistë të huaj të shumtë iu bashkuan protestave dhe shumë prej tyre mbajtën fjalime solidarizuese. 

Më vonë ligjërimi i qeverisë u fokusua te akuzat se protesta ka karakter fashist. Për të mbështetur akuza të tilla, ministra të qeverisë dhe mediat kryesore në vend kanë shpërndarë një sërë lajmesh të rreme me produkte të prodhuara nga inteligjenca artificiale për të argumentuar këto akuza. Paralelisht, kryeministri Rama dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla filluan dhe të denigronin dhe akuzonin disa nga protestuesit më të zëshëm, përpjekje kjo për intimidimin e protestës. Përgjatë korrikut, dhuna kundër protestave paqësore para parlamentit u intensifikua me ujëhedhës me përbërje lotsjellësi, goditje me sprej dhe shkopinj gome si dhe arrestime të shumta. Arrestimet kanë vazhduar edhe përgjatë gushtit, teksa sulmi ndaj protestave është drejtuar disa herë edhe në hapësirën digjitale me sulmet digjitale ndaj llogarive të aktivistëve dhe mediave që raportojnë protestën në mënyrë sistematike. 

Me gjithë këtë sulm sistematik nga qeveria, policia dhe aktorë të tjerë të panjohur në hapësirën digjitale, protesta ka vazhduar të jetë paqësore duke i rezistuar kalimit të saj në dhunë ndaj punonjësve të shtetit si dhe ndaj institucioneve publike. Qytetarët janë të vendosur për të rezistuar dhe ndërtuar një Shqipëri e cila do të mbruajë një marëdhënie të re me natyrën, me hapësirën komunitare dhe ekonomitë lokale, dhe në tërësi me kapitalin vendas dhe të huaj. Një vjeshtë e gjatë dhe entuziaste proteste e pret vendin, një protestë për të  cilën nuk ka asnjë indicie që do të ndalojë deri në largimin e qeverisë Rama. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje