Me ba vend n’histori: përbashkime të fragmentuara

Me ba vend n’histori: përbashkime të fragmentuara

Dorina Pllumbi | 01.07.2025 | nyje.al

Në sytë e mendjes time, kujtimi i Kamzës është i lidhur ngushtë me udhëtimet me tren me nënën time, një nga ritualet verore të fëmijërisë. Këto udhëtime na çonin nga qyteti ku u rrita, Lezha, në Tiranë, ku jetonte një pjesë e familjes nga ana e saj, përfshirë edhe gjyshen time. Duhet të kem qenë diku shtatë apo tetë vjeç, dhe trenat, megjithëse mbetje e kohëve të mëparshme, ende qarkullonin në shinat e tyre. Vagonat e vjetër mbartnin shenja të rebelimit popullor dhe neglizhencës shtetërore. Edhe sot e ndjej erën e metalit të vjetëruar në rrugët e frymëmarrjes. Përgjatë kërcitjeve ritmike të vagonave, veprimi i thjeshtë i nxjerrjes së kokës jashtë dritares ishte një nga kënaqësitë më të mëdha të këtyre udhëtimeve, që megjithëse përshkonin një distancë diku rreth 60 km, dukeshin të gjata shumë prej stacioneve të shumtë.

Kur treni afrohej ose largohej nga Tirana, mali i Dajtit ishte sfondi i tablosë, me siluetën e tij valëzuese e praninë solide të shkëmbinjve midis jeshiles së gjelbërimit. Nuancat e dritës ishin tregues të një ore natyrore që shënonte kalimin nga agimi në perëndim. Poshtë tij, banorët e parë të mbërritur nga larg kishin ngritur strehëzat e tyre të ndërtuara nga materiale të lehta si druri dhe mbulesa plastike. 

Mbaj mend grupe fëmijësh që me sa duket kishin shtëpitë afër shinave e që vraponin për të përshëndetur trenin. Boria që kumbonte nga lokomotiva çante fuqishëm çaf-çufin ritmik që përndryshe gjatë monotonisë së udhëtimit ndillte dremitje. Sigurisht që boria aq e fortë kishte qëllim largimin e kujtdo që ndodhej në afërsi të shinave pa barriera anësore. Por edhe dukej sikur e njëjta bori lajmëronte një moment rutinor të jetës së përditshme në atë segment rruge hekurudhore. Ishte një ftesë për përshendetje midis udhëtarëve e banorëve. Një përshëndetje kjo reciproke e gjithë gëzim, me valëzim duarsh e thirrje euforike që shoqëronin jehonën e fortë të borisë së trenit në atmosferë. Tamam si nëpër filma. Për ta çuar gallatën në një nivel krejt tjetër, ndonjëri prej kalamajve gjuante me gurë në drejtim të trenit rrangall. Këtë e shoqëronte me një të qeshur aq të madhe sa dukej sikur vala zanore e saj shkrihej me borinë, përplasej në Dajt, e kthehej prapë drejt trenit për të shkundur më fort xhamat e dritareve që askush nuk merrte mundimin t’i zëvendësonte.

Bathore 1993, Burimi: Hans Peter Jost

Këtë vegim më sollën në mendje fotografitë e vitit 1993 të fotografit zviceran Hans Peter Jost me të cilat rashë në kontakt gjatë edicionit të fundit të Laboratorit te Antropologjisë Urbane organizuar nga Grupi ATA dhe IAKSA. Në to mund të shquhen shtëpitë e drurit, përvijimet e linjave të para, formësimi i një qyteti, rebel e këmbëngulës. Një shpërfaqje e skajimit ndër vite të një popullsie të harruar a të mbajtur larg, të ngrirë në mundësinë e lëvizjes, të paautorizuar për t’ju afruar qendrës, e që tashmë kishte bërë hapin e parë guximtar, e bindur në të drejtën e saj për të qenë aty. Një popullsi që pas kolapsit të supërstrukturës kontrolluese të socializmit shtetëror, ushtronte të drejtën për të arritur ëndrrën e Tiranës, me shpresën e një jetë më të mirë. 

Për vite të tëra nuk arrita të ndaloj në Kamëz, sikur të kisha ngelur në atë trenin e çoroditur me xhama të thyer që vetëm e përshendeti qytetin nga larg. Gjatë edukimit tim për arkitekturë në UPT, që u pasua nga disa vite mësimdhënie në po të njëjtin fakultet të arkitekturës e urbanistikës, Kamza, së bashku me zona e lagje të ndërtuara ngjashëm nga vetë banorët, konsideroheshin anomali të destinuara vetëm për t’u fshirë, për t’u pastruar nga harta për të hapur sheshe te reja ndërtimi. Megjithë shtrirjen e jashtëzakonshme, fenomeni i materializimit në territor i arkitekturës së njerëzve të thjeshtë u pa nëpërmjet lentes selektive e pushtetore të termit informale, që i përjashtonte këto hapësira nga diskursi profesional duke legjitimuar politiken e buldozerit. Në institucionet e prodhimit e riprodhimit të dijes urbane e arkitektonike në Shqipëri është pothuajse krejtësisht i munguar interesi për të kuptuar kulturën e ndërtimit të qendrave urbane si Kamza. Vazhdon të dominojë përpjekja për t’u lidhur me diçka të largët, që shihet në revista, e që po na ofrohet me llamburitjet e projekteve shpesh kitsch të star-arkitektëve që po na vijnë si misionarë për të na shpëtuar nga vetëvetja. E ndërkohë që këta arkitektë na shfaqen në krah me pushtetin, njëkohësisht artikulojnë një gjuhë të verbër që merr të mirëqenë që në Shqipëri kultura e ndërtimit duhet themeluar nga zero, për ta vendosur vendin në hartën globale te arkitektures kontemporane.1 Kështu kultivohet një gjuhë neokoloniale e ushtruar nga elita politike, ekonomike e kulturore e Tiranës dhe e riprodhuar nga vizionarët e importuar. Kjo gjuhë fshin me lehtësi realitete mbijetese e përpjekjesh lokale vetëndërtimi, duke i klasifikuar ato si të paqena, si të përkohshme apo si anomali për t’u ndrequr e spastruar për të riprodhuar pseudoimazhin e projektuar të Evropës.

Ndaloj sa herë të mundem në Kamëz, si e ardhur e si e shkuar, jo më si udhëtare e një treni të çartur, por herë si në shtëpinë time e herë si mysafire që observoj e observohem. Në kuadër të hulumtimeve të mia për të përbashkëtën, më tërheqin mikrohistoritë e këtij qyteti, ato që u heshtuan për shumë vite duke u etiketuar si informale. I bashkohem aktivistëve të qytetit në përpjekjen e përbashkët për të kuptuar e mësuar çfarë ndodhi këto vite ku njerëzit krijuan një qytet, plot shpresë në zemër, të përbashkuar e fragmentuar, në mungesë apo prani të një shteti problematik, një shteti që vazhdojmë t’i druhemi.2

Kamza është një vend që sfidon gjithçka të mësuar përbrenda kornizave të ngushta të kanonit profesional në fushën e arkitekturës i cili për vite me radhë vazhdon të riprodhohet brez pas brezi. Sfidon atë që quhet pushteti i dijes, autoritetin profesional e ekspertizën e pretenduar. I nxjerr në pah pafuqinë e kodit të të lexuarit e të të kuptuarit, e sidomos të ndërhyrjes projektuese në territor, të cilin pretendon ta zotërojë. Kamza është një laborator i gjallë i një tjetër lloj qytet-bërje ku njerëzorja shpërfaqet me kapacitetin e saj maksimal ndërthurur me dëshirën për jetë. 

Dajti është aty si dëshmitari më besnik i shtëpive të Kamzes. Këto të fundit janë materializim ëndrrash, shpesh të papërfunduara e që ftojnë imagjinatën të prodhojë skenare vazhdimësie. Rezervuarë të ujit në çati e terraca, – emblemë e sfidave infrastrukturore, – shkrihen tashmë në peizazhin e qytetit. Ndërthurja e urbanes me ruralen të bën të ndihesh me afër natyrës. Vendi akoma zotëron një lloj autonomie territoriale, por edhe një lloj tensioni midis rezistencës dhe dorëzimit ndaj babëzisë së kapitalit. Modeli i riprodhuar i pallateve të Tiranës – që ndryshe në Kamëz e kanë pagëzuar me termin tiranizim – po zëvendëson edhe këtu qytetin e bashkëndërtuar, sidomos përgjatë akseve kryesore dhe qendrës administrative.3 E megjithatë, shtysa për ta njohur e kuptuar qytetin është shumë më e fortë se një lexim i peizazhit urban të tij. Kamza nuk është vetëm një hapësirë gjeografike gabimisht e përcaktuar si periferi e Tiranës, por është një qendërsi më vete. Ajo ka lindur si e tillë. Është një arkivë e gjallë e materiale përpjekjesh sociale, politike e kulturore. 

Kjo përpjekje që na vë para detyrës për të lexuar Kamzën përtej kategorive të informales dhe përtej kufijve të planifikimit normativ lidhet drejtpërdrejt me një lexim kritik të urbanizimit, siç e ka artikuluar Ananya Roy, duke sfiduar gjuhën e përjashtimit dhe të “(pa)ligjshmërisë urbane” të prodhuar nga vetë shteti si instrument arbitrar pushteti.4

Fotoja e Jost shërbeu si një mjet i fuqishëm për të sfiduar mohimin e së drejtës për histori. E drejta për të rrëfyer historinë tënde (“the right to narrate”), është ajo e drejtë subversive që Edward Said argumenton se duhet t’u përkasë njerëzve të margjinalizuar (dhe të kolonizuar).5 Ajo është subversive pikërisht sepse sfidon narrativat që diktohen nga vëzhgues të jashtëm. Këto narrativa në rastin e Kamzës, janë materializuar nëpërmjet një gjuhe përçmuese e stigmatizuese.6 Në tekstin që vijon, kam përzgjedhur fragmente nga momente të ndryshme të pranishmërisë sime në terren, herë në mënyrë kolektive dhe herë e vetme. Kam tentuar t’i ndërthur këto fragmente për si një kundër-narrativë mbi historinë e Kamzës, duke ruajtur ndjeshmërinë ndaj zërit të përvojës. Kjo përpjekje nuk është individuale. Ajo i bashkohet një lëvizjeje më të gjerë dhe shumëdimensionale që tashmë ka marrë formë në Kamzë, si një përpjekje për dinjitet e gjeneratës së re të banorëve që u rritën këtu, për qytetin prindërit e tyre bashkë me ta ndërtuan me shumë sakrifica.

Qyteti si mera 

Shumë familje që vinin nga zonat malore të verilindjes kishin marrë me vete një ngarkesë me materiale druri për të ndërtuar banesën e tyre të përkohshme, ngjitur të cilës do të merrte formë shtëpia e ardhshme. Fadili, nga banorët e parë të vendosur në Bathore, e përshkruan kështu praktikën e shënjimit të tokës ku do të ndërtonin shtëpinë, e cila edhe pas tre dekadash e gjysëm vazhdon të jetë në ndërtim e sipër. 

“Me gërmim. Një kazëm e një vijë, një kanal të vogël, edhe një kuadrat, sa shpia për shembull, pak ma i madh se shpia … Një dylym tokë, me hamendje, sa mund të duhej. Secili zinte sa të mundte në fillim. Dikush shumë, dikush ma pak. Se mendojshin sa familje të madhe kishin me sjellë. Se vinte njeni e pastaj merrte edhe vëllezrit. Ky vëllai kur ka ardhë këtu ka zanë nja dy-tre tarraca, gati në kodër. Edhe krejt njerëz [të familjes e fisit] që kemi qenë ne atje ka ardh e i ka futë këtu.” – Fadili (70 vjeç), nga të parët të vendosur në Bathore7

Nga fjalët e Fadilit kuptohet sa e drejtëpërdrejtë ka qenë kjo praktikë, ku veglat dhe trupat kanë hyrë në marrëdhënie hapësinore e materiale me territorin e gjetur në vendin e mbërritjes. Siç e gjejmë të shpjeguar në punën e antropologut Nebi Bardhoshi, e siç mund të dallohet edhe në foton e Jost, edhe gurët – të quajtur gurët e kufinit – kanë qenë elementë fizikë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm e të njohur në të drejtën zakonore për të lehtësuar procese të tilla.8 Toka në Bathore ishte në pronësi shtetërore dhe fizikisht e lirë, pasi ndërmarrja shtetërore bujqësore “Ylli i Kuq” kishte ndalur aktivitetin. Një stigmë e vazhdueshme që i ka shoqëruar banorët e Kamzës është që kanë zënë tokë duke uzurpuar pronën e të tjerëve. Fadili, megjithatë, shpjegoi se rregullat zakonore diktonin që nëse dikush paraqitej duke pretenduar pronësi për tokën, pretendimi do duhej të njihej e të pasohej me negociata. Ai thotë që në rastin e tyre pretendime të tilla nuk pati. Për ta, kjo ishte një mundësi për t’u vendosur bashkë me familjen e zgjeruar në tokën e lirë, në një moment kur kishin më shumë nevojë. Siç e dimë, diskutimi i pronësisë në Shqipëri ka qenë e vazhdon të jetë subjekt arbitrariteti, ku shteti si rregullator ka vite që abuzon me pushtetin për të legjitimuar titujt e pronësisë, si për shembull njohje titujsh të rinj, kthime titujsh të vjetër, apo kompensime pronash, sipas interesit të burokratëve në detyrë apo të partive në pushtet për kapital elektoral. Përtej kësaj, lidhja me tokën në Kamëz ishte thelbësore në materializimin e të drejtës territoriale, për mbijetesë, për të drejtën për të aksesuar në qytet (right to the city), e për të ndërtuar nga zero një jetë më të mirë.9

Lagjet në Kamëz përbëhen nga grupe njerëzish që vijnë nga rajone të caktuara, kryesisht të veriut dhe verilindjes, por edhe nga qytete të tjera duke reflektuar larmishmërinë e komuniteteve. Kjo larmishmëri pasqyron mënyrën se si u krijua Kamza — një karakteristikë e qyteteve të mbërritjes, ku komunitetet formohen natyrshëm nëpërmjet lidhjeve fisnore dhe thuajse-fisnore si lidhje besimi dhe mbështetje reciproke, përgjatë një momenti fillestar sfidues, por plot shpresë.

Në forma të ndryshme vetë-organizimi të komuniteteve rurale e përbashkëta përshkruhet si një copë tokë komunitare që përdoret si resurs nga të gjithë banorët. Fadili na shpjegoi që ky koncept ka ekzistuar edhe në fshatin nga ai vinte. 

Në fshatin ku ne jetonim secili kishte tokën e vet. Kishte pjesë toke që nuk i kishte asnjëri, ishte e përbashkët për kullotje, për me pre drunj, ishte e përbashkët. Kjo pjesë toke që ishte e përbashktë quhej mera. Asnji s’kishte të drejtë me i dalë zot asaj me thanë “asht e imja”. “Asht e jona po”, por jo “asht e imja”. – Fadili (70 vjeç), nga të parët të vendosur në Bathore

Nga fotot e hershme dhe nga rrëfimet e banorëve të krijohet përshtypja që Kamza në fillim ishte një mera. Shumica e familjeve fillimisht ndërtuan shtëpiza të thjeshta druri si banesa të përkohshme, të ngjashme me stanet në bjeshkë, që gjithashtu ka luajtur historikisht funksionin e një pasurie natyrore të përbashkët të vetëqeverisur. Me urbanizimin e mëtejshem, rrugët, uji dhe infrastruktura elektrike u bënë “të përbashkëtat urbane” të bashkë-ndërtuara — meraja e re urbane e Kamzës, e krijuar dhe e negociuar në mënyre konstante. Ndryshe nga si e kanë konsideruar disa studiues të kohës, të cilët i shihnin banorët si njerëz pasivë që prisnin nga shteti, mikro-historitë e tyre tregojnë një realitet tjetër. Banorët u organizuan në grupe për të adresuar në mënyrë kolektive shqetësimet e përbashkëta që kishin lidhje me infrastrukturën bazë të nevojshme për qytetin e ri që po ndërtonin së bashku.10 Megjithëse kushtet ishin të pasigurta, shumë prej banorëve tregojnë për përvojat e tyre për mbledhjen e fondeve për të blerë tuba dhe kabllo elektrike, duke siguruar që ata që përballeshin me vështirësi ekonomike të mos përjashtoheshin nga këto përpjekje komunale. 

Ndërsa shpesh shihet si një simbol i një urbanizimi kaotik, Kamza përkundrazi mund të konsiderohet si një qytet që ka marre formë nëpërmjet një farë strukturalizmi të paplanifikuar, një lloj projekti që rezonon me modelin e zhvilluar nga arkitekti dhe teoricieni strukturalist holandez John Habraken. Ky model i quajtur “strukturë mbështetese dhe mbushje” (support and infill) duket sikur shpërfaqet në Kamëz në shtresëzimet terren.11 Në 1972, Habraken, në përpjekjen e tij për t’i dhënë një përgjigje dilemës mbi mënyrën e përfshirjes së planifikuesit e arkitektit në çështjet e strehimit, për t’i dhënë lirinë e nevojshme vetëndërtimit nga njerëzit, propozon modelin “support and infill”. Ky model parashikon projektimin e një strukture akomoduese të nukleve banuese të ndërtuara nga vetë njerëzit. Kjo zgjidhje për Habraken nuk i përjashton profesionistët arkitektë e planifikues, të cilët kanë mundësinë për të kontribuar me njohuritë e tyre, por e limiton rolin e tyre deri tek konceptimi i strukturës që mundëson përfshirjen e vetë banorëve, të cilët argumentohet që duhet të jenë protagonistët kryesorë në prodhimin e hapësirës së tyre. Ai shprehet që këto struktura (që mund të jenë në shkallë ndërtese apo rrjet në territor) ndonjëherë shfaqen edhe të padeklaruara e paprojektuara. 

Ndërtimet e reja në Kamëz u ndikuan qartësisht nga elementë ekzistues në territor, si rrjeta e kanaleve të ujitjes dhe kullimit, si dhe tarracat bujqësore. Këto elementë përbënin një lloj rrjeti strukturor bazë, që e tejkaloi funksionin fillestar për të cilin ishte planifikuar dhe mori një rol të ri orientues për ndarjen e parcelave familjare e fisnore. Kjo strukturë ekzistuese operoi së bashku me rregullat zakonore të cilat u rijetëzuan e riinterpretuan për të ngritur themelet e bashkëjetesës së re.12 Veçanërisht, rrugët në Kamëz kanë patur vëmendje të veçantë, ku “e drejta e kalimit” është negociuar dhe mirëmbajtur në mënyrë të vazhdueshme nga vetë banorët të ndërgjegjshëm për rëndësinë e qarkullimit të gjithësecilit. Prandaj, përtej asaj çfarë është artikuluar e riprodhuar në media e qarqet profesionale, Kamza nuk është qytet kaotik. Përkundrazi, aty ka një gërshetim strukturash e rregullash përbashkësie, për të cilat është e rëndësishme të zhvillojmë lente leximi, njohje dhe mësimi.

Në vitet themeluese të Kamzës, banorët u përballën me sfida të mëdha, veçanërisht me mungesën e ujit dhe infrastrukturës së nevojshme. Këto kushte të vështira materiale nxitën disa protesta, të cilat përshfaqën një tjetër formë përbashkimi, si një mënyrë për t’u dëgjuar dhe për t’u njohur. Banorët reaguan ndaj përpjekjeve të qeverisë për të shembur shtëpitë e tyre në vitin 1995 dhe më pas, si për shembull gjatë protestave të viteve 2003 dhe 2005, u mobilizuan për të artikuluar kërkesa jetike si ujë, infrastrukturë, arsim dhe legalizim të banesave.

Gratë, fëmijët e qyteti 

 

Të bësh beton është një ndër proçeset më të vështira në ndërtim. Një person nuk mjafton, e mira do të ishte të ishin dy. Po flasim për betonin që bëhej me lopatë e jo me makinerinë e betonierës.

Gratë, krah për krah me burrat, janë përfshirë në ndërtimin e shtëpive në Kamëz a kudo ku janë zhvendosur këto familje me shpresën e ‘një jete më të mirë’. Kryesisht proçesi i betonit është marrë përsipër nga gratë. Është si puna e brumit, thonë ato, duhet me ja dit’ masën edhe ujit, edhe gëlqeres [çimentos].

“Prej themeleve te çatia, bashkë”, Pjesëz shkëputur nga përshkrimi i takimit ndërbrezor mbajtur në 8 mars 2022 me gratë e Kamzës në qendrën e Grupit ATA

Ndërsa në Shqipëri ndërtimi i atribuohet kryesisht burrave të familjes, në Kamëz gratë luajtën një rol kyç në proçesin e ndërtimit. Një dëshmi domethënëse vjen nga Dylberja, një grua në të gjashtëdhjetat që ishte veç 35 vjeç kur mbërriti në Kamëz. Ajo kishte eksperiencë të zgjeruar si punëtore ndërtimi në Tropojë gjatë regjimit totalitar të mëparshëm. Përvoja e saj përfshinte praktikë në ndërtimin e strukturave të ndryshme publike, deri edhe bunkerë të ndërtuar në terrenet e vështira malore. Gjatë njërës nga shtatëzanitë e saj i ishte lejuar të drejtonte vinçin, si punë disi më e lehtë dhe paksa më e automatizuar për një grua shtatëzënë. 

