Këndojmë për Vjosën – koncert në Tepelenë buzë lumit të fundit të egër në Europë

nyje.al | 06.06.2022

Koncerti “Vjosa Forever” solli të shtunën në Tepelenë artistë që kënduan e thirrën për mbrojtjen e lumit të fundit të lirë e të egër në Europë. Vlashent Sata, Elina Duni, Eda Zari, Shpat Deda dhe Linda Rukaj u rikthyen në Vjosë për të kënduar ‘Lum Lumi i Lirë’, himn i lëvizjes. Alban Nimani me bandin e tij, bashkë me shumë muzikantë të jashtëzakonshëm nga Kosova dhe Shqipëria dhuruan emocione për qindra të pranishmit.

Jena në Vjosë për me mbështet kauzën ose ngjarjen që Vjosa të bëhet më së fundmi plotësisht Park Kombëtar me gjithë degët e saj. Kjo është një formë për me qenë bashkë, për me mujt me ngrit problematika të ndryshme ku njerëzit marin kurajon për të thënë ça nuk shkon edhe që mund të kemi një të mirë të përbashkët.

Prej dy mikeshave të mia shumë të mira, Elina Duni dhe Eda Zari, të cilat e kanë marrë këtë inicativë me na bo bashkë, mandej kemi vazhdu me ba nji kangë edhe sot jemi në këtë koncert. Bëjmë krejt thirrje bashkë që Vjosa të bëhet Park Kombëtar, që ta ketë një mbrojtje pak ma stabile dhe ma afatgjatë. Shpresoj që kjo thirrje do të dëgjohet.

Ky koncert u organizua nga EcoAlbania që prej vitesh ka lobuar për çështjen e Vjosës, duke përdorur dhe muzikën përveç formave të tjera të advokimit.

Jemi sot këtu, jemi të shumtë të numër dhe jemi të gjithë për një qëllim, që Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe momenti më i mirë është tani. 

Olsi Nika – Drejtues i EcoAlbania

Aktivitetit iu bashkuan qytetarë dhe aktivistë të shumtë, prej tyre edhe banorët e aktivistët e  #MbroZallGjoçaj, me thirrjen për lumenjë të lirë.

Sot Zall – Gjoçaj ka ardhur të mbështesë Vjosën, dhe çdo lumë tjetër i lirë, jemi në mbështetje të çdo lumi që i kërcënohet rrjedha. Ashtu siç e ka dhënë Zoti dhe ashtu siç është e dreja, lëjini lumenjtë të rrjedhin në rrjedhën e vet.

Alta Koleci – Aktiviste #MbroZallGjoçaj

Arti dhe muzika janë përdorur shpesh për kauza publike. Shpat Deda pohon domosdoshmërinë e përfshirjes në to.

Unë mendoj se si person që e ka një platformë publike, mendoj që është përgjegjësi me mbështet kauza të rëndësishme edhe me pru në opinion publik vlera që për ty janë të rëndësishme.

Shpat Deda – Këngëtar

Zëri i Eugent Bushpepës, si kujë malesh e përmbylli koncertin me thirrjen për Vjosën Park Kombëtar.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje