Ronald Qema | 16.12.2024 |nyje.al

“Keni besim, qendrat në Shqipëri do të funksionojnë! Do të funksionojnë! Unë do t’i qëndroj atyre mbi kokë çdo natë nga tani deri në fund të qeverisë italiane.” – klithte dje në një tubim Georgia Meloni. Komunikimi i saj verbal dhe trupor, teksa mbante fjalimin, u shoqërua nga mbështetje solide në sallë, teksa ngjalli reagime të shumta në rrjet me komente që përcillnin ndjesinë e frikës që u evokonte fashizmi i saj, tashmë krejt i dukshëm “mbi lëkurë”. 

Meloni dhe marrëveshja e saj me Ramën është një “bombë me sahat” tregonin para dy javësh grupet e majta italiane që erdhën në Shqipëri për të protestuar për të drejtat e emigrantëve. Dështimi i deri më tanishëm i marrëveshjes protokoll firmosur nga kryeministrat Rama e Meloni konsiderohej prej tyre një hap krejt i vogël, kur krahasohet me politikat e viteve të fundit të Italisë por edhe Bashkimit Europian lidhur me trajtimin ligjor të emigrantëve që lundrojnë nëpër brigjet e Mesdheut për të arritur “perëndimin demokratik”. 

Këto politika cilësohen si fashiste për grupimet si “YaBasta Bologna”, “Spin Time Labs”, “Laboratorio D’Assalto”, “Contro Confine” dhe dhjetra organizime të tjera, që bashkë me aktivistë shqiptarë dhe grekë protestuan në fillim dhjetori në Shqipëri. Në datë 1 dhjetor ata marshuan në Shëngjin e protestuan në Gjadër, ku janë ndërtuar kampet e pritjes dhe paraburgosjes së emigrantëve që kapen në mes të detit. Dita e dytë e dhjetorit ishte dita për marshim drejt institucioneve – fashiste sipas militantëve- si Kryeminstria e Shqipërisë, Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Ambasada e Italisë në Tiranë. 

“Është krejt e dukshme ajo që na del para syve: mure të larta prej 5-6 metrash që ja gati të ngërthejnë njerëz të cilët nuk kanë kryer asnjë lloj krimi, veçse përpiqen që të gjejnë dhe të jetojnë një jetë të dinjitetshme. Kjo është ajo që po krijon Europa e cila paraqitet si demokratike, teksa në fakt ndërton burgje për njerëz të pafajshëm, duke dhunuar të drejtat ndërkombëtare, duke dhunuar kushtetutën tonë!”

I angazhuar në kolektivin “Mesdhe” kundër marrëveshjes Rama-Meloni, Edison Lika në fjalën e tij në krah të aktivistëve të ardhur nga Italia u shpreh se solidariteti i treguar prej tyre është frymëzim për ta por edhe për emigrantët që nisen drejt Europës në ushtrim të të drejtës themelore për një jetë të denjë. 

“Europa që ne duam nuk është e Melonit. Nuk është Europa e Von Der Leyen. Nuk është Europa e Ramës, por është Europa e Demokracisë. Ne do të luftojmë gjithmonë për një Europë më demokratike, për një Shqipëri më demokratike dhe për një Itali më demokratikë. Në të cilën emigrantët do të jenë një pjesë integrale e shoqërisë dhe do të trajtohet si gjithë të tjerët, me të drejta të barabarta. Deri sa të vijë ky momentë rezistenca do të vazhdojë.”

Pa kufi! Pa qeli!

Autobuzët u mbushën shpejt me qindra militantë të majtë, kryesisht të rinj nga Roma dhe Bolonja. Rruga nga Tirana për në Shëngjin që e shkurtër, prej trafikut të munguar si për ditë të dielë; por e shkurtër dhe për ta që përpiqeshin të formulonin thirrje dhe himne për manifestimet në Shëngjin dhe në Gjadër. Kusht për ta qe përfshirja e vargjeve në gjuhën shqipe. Ndonëse kisha kuptuar disi me pak njohuri në  gjuhën italiane, ata më përkthyen në anglisht çka kishin shkruar deri në ato moment në gjuhën e tyre, si dhe më kërkuan ndihmë për shprehje të ngjashme të thirrjeve të tyre, mundësisht që të ndiqnin edhe rimën. Bazuar në thirrjet “ Pa kufi, pa kombësi. Ndal deportimet!” dhe “ Jo ndalimeve, jo deportimeve” u propozova një përbashkuese të tyre:“Pa kufi! Pa qeli!”. E pëlqyen edhe prej faktit se pa qeli e shqiptonin lehtshëm si pace li (paqe atje).

Sapo autobuzët hapën dyert në ballë të Portit të Shëngjinit, rreth 200 aktivistë zbritën dhe me banderolat, pankartat dhe flamujt ndër duar zunë hyrjen e këtij porti ku është ndërtuar qendra “hotspot”. 

“Jemi këtu për t’u thënë JO! Marrëveshjes Rama-Meloni! Që është në fakt neokolonializëm kriminal dhe që Von der Leyen, pasi këtë marrëveshje e ka referuar si model për të gjithë Europën. Turp! Ajo që ka ndodhur në Shëngjin dhe me CPR në Gjadër e ka rritur horrorin e politikave migratore italiane dhe europiane. Marrëveshja është pezulluar deri në momentin që Gjykata Europiane e Drejtësisë do të dalë me interpretimin se çfarë do të thotë “vende të sigurta”. Nuk do të jemi naiv për të menduar që kjo gjë do të mjaftojë për të ndaluar këto politika. Protokolli Itali-Shqipëri është eksperimentim i paktit mbi migracionin dhe azilin e cila ka në qendër të mekanizmit të saj eksternalizimin e kufijve dhe ndalimin. Këtu gjejmë rastin të pohojmë edhe një herë që asnjë vend nuk është i sigurtë nëse nuk janë të gjithë të sigurtë; dhe që asnjë person nuk duhet të deportohet dhe të ndalohet për shkak se ka ushtruar të drejtën e vet të lëvizjes. Sot jemi këtu për të shprehur edhe tërbimin tonë të përbashkët. Zemërimin tonë ndaj qeverive që shtypin të drejtat e të gjithëve ne.”

Përpos entuziasmit që të përfshin në organizime ku secili protestues e merr seriozisht pjesëmarrjen e tij, një prej ndjesive kryesore të atij çasti ishte edhe ajo e papërmbushjes. E udhës do kishte qenë që më së paku në krah të çdo aktivisti të ardhur prej jashtë vendi të ishte një shqiptar. Boshllëkun e mbushi disi fjala e një prej atyre që ishin të pranishëm, të riut Detjon Begaj që deligjitimoi përulësinë e qeverisë shqiptare ndaj asaj italiane duke e justifikuar me miqësinë dhe “kthim nderi”. 

“Ne si shqiptarë që jetojmë në Itali duhet ta pranojmë që nuk i kemi asnjë borxh shtetit të Italisë. E megjithatë, kemi dijeni se diskutimi sesi shqiptarët duhet t’ia dinë Italisë, ka qenë qendror teksa është folur për marrëveshjen. Siç u përmend edhe më përpara, janë të shumtë shqiptarët që janë të mbyllur në CPR italiane, dhe që kanë vdekur, në qendra strehimi të shëndetit mendor, apo qendra të tjera të tipit të Mbretërisë së Bashkuar gjetkë. Shqiptarët në Itali kanë pasur një histori racizmi të institucionalizuar. Shqiptarët janë përplasur nga flota ushtarake italiane dhe kanë vdekur më shumë se 80 veta nëpër brigjet italiane, përballë Shqipërisë. Dhe kanë qenë parlamentarët italianë që thoshin në atë kohë që duhej që t’i fundosnin barkat e gomonet e shqiptarëve. Dhe partitë politike që kanë marrë pjesë në qeverinë italiane, dhe që kanë bërë këtë marrëveshje mbi “miqësinë e mirënjohjes” duhet të rikujtojmë manifestimet që bënte partia “Lega” në Milano, në takimet e tyre elektorale “Një votë për Lega-n, është një shqiptar më pak në Milano” –  kjo ishte ajo që ata thoshin. 

“Tej miqësisë dhe mirënjohjes, miqësia është ajo që shqiptarët në Itali, dhe shqiptarët këtu në Shqipëri dhe shoqet e shokët italianë janë duke ndërtuar. Me këtë rrjetëzim. Me këtë aleancë. Kjo është miqësia. Miqësi është me qenë të barabartë. Miqësia nuk është nënshtrim. Miqësia nuk është neokolonializëm. Miqësia është sendërtim i lirisë dhe demokracisë dhe të drejtash për të gjithë dhe të gjitha. Nuk bazohet në racizëm. Kjo është gjëja për të cilën luftojmë, me dinjitetin që na e kanë mësuar prindërit tanë, që janë përballur me detin, që kanë hipur mbi peshkaregja, që e kanë përballuar detin me gomone dhe ne, si të vegjël, bashkë me ta. Ne që ishim aty, me ta.”