Njohuritë e saj në ndërtim ishin thelbësore kur, së bashku me familjen e përbërë nga bashkëshorti dhe katër fëmijët e tyre, u shpërngulën nga Tropoja me shpresën për një të ardhme më të ndritur. Fillimisht, si shumë të tjerë, u vendosën në një ndërtesë të braktisur në lagjen industriale të Kombinatit në Tiranë, e më vonë, kur u zhvendosën në Kamëz, ata nisën sipërmarrjen e ndërtimit të shtëpisë së tyre nga e para.

Megjithëse përballja fillestare me kushtet sfiduese ishte e vështirë, ata nuk u dekurajuan. Kthimi nuk ishte një opsion, për shkak të humbjes së punës dhe rrethanave të vështira që kishin lënë pas – një realitet i karakterizuar nga shumë mungesa, përfshirë kujdes shëndetësor dhe akses në arsim për fëmijët. Si shumë prindër shqiptarë që e kanë të përbrendësuar barrën e vetësakrifikimit, ata kishin qëllim kryesor të krijonin mundësi më të mira jetese për fëmijët e tyre.

Bashkëshorti i Dylberes ka qënë gjithë jetën e tij mjeshtër ndërtimi. Ajo ishte ndihmësja e tij e përkushtuar. Fillimisht, e ndihmonte me kohë të plotë në ndërtimin e shtëpive për disa miq që gjithashtu ishin zhvendosur në Tiranë. Më vonë ajo kontribuoi me kohë të pjesshme në ndërtimin e shtëpisë së tyre, duke punuar njëkohësisht në një fabrikë të specializuar në prodhimin e togëzave për rripa e çanta. Ashtu si shumë gra të tjera në Kombinat dhe Kamëz, burimi kryesor i punësimit për to ishin fabrikat prodhuese në pronësi të investitorëve të huaj, kryesisht italianë, të cilët e zhvillojnë aktivitetin këtu duke përfituar nga mundësia e fuqisë punëtore të lirë. Për të shtuar paksa të ardhurat, ato punonin edhe pas orarit në shtëpi, duke përfshirë edhe fëmijët e tyre për t’i ndihmuar.

Si në një tension emocional të heshtur, edhe pse e mbushur me krenari për kontributin e fëmijëve, Dylberja përçon në rrëfimin e saj një nuancë të fajit të nënës kur përshkruan se si të katër fëmijët morën pjesë aktive në ndërtimin e shtëpisë së tyre të re. “U rritën para kohe. Dy prej tyre mbushnin rërën, dhe dy të tjerët e tërhiqnin lart. Duart e të vegjëlve ishin të nxira nga litarët që tërhiqnin,” – tregon ajo.13

Foto e nënës e fëmijëve duke ndërtuar shtëpinë e tyre, Burimi: Arkiv familjar

Rrushe, një grua 44-vjeçare sot, shpërthen në të qeshura teksa sheh fotografinë e bërë nga fotografi Zviceran. Ajo i kujtoi mbërritjen e saj në Bathore si nuse e re. Atë ditë të shënuar, pa mbërritur tek shtëpia e burrit të saj, makina kishte ngecur në baltë e ajo ishte detyruar të vishte çizme llastiku poshtë fustanit delikat borë të bardhë të nusërisë. Më pas, na tregon se si për vite të tëra, bashkë me gra dhe fëmijë të tjerë nga komuniteti, u duhej të përdornin karroca dore për të mbushur ujë. Megjithatë, buzëqeshja i zbehet kur kujton vështirësitë e kësaj pune gjatë shtatzënisë. “Te ishte asfalt na u knaqshim, po s’ishte asfalt. Mezi ecte goma. U mushte goma plot baltë, nëpër gurë e nëpër … oh, kena vujt bre!14 

Rrushe tregon se mbështetja e ndërsjellë mes grave ishte thelbësore për të ndarë barrën e kujdesit për fëmijët, duke qenë njëkohësisht aktive edhe në punën jashtë shtëpisë. Fëmijët më të mëdhenj shpeshherë duhej të bënin sakrifica, përfshirë edhe shkëputjen nga mësimet, për të ndihmuar në kujdesin për vëllezërit dhe motrat më të vegjël.

Belza ajo [vajza e madhe] e ka rritë këtë [të voglën]. Edhe pampers e ushqim, se unë shkojsha te puna. Kam pas punu në një lokal dasmash këtu poshtë. Vinte ma binte atje, i jepsha gji dhe pastaj e binte në shpi. … Kam pasë edhe kunatën e vogël [tek shtëpia ngjitur]. … Kunata i jepte për të pirë gji …. Kurse [vajza] e kunatës deri 1 vjeçe ka pi te unë. Kur ikte kunata kund për shembull te prindërit e vet, e majsha unë.  – Rrushe (44 vjeç), jeton e punon në Bathore nga 1997

Gratë në Kamzë rrëfejnë se si ndihmonin njëra-tjetrën gjatë lindjeve në shtëpi, pasi aksesin në spital nuk e kishin gjithmonë të mundur. Një tjetër praktikë e përbashkët, e nisur dhe mbajtur gjallë nga gratë, ishte bashkimi i disa mësueseve për të krijuar klasa kolektive, ku fëmijët të mund të vazhdonin shkollimin, pasi në vitet e para nuk kishte shkolla në zonën e Bathores, e mundësia per t’i çuar fëmijët në shkolla të tjera ishte e pamundur për shumë prej banorëve.15 Jo vetëm që komuniteti mori iniciativën për të ndërtuar vetë banesat, por edhe për të organizuar jetën kolektive, nga sigurimi i ujit e deri te kujdesi shëndetësor bazë dhe arsimi fillestar. Praktikat e përbashkëta që u shfaqën në këtë kontekst nuk ishin thjesht akte mbijetese, por forma aktive të ndërtimit të qytetit dhe të jetës në mungesë të infrastrukturës shtetërore. Gratë, në veçanti, luajtën një rol thelbësor në këtë proces, duke krijuar rrjete solidariteti që mbështetnin si nevojat e përditshme, ashtu edhe ndërtimin e të ardhmes. Përvoja e përbashkimit në këtë territor të ndërtuar nga dhe për ata që janë lënë jashtë, artikulon një politikë të jetës dhe kujdesit si rezistencë, në frymën e reflektimeve të Silvia Federicit për trupin kolektiv dhe punën e padukshme të riprodhimit social.16

Me ba vend n’histori

E pyetur mbi temën e vdekjes dhe si e kishin zgjidhur çështjen e varrezave si pjesë e bashkë-krijimit të qytetit Mynirja, që kishte mbërritur rreth 30 vjeç në Kamëz na u përgjigj instiktivisht: “Në mendonim se nuk do të vdisnim kurrë!”17 Kjo fjali, që na zuri në befasi për nga pesha që mbante, përmbledh thelbin e fillesave të Kamzës dhe sfidën e jashtëzakonshme për të ndërtuar një qytet nga e para duke u mbeshtetur tek jeta, pa patur as rastin ta mendosh vdekjen.

Nëpër fragmentet e rrëfimeve të banorëve, në veprimet e përditshme të ndërtimit, të punës e përkujdesjes mes mungesës dhe krijimit, ndodh një akt i heshtur i të bërit vend si në hapësirë ashtu edhe në histori. Në një qytet të ndërtuar jo nga një masterplan, por nga nevoja, solidariteti dhe marrëdheniet e ndihmës reciproke, përbashkimi nuk është një bashkim total, por një praktikë që riformuloheti vazhdueshëm, e që mund të rrëfehet veçse në fragmente. Pikërisht në këto fragmente shfaqet edhe forca politike e këtij përbashkimi si përditshmëri, si kujtesë e trupëzuar e materiale, e mbi të gjitha si formë jete që i shpëton disiplinimit të planeve dhe që bën spërdredhje pragmatike të normave të vjetra e të reja. 