Fjala e Detjonit u përcoll më shumë entuziasëm dhe brohorime, ndoshta me po aq intesitet revolte e zemërimi ndaj fashistëve drejtues-shtetesh, siç thirrisnin ata. “Jemi të gjithë anti-fashistë” – bashkoheshin në zë manifestuesit, teksa marshonin prej portit drejt qendrës së qytetit bregdetar. Marshimi u përmbyll në plazhin e Shëngjinit, ku militantët së bashku organizuan një aksion simbolik ku përmes copave të tekstilit që mbanin në duar formuan shkronjat e thirrjes “NO LAGER”, kundër qendrave të ndalimit të emigrantëve.

Burimi: Rrjeti NAMD

Më tutje gjatë ditës, protesta u zhvendos në Gjadër, ku qeveria italiane ka ndërtuar objekte paraburgimi dhe qendrën e deportimit përpos qendrës administrave ku do të shqyrtoheshin kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare. Në fjalët e tyre, aktivistët akuzuan Italinë, por edhe Bashkimin Europian si kolonizatorë e racistë që përmes politikave të tyre duan të shkatërrojnë ëndrrat e emigrantëve duke shkelur edhe mbi ëndrrën europiane të vendeve si Shqipëria. 

“Qendrat e ndalimit (cpr) janë sinteza perfekte e racizmit dhe kapitalizmit; e projektit për të jashtësuar kufinjtë; ato i demaskojnë qëllimet neokolonialiste të Bashkimit Europian. Për më shumë, kush do që të merret me menaxhimin e qendrave në Shqipëri është një subjekt privat/firmë nga Roma që shquhet për teknikat e saj biznesore spekulative e mashtruese. Shumë “rastësisht” si vendi ku do duhej të ndërtoheshin këto qendra, është zgjedhur një shtet që po tenton të hyjë në Bashkimin Europian dhe që është i rëndësishëm, e që është i gatshëm me heqë dorë nga vetë territori i vet veç për t’u pranuar në fortesën europiane.” 

“Por fortesa e Europës nuk është gjë tjetër veçse një histori e dështuar. Siç na e tregojnë edhe personat që pavarësisht shumëfishimit të tendencave fashiste, po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë që të kalojnë kufinjtë duke u rezistuar këto lloj marrëveshjesh ashtu siç i kanë rezistuar aktit normativ italian “1670”. Këto lloj marrëveshjesh si ky akt, na tregojnë edhe njëherë sesi qeveria shqiptare impenjohet duke krijuar ligje-manifesti “në bark” por që efektet e tyre jepet mbi trupa dhe krahë, mbi rezistenca të tëra, duke shenjuar, por jo duke anulluar.”

E rrethuar nga policë shqiptarë, qendra akomodonte në ato momente vetëm efektivë italianë të cilëve iu kërkua largimi dhe kthimi në Itali. Ata qëndruan brenda qendrës dhe mbarëvajtja e protestës ishte në duart e kolegëve shqiptarë dhe kjo shkaktoi një lumë thirrjesh prej pjesëmarrësve, që i akuzuan ata për frikacakë teksa i shihnin përmes vrimave të gardhit. 

Zhbërja e këtyre qendrave në Shqipëri është një detyrë e të gjithëve u shprehën folësit  dhe se ky është “një hap i parë kundër çmontimit të këtij sistemi që e shpërbën dhe disintegron dinjitetin njerëzor.” 

Murë më murë, tullë më tullë, do ta zhbëjmë Europën-Kullë

Një ditë më pas, protesta zhvendoset nga Lezha në Tiranë. Grupet majtiste dhe aktivistët shqiptarë marshuan në kryeqytet duke ia filluar nga sheshi “Skënderbej”, ata u drejtuan për tek zyra e Kryeministrit Rama. Në ballë të saj ata ritheksuan kërkesën e pakompromistë të zhbërjes së qendrave në Shëngjin e Gjadër dhe anulimin e marrëveshjes së firmosur prej tij dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Gazetarja dhe hulumtuesja Kristina Millona u shpreh në fjalën e saj se marrëveshja është produkt i një autokrati si Rama, që pasi e ka kthyer Shqipërinë në një vend të pajetueshëm për qindra mijëra shqiptarë që kanë lënë vendin, është kthyer edhe në feudal që e pandeh shtetin si pronë të tijën dhe me kërkesat e Bashkimit Europian mund të bëjë ç’të dojë me të. 

“Nuk na befason nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nga kryeministri ynë. Kjo vjen nga një lider autokrat, i cili e ka kthyer Shqipërinë në pronën e tij private me ndihmën e BE-së, që e paguan mirë për të bërë punën e pistë. Tridhjetë vjet më parë ishin shqiptarët që shtyheshin në det nga Italia me anije luftarake, tani Shqipëria është vendi ku Italia shtyn dhe deporton emigrantët e saj. Tridhjetë vjet më parë ishin shqiptarët që mbylleshin në stadiume pa ushqim dhe ujë, tani karabinierët italianë përdorin territorin shqiptar për t’i mbyllur emigrantët në Gjadër.”

Millona gjithashtu tregoi se është lënë krejt në hije turpi dhe zhgënjimi që shqiptarët ndjejnë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje që na bën bashkëpuntorë në dhunën raciale, të njëjtën dhunë që emigrantët shqiptarë e kanë vuajtuar dhe ende e vuajnë në Itali dhe Europë.

Oriola Isaku, bashkëthemeluese e Europe Other, gjithashtu vuri theksin në përjetimet që ne shqiptarët si popull kemi pasur në emigrim dhe sesi qeverisja jonë i anashkalon ato duke i zgjatur dorën Italisë kolonialiste. 

“Për ne, çështja migratore është personale, është familjare. Çdokush prej nesh ka të paktën një anëtar të familjes që jeton jashtë. Dhe në vitet ’90, të shihje djemtë dhe bijat të largoheshin prej mjerimit të madh, ishte normalitet për shumë nga nënat dhe baballarët. Përsëri po shfrytëzohemi nga Italia dhe politikat e saj kolonialiste, përmes premtimeve të rreme. Premtimi i rremë për hyrje në Europë, që e presim prej vitesh, e që përdoret për të na imponuar atë që i intereson Europës apo Italisë.”

Isaku në ballë të ambasadës italiane rikujtoi gjithashtu premtimin absurd të ambasadorit italian për Gjadrin, që do të kthehej në destinacion turistik pas ndërtimit të qendrave. Ajo u shpreh se populli shqiptar si popull emigrant nuk duhet dhe nuk do ta pranojë që vuajtjet që vetë i ka përjetuar të imponohen mbi popujt e tjerë në territorin tonë.

Të rinjtë e “Contra Confine” i ftuan zyrtarët e ambasadës italiane që t’i vizitojnë këto qendra e t’i shohin me sytë e tyre. Carlotta Luna bërtiti me megafon pyetjen që nese pas kësaj vizite do të mund të flitej për trajtim të njerëzishëm. 

“Sot jemi këtu para ambasadës italiane për të shprehur zemërimin tonë ndaj politikave raciste dhe fashiste të ndërmarra nga qeveria jonë. Qëllimi i paktit Meloni-Rama është ta bëjë emigrimin të padukshëm për shoqërinë. Dje, të gjithë pamë se sa të izoluara dhe të frikshme janë qendrat e pritjes në Shëngjin dhe CPR në Gjadër. Do të donim t’i ftonim zyrtarët e ambasadës të shkojnë atje dhe të shohin me sytë e tyre sa i lartë është muri rrethues. Pas kësaj, do t’ju pyesim përsëri: A mendoni ende se ky është një vend mikpritës? A mendoni ende se mund të flasim për humanizëm?”

Përpara se të arrinin ambasadën italiane në Tiranë, marshuesit u ndalën edhe përpara zyrës së delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Përmes thirrjeve dhe fjalëve të mbajtura ata akuzuan institucionet qëndrorë të BE-së si fashistë që për hir të paranojës së tyre vit pas viti ndalojnë, burgosin e deportojnë me mijëra e mijëra njerëz që i falen asaj për një jetë më të mirë. Zhbërja e FRONTEX dhe e politikave që veç sa e thellojnë krizën e shkeljes së të drejtave të njeriut për emigrantët që synojnë Europën, ishin thirrjet e tyre kryesore. “Ndalo dhunën në kufi” dhe “Kufijtë vrasin. Ne rezistojmë” ishin dy prej pankartave të shumta që qëndronin lart mbi kokat e protestuesëve që u zotuan që kudo të ndërtohen qendra, ata do të jenë aty për ta kundërshtuar dhe çdo politikë e ngjashme anti-emigrante do të hasë rezistencë prej tyre.