1. Pavioni aktual shqiptar i arkitekturës në Bienalen e Venecias është i konceptuar rreth temës “Duke Ndërtuar Kulturën Arkitektonike”, që merr të mirëqenë një mungesë të kulturës arkitektonike në vend, e cila po na ndërtohet nga arkitektët e huaj që aktualisht operojnë në Shqipëri. Këta arkitekte vijnë të ftuar nga lart dhe po prodhojnë një mori projektesh që veçse ushqejnë babëzinë e përfitimit. Ndërkohë publikut i hidhet hi syve me premtimin e Evropës së premtuar si estetikë pa i zgjidhur e madje duke i shtuar probleme thelbësore të jetueshmërisë në qytetet tona. Albanian Pavilion | Building Architecture Culture. (10 Maj-23 Nëntor 2025). Albanian Pavilion | Building Architecture Culture. https://albanianpavilion.al 

2. Bardhoshi, N. Shteti qe i druhem., Kamëz: Leksion Qendra Rinore ATA, 2018.

3. Qema, R. (2025, June 16). Kamza nën pushtetin e betonit. Citizens.Al

4. Ananya Roy argumenton se ligjshmëria dhe joligjshmëria nuk janë kategori objektive apo neutrale, por prodhohen në mënyrë aktive nga shteti përmes zbatimit selektiv të ligjit dhe arbitraritet politik. Në vend që të trajtohet informaliteti si një sferë e jashtëligjshme, ajo e koncepton atë si një mjet qeverisjeje urbane, ku shteti vepron përmes përjashtimit dhe paqartësisë. Kjo qasje nxjerr në pah se njohja apo jo e ligjshmërisë shërben si një instrument pushteti, që formëson përfshirjen dhe përjashtimin urban në mënyrë të pabarabartë.

5. Said, Edward. Reflections on Exile and Other Essays. Harvard University Press, 2000.

6. Malaj, D. (2023, July 9). Bathorja në shtypin e përditshem gjatë viteve ’90 dhe 2000. Ligjeratë mbajtur në Laboratorin e Antropologjisë Urbane: Përvijime të Kamzës

7. Biseda u zhvillua gjatë vizitës në shtëpi të Fadilit në datën 8 Shtator 2023 gjatë Laboratorit të Antropologjisë Urbane që u mbajt në datat 7-10 Shtator 2023. Grupi i punës përbëhej nga Elsa Paja, Hans Peter Jost, Pavjo Gjini, Marjana Syla, Arba Bekteshi dhe Dorina Pllumbi. 

8. Bardhoshi, N. Gurtë e Kufinit: Kanuni, Pronësia, Strukturimi social. Tiranë: UET Press, 2011.

9. Eshtë e nevojshme që më shumë hapësirë e vëmendje t’i kushtohet përfshirjes së shtetit në njohjen e qytetit, dhe sidomos një analizë kritike të procesit të legalizimit bazuar në teorinë neoliberale të Hernando de Soto. Si edhe në shumë vende të tjera ku u aplikua, ky proces u kthye në mekanizëm komodifikues të qytetit dhe që i hapi rrugë proceseve gentrifikuese të tregut imobiliar që i shohim sot të përshkallëzohen në Kamëz.

10. Co-Plan është një NGO që rezulton të jetë përfshirë në procesin e këtij organizimi. Të kuptuarit të rolit të kësaj NGO-je nuk ka qenë fokusi i takimeve në terren. Megjithatë mbetet me interes për të kuptuar më mirë rolin e atyre pak profesionistëve që janë përfshirë në fillimet e qytetformimit në Kamëz.

11. Habraken, J. Supports: An Alternative to Mass Housing. Urban International Press, 1999.;
Habraken, J. The Structure of the Ordinary: Form and Control in the Built Environment. MIT Press, 2000.

12. Voell, S. The Kanun in the City. Albanian Customary Law as a Habitus and Its Persistence in the Suburb of Tirana, Bathore. 85–101, 2003.

13. Dylbere, banore e Kamzës, (30 Shtator 2023), bisedë me autoren.

14. Rrushe, banore e Kamzës. (1 Tetor 2023), bisedë me autoren.

15. Qema, R. (2021) Kanë ik krejt. Film i shkurtër.

16. Federici, S. (2019). Re-Enchanting the world. Feminism and the Politics of the Commons. PM Press.

17. Mynire, banore e Kamzës. (8 Shtator 2023). Biseda u zhvillua gjatë vizitës në shtëpi në datën 8 Shtator 2023 në kuadër të LAU 2023. Grupi i punes: Elsa Paja, Hans Peter Jost, Pavjo Gjini, Marjana Syla, Arba Bekteshi dhe Dorina Pllumbi. 

Ky material është përgatitur në kuadër të nismës së redaksisë sonë me titull “Raporte nga Kamza”, brenda projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi i autorit. Përmbajtja e tij nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